Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 50 –Vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Në fjalën e tij ka theksuar se historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit. Kryeministri Kurti UP-në, më shumë se një vend i dijes, e ka vlerësuar si vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.
“Sot kur kremtojmë 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, aq sa e kujtojmë me shumë nderim themelimin, po aq edhe rifillimin. Sepse, rifillimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1991 nuk ishte më pak i vështirë sesa ai i themelimit në vitin 1970. E në këtë vit të reflektimit e festimit të Universitetit për këtë gjysmëshekulli, është mirë të kujtojmë e nderojmë një nga figurat kyçe të tij, i cili refuzoi nënshtrimin dhe imponimin e të tjerëve mbi Universitetin. Atë, i cili i dha shumë vendit e pa të cilin Universiteti nuk do të ishte i tillë. Në këtë vit, më 16 prill, profesor Ejup Statovcit do t’i shënohet 80 vjetori i lindjes, e ne si institucione e kemi për obligim që ta nderojmë figurën e tij ashtu siç ai e meriton. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta”- ka deklaruar Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës me këtë rast është shprehur se shteti e ka për detyrë të krijojë dhe ofrojë kushtet dhe mundësitë e barabarta, kurse Universiteti duhet të garantojë cilësinë në arsim dhe garën për dije dhe dijen si vlerë. “Pra, le t’i ndajmë detyrat dhe përgjegjësitë dhe jam i sigurt që suksesi është i garantuar. Ne, në këtë mandat do të rrisim investimet dhe do të bëjmë reformat në arsim, por së pari duhet të dimë ku jemi. Besoj që të gjithë pajtohemi se për momentin gjërat nuk janë aq mirë, se ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për reformë e cila e përgatitë Universitetin për t’u përballur me sfidat e kohës tonë. Koha është tash dhe ky është momenti që kemi pritur. Kurrë nuk ka pasur qeveri më të interesuar, e më të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit”- ka theksuar në fjalën e tij – Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës.
https://www.facebook.com/albini2017/posts/804149276751625?__tn__=K-R