Prof. Dr. Salajdin Salihu | Mbase është koicidencë që dita e poezisë është në pranverë. Poezia konsiderohet si “pranvera e shpirtit“. Poeti është ëndërrimtari që flet me gjuhën e harruar. Fjalët e tij janë prej fryme. Ai shkruan kur Hyji flet brenda tij. Me gënjeshtra thotë të vërtetat më të trishta të tokës, të ferrit dhe qiellit. Dhe zogjtë e tij fluturojnë në qiellin e së nesërmes.
Poezia është lulja e së keqes, e ushqyer nga nektaridhe ambrozi i gjuhës. Është zëri që vjen nga thellësitë e kohës dhe jehon në kohën që s’ka ardhur.Është thirrje e të ikurve, shumëfishuar nga goja e një foshnje. Është syri që zbulon të padukshmen. Është klithje në humnerë. Është asgjëja dhe gjithçkaja për të cilën kemi nevojë. Është
e adhuruara pa interes, sipas botëshikimit kantian. Është fryma që triumfon mbi shpatën.
Poezia është edhe “pamundësia për çfarëdo aktualizimi”, sikurse thotë Emil Sjorani, kurse poeti, “që jeton nëpërmjet vdekjes”, është “Helderlini i arratisur në Greqi iluzore”, që “dashurinë e formëson nëpërmjet dehjes dhe i realitetit”, pa mundur që t’i ik vetvetes,obsesioneve dhe ekstazava të tij të pashërueshme.
“Të jetosh pranë tij, thotë Sjoran, do të thotë të ndjesh se si të dobësohet gjaku, do të thotë të ëndërrosh parajsën anemike dhe të dëgjosh se si të rrjedhin lotët nëpër vena”.
Poetët, këta ëndërrimtarë të papërmirësueshëm, edhe kanë besuar, me naivitet, se mund ta ndryshonin botën. Ata janë zhgënjyer sa herë e kanë braktisur botën e estetikes dhe kanë marrë misione etike apo politike.
Kanë përjetuar fatin e Don Kishotit. Kalorësi i arratisur është i shituar nga estetika. Estetika e shpie tek etikja. Si lexues është në dimensionet e estetikes, por si veprues e braktis estetiken dhe synon ta ndreq botën. Në këtë mision shoqëror ai është humbësi. Por edhe në këtë mision sërish është i robëruar nga estetikja, nga ëndrra, prandaj edhe dështon. Kur kthjellet e ka pranë vdekjen.
Hyu i sajoi poetët që ta shijojnë qiellin dhe t’i flasin atij, kur askush nuk i dëgjon. Këtë na e thotë edhe princi i qelbësirës Sharl Bodler.
Armët e poetit janë fjalët. Veprat e tij janë sajuar nga shpikja më e madhe e njeriut – gjuha. Bota e gjuhës është bota e poetit. Nëpërmjet gjuhës depërton në zonat më të thella dhe më të errëta të shpirtit njerëzor, ku zbulojnë përmasa të reja ekzistenciale.
Ata janë krahasuar me albatrosin. Janë mahnitës kur fluturojnë në qiellin prej ëndrre, por naivë kur veprojnë në botën e interesave të mëdha, që prodhojnë konflikte të mëdha.
Bota e ëndrrave të tyre, ajo botë e thellë, është në përplasje me botën e egër të makuterisë. Nuk pranohet ose refuzohet nga bota e trishtë e sipërfaqësore.
Poetët janë edhe të keqkuptuar. Dhe bota, sikurse thotë Saramago, “përherë i ka pritur me përçmim”.
Por edhe poetët i kanë përçmuar përçmuesit e tyre. Dishepulli Mateu, foli me gjuhë poetike: “Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë”.
A e ndryshon letërsia botën? Një pyetje që e kanë bërë shekujt. Ndonjë shekull e ka pohuar, e ndonjë shekull e ka mohuar. Dostojevski, që kërkonte një dhembje për të dhënë një kryevepër, tha se “letërsia nuk e ndryshon botën, por atë e bën më të bukur”.Botën mund ta bëjnë më të bukur ata që kanë vetëdije estetike. Ky është privilegj i një pakice, të cilët, mjerisht, shpesh i ka fshikulluar fati i keq. Ata janë goditur pikërisht nga ata që letërsisë kanë dashur t’i japin mision për ta ndryshuar botën.
Tiranët që tentuan t’i jepnin letërsisë vetëm “mision shoqëror” ishin armiqtë më të mëdhenj të saj. E shndërruan letërsinë në skemë, në propagandë. Danilo Kishi e porosiste shkrimtarin e ri që të ishte mosbesues ndaj “trenave të historisë”.
Nëse letërsinë e nxjerrim përtej dimensioneve të estetikes apo artistikes, ajo vdes. Letërsia nuk është etikë, ideologji, pedagogji. Leximi i letërsisë, sipas Harold Bloom-it, është ftesë për ta ndryshuar vetveten. Bota e letërsisë është planeti TLNU për të cilin flet Borhesi, njëri ndër lexuesit më të mirë të të gjithë kohërave. Minotauri i tij nuk del nga labirinti, sepse nuk mund të gjendet në kaosin e kësaj bote. I ngjashëm është Borhesi, që e kaloi jetën në prani të librave, duke e gjetur sigurinë në bibliotekë, ku “peshën e librave e ndjen në mënyrë fizike”. Biblioteka për të është vetë parajsa, libri ështëinstrumenti më mahnitës i njeriut. Libri është asgjë nëse nuk hapet, por “kur e lexojmë, atëherë ndodh çudia: nise ndryshon vazhdimisht, sepse lexuesi e pasuron librin”.
Relacionin krijues – lexues e shpreh nëpërmjet Berklyt: “Shija e mollës nuk është as te molla, as te buza e njeriut që e han. Shija lind nga prekja e ndërsjellë”.
Edhe për këtë autor letërsia është ëndërr, palimpsest i papërfunduar, që lind si nxitje nga veprat tjera dhe si përgjigje ndaj tyre. Letërsia është mospajtim i realitetit dhe irealitetit. Ky mospajtim shndërrohet në “sistem të pafundëm pasqyrash, ku njëri iluzion e zëvendëson tjetrin, prej një ëndrre buron ëndrra tjetër, në një shfaqje luhet shfaqja tjetër”.
Letërsia është realitet simbolik, i përfytyruar, i mundshëm, alternativ. Është tejbotë e “zhveshur nga aktualiteti”, që komunikon me shumë “aktualitete“, sepse, sikurse thoshte Alen Boske, “vetëdija e poetit puqet diku me vetëdijen e lexuesit”. Mbase edhe më shumë se sa kaq:edhe pavetëdija e poetit puqet me pavetëdijen e lexuesit.