• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 11 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Arsim

Leksiku pa kufi i gjuhës standarde shqipe

06/02/2020
| Arsim

Jani Thomai | Në fillim dua të vë në diskutim disa emërtime-terma e konceptet që shprehin ato. Vitet e fundit janë përdorur dendur formulime të tilla, si gjuha shqipe pa kufi, gjuha shqipe në bunker[1], gjuha shqipe në rrezik etj. Ndonjëherë cilësimi shqipe e mbyllur mbështetet e motivohet me përbërjen leksikore e veçanërisht me fjalësit e fjalorëve shpjegues që kanë dalë deri më sot, duke lënë mënjanë shqipen standarde në veprimtarinë e gjithanshme të shoqërisë shqiptare. Edhe në gjykimin e fjalorëve shumë herë nuk mbahet parasysh tipi i tyre nga vëllimi e nga lënda që përfshijnë. Ana kuptimore e fjalëve, zbërthimi i përmbajtjes, strukturat kuptimore e shpjegimet, që përbëjnë “gjakun” e fjalorëve shpjegues (sepse fjalët në fjalorë për kuptimet jepen), janë lënë jashtë vëzhgimit e kritikës shkencore. Fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe që kanë dalë arrijnë deri te tipi i mesëm dhe janë të përgjithshëm e normativë, nuk janë fjalorë krahinorë, terminologjikë, neologjizmash, huazimesh, fjalorë autorësh etj., sado krahinorizma, terma, neologjizma a huazime të përfshijnë. Veç kësaj, është keqkuptim nëse mendohet që të gjitha fjalët që nuk gjenden në këta fjalorë, nuk janë normë e standardit dhe “janë të dënuara” të mos përdoren. Një fjalor i madh për standardin do të ishte më i plotë në këtë anë, kurse një fjalor edhe i mesëm ka një prerje të vetën e nuk mund të përfshijë gjithë leksikun e standardit, edhe gjithë ato shtresa fjalësh që kanë të ardhme për të hyrë në leksikun e gjuhës standarde si lëndë pasuruese.

Pyetja e parë që shtrohet këtu është: formulimet e përmendura kanë parasysh gjuhën shqipe apo shqipen standarde? Siç dihet, gjuha shqipe deri në fillim të këtij shekulli ka pasur kufi politikë ndarës, kurse sot “harta e gjuhës shqipe”[2] është e plotë, nuk njeh më kufi të tillë. Kjo përbën një situatë të re për shqipen në përgjithësi, por edhe për shqipen standarde. Kështu hiqen pengesat e mëparshme e krijohen të gjitha mundësitë që edhe standardi në fushë të leksikut të mbështetet në të gjithë truallin ligjërimor të gjuhës shqipe e të ushqehet nga të gjitha burimet e saj. Tash jemi ne vetë që mund ta ruajmë bazën e saj të plotë, pa kufi,  apo të ngremë kufij të rinj, në të dyja drejtimet: së pari, brenda vetes, sipas veçorive gjuhësore dhe etno-kulturore të trevave shqiptare, të edukimit e të vetëdijes gjuhësore të shqipfolësve ose të mendësisë së ngushtë krahinore; së dyti, përballë gjuhëve të tjera, sot kryesisht përballë anglishtes, përballë globalizmit dhe pasojave të integrimit evropian; këtu shumëçka varet nga kuptimi e qëndrimi ynë nxitës a frenues. Në të dyja drejtimet për gjuhëtarët ka shumë mundësi ndërhyrjeje shkencore, forma organizimi të mundshme e të frytshme, që me vullnet të mirë e frymë bashkëpunuese mund të sendërtohen duke na çuar drejt njësimit të domosdoshëm edhe të bindjeve e të vetëdijes gjuhësore në rrafsh kombëtar. Kjo nuk arrihet me “konsensus” si në politikë, në shkencë duhet të fitojë e vërteta që del përmes studimeve e rrahjes së mendimit shkencor.

Nëse flasim për gjuhën shqipe në përgjithësi, kufizimi, koncepti e termi pa kufi e vë atë përballë ndikimeve të huaja dhe çështja shtrohet për ruajtjen e pastërtisë e për pastrimin e gjuhës shqipe nga huazimet e panevojshme[3]. Nëse flitet për shqipen standarde, atëherë çështja shtrohet për ruajtjen e normës gjuhësore, pra e vë shqipen standarde jo vetëm përballë huazimeve të panevojshme, por edhe përballë krahinorizmave të ngushtë, neologjizmave të parregullt a të pangulitur, fjalëve të vjetruara, fjalëve të ligjërimit të thjeshtë etj. Në këtë kuptim gjuha standarde shqipe, sikundër gjuhët e tjera, si edhe fjalorët normativë kanë “kufij”.

Lidhur me normën gjuhësore në leksikun e shqipes letrare (standarde) është shkruar dhe është folur shumë e këtu po kujtojmë vetëm dy veçori thelbësore të saj: a) norma leksikore është shumë e çlirët, nuk njeh kufij dialektorë a krahinorë, ka kërkesa të tjera, të ndryshme nga norma gjuhësore në drejtshkrim a në drejtshqiptim ose në gramatikë (p.sh. jo vetëm nuk pengohet nga burimi ligjërimor krahinor i fjalëve, përkundrazi, e shfrytëzon shumë këtë burim për pasurimin e vet; jo vetëm nuk e mënjanon sinoniminë, përkundrazi e zgjeron atë si pasurim për saktësimin, larminë e bukurinë e shprehjes etj.); b) norma leksikore njeh njësinë fonetike të varianteve fonetike të fjalëve, pra, pavarësisht nga dallimet fonetike dialektore (p.sh. dukuritë dialektore n/r, â/ë, ue/ua, -nj/-j etj. nuk e prishin identitetin e njësuar të fjalës, d.m.th. rana / rëra, kâmba / këmba, ftue / ftua, këndonj / këndoj janë të njëjtat fjalë nga ana leksikologjike, pra nuk kemi fjalë të ndryshme dialektore, por variante të ndryshme fonetike dialektore të së njëjtës fjalë)[4].

Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 1954 sjell si pasuri leksikore shumë sinonime dialektore. Sipas A. Xhuvanit, “në këte gjendje aktuale të gjuhës shqipe nuk na paraqiten ato kushte objektive që duhen për të caktuar një normë të dëshiruar, as në toskërishten, as në gegërishten. Edhe pse disa fjalë e kanë fituar të drejtën përfaqësuese, nuk do të thotë se nuk do të shtihen në fjalor  sinonimet e tyre katund, katundar, katundësi; gudulis, giciloj; djalëri, djemuri; i unshëm, i uritur, i urët; vleftë, vlerë etj., që i gjejmë në vepra ose që fliten ende në popull”[5]. Por ky fjalor shkon edhe më tej se sinonimet leksikore dialektore, ai pranon edhe variante fjalëformuese (si:  i andejmë / i andejshëm, ambëltoj / ëmbëlsoj, ardhishkë / hardhucë, e ardhme / e ardhshme, artuer / arar, ashër / ashkë / ashkël, ashpëroj / ashpërsoj, ashtë / ahishtë, i ashtër / i eshtër, aullin / angullin, carrok / camërdhok, cekë / ceklinë, cergar / cergatar, i cermë / i cemtë, cfurk / tëfurk / furkë, cikofua / cikofoj, cin / ciat, cirua / cironkë, cubak / cubel, cung / cungë / cungull, cungoj / cungulloj, çajre / çair, i çalë / çalaman / çalok,  çallë / çallatë, çalloj çallatoj, çap / përçap, çapua / çapok, çart / përçart, çefas / fshehtas, çetanik / çetar, çfrytëzonjës / shfrytëzues, çiçibanoz / çiçibune, çikërri / çikërrimë, çimërr / çimkë, çkriftoj / shkrif / shkrifëroj, çobaneshë / çobankë, çobani / çobenëri, çubë / kaçubë, çuçuras / çuçuris, çudi / çuditni, sëmundë / sëmundje, shpërblestar / shpërblimtar, shpifarak / shpifës etj. Një vend të gjerë zënë aty variantet fonetike e shqiptimore dialektore, çka mund të shpjegohet me gjendjen e shqipes standarde në kohën që u hartua ky fjalor, por edhe me konceptin e autorëve të tij për normën gjuhësore në zhvillim e në lëvizje dhe për ndihmesën e përbashkët e të barabartë të të dy dialekteve të shqipes në ngjizjen e leksikut të përbashkët. Ndërkaq ato nuk janë fjalë të ndryshme dialektore, të gegërishtes a të toskërishtes, janë variante të të njëjtave fjalë. Vetëm në 3 shkronja (A, C, Ç) ka mbi 200 variante të tilla, si: agjërim / agjinim, agjëroj / agjinoj, ahere /atëherë, aj / ënjt, akllai / okllai, alijer / halijer, alivan / vilani, i ambël / i ëmbël, ambëlsi / ëmbëlsi, ambëlsoj / ëmbëlsoj, ambëltore / ëmbëltore, andë / ëndë, andërr / ëndër, andje / ëndje, andrrim / ëndërim, andrroj / ëndëroj, i andshëm / i këndshëm / i kandshëm, anmik / armik, ardhi / hardhi, i argjendë / i ergjëndë, arshin / rrëshirë, arushë / harushë, asajt / asaj, asgjâ / asgjë, asnjani / asnjëri, ashef / hashef, ashtnim / eshtëri, atej / andej, i atidhë / i atillë, atnuer / atëror, auktor / autor, azdisem / hazdisem, azgan / azgën, cap /cjap, cefël / celfë / cifël / cufël, cek / çik, cenoj / cënoj, cep / cip / çip, cërule / crule / cule, cingare / cigare, cik / çik / cek, cfilit / sfilit, cicë / sisë, i cikatun / i cokatun, ckërkë / skërkë, ckërmit / skërmit, cmir / smirë, cullufe / xullufe, cup / sup, cvjerdh / zvjerdh, cule / cyle, çafkë / çapkë, çalok / çaluk, çarape / çorap, çardak / çardhak, çare / çfarë, ças / çast, çashtje / çështje, çbëj / shbâj,  çdredh / zhdredh, i çdrejtë / i zhdrejtë, çduk / zhduk, çdukje / zhdukje, çekërk / çikrik, çel / çil, çelik / çelnik, i çeliktë / i çelniktë, çemento / çimento, çepé / perçe / çerpe, çerep / çerjep, çervé / çevré, çeshtij / teshtij, çë / që, çë / ç’, çfaq / shfaq, çfaqje / shfaqje, çfaros / shfaros, çfarosje / shfarosje, çfryj / shfryj, çfrytëzim / shfrytëzim, çfrytëzoj / shfrytëzoj, çfrytëzonjës / shfrytëzonjës, i çfrytëzuar / i shfrytëzuar, çimkë / kimçë, çirish / qiriç, çkallmoj / shkallmoj, çkalloj / shkalloj, i çkalluar / i shkalluar, çkarkim / shkarkim, çkarkoj / shkarkoj, çkatërraq / shkatërraq, çkatërrim / shkatërrim, çkatërrimtar / shkatërrimtar, çkatërroj / shkatërroj, çkëlqej / shkëlqej, çkëlqim / shkëlqim, i çkëlqyer / i shkëlqyer, çkëmbej / shkëmbej, çkëmbim / shkëmbim, çkëput / shkëput, çkëputje / shkëputje, çkoq / shkoq, çkoqit / shkoqit, çkoqitje / shkoqitje, çkoqur / shkoqur, çkreh / shkreh, çkrep / shkrep, çkrepëtimë / shkrepëtimë, çkrepëtin / shkrepëtin, çkrif / shkrif, çkrij / shkrij, çkrimb / shkrymb, çkrirës / shkrirës, çkrirje / shkrirje, çkujdesem / shkujdesem, çkudesje / shkujdesje, i çkujdesur / i shkujdesur, çkul / shkul, çkundërmon / shkundërmon, çlodh / shlodh, çlodhje / shlodhje, çnderim / shnderim, çnderoj / shnderoj, i çndershëm / i shndershëm, çpabesem / shpabesem, çpalos / shpalos, çpall / shpall, çpallës / shpallës, çpallje / shpallje, çpenkoj / shpenkoj, çpërblej / shpërblej, çpërblim / shpërblim, çpërblesë / shpërblesë, çpërblestar / shpërblestar, çpërblimtar / shpërblimtar, çpërblyes / shpërblyes, çpërkas / spërkas, çpif / shpif, çpifarak / shpifarak, çpifës / shpifës, çpifje / shpifje, çpihem / shpihem, çpik / shpik, çpikës / shpikës, çpikje / shpikje, çpim / shpim, çplaj / shplaj, çpoj / shpoj, çporr / shporr, çpronësim / shpronësim, çpronësoj / shpronësoj, çpyllëzim / shpyllëzim, çpyllëzoj / shpyllëzoj, çqep / shqep, çqetësim / shqetësim, çqetësoj / shqetësoj, çqit / shqit, çquaj / shquaj, i çquar / i shquar, çrregullim / shrregullim, çrregulloj / shrregulloj, i çrregullt / i shrregullt, çrrënjos / shrranjos, çthur / shthur, çufkë / xhufkë, çvat / xhvat, çvillim / zhvillim, çvilloj / zhvilloj, çvosh / zhvoshk, sëmuj / sëmur, i sëmunë / i sëmurë  e shumë të tjera në të gjitha shkronjat. Është për të vënë re që formimet me parashtesën ç- vijnë përgjithësisht prej të folmeve jugore e ato me sh- prej të folmeve veriore; autorët e fjalorit i kanë ruajtur me kujdes dallimet edhe në ndërtimin e brendshëm fonetik të fjalëve sipas të folmeve, çka duket qartë te shembulli çrrënjos / shrranjos (70), pra ruhen temat me tipare fonetike sipas dialekteve rrënjë / rranjë. Me këtë përbërje e trajtim leksikografik Fjalori i gjuhës shqipe (1954) i ka shumë të hapur kufijtë. Këto variante flasin ose për një koncept më të gjerë për normën gjuhësore të autorëve, ose për një normativizim të dobët të leksikut që përmban ky fjalor, megjithëse në parathënie është cilësuar si “fjalor përshkrues e normativ”[6], ndërsa më poshtë thuhet se “ Fjalori në këtë botim të parë të tij s’arrin të jetë një udhëzues i prerë i normave të gjuhës letrare aqë sa dëshirohet”[7]. Sot as që mund të mendohet që variante të atilla fonetike dialektore të përfshihen në një fjalor normativ të standardit. Po shtojmë që ky fjalor shkon akoma më tej duke ndërhyrë edhe në sistemin gramatikor nëpërmjet temave foljore dialektore, si pjesorja e paskajorja. Që në parathënie të fjalorit del një pjesore e shkurtuar e gegërishtes si temë e mbiemrit prejfoljor; aty thuhet: “Në fjalor i u bë vend mjaft fjalëve të huaja. Këto janë në pjesën më të madhe fjalë me karakter ndërkombëtar ose fjalë të gjuhës së folë e të folklorit. Ka prej tyre që janë vënë vetëm se ndeshen në gjuhën tonë të shkruar e të folë…”[8]. Pjesore të dialektit verior gjejmë brenda fjalorit, në struktura të mbiemrave a të emrave prejpjesorë, si: i amshuem (9), i ardhun (15), artuer (18), i çartun (63), i sëmunë (490) etj., madje edhe paskajore të dialektit verior: ardhë (me) fint. sh. vij (14).

Fjalorët shpjegues të mëpasmë (1980, 1984/2002 e 2006), megjithë vëllimin e tyre më të madh (mbi dyfishin e fjalëve e shumëfish kuptime), patën “kufij” më të mbyllur nën trysninë e tipit të tyre të mesëm e normativë. Sipas meje, “kufijtë”, hapja a mbyllja e leksikut të standardit dhe e fjalorëve për të nuk maten me sa pranon standardi në leksikun e vet nga çdo lloj burimi, por me çfarë pranon. Sipas këtij kriteri janë hartuar edhe fjalorët shpjegues normativë dhe, me gjithë të metat e pashmangshme e të kritikueshme, ia kanë arritur qëllimit për kohën e vet.

Besoj se kur flitet për gjuhë shqipe të mbyllur a për gjuhë shqipe në bunker mbahet parasysh jo gjuha shqipe në tërësi, por shqipja e sotme standarde, dhe jo përballë huazimeve leksikore, por përballë burimeve të brendshme të leksikut të gjuhës shqipe. Në rrjedhën e vet historike gjuha shqipe nuk ka qenë e mbyllur, aq më pak në bunker, as përballë huazimeve leksikore nga gjuhë të popujve të tjerë, me të cilët shqiptarët kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta nga pushtimet, nga bashkëjetesa në të njëjtat perandori, nga fqinjësia gjeografike, nga shkëmbimet kulturore etj. Shembujt janë krejt të dukshëm me huazimet e hershme e të reja nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja, gjuhët orientale (turqishtja, arabishtja, persishtja), gjuhët neolatine e neosllave, angleze etj.: edhe pse shumë fjalë prej këtyre gjuhëve janë tretur e kanë humbur në rrjedhën e shekujve, një pjesë vetvetiu e një pjesë me ndërhyrje të vetëdijshme gjuhësore (sidomos në terminologji), prapëseprapë shumë të tjera gjallojnë edhe sot në sistemin leksikor të shqipes, madje me zhvillime të vjetra fjalëformuese e semantike brenda shqipes. Në këtë dukuri shqipja nuk përbën ndonjë përjashtim nga gjuhët e tjera simotra.

Koncepti shqipja pa kufi, në fushën e leksikut – leksiku pa kufi – (duke nënkuptuar standardin), natyrisht nuk mund të mohojë a të përjashtojë konceptin e ruajtjes së kufijve të normës leksikore, sipas së cilës vërtet nuk ka më kufij as politikë, as krahinorë, as sipas krijuesit, por ka kufij sipas specifikës së vetë kësaj norme leksikore, që do të thotë më shumë kujdes e përmbajtje në pranimin e fjalëve të huaja të panevojshme dhe më shumë liri për prurje nga burimet e brendshme, nga ligjërimet popullore, nga folklori, nga krijimet dorëmbara të autorëve etj. Sipas këtij parimi Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 2006 nuk ka përdorur shkurtesën shih për sinonimet dialektore e krahinore ose për neologjizmat, kur nuk vijnë në kundërshtim me normën gjuhësore dhe sjellin pasurim në leksikun e standardit (p.sh. i proshkët i freskët, taze, hulli brazdë, trysni presion), madje edhe me dukuri fonetike dialektore (si: burrni, burrneshë, shtatzanë ), madje edhe për ato huazime, të vjetra e më të reja, që detyrimisht kanë ardhur e vijnë në rrethanat e liberalizimit të kufijve e të globalizmit gjuhësor, në kushtet e reja të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor, të integrimit të shqiptarëve në botën evropiane etj.

Fjalorët, si vepra kodifikuese, na e japin gjendjen e leksikut deri në çastin e hartimit të tyre, por zhvillimin e lëvizjet në leksik më shpejt e pa ndërprerje i shohim në ligjërimin e gjallë, të folur e të shkruar, natyrisht në rrafshin e standardit, pra normativ. Po të vërejmë leksikun e ligjërimit të letërsisë artistike të njëzet viteve të fundit, duket lehtë që ai ka bjerrë shumë fjalë të leksikut e të frazeologjisë popullor, nuk është prekur thuajse fare nga vala e huazimeve dhe është pasuruar kryesisht me krijime të reja të vetë autorëve. Më qartë kjo shihet në veprat e fundit të Ismail Kadaresë, të Fatos Kongolit etj. Publicistika, që edhe më parë nuk është shquar për leksik e frazeologji popullore të pasur, është mbushur me fjalë të huaja, shumica të panevojshme, si edhe me kalke leksikore e sintaksore. Në këtë gjendje të saj ndikojnë edhe shkrimet e fjalimet e grupeve të larta shoqërore, si politikanët, deputetët, pushtetarët e zyrtarët e të gjitha funksioneve, që botohen në gazeta a jepen në radio-televizion. Në këtë vorbull zhvillimesh të shpejta të stilit politiko-shoqëror, të publicistikës e të letërsisë artistike çdo fjalor mbetet gjithashtu shpejt prapa, sepse nuk është vepër me botim të përditshëm ose me atë hapësirë pa kufi ndikimi si gazetat, revistat, radio-televizioni ose tekstet mësimore, letërsia artistike a ligjërimi politiko-shoqëror publik etj.

Sipas meje leksiku i shqipes së sotme standarde, më shumë në ligjërimin e folur, është në gjendje të turbulluar, qëndrueshmëria e tij e përgjithshme është lëkundur për shkaqet që i përmenda më lart, duke shtuar këtu edhe shpërfilljen e grupeve shoqërore të ngritura ndaj standardit, dobësinë e shkollës në mësimin e gjuhës amtare, rihedhjet e përsëritura në diskutim, herë me të drejtë e herë jo, e zgjidhjeve të arritura më parë etj. E mira që sjell kjo gjendje është një ripërtëritje e mundshme drejt plotësimit e njësimit kombëtar, nëpërmjet pasurimit nga të gjitha burimet e brendshme të shqipes pa kufij territorialë a ligjërimorë. Leksiku i shqipes standarde sot jep shenja të fillimit të formimit të standardit (ose të një riformimi) dhe forca e tij përthithëse është fuqizuar shumë. Por krahas kësaj të mire ecin edhe disa dukuri që rrezikojnë ruajtjen e identitetit të gjuhës dhe njësimin e saj kombëtar: rreziku i ndotjeve të huaja, d.m.th i huazimeve të panevojshme, pra prishja e pastërtisë së gjuhës, kundrejt së cilës vëmendja është dobësuar; shfytyrimi i ligjërimit të folur duke shkuar artificialisht drejt ligjërimit libror; prishja e kufijve stilistikë dhe përzjerja e mjeteve nëpërmjet keqpërdorimit të fjalëve të rrafsheve të ndryshme të gjuhës (p.sh. “instrumentalizimi dhe politizimi i kësaj çështjeje kanë shkuar goxha larg”) etj.

Në këto rrethana kemi përpara shumë detyra, disa nga të cilat po i rikujtoj këtu: përpjekjet për rritjen e përgjegjësisë e mprehjen e vetëdijes gjuhësore nga grupet shoqërore, nga shkolla, nga publicistika, nga letërsia e të gjitha stileve, nga administrata civile etj. për ruajtjen e pastërtisë së kërkuar të leksikut të shqipes standarde; pasurimi i leksikut të standardit me fjalë të nevojshme nga ligjërimet popullore, nxjerrja e tyre në dritë nëpërmjet regjistrimit të përgjithshëm, ngritja e kartotekës kombëtare të leksikut të shqipes dhe regjistrimi i saj elektronik, hartimi i fjalorëve dialektorë dhe i fjalorëve të autorëve, hartimi i fjalorit të madh për gjuhën shqipe etj.; njësimi leksikor, sidomos terminologjik, në gjithë trevat e gjuhës shqipe; forcimi i ndikimit në praktikën gjuhësore i arritjeve shkencore leksikologjike, veçanërisht në ligjërimin e shkruar, në tekstet mësimore e në publicistikë, që kanë rrezatim të gjerë, të drejtpërdrejtë e të përditshëm në edukimin gjuhësor të shkollarëve e të qytetarëve.

Dhe së fundi, përse të mos krijojmë “Shoqatën e gjuhëtarëve shqiptarë”, si organizmin e parë të bashkimit kombëtar në fushën e albanologjisë?

[1] M. Elezi, Fjalor i shqipes së sotme.

[2] E. Lafe ka përdorur këtë përckatim të frytshëm në një bisedë televizive.

[3] Për theksimin huazime të panevojshme është shkruar e është folur shumë herë; shih së paku J. Thomai, Probleme të lekikut në shqipen standarde, në “Gjuha shqipe”, 2009.

[4] Po aty.

[5] A. Xhuvani, Çështja e “Fjalorit të gjuhës shqipe”, në “Nëntori”, 1957, 1; ky pohim bëhet pas kritikës së A. Kostallarit për Fjalorin, se ka përfshirë shumë sinonime e variante fonerike dialektore, që vijnë në kundërshtim me normën letrare:  Në rrugën e hartimit të fjalorit normativ të shqipes së sotme, në BShSh, 1961, 3.

[6] Fjalor i gjuhës shqipe, 1953, f. III.

[7] Po aty, f. IV.

[8] Po aty, f. III-IV.


Publikimi i mëparshëm

Valentin Veizi – kompozitori që e zbuloi talentin e Elsa Lilës

Publikimi i radhës

21 vjet nga Konferenca e Rambujesë

Publikimi i radhës

21 vjet nga Konferenca e Rambujesë

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.