Kompozitori i njohur Valentin Veizi ka qenë i ftuar pasditen e djeshme në emisionin ‘Rudina’, ku ka treguar për rikthimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri pas disa vitesh. Ai u shpreh se arsyeja është kompozimi i kolonës zanore të filmit “I love Tropoja”. Mirëpo, Veizi nuk nguroi të fliste edhe për disa sekrete të karrierës që askush nuk i dinte më herët. Ai ka rrëfyer sesi për herë të parë zbuloi midis fëmijëve të tjerë talentin e veçantë të këngëtares Elsa Lila.
“Elsa ishte në klasë të tetë atëherë dhe një mësuesja ime më kërkoi ta ndihmoja për një aktivitet që bëhej në shkollën e tyre. Midis fëmijëve më bëri përshtypje një zë shumë i veçantë, komplet ndryshe nga gjithë të tjerët, nga gjithë ata që unë kisha dëgjuar. Vendosa t’i shkruaj një këngë. I them xhaxhait të asaj që e kisha shok, mik i them kështu-kështu. Shkruaj ‘Pyes lotin’, ia tregoj, kënga pëlqehet. Vendosëm ta çojmë në festival, pa e ditur që do të merrte ato përmasa. Por falë realizimit të këngës, tekstit dhe zërit të Elsës, unë tani diskutoj për ‘Pyes lotin’, pas 24 vitesh dhe kënga dëgjohet dhe pëlqehet. Nuk ka satisfaksion më të madh për një kompozitor, sesa të flitet për një krijim pas kaq vitesh”, tha Valentin Veizi.
www.newsbomb.al