Dr. Bajram Kosumi | Në këtë punim analizohen demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, shkaqet që kanë sjellë dhe efektet e tyre në proceset e mëvonshme politike, nacionale e sociale në Kosovë dhe më gjerë. Analiza është bërë nga dy perspektiva: nga perspektiva e kohës kur kanë ndodhur demonstratat dhe nga perspektiva e sotme, tash kur dihet epilogu i gjithë atyre zhvillimeve që ndërlidhen me ato demonstrata. Këto demonstrata patën një ndikim të madh në proceset politike në tri sfera: në sferën shqiptare, në sferën jugosllave dhe në sferën e socializmit botëror. Në sferën shqiptare, sidomos në Kosovë, ato patën një ndikim të madh historik në të gjitha proceset sociale, nacionale e demokratike.
Çfarë ndodhi në Kosovë në vitin 1981?
Në vitin 1981 në Kosovë kanë ndodhur demonstrata dhe protesta, fillimisht të rinisë studentore [11 dhe 26 mars] pastaj gjithë popullore [1 dhe 2 prill e më tutje]. Demonstratat ishin masive, fillimisht morën pjesë vetëm studentët dhe inteligjencia e re, por më pastaj, në demonstratat e 1 dhe 2 prillit morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë të të gjitha strukturave sociale. Nga demonstratat u distancuan dhe i dënuan ashpër anëtarët e Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe të strukturave të tjera të pushtetit. Demonstratat e para u organizuan në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, mirëpo menjëherë pas demonstratës së dytë të studentëve, më 26 mars, ato u organizuan në të gjitha qytetet e Kosovës, madje edhe nëpër lokalitete më të vogla. Në mesin e shumë parullave në demonstrata mbizotëroi parulla për formimin e Kosovës Republikë. Kryesia e Jugosllavisë më 2 prill 1981 shpalli gjendjen e luftës në Kosovë dhe nxori armatën në skenën e Kosovës.[1] Pavarësisht nga kjo, demonstratat vazhduan në qytetet tjera të Kosovës. Pati mbi 10 demonstrues të vrarë. Vetëm gjatë atij viti gjykatat komuniste dënuan qindra demonstrues deri me 15 vjet burg.[2] Ndërsa në vitet në vazhdim, sipas të dhënave serbe, numri i të dënuarve politikë arrin në disa mijëra veta.[3] Nga viti 1981 e deri në fund të viteve ’90, sipas burimeve zyrtare jugosllave, rreth 50.0000 shqiptarë kishin kaluar nëpër duart e policisë.[4] Duke parë rrezikun e pavarësimit të Kosovës, qeveria Jugosllave, nën trysninë e qeverisë së Serbisë, nisi proceset e dhunshme kundër autonomisë së Kosovës, të cilat çuan te viti 1989, kur policia, ushtria dhe administrata serbe pushtoi të gjitha institucionet e Kosovës dhe i vuri shqiptarët jashtë ligjit. Shteti jugosllav përdori armatën dhe tërë potencialin politik e administrativ kundër lëvizjes shqiptare të vitit 1981, por nuk arriti ta ndalë kurrë.
Demonstratat e vitit 1981 janë të parat pas vitit 1968 në Jugosllavi dhe, bashkë me demonstratat e Solidarnostit në Poloni, u paraprijnë ndryshimeve revolucionare që ndodhën në gjithë bllokun socialist në fund të viteve ’90 të shekullit XX. Për të kuptuar rolin e vërtetë të zhvillimeve të atij viti, paraprakisht duhet parë ndikimet e tij në proceset e gjithëmbarshme politike. Në këtë punim do të veçohen disa prej argumenteve se pse dhe si ndodhi revolucioni i vitit 1981, kush janë autorët e tij dhe cilat janë rrjedhojat e demonstratave të vitit 1981 në historinë e Kosovës, të shqiptarëve dhe të socializmit botëror në përgjithësi?
- Sfondi: shkaqet që kanë sjellë demonstratat e vitit 1981
Është fare e kuptueshme që një emnesë historike të shikohet nga kënde të ndryshme. Kështu ka ndodhur me kryengritjen e vitit 1981. Deri te një rezyme politike, megjithatë, mund të vihet, nëse vërehen shkaqet që kanë sjellë deri te ato ngjarje, vetë rrjedha e tyre, si dhe lidhmënia e tyre me rrjedhat politike në Jugosllavi pas ’81-shit e tutje. Fakti që shqiptarët, kurdo dhe kudo, që nga viti 1912 e këndej e kanë konsideruar Kosovën dhe territoret e tjera shqiptare në Jugosllavi të pushtuara me forcë dhe pa të drejtë, është shkaku i vërtetë i gjithë lëvizjes shqiptare për çlirim, të filluar që nga Hasan Prishtina e të përfunduar në qershor të vitit 1999, me dëbimin e forcave dhe të administratës serbe nga Kosova. Por, ka edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar në fillimin e demonstratave të vitit 81.
– Pozita kushtetuese e Kosovës. Pozita kushtetuese e KSA të Kosovës, sipas Kushtetutës së vitit 1974, ishte një kompromis i imponuar nga kreu jugosllav, si për shqiptarët, ashtu edhe për Serbinë. Natyrisht që këtu ka ndikuar fuqishëm vetë faktori shqiptar, kombi i tretë për nga madhësia në Jugosllavi, e i cili nuk pajtohej me pozitën e robit, çka u pa edhe në demonstratat e vitit 1968. Kjo kushtetutë përveç që pajtonte shqiptarët, luante një rol balancues kundrejt kombit të madh serb dhe kombeve tjera të vogla jugosllave. Shqiptarët nuk mund të ishin të kënaqur me një kushtetutë e cila nuk përligjte kërkesën e tyre për vetëvendosje, të shprehur fillimisht në programin e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës [1919], pastaj në Konferencën e Bujanit (1943-1944) në vazhdimësinë e luftës edhe pas 1945-ës (rezistenca e Shaban Polluzhës, lufta e Mulla Idrizit, NDSH-ja etj.) dhe të përsëritur në demonstratat e vitit 1968, por edhe më vonë, në vetë organet e pushtetit; nuk mund të ishin të kënaqur me pozitën kushtetuese të pa definuar saktë (element konstituiv i Federatës Jugosllave dhe element përbërës i R. të Serbisë), e cila i linte derën hapur Serbisë, përkatësisht RSFJ-së, që në momentin e volitshëm t’i mohojë Kosovës dhe shqiptarëve gjithë legjitimitetin politik dhe kombëtar.
Në anën tjetër, Serbia nuk mund të ishte e kënaqur me një kushtetutë, e cila i mundësonte një kombi [kombësie, nocioni i atëhershëm zyrtar për shqiptarët] jo serb të gjallojë në territorin të cilin ata e kishin pushtuar dhe kishin tjera aspirata ndaj tij. Një vit pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1974, kryesia e Serbisë angazhoi një ekip të ekspertëve ligjorë për të rishikuar pjesët e Kushtetutës në mënyrë që ajo të kthente kontrollin e plotë mbi dy krahinat. Në vitin 1977 ky grup i ekspertëve hartoi të ashtuquajturin Libri i Kaltër.[5]
Në fund të viteve ‘70 Libri i kaltër qarkullonte (i)legalisht nëpër Beograd dhe nëpër qendrat e mëdha serbe. Libri u botua në vitin 1985 [D. Bogdanovic, Knjiga o Kosovu, 1985][6], por u hoq nga shitja. Ky libër doktrinar, i iniciuar dhe i përkrahur nga personalitete të larta politike e të inteligjencies serbe, ka artikuluar hapur kërkesat hegjemoniste serbe, sidomos ndaj Kosovës e shqiptarëve, veçanërisht për mohimin e autonomisë së Kosovës (dhe Vojvodinës), sipas kushtetutës së vitit 1974.
– Prapambeturia ekonomike e Kosovës. Presioni ekonomik ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi ka qenë nga më tragjikët. Të ardhurat kombëtare për krye banori në Kosovë nga afër mesatares së RSFJ-së në vitin 1947 janë zvogëluar në vitin 1978 në 1/3 e kësaj mesatare. Kosova, nga një rajon me resurse të mëdha nëntokësore, ujore e pyjore, për 70 vjet, mbetet vendi më i varfër, jo vetëm në Jugosllavi por edhe në Evropë. Nuk ka ndodhur kjo, siç kanë propaganduar ekonomistët dhe politikanët serbë, për shkak të natalitetit të lartë të shqiptarëve (shqiptarët kanë pasur natalitet shumë më të lartë në vitet ’50 se sa në vitet ’70-’80 dhe siç dihet, të ardhurat e tyre kombëtare kanë qenë më afër mesatares jugosllave në vitet ’50 se sa në vitet ’70-’80)[7], por për shkak se Kosova është përdorur si koloni: republikat e zhvilluara jugosllave nga Kosova kanë marrë lëndën e parë, ndërsa kanë investuar në disa degë të industrisë së lehtë si dhe kanë investuar në ato degët për të cilat kanë pasur nevojë republikat tjera jugosllave (p.sh. TC-etë në Kastriot-Obiliq). Lënda e parë nga Kosova është marrë jo vetëm për nevojat e republikave tjera, por edhe si mall kliring në tregun e jashtëm, për kreditë që ka marrë RSFJ, e prej të cilave kredi një pjesë e vogël i është dhënë edhe Kosovës (shih marrëveshjet e qeverisë së RSFJ-së me RD të Gjermanisë në vitin 1972, me BRSS-në më 02.11.1972, me Çekosllovakinë më 1972). Ndërsa nga Fondi Federativ për viset jo mjaft të zhvilluara Kosova ka filluar të marrë mjete nga vitet ’60, ndërsa republikat tjera nga viti ’45.
Ky presion ekonomik e izolonte kombin shqiptar jo vetëm nga popujt tjerë jugosllavë, por edhe nga mbarë familja evropiane. Një komb i izoluar nga familja evropiane, në njërën anë, dhe nga pjesa amë (Shqipëria), në anën tjetër, i pamundësuar për të prodhuar të mira materiale të bollshme për veten, një kombi të tillë s’i mbetej perspektiva por egërsisht i imponohej gjunjëzimi e asimilimi.
– Politikat antishqiptare deri te politikat gjenocidiale nga e kaluara. Shqiptarët në përgjithësi, ata në ish-Jugosllavi në veçanti, kanë një trashëgimi të keqe të kohës së re, në raport me shtetin serb: pastrimi etnik i mbi 650 fshatrave shqiptare nga rrethi i Toplicës, Prokuples, etj. në vitet 1877-1878[8]; dhuna e egër e ushtrisë serbe në vitin 1912 mbi shqiptarët e lodhur nga lufta kundër Perandorisë osmane, vrasjet masive të pleqve, grave, fëmijëve, burrave, djegia e katundeve të tëra, etj. (shih D. Tucoviq, K. Novakoviq, etj.);[9] shpërngulja e pandërprerë e shqiptarëve për në Turqi, deri në Luftën e Dytë Botërore (shih elaboratet për çështjen shqiptare të Garashaninit, Çubrilloviqit, Andriqit, etj.)[10] dhe sidomos pas LDB; kolonizimi i Kosovës (shih M. Obradoviq);[11] depërtimi i ushtrisë serbe (jugosllave) në Shqipëri më 1920; dhuna e ushtrisë dhe xhandarmërisë jugosllave mbi popullatën shqiptare, në emër të ndjekjes së kryengritësve shqiptarë (kaçakët) në vitet 1920-1924;[12] vrasja e dhjetëra mijëra shqiptarëve (Gjilan, Ferizaj, Drenicë, etj.) në kohën e administrimit ushtarak në Kosovë, në vitin 1945; domosdo që këtu duhet përmendur edhe propaganda antishqiptare e Kishës Serbe dhe shtypit zyrtar serb, sidomos në “Politika”, në shekullin e fundit.
Pushteti komunist i Beogradit asnjëherë nuk është distancuar tërësisht nga kjo trashëgimi apo hipotekë tepër e keqe; as inteligjencia serbe nuk e ka bërë këtë asnjëherë, përpos një pjese të saj të vogël. Përkundrazi, pushteti komunist i Beogradit e ka vazhduar këtë traditë: elaborati i dytë i V. Çubrilloviqit për zhdukjen e shqiptarëve dhe pakicave kombëtare në RPFJ, në vitin 1945; shpërngulja e re e shqiptarëve për në Turqi (shih Marrëveshjen Xhentëlmene Tito-Kyprili, më 1953 në Split të Jugosllavisë)[13]; dhuna e policisë së Rankoviqit në Kosovë për, gjoja, mbledhjen e armëve… e deri te proceset e montuara politike kundër shqiptarëve (p.sh. më 1974 dënohen disa dhjetëra shqiptarë, në krye me Adem Demaçin, me dënime drakonike, për të vetmin fakt se kanë qenë shqiptarë dhe kanë menduar shqiptarisht).[14]
– “Socializmi vetëqeverisës” në Kosovë. Përkundër një liberalizimi të ndruajtur, vetëqeverisja jugosllave, megjithatë, ka qenë një modus i socializmit real. Por, ka pasur një standard të dyfishtë: nëse në republikat tjera ish-Jugosllave janë shkelur disa të drejta elementare të njeriut, në Kosovë ato janë shkelur dyfish. Nëse në republikat tjera partia ka qenë logjikë, në Kosovë logjikë ka qenë polici dhe dhuna. Socializmi vetëqeverisës jugosllav, i kombinuar me politikën ultranacionaliste dhe hegjemoniste serbe në prapavijë, ka krijuar një surrogat politike në thelb antishqiptare po të mbështjellë me lëvozhgen e rreme të barazisë. Elitat shqiptare, edhe atëherë kur nuk kanë reaguar, gjithmonë e kanë kuptuar se “vëllazërim-bashkimi” apo barazia e krahinës së Kosovës me republikat tjera është vetëm propagandë. Prandaj në Kosovë në të gjitha kohët ke gjetur intelektualë që e kanë kuptuar thelbin e politikës antishqiptare të Beogradit.
– Izolimi brendashqiptar. Edhe pse pushteti jugosllav, në vitet 1970-1980 proklamonte politikë liberale në marrëdhëniet me Shqipërinë, në jetën e përditshme tentonte të krijojë një ndasi kulturore, morale, gjuhësore, në traditë, e deri te dallimi etnik. Tentohej që prej një kombi të krijoheshin dy kombe: kombi ALBANCI në Shqipëri, dhe kombi SIPTARI në RSFJ. Hapat e parë të ndruajtur të një komunikimi të kontrolluar nga shërbimet sekrete të dy shteteve qe lejuar në vitet 1970-80, mirëpo menjëherë pas vitit 1981 edhe ky komunikim i kontrolluar u quajt si liri e tepërt. Pushteti jugosllav synonte që ta shkëpuste Kosovën nga Shqipëria, përveç politikisht, edhe shpirtërisht, edhe kulturalisht e deri edhe gjuhësisht. E këtë politikë shkombëtarizuese, të provuar me sukses dekada më parë në Pazar të Ri të Serbisë, në Plavë, Guci e në Tivar të Malit të Zi dhe në disa pjesë të Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës nuk e pranonin në asnjë mënyrë. Kjo politikë shkombëtarizuese dhe rezistenca ndaj saj gjithnjë e mbante të ndezur flaken e urrejtjes të gjithçkaje që vinte nga Beogradi.
– Vetëdijesimi i lartë kombëtar e politik i shqiptarëve. Gjatë shtatëdhjetë vjetëve të jetës së vet nën Serbi dhe Jugosllavi, vetëm në vitet ’70-’80 ka pasur një liberalizim të zaift në jetën ekonomike e shoqërore në Kosovë. Në këtë periudhë është krijuar brezi i ri i shqiptarëve, i cili nuk ka qenë i gatshëm ta durojë pozitën e një të burgosuri që pret çdo ditë dënimin. Gjatë këtyre vjetëve është edukuar dhe shkolluar klasa e re e shqiptarëve së cilës nuk do t’i mjaftojë korniza e krahinës së Kosovës. Ky brez i shqiptarëve do të hyjë i vendosur për ta bërë shtetin, për të krijuar kornizën politike e juridike për nevojat e veta dhe të popullit.
- Autorët e revolucionit te vitit 1981, emërtime dhe identifikime
Demonstratat e 11 dhe të 26 marsit i organizuan disa grupe tw studentëve të Universitetit të Prishtinës. Me emërtimin “grupi i studentëve” quhen dy grupe të studentëve që organizuan, i pari 11 marsin dhe i dyti 26 marsin e vitit 1981. Meqenëse ka një lidhje të drejtpërdrejtë të 11 dhe 26 marsit [26 marsi është vazhdimësi, në një cilësi të re, e 11 marsit], ka një lidhje midis organizatorëve të së parës dhe të së dytës [disa nga studentët marrin pjesë në organizimin e 11 dhe 26 marsit], dhe ka një lidhje të tretë midis këtyre ngjarjeve dhe organizatave ilegale që vepronin më herët [grupi politik i Bajram Kosumit, që vepronte në organizimin e këtyre demonstratave], atëherë të gjitha këto grupe dhe individë quhen “Grupi i studentëve”. 11 dhe 26 marsi janë dy demonstratat e para, mirëpo nuk duhet të harrohet se edhe para 11 marsit, gjatë vitit 1980, kanë ndodhur organizime të studentëve për kërkesa sociale, e të cilat përfundonin pothuajse në demonstrata politike. I tillë është organizimi i studentëve më 12 dhjetor 1980, nisur për kërkesa sociale dhe i cili përfundoi në një takim të madh të studentëve me strukturat politike krahinore dhe universitare, në të cilin takim studentët gati se kaluan në kërkesa politike.
Cili është sfondi politik i këtyre grupeve dhe organizimeve të studentëve?
Që nga viti 1918, kur Serbia, përmes formacioneve të ndryshme shtetërore e sundon Kosovën, politika shqiptare në Kosovë zhvillohet në dy forma dhe në dy drejtime:
- politika e cila e pranonte Jugosllavinë si modus të mundshëm të zhvillimit të Kosovës dhe mundohej që brenda atij modusi politik, juridik e ekonomik ta përparonte Kosovën. Këtë vijë e përfaqësonte klasa politike zyrtare, dhe
- politika e cila nuk e pranonte Jugosllavinë si modus të mundshëm politik, juridik e ekonomik të Kosovës e të shqiptarëve, së pakut pa e gëzuar Kosova statusin e shtetit; kjo vijë kishte vetëm një synim- çlirimin e Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, dhe këtë çlirim e shihte në një luftë të përgjithshme, të gjithanshme dhe në të gjitha format, me Beogradin zyrtar. Këtë vijë e përfaqësonte lëvizja ilegale.[15]
Vija e parë politike është zhvilluar brenda sistemit kushtetues e politik jugosllav dhe ka ndryshuar varësisht nga disponimi politik i Beogradit zyrtar. Vija e dytë ka mundur të zhvillohet vetëm në grupet politike ilegale dhe gjysmë-legale, të cilat kanë një traditë të vjetër në Kosovë, si dhe në formacione gjysmë ushtarake [çetat e Kaçakëve] dhe në ushtrinë vullnetare UÇK. Kjo vijë e dytë është e njohur me emrin Lëvizja ilegale. Këto dy vija politike shpesh kanë pasur të njëjtat qëllime nacionale, por shpesh janë konfrontuar, e në disa raste këto konfrontime kanë përfunduar dhunshëm.
Vija e dytë politike dhe grupet ilegale ku është zhvilluar ajo politikë, ende nuk janë sa duhet të njohura në histori dhe në opinionin publik. Njohja e tyre afron një ndihmesë të madhe në zbërthimin edhe të kryengritjes së vitit 1981. Disa nga historianët shqiptarë, si Ethem Çeku, Sabile Keçmezi-Basha e ndonjë tjetër kanë trajtuar veprimtarinë e disa prej këtyre grupeve ilegale.
Puna e grupeve ilegale politike në Kosovë fillon menjëherë pas përfundimit të LDB. Fillimisht, në vitin 1944-45 ka vazhduar rezistenca e grupeve dhe forcave të organizuara të luftëtarëve të LDB, si lufta e Shaban Polluzhës, lufta e Mulla Idrizit, pastaj NDSH me Gjon Sereçin dhe grupe të tjera më të vogla. Pas shuarjes së përgjakshme të këtyre grupeve patriotike dhe luftarake[16], pas viteve ’50 fillojnë celulat e para të organizuara të grupeve ilegale me Adem Demaçin dhe Metush Krasniqin. Pas vitit 1981 këto grupe ilegale bashkohen dhe formojnë një organizatë të madhe revolucionare, Lëvizjen Popullore të Kosovës. Këto grupe ilegale, herë më të mëdha e herë më të vogla, kanë vazhduar së vepruari gjatë tërë kohës së ekzistencës së Jugosllavisë socialiste, përkundër masave drastike të regjimit kundër tyre. Shumë prej anëtarëve të këtyre grupeve janë vrarë, shumë kanë vdekur burgjeve, shumë prej tyre kanë kaluar gjysmën e jetës nëpër burgje, shumë janë detyruar të arratisen jashtë shtetit. Në shënjestër të regjimit kanë qenë jo vetëm këta patriotë, por gjithë rrethi familjar e shoqëror i tyre. Një shembull ilustrues këtu është vetë lideri i kësaj rezistence, Adem Demaçi, i cili qëndroi 28 vjet në burg.[17] Udhëheqësi tjetër i këtyre grupeve, Metush Krasniqi, vdes në burg.
Këto grupe ilegale mblidhnin në vete shtresën më të ndërgjegjshme, më patriotike, më të vendosur për të fituar lirinë. Këto grupe dhe anëtarët e simpatizantët e tyre krijuan një klasë politike e cila angazhohej për çlirimin e Kosovës dhe të territoreve tjera shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, apo për krijimin e Republikës së Kosovës. Kjo klasë politike e mbajti të ndezur pishtarin e lirisë dhe krijoi kushtin e parë të domosdoshëm për çdo lëvizje çlirimtare: bërthamën e klasës që do të udhëheq lëvizjen për çlirim. Viti 1981 është viti i suksesit të këtyre grupeve: është viti kur shumica e popullit shqiptar identifikohet me këtë klasë politike, qoftë duke marrë pjesë në demonstrata e protesta, qoftë duke iu kundërvënë në çfarëdo mënyre pushtetit jugosllav dhe duke u solidarizuar me demonstruesit.
Në vitet 1978-81 këto grupe përbëheshin nga intelektualë të rinj, nga studentë, nga arsimtarë, nga patriotë tradicionalistë shqiptarë e më rrallë edhe nga elita intelektuale, nga fshatarësia dhe nga qytetaria. Në këto grupe takoheshin të rinjtë e arsimuar e përparimtarë të cilët e ndienin rrezikun që i kanosej popullit. Takoheshin nëpër shtëpi private, në ilegalitetin më të thellë, dhe diskutonin gjerë e gjatë për problemet, të cilat qëndronin pezull mbi kokën shqiptare: ardhmëria e kombit dhe kompleksiteti që ngërthente në vete kjo sintagmë, në dukje poetike. Është e vërtetë se disa nga këta intelektualë të rinj e kuptonin në mënyrë poetike këtë sintagmë, por shumica dërmuese i rrekeshin në mënyrë serioze çështjes. Koncepti i kësaj opozite ilegale nuk shtrihej vetëm në sferën e politikës, por edhe në sferën e kulturës, të artit, të etikës, etj. Këta të rinj nuk e përfillnin pozitën nënshtruese të shqiptarëve në RSFJ dhe degradimin e vlerave njerëzore, kombëtare e morale. Me botëkuptimet e tyre ata krijonin një shoqëri tjetër fare nga ajo që ekzistonte. Por, këto botëkuptime nuk ishin as të importuara e as masonike. Ishin të rinj idealistë, por që idealet i kuptonin jo si ëndërrimtarë. Pavarësisht në ishin në lidhje me njëri tjetrin, grupi me grup apo individi me individ, të gjithë ata kishin një qëllim: çlirimin e Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare dhe krijimi i një kornize të re politike e shtetërore deri edhe te bashkimi me Shqipërinë.
Kjo klasë politike, në një pjesë të saj, ka pasur disa ide majtiste. Ajo, sidomos pas viteve ‘70, ka afishuar se ideologjia e saj është marksiste, e njëjtësuar me ideologjinë zyrtare në Shqipëri. Ky orientim i këtyre idealistëve ka krijuar gjithnjë një moskuptim në mendimin publik shqiptar dhe kjo çështje është përdorur si argument nga kundërshtarët politikë. Edhe historiania Ana Lamaj e lë këtë çështje pa përgjigje, ndërsa Ukshin Hoti jep një përgjigje të tërthortë. Për shkak të këtij keqkuptimi dhe ngatërrimi duhet të hulumtohet natyra e marksizmit të kësaj klase politike.
Së pari, marksizmi i këtyre idealistëve ishte i sferës filozofike dhe ideologjike, por jo edhe i sferës politike. Së dyti, kjo klasë e re politike marksizmin e ka kuptuar në mënyrë thellësisht humaniste. Majtizmi i tyre kishte tjetër shëmbëlltyrë nga majtizmi i njohur deri më atëherë, ishte thelbësisht humanist, në të vërtetë ishte një ideal kombëtar e de-kolonialist por që afishohej si majtizëm. Së treti, idetë e reja politike demokratike e kishin të vështirë të depërtonin nga Perëndimi në Kosovë, sepse Kosova ishte pothuajse e izoluar nga bota. Idetë e para perëndimore kanë mbërri në Kosovë në art, aty kah vitet ’70, dhe atë, kanë mbërri përmes Beogradit dhe përkthimeve serbisht. Prandaj, këta të rinj intelektualë nuk kishin mundësi të kontaktonin me këto ide, qoftë për shkak të izolimit, qoftë për shkak të moshës ende të re, qoftë për shkak të mosnjohjes së gjuhëve të huaja apo qoftë për shkak të refuzimit të gjithçkaje që vinte nga Beogradi. Së katërti, meqenëse këta të rinj intelektualë vepronin për të ringritur dhe ringjallur kombin, shoqërinë dhe frymën shqiptare për liri dhe jetë krenare e të dinjitetshme, natyrisht që e shihnin Shqipërinë, shtetin shqiptar, si pikën qendrore dhe si mbështetje të fortë për ideologjinë e tyre, ndërsa politika dhe organizimi i Shqipërisë aso kohe ishte majtiste, si rrjedhim edhe këta intelektualë të rinj e afishonin majtizmin.
Studentët që organizuan demonstratat e 11 e 26 marsit ishin ose pjesë të këtyre grupeve ilegale ose të ndërlidhur në një mënyrë me to, apo edhe simpatizantë të tyre. Mirëpo, organizimi i demonstratave, është nismë dhe organizim i grupit të studentëve. Grupi që organizoi demonstratat e 11 marsit do të përqendrohet kryesisht në kërkesat sociale, por disa prej parullave morën nuanca politike [si “Lironi shokët nga burgu”]. Ndërsa grupi i studentëve që organizoi demonstratat e 26 marsit hartoi me shkrim kërkesat e demonstratës në mbrëmjen e 25 marsit, e të cilat ishin gërshetim i kërkesave sociale me kërkesat politike, për t’i zgjeruar këto kërkesa gjatë demonstratës së 26 marsit në kërkesa të pastra politike. Ndërsa më 1 dhe 2 prill, kur demonstratat shndërrohen në kryengritje gjithë popullore, roli i grupeve ilegale në organizimin e saj rritet. Pastaj demonstratat organizohen në të gjitha qytetet e Kosovës. Kjo klasë revolucionare ka qenë shpirti i të gjitha demonstratave të vitit 1981 dhe, jo vetëm shpirti, por edhe efektivi i organizimit të tyre.
Emërtimi i një procesi politik synon ta shprehë vetë karakterin e atij procesi. Edhe ndaj demonstratave të vitit 1981 në Kosovë pati dhe ka shumë emërtime, varësisht nga pozitat politike të vlerësuesit. Qeveria jugosllave, e nën ndikim e saj edhe mediet e historia, demonstratat e vitit 1981 i quajtën kundërrevolucion.[18] Mediet ndërkombëtare i quajtën thjeshtë demonstrata. Autorë të tjerë të huaj i quajtën herë kryengritje e herë Pranvera Kosovare.[19] Po ashtu, edhe autorët shqiptarë kanë emërtime të ndryshme: vit historik, pranvera shqiptare 1981, revolucion, kryengritje paqësore, Rilindje e dytë kombëtare etj.
Historia shqiptare ende nuk e ka stabilizuar një emërtim për këto demonstrata. Mirëpo, rëndësia e këtyre demonstratave është e padiskutueshme: në diskursin politik e publicistik shqiptar tashmë nuk përdoret emërtimi ekzakt “demonstrata të vitit 1981” por thjeshtë përdoret metonimia “viti 81”.[20] Nga aspekti i filozofisë politike viti 1981 është rilindje e dytë shqiptare[21], nga aspekti i rolit të 1981 në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës ai është vit i kthesës apo vit themeltar[22], nga aspekti praktik ato ngjarje janë më shumë se demonstrata e protesta, prandaj mund të emërtohet si kryengritje paqësore ose si revolucion. Historiani anglez Timothy Garton Ash në librin e tij The Polish revolution: Solidarity [2002], demonstratat dhe protestat e vitit 1981 në Poloni i quan revolucion. Ai ishte një revolucion social e ideologjik. Viti 1981 në Kosovë ishte një revolucion nacional. Zyrtarisht, Lidhja Komuniste Jugosllave e ka vlerësuar ate vit si kundërrevolucion, po e vërteta është se ai vit ka qenë një revolucion i përfunduar afro dy dekada më vonë [1999]. Në favor të këtij emërtimi të fundit shkon edhe fakti: në aktgjykimet zyrtare të gjykatave Jugosllave të atij viti, të gjithë bartësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave janë dënuar sipas nenit 136, alinea 1 dhe 2 [bashkim për veprimtari armiqësore] në lidhje me nenin 114 [cenim kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror të Jugosllavisë] të Ligjit Penal të RSFJ.
- Revolucioni për Republikën e Kosovës
Opsioni i Republikës së Kosovës në kuadër të RSFJ-së shihej nga bartësit e revolucionit si një zgjidhje e përshtatshme në rrethanat politike në Jugosllavi dhe në Ballkan, si një zgjidhje pa ndërlikime të mëdha të brendshme e të jashtme. Më tepër se qëllim, Republika kuptohej si entitet kushtetues stabil, në të cilin populli do të mund të vendoste vetë për fatin e mëtejmë. Ndërsa, bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm nuk ishte opsion, por proces i natyrshëm e dialektik. Është i paqëndrueshëm konstatimi i Ana Lalajt që lëvizjen për republikën e Kosovës e sheh si vijë politike më vete, ndaras nga vija politike për bashkim kombëtar.[23] Ideja për republikën e Kosovës ka lindur në tubimet popullore të organizuara nga pushteti vendor për ndryshimet e pritshme kushtetuese gjatë verës së vitit 1968[24], ndërsa është shprehur publikisht në demonstratat e vitit 1968[25], pastaj është zhvilluar në rrethet e politikës zyrtare dhe të inteligjencies, ndërsa në vitet ’80 është përfaqësuar fuqimisht nga klasa revolucionare politike, mirëpo edhe në demonstratat e vitit 1968 edhe në vitin 1981 e këndej ajo ka paraqitur një strategji politike, po jo edhe vijë më vete politike, jo një opsion ndryshe nga kërkesa për bashkim kombëtar. Republika e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, nga kjo klasë politike gjithnjë është konceptuar si një fazë kalimtare drejt formave të tjera shtetërore deri te bashkimi kombëtar. Të njëjtat grupe ilegale (me ndonjë përjashtim të vogël), të njëjtit individë të cilat janë angazhuar për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, njëkohësisht, bile pas vitit 1981 fillimisht, janë angazhuar për republikën e Kosovës.
Kërkesa për Republikën e Kosovës në kuadër të RSFJ-së, ka shprehur thelbin e demonstratave të vitit 1981 dhe të mbarë lëvizjes shqiptare deri në vitin 1991. Kërkesa për republikë ka konsistuar në krijimin e pozitës plotësisht të barabartë të Kosovës dhe të shqiptarëve me njësitë dhe kombet e tjera të ish Federatës Jugosllave. Pra, ka konsistuar në të drejtën e formimit të shtetit (Republika) dhe të drejtën e barabartë të këtij shteti në Federatën Jugosllave. Kjo kërkesë nuk ka qenë e projektuar dhe e shprehur në kundërshtim me interesat e ish RSFJ-së, e aq më pak me shkatërrimin e RSFJ-së, siç është thënë vazhdimisht nga politika zyrtare e Beogradit. Përkundrazi, ka qenë krijimi i një elementi stabilizues në RSFJ, me vetë faktin e eliminimit të një vatre potenciale të luftës.
Politika zyrtare e Beogradit, e as politika serbe, asnjëherë nuk ka qenë në gjendje ta kontestojë parimësinë dhe nevojën e krijimit të Republikës së Kosovës. Makineria propagandistike e Beogradit ka shkruar libra të tërë, mijëra artikuj, ka organizuar mijëra e mijëra fjalime politike kundër Kosovës Republikë, por gjithmonë në mbështetje të tiketave të rreme që i janë veshur kësaj kërkese, ose në mbështetje të argumenteve pa kurrfarë baze, siç është p.sh. “shqiptarët s’mund ta kenë republikën e tyre sepse janë kombësi e jo komb”. Tiketat që i janë veshur kësaj kërkese dhe lëvizjes shqiptare në përgjithësi (si: anti-serbe, anti-jugosllave, shkatërrimi i Jugosllavisë etj.), i kanë lansuar ata të cilët projektonin dhe përgatitnin shkatërrimin e Jugosllavisë. Madje edhe sot autorët serbë, edhe ata jo zyrtarë, vazhdojnë ta shohin revolucionin e vitit 1981 si një zhvillim të keq: ai një vazhdimësi të konflikteve shqiptaro-serbe.[26]
Nën parullën e mbrojtjes së Federatës Jugosllave dhe të kombit serb, politika serbe i sulmoi, më vonë, republikat e tjera jugosllave, duke filluar, kështu, një seri luftërash të përgjakshme. Inaugurimi i politikës së dhunës dhe i gjendjes anti-kushtetuese është bërë në Kosovë. Në kohën kur sulmohej Kosova dhe lëvizja për Republikën e Kosovës, në kohën kur minohej autonomia e Kosovës, shkeleshin të gjitha parimet e idealet e RSFJ-së, kushtetuta, ligji etj., republikat e tjera ish jugosllave, në vend se ta kundërshtonin, e tumirnin këtë politikë. Këtë konformizëm të burokracive komuniste, më vonë e lanë me gjak kombet e ish Jugosllavisë.
Në përfundim të vitit 1991 dhe më këtej është kristalizuar koncepti për republikën e Kosovës pa asnjë lidhje me shtetet që do të dalin nga ish Jugosllavia, por opsioni i bashkimit të territoreve shqiptare në një shtet vazhdoi të jetojë ende si një mundësi.
- Viti 1981 dhe proceset politike shqiptare
Natyrisht, revolucioni i vitit 1981 pati ndikimin më të madh në historinë e re shqiptare, veçanërisht te shqiptarët që jetonin në RSFJ. Këtu do të trajtohen disa nga këto ndikime.
Rihapja e çështjes shqiptare
Në vitin 1981 rihapet çështja shqiptare [gati gjysma e territorit etnik shqiptar ishte jashtë kufijve të Shqipërisë dhe mbahej i copëtuar në tri republika jugosllave], dhe kërkesa Kosova republikë mbizotëroi çdo kërkesë tjetër. çështja shqiptare në Jugosllavi ka qenë gjithnjë prezente, por më 1918, me një reminishencë në vitet 1943-45, është gjykuar që të eliminohet nga ana e fuqive të mëdha të atyre kohëve [Konferenca e Versajës më 1918, Konferenca e Teheranit më 1943, Marrëveshja e Jaltës më 1945, në të cilën edhe fati i vetë Shqipërisë u la i hapur]. Me kryengritjen e vitit 1981, dhe me rezistencën e pandalshme deri në vitet ’90, çështja shqiptare në Jugosllavi u rihap, si një çështje e pazgjidhur dhe që domosdo kërkon një zgjidhje. Që prej atij viti, çështja e Kosovës dhe çështja shqiptare janë ndër temat kryesore të diplomacisë evropiane dhe amerikane. Kjo çështje do të marrë rrugë në qershor të vitit 1999, me dëbimin e forcave dhe administratës serbe nga Kosova, dhe më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran.
Fundi i politikës komuniste dhe pro-jugosllave të Kosovës
Viti ‘81 paraqet fundin de facto të politikës zyrtare të Kosovës me orientim komunist dhe pro-jugosllave. Historiani Hakif Bajrami thotë se autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974 ishte “një relikt i triumfalizmit” i asaj klase politike.[27] Me vitin 81 kjo autonomi u nëpërkëmb nga Beogradi zyrtar sikur të mos ishte fare, e me autonomi u rrënua edhe kurora e triumfalizmit të klasës politike komuniste dhe pro-jugosllave të Kosovës. Kjo klasë politike nuk mundi ta mbrojë veprën “e vet”- autonominë e Kosovës. Fundi i kësaj politike ishte edhe fundi i iluzionit të një pjese të shqiptarëve, se Kosova mund të prosperojë brenda sistemit kushtetues, politik e ekonomik të Serbisë dhe Jugosllavisë. Fundi i plotë i kësaj politike zyrtare, i krijuar mbi idealet e “vëllazërim-bashkimit” nën tutelën serbe, ka ndodhur më vonë, por në vitin 1981 u ndeshën përfundimisht dy politikat shqiptare në Kosovë: politika zyrtare komuniste dhe pro-jugosllave dhe politika shqiptare për Kosovën e çliruar nga tutela e Beogradit, të cilën po e bartte një klasë e re politike revolucionare. Mbas vitit ’81 shqiptarët nuk kanë besuar më në të ardhmen jugosllave të Kosovës. Ende nuk shihet drita në fund të tunelit, por ata e kanë të qartë se rruga e Kosovës duhet të jetë e ndarë nga fati i Jugosllavisë.
Mendimi i ri dhe baza e klasës së re politike
Viti ‘81 është vit themeltar për një politikë të re dhe për një klasë të re politike në Kosovë. Në atë vit ndodh një ndryshim radikal në mendimin politik dhe strategjik shqiptar: intelektualët e rinj shqiptarë nuk janë në gjendje të durojnë më qeverisjen serbe, e bëjnë publik aktivitetin e tyre për krijimin e shtetit të Kosovës dhe, tërë këtë punë e bëjnë dhe e mbështesin mbi krahët e mbi mendjet e tyre. Ata janë njerëz që besojnë në veten e tyre dhe në misionin që kanë për ta bërë shtet Kosovën. Nuk ju bëhet atyre vonë pse kanë kundër vetes gjithë Jugosllavinë, njërin prej shteteve më të forta dhe më strategjike në gjeostrategjinë globale të asaj kohe. Ata kanë krijuar konceptin e tyre për shoqërinë e për politikën, kanë përcaktuar rrugën e Kosovës drejt përparimit të ndaras nga rruga dhe fati i Beogradit e Jugosllavisë dhe, kanë vendosur të ecin përpara.
Si opozitë e dyfishtë, e Jugosllavisë dhe e klasës politike zyrtare shqiptare, si dhe opozitë e moralit dhe koncepteve politike të shoqërisë së atëhershme shqiptare, ajo inteligjencie e re shqiptare vuri themelet e një filozofie të re politike dhe të strategjisë së re për çlirimin e Kosovës.[28]
Kualiteti i ri në lëvizjen shqiptare
Në lëvizjen shqiptare për pavarësi krijohet një kualitet i ri në vitin 1981: idetë dhe konceptet politike për çlirim dhe për Republikën e Kosovës shpërthejnë rrethin e grupeve e organizatave ilegale dhe shndërrohen në ideologji e koncepte politike të shtresave të gjera të shoqërisë. Lëvizja për pavarësi, pra, tejkalon kufijtë e grupeve ilegale. Kërkesat politike të këtyre grupeve bëhen kërkesa popullore. Energjia e akumuluar gjatë disa dekadave të sundimit serb të Kosovës në këtë vit krijon themelin e një rezistence paqësore dhe të armatosur për pavarësi. Prej vitit 1981 në lëvizjen shqiptare për pavarësi më nuk kemi të bëjmë vetëm me grupet e organizuara që veprojnë në ilegalitet, apo vetëm me individë, por kemi të bëjmë me një lëvizje aktive, një lëvizje popullore, e cila nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare.
Në këtë vit krijohet një kualitet i ri jo vetëm në politikën por edhe në mendësinë shqiptare: shqiptarët në trojet e pushtuara etnike, në kulturën e tyre të përgjithshme riorientohen kah trungu i tyre kombëtar (në art kjo kishte ndodhur më parë, diku në vitet 75 e këndej). Deri atëherë, ka pasur një dysi të vogël të këtij orientimi [edhe sot gjëllijnë disa elemente të kësaj mendësie], por në vitin ’81 populli shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë orientohet në zhvillimet e ardhshme kah trungu kombëtar.
Në këtë vit del në skenë edhe gjenerata e parë shqiptare e pas Luftës së Dytë e papërkulshme ndaj Serbisë (e rritur dhe e edukuar në frymën liberale të viteve ’70-’80), me plot besim në forcat e veta dhe superiore në pozicionet e veta.
Po ashtu, vetëm mbas 1981 arrihet të krijohet kontinuiteti i lëvizjes shqiptare për pavarësi. Edhe pse kurrë nuk kishte pushuar kjo lëvizje, që nga nisja e Hasan Prishtinës [1873-1933], megjithatë kishte pasur shkëputje të vazhdueshme, herë të lehta e herë mjaft serioze në vazhdimësinë e saj. Lëvizja e deriatëhershme ka pika ngritjeje, pas të cilave ka rënie dhe shkëputje të shkurtra deri në ripërtëritjen e forcave. Vetëm me vitin 1981 lëvizja arrin atë shkallë të zhvillimit pa shkëputje, përkundrazi ka një progres dhe një rritje të vazhdueshme, një përshtatje të formave e të taktikave të luftës, që nga ajo paqësorja e deri të formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Karakteri demokratik dhe humanist
Në thelbin e demonstratave kosovare ka qenësuar prirja për lirinë, e shprehur në formë të kërkesës për Republikën e Kosovës. Çdo prirje për liri, në thelbin e vet është humaniste dhe demokratike, sepse vetë koncepti liri nënkupton humanizmin dhe demokracinë.
Përveç këtij aspekti filozofik, viti ’81 karakterizohet me thelbin humanist dhe demokratik edhe për shkak të thyerjes së njëmendimësisë socialiste dhe jugosllave. Parullat Kosova Republikë, Jemi shqiptarë, jo jugosllavë, Trepça punon për të tjerët, Poshtë borgjezia e kuqe etj, si dhe qëndrimi i paluhatshëm i të burgosurve politikë shqiptarë gjatë një dekade të tërë rreth programit të ’81-shit, paraqet një sfidë të madhe për monizmin jugosllav. Shqiptarët në Kosovë në vitin 81 kishin filluar të ndërtonin diçka tjetër nga ajo që ekzistonte në Jugosllavi dhe ky krijim i ri nuk mbërthente vetëm kërkesën për Republikën e Kosovës, po kërkesën për të ndryshuar rrënjësisht gjithë jetën në shoqërinë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi.
Në anën tjetër, parullat e këtij viti paraqesin edhe boshtin strategjik që do të ndjek procesi politik deri në formimin e shtetit të Kosovës. Parulla gjithë popullore Republikë, kushtetutë-ja me hatër, ja me luftë i parathotë të dy format e luftës për liri: lëvizjen paqësore dhe luftën e armatosur.
Në shkrimin e tij “Viti ’81 dhe proceset e demokracisë”, Ukshin Hoti e thekson lidhshmërinë në mes të vitit 1981 dhe proceseve demokratike në Kosovë në vitet ’90. Pa këtë lidhshmëri “nocionet ‘demokraci’ dhe ‘Evropë’, nuk mund të kuptohen drejt, nuk mund të kenë përmbajtje adekuate. Vetëm duke i vënë në relacion me ngjarjet e vitit 1981, me tërë kontinuitetin e ndodhive të viteve ’80, mund të arrihet gjer te përcaktimi i drejtë, jo vetëm i përmbajtjes së tyre, por edhe i synimeve të mëtejshme të proceseve të tanishme e të djeshme, si edhe i lidhmërisë së tyre me ato procese të demokratizimit që e synojnë një Evropë të përbashkët për të gjithë popujt e saj (…). Nga ky aspekt, duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës, e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve”.[29]
Fillimi i de-izolimi të Shqipërisë
Kryengritja e vitit 1981 fiton simpatinë e opinionit publik ndërkombëtar: shtypi gjerman, austriak, amerikan etj shkruanin vazhdimisht për ngjarjet e Kosovës dhe për dhunën që ushtronte atje pushteti i Beogradit. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, zgjidhja e çështjes shqiptare nuk refuzohet nga shtetet perëndimore. Në këtë mënyrë hapet rruga për ballafaqimin miqësor të shqiptarëve në përgjithësi, pra edhe të Shqipërisë, me Perëndimin. Mbas disa dekada të (vetë)izolimit politik e ekonomik të Shqipërisë, liderët komunistë të Shqipërisë provuan hapat e parë [sa do të ndrojtur] të de-izolimit dhe të hapjes ndaj Perëndimit, e që do të ndodhë përfundimisht në vitet ’90. Ethem Çeku argumenton në studimet e tij ekzistimin e disa sinjaleve pozitive të Tiranës zyrtare ndaj Perëndimit, veçanërisht ndaj RF të Gjermanisë, Austrisë, Italisë, Turqisë etj. dhe për “riformatizimin” e politikës së jashtme shqiptare pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.[30] Ndërsa Ana Lalaj thotë se luajtja me kartën nacionali [mbrojtja e kërkesave të Kosovës] riktheu simpatinë e humbur të popullit në udhëheqjen komuniste të Tiranës.[31]
- Viti 1981 dhe fati i Jugosllavisë
Paralajmërimi i shpërbërjes së Jugosllavisë
Viti 1981 ishte paralajmërimi i parë serioz i tatëpjetës së RSFJ-së, deri në shpërbërjen e saj, edhe pse nuk qe qëllimi parësor i shqiptarëve shkatërrimi i Jugosllavisë. Qëllimi dihet tashmë: Republika e Kosovës apo edhe bashkimi i të gjitha territoreve shqiptare me Shqipërinë. Por, pavarësisht nga qëllimi parësor, demonstratat shqiptare në vitin 1981 dhe reagimi i pushtetit jugosllav ndaj tyre shkatërroi çdo propagandë apo iluzion se RSFJ mund të qëndronte më gjatë mbi politikat shoviniste të kombeve të mëdha, e sidomos të kombit serb, mbi kombet e vogla, e veçanërisht mbi kombin shqiptar. Viti 1981, thotë Tim Judah, qe një pikë kthese jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Jugosllavinë.[32]
Që nga 81-shi kosovar është ditur se çka do të ndodhë me RSFJ-në. Në atë vit u ravijëzoi ndarja jo vetëm të Kosovës po edhe shpërbërjen e gjithë Jugosllavisë, sepse ai nxori në shesh jo vetëm shtypjen ndaj disa kombeve në atë shtet, por edhe politikat e pareshtura dominuese, me elemente gjenocidi, të ultranacionalizmit serb.
Eskalimi i politikave nacionaliste dhe pushtuese
Viti 1981 në Kosovë krijoi alibinë për politikën ultranacionaliste të “kombit të madh” serb. Klasa politike serbe i bëri publike dhe i shndërroi në politika shtetërore politikat ultranacionaliste të cilat deri atëherë ishin zhvilluar jo-formalisht, si në rastin e Librit të kaltër [1978-79]. Tezat e këtij libri në të cilin shprehej aspirata e politikës serbe për ndërhyrje dhe dominim në Kosovë, i qarkulluar gjysmë legalisht nëpër Beograd, u bënë pothuajse zyrtarë për qeverinë e Serbisë që në vitin 1986, me Memorandumin e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Serbisë.[33] Këto politika, si dihet, kanë eskaluar në luftërat më të tmerrshme në Evropë, që nga përfundimi i LDB. Revolucioni i vitit 1981 demaskoi shumë herët politikat e vërteta serbomëdha, e që ruheshin të fshehura në qarqet afër-zyrtare.
- 1981 dhe socializmi botëror
Rrënimi i premisës për kombin socialist dhe për “barazinë nacionale” nw shtetet socialiste
Socializmi botëror i zhvilluar në vendet socialiste pas luftës së Dytë Botërore, edhe si ideologji edhe si praktikë politike, është mbështetur në dy premisa themelore: barazia sociale dhe barazia nacionale.
Teoricienët socialistë e komunistë kanë proklamuar se revolucioni klasor kishte zgjidhur çështjen sociale dhe kishte krijuar një “parajsë sociale”. Po ashtu, ky socializëm kishte krijuar kushte selektive të zhvillimit të disa segmenteve nacionale [vetëm në BRSS kishte 108 njësi politiko-administrative, prej të cilave 15 ishin republika sovrane], por gjithmonë nën kontroll të plotë nga “qendra” dhe me teorinë-pararojë të Stalinit për “amalgamën e kombeve”. Politikat për krijimin e kombeve të reja socialiste [si populli sovjetik, populli jugosllav etj.] ishin të fuqishme. Në një pjesë të madhe të botës ekzistonte një fotografi pothuajse idilike për Jugosllavinë e Titos dhe zgjidhjen e çështjes nacionale në të. Ishte krijuar miti për “parajsën nacionale” në Jugosllavi.
Revolucioni polak po merrte formën e një “kryengritja të urisë” [Adam Mihnik][34] në Poloninë e vitit 1981, me kërkesa si “jemi të uritur”, “duam të hamë” dhe parulla sarkastike “Të uritur të gjithë botës-bashkohuni!” po e tregonin një realitet tjetër socialist para gjithë botës. Ky realitet ishte i tmerrshëm: popujt e socializmit shtetëror po vuanin për gjërat elementare ushqimore! Propaganda për “parajsën sociale” ishte vetëm një mekanizëm i makinerisë komuniste për nënshtrimin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, revolucioni i shqiptarëve në Jugosllavi në vitin 1981 me parulla “Kosova Republikë”, “Trepça punon-Beogradi ndërton”, “Jemi shqiptarë-nuk jemi jugosllavë” etj. tregonte një realitet tjetër të politikave nacionale të socializmit. Ky realitet po ashtu ishte i tmerrshëm: kombet e mëdha socialiste, në emër të “vëllazërim-bashkimit të kombeve” e në emër të “parajsës nacionale” po zhvillonin pa pengesë politika shoviniste, të shkombëtarizimit e deri te politikat gjenocidiale e të pastrimit etnik.
Viti 1981 i Polonisë dhe i Kosovës i rrënuan dy premisat themelore të socializmit shtetëror, si ideologji dhe si praktikë. Kështu, rruga politike dhe ideologjike deri te Porta e Brandenburgut tashmë i ishte hapur Ronald Reganit.[35]
Përfundim
Viti 1981 është një vit i kthesës në lëvizjen shqiptare për liri, vit i tatëpjetës deri në shpërbërje të federatës Jugosllave, po njëkohësisht një prej ngjarjeve të rralla që paralajmëroi dhe e ndikoi rrënimin e socializmit botëror, si ideologji dhe si praktikë shtetërore. Në atë vit idetë dhe politikat e lëvizjes shqiptare për çlirim u ngritën në vullnet të shumicës së popullatës shqiptare dhe u formësuan si kërkesa të qarta politike e programore. Më nuk do të flitet vetëm për luftën e grupeve politike por për luftën e shqiptarëve për liri. Në vitin 1981 u vulos përfundimi i Jugosllavisë dhe përcaktimi strategjik i shqiptarëve në Jugosllavi. Së fundit, në vitin 1981 u forcua një klasë e re politike, e përbërë prej intelektualëve të rinj, prej studentëve, prej arsimtarëve e mësuesve, prej gazetarëve dhe profesorëve, por edhe prej patriotëve tradicionalistë, e cila klasë nxiti, organizoi dhe priu në demonstrata e protesta të vitit 1981, e pastaj organizoi dhe i priu lëvizjes shqiptare në të gjitha fazat e në të gjitha format, me ndonjë anashkalim të shkurtër, deri në fitoren e plotë dhe shpalljen e Republikës së Kosovës, shtetit i pavarur e sovran, më 17 shkurt 2008.
Literatura e cituar
Audrey Helfant Budding, “Serbian Nationalism in the Twentieth Century” In: Expert Report. Submitted to the International Criminal Tribunal for the Former Yugoslavia, Case No.IT-02-54-T. Filed on: 29/05/02,
http://hague.bard.edu/reports/hr_budding-pt4.pdf
Bajrami, Dr. Hakif, Dosja Demaçi, Brezi 81, Prishtinë, 2003.
Bajrami, Dr. Hakif, Kosova/ njëzet shekuj te identitetit te saj, Era, Prishtinë, 1989.
Bajrami, Dr. Hakif, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, Era, Prishtinë, 2002.
Bajrami, Prof. Dr. Hakif, Antimemorandum/klerofashzmi serbomadh sërish në ofenzivë për gjenocid të mëtejmë në Kosovë/Reagim ndaj Memorandumit të KOS, Prishtinë, 2004.
Bajrami, Prof. Dr. Hakif, Naçertania, program politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844-1999, Shkrola, Prishtinë, 2004.
Brestovci, Sadulla, Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze (1830-1878), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1983.
Cana, Zekeria, Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1986.
Çeku, Ethem, Kosova në sfondin e diplomacisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë 1945-1981, Brezi 81, Prishtinë, 2009.
Çeku, Ethem, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Brezi 81, Prishtinë, 2003.
Momčilo Pavlović, “Kosovo Under Autonomy, 1974-1990”, in Confronting the Yugoslav Controversies / A Scholars’ Initiative, edited by Charles Ingrao and Thomas A. Emmert, United States Institute of Peace Press, Purdue University Press, 2009 [second revizion 2010], West Lafayette, Indiana.
Garton Ash, Timothy, The Polish revolution: Solidarnosc, Yale University Press, 2002.
Hivzi Islami, Spastrimet etnike/politika gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve, Dukagjini, Pejë, 2003.
Hoti, Ukshin, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Unikomb, Prishtinë, 1997.
Islami, Hivzi, Spastrimet etnike/politika gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve, Dukagjini, Pejë, 2003.
Jakupi, Ali, Dy shtete shqiptare dhe bashkimi kombëtar, QIK, Prishtinë, 1995.
Judah, Tim, Kosovo/ëar and revenge, Yale University Press. 2000.
Keçmezi-Basha, Dr. Sabile, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945-1947), Rilindja, Prishtinë, 1988.
Kešetovic, Muhamed, Kontrarevolucija na Kosovu: Pokušaj i sprecavanje: politicki esej, Zadruga, Beograd, 1984.
“Kontrarevolucija na Kosovu”, në Dokumenti SKJ, 20. sednica SKJ, Aktivnost neprijateljskih i kontrarevolucionarnih snaga u SAP Kosovu, Beograd, 1981, 9—23. http://www.znaci.net/00001/138_104.pdf.
Kosovo Report/conflict-international response-lessons learned, Independent International Commision on Kosovo [Richard Goldstone, Carl Tham, Grace d’Almeida, Hanan Ashravi, Akiko Domoto, Falk Richard, Oleg Grinevsky, Michael Ignatieff, Mary Kaldor, Martha Minov, Jacques Rupnik, Theo Sommer, Jan Urban], Oxford University Press, 2000.
Kosovo Spring/The International Crisis Group Guide to Kosovo, ICG, 1998.
Kosumi, Bajram, Koncept për mendimin e ri politik, Brezi 81, Prishtinë, 2001.
Kosumi, Bajram, “Pse i organizuam demonstratat e vitit 1981” [dosje], revista Koha, mars, 1991.
Lalaj, Ana, Kosova/rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, ShB Mësojtorja e parë, Tiranë, 2000.
Malcolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 1998.
Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion [letër e H. Hysenit, Z. Shemsiut, B. Kosumit, A. Lajçit, G. Kocit nga Burgu Qendror në Beograd për Kryesinë e Komitetit Qendror dhe për Kryesinë e RSFJ në vitin 1985], botuar në Zvicër, 1988.
Obradoviq, Dr. Milovan, Agrarna reforma kolonizacija na Kosovu 1918-1941; Prishtinë, 1981.
Qosja, Rexhep, Rilindja e dytë, Botimet Toena, Tiranë, 2007.
Ronald Reagan, “Remarks at the Brandenburg Gate”, delivered 12 June 1987, West Berlin, http://www.americanrhetoric.com/speeches/ronaldreaganbrandenburggate.htm
Rushiti, Liman, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, IA, Prishtinë, 1981.
Sejdiu, Fatmir, Politika agrare si instrument i shtypjes nacionale në Kosovë, UP, Prishtinë, 2001.
Uka, Sabit, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe vendosja e tyre në Kosovë, Prishtinë, 2004.
[1] “Predsedništvo SFRJ i Predsedništvo SKJ doneli su 2 aprila 1981 odluku o „proglašenju krizne situacije na području SAP Kosova”; usledila je i odluka o proglašenju vanrednog stanja na području opštine Priština i zavođenju mera pripravnosti.”
Shih në: “Kontrarevolucija na Kosovu”, në Dokumenti SKJ, 20. sednica SKJ, Aktivnost neprijateljskih i kontrarevolucionarnih snaga u SAP Kosovu, Beograd, 1981, 9—23. http://www.znaci.net/00001/138_104.pdf.
[2] Noel Malkolm, Kosova, një histori e shkurtër, Koha, 1998, 349.
[3] Noel Malkolm, Kosova, një histori e shkurtër, Koha, 1998, 350.
[4] Ana Lalaj, Kosova / rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, ShB Mësonjëtorja e Parë, Tiranë, 2000, fq. 382-399.
[5] Momčilo Pavlović, “Kosovo Under Autonomy, 1974-1990”, in Confronting the Yugoslav Controversies / A Scholars’ Initiative, edited by Charles Ingrao and Thomas A. Emmert, United States Institute of Peace Press, Purdue University Press, 2009 [second revizion 2010], West Lafayette, Indiana, pg. 60.
Kushtetuta e Kosovës 1974 do të sulmohet së pari me librin e Gjoka Sljepçeviqit, Arbanaski-srpski odnosi kroz vekove, Mynhen, 1974. Në vitin 1977 do të sulmohet tërësisht me Librin e Kaltër. Në vitin 1979 me Memorandumin [të publikuar më 1986]. Shih: Hakif Bajrami, Kosova/ njëzet shekuj të identitetit të saj, Era, 2001, fq. 73.
[6] Cituar sipas Ana Lalajt, Kosova/rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, Tiranë, 2000, fq. 370.
[7] Ali Jakupi, Dy shtete shqiptare dhe bashkimi kombëtar, QIK, 1995, fq. 165-187.
[8] Shih Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe vendosja e tyre në Kosovë, 2004. Shih edhe: Sadulla Brestovci, Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze (1830-1878), Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1983.
[9] Cana, Zekeria, Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1986.
[10] Prof. Dr. Hakif Bajrami, Naçertania, program politik serb që shpie shpie në shfarosjen e shqëiptarëve 1844-1999, Shkrola, Prishtinë, 2004. Shih edhe: Prof. Dr. Hakif Bajrami, Antimemorandum/klerofashzmi serbomadh sërish në ofenzivë për gjenocid të mëtejmë në Kosovë/Reagim ndaj Memorandumit të KOS, Prishtinë, 2004.
[11] Obradoviq, Dr. Milovan, Agrarna reforma kolonizacija na Kosovu 1918-1941; Prishtinë, 1981.
[12] Liman Rushiti, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, Prishtinë, 1981.
[13] Prof. Dr. Hakif Bajrami, Naçertania, program politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844-1999, Shkrola, Prishtinë, 2004, fq. 219-225.
[14] Për më shumë shih: Hivzi Islami, Spastrimet etnike/politika gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve, Dukagjini, Pejë, 2003.
[15] Të dy vijat politike krijohen menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Nismëtare e vijës së parë oportuniste është partia Bashkimi [Xhemijet], e prirë nga Nexhip Bej Draga [deri më 1921] dhe pastaj nga Ferhat Draga [deri më 1944]. Bashkimi e kishte selinë në Shkup. Qëllimi themelor i kësaj vije politike fillimisht ka qenë mbrojtja e interesave të shqiptarëve myslimanë të Kosovës e të Maqedonisë brenda sistemit jugosllav. Në LDB kjo vijë politike u shpartallua dhe u krijua Organizata Komuniste e Kosovës, e cila paraqitet si mbrojtëse e interesave të Kosovës brenda sistemit Jugosllav.
Nismëtare e vijës së dytë u bë Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës [1918-1941], e themeluar me nismën e Hasan Prishtinës dhe e prirë nga Hoxha Kadri Prishtina. Komiteti e kishte selinë në Shkodër. Më vonë, duke filluar nga vitet ’56-’60, në Kosovë formohen dhjetëra grupe të mëdha e të vogla ilegale politike, të cilat pas vitit 1981 do të bashkohen në një organizatë të madhe politike, të quajtur Lëvizja Popullore e Kosovës. Qëllimi themelor i këtyre grupeve ishte çlirimi i tokave shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, përkatësisht formimi i Republikës së Kosovës në Jugosllavi, për këtë arsye Beogradi zyrtar gjithmonë i ka vënë jashtë ligjit, i ka ndjekur dhe ka qenë në luftë të përhershme më të.
[16] Për dënimet e përgjakshme të këtyre patriotëve shih Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945-1947), Rilindja, 1988].
[17] Shih Dr. Hakif Bajram, Dosja Demaçi, Brezi 81, Prishtinë, 2003.
[18] Lazar Mojsov, kryetar i Presidiumit të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, në mbledhjen e 20 të KQ të LKJ, për “Veprimtarinë e Forcave armiqësore e kontrarevolucionare në KSA të Kosovës”, të mbajtur më 7 maj 1981, thotë: “Aksionet e armikut prej fillimit kanë pasur karakter kontrarevolucionar.” Shih: Dokumenti SKJ, 20. sednica SKJ, Aktivnost neprijateljskih i kontrarevolucionarnih snaga u SAP Kosovu, Beograd, 1981, 9—23. http://www.znaci.net/00001/138_104.pdf.
Shih:Muhamed Kešetovic, Kontrarevolucija na Kosovu: Pokušaj i sprecavanje: politicki esej, published Zadruga, Beograd, 1984.
[19] Kosovo Spring/The International Crisis Group Guide to Kosovo, ICG, 1998.
Shih edhe: Vickers, Miranda, The Albanians/ a modern histori, I. B. Tauris, 1999, pg. 203.
[20] Edhe në këtë punim, sa herë të përdorim togfjalëshin “viti 81” kjo ka kuptimin e demonstratave të vitit 1981.
[21] Rexhep Qosja, Rilindja e dytë, Botimet Toena, Tiranë, 2007, fq.7-12.
[22] Bajram Kosumi, Koncept për mendimin e ri politik, Brezi 81, Prishtinë, 2001, fq. 21.
[23] Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, 2000, fq. 320.
[24] Ana Lalaj, Kosova rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, 2000, fq. 323-367.
[25] Noel Malcolm, Kosova/një histori e shkurtër, Koha, 1998, 338.
[26] Momčilo Pavlović, “Kosovo Under Autonomy, 1974-1990”, in Confronting the Yugoslav Controversies / A Scholars’ Initiative, edited by Charles Ingrao and Thomas A. Emmert, United States Institute of Peace Press, Purdue University Press, 2009 [second revizion 2010], West Lafayette, Indiana,
[27] Dr. Hakif Bajrami, Kosova/ njëzet shekuj te identitetit te saj, Era, 1989, fq. 89.
[28] Shih më gjerësisht Bajram Kosumi, Koncept për mendimin e ri politik, Brezi 81, 2001.
[29] Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Unikomb, Prishtinë, 1997.
[30] Ethem Çeku, Kosova në sfondin e diplomacisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë 1945-1981, Brezi 81, Prishtinë, 2009.
[31] Ana Lalaj, Kosova/rruga e gjatë drejt vetëvendosjes 1948-1981, Mësonjëtorja e parë, Tiranë, 2000, fq. 397.
[32] Tim Judah, Kosovo, War and Revenge, Yale University Press, 2000, fq. 42.
[33] Memorandum, SANU (1986), published by Duga (1989).
[34] Cituar sipas Timothy Garton Ash, The Polish revolution: Solidarity, Yale University Press, 2002, fq. 192.
[35] Ronald Reagan, Remarks at the Brandenburg Gate, delivered 12 June 1987, West Berlin, http://www.americanrhetoric.com/speeches/ronaldreaganbrandenburggate.htm