• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Bahtijar Kryeziu: Shqipja sot dhe globalizimi gjuhësor

21/01/2020
| Opinione

I. Shqipja sot dhe statusi aktual i saj

Gjuha, përveç si mjet kryesor i komunikimit dhe i marrëveshjes mes njerëzve, i formimit të identitetit të tyre, është dhe faktor i socializmit dhe i integrimit të grupeve të caktuara shoqërore. Përmes saj krijohet dashuria mes njerëzve por edhe armiqësia. Ndërtohen por edhe prishen raportet ndërperso­nale dhe mes grupimeve të caktuara. Gjuha, pra, është mjeti i kulturës, i paqes por edhe i përçarjes dhe i dhunës. Kështu del se ajo, nuk është çështje vetëm e gramatikës, e sintaksës, e poetikës dhe e estetikës. Në Irlandë madje përdoret edhe shprehja si kjo: “Pa gjuhë nuk ka atdhe”, edhe pse jo gjithherë ndodh kjo në botë. Gjuha, pra, nuk është asnjëherë vetëm gjuhë[1]. Andaj, si në çdo shoqëri të civilizuar, ajo edhe te ne duhet ta ketë statusin dhe respektin që i takon. Megjithëkëtë, kjo nuk po ndodh me ne dhe gjuhën tonë: përdorimi i mbishkrimeve të firmave të disa institucioneve publike e bizneseve tona në gjuhë të huaja më tepër se në shqip ose vetëm në gjuhë të huaja; mbishkrimi i tabelave të vendbanimeve me plot gabime gjuhësore; emërtimi i fëmijëve me emra të huaj (Kevin, Dajana, Denis…), në vend të emrave shqip – të vjetër (Ilir, Entela, Alban…), a të rinj (Gëzim, Blerim, Besnik etj.); emërtimi i disa shtëpive “të fuqishme” meditatike po në gjuhë të huaj, si: Top Channel, News 24, Ora News, BBF, Club FM; përdorimi i një gjuhe të bastarduar e me lloj-lloj shprehjesh dhe më absurde për kohën në mjaft shfaqje të humorit e të emisioneve televizive, për “të krijuar art” me “jo art”, që meritojnë të quhen hiq më pak se “pornoligjërime”; përdorimi vetëm i gjuhës angleze në regjistrat e pagave të punonjësve në sektorin shoqëror të Kosovës, të cilën gjuhë as 80% prej tyre nuk e kuptojnë; moszbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhës zyrtare në tiketat e produkteve të ndryshme, sidomos të atyre që hyjnë nga jashtë, si e drejtë jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorit, por diç edhe më shumë se kjo; kujdesi i pamjaftueshëm ndaj prurjeve të çfarëdollojshme të fjalëve të huaja; mungesa e vullnetit institucional e shtetëror për hartimin e fjalorëve terminologjikë në njërën anë dhe ndikimi aq i madh i internetit me terma të huaj në anën tjetër; testimi i konkurruesve për punësim vetëm në gjuhën angleze, edhe atje ku ajo nuk kërkohet të zbatohet, pa ju interesuar se sa ata komunikojnë drejt e mirë në gjuhën e tyre amtare; përdorimi i gjuhës së huaj në seminare të ndryshme të organizuara në universitet, kur ka të pranishëm ose edhe jo ndonjë të huaj, shqiptari me shqiptarin (edhe zyrtarisht) flet në gjuhë të huaj, për të treguar “dijen” dhe “kulturën e lartë”, përkatësisht snobizmin e tij dhe “harron” gjuhën e nënës e raste të tjera, janë vetëm edhe disa dëshmi ogurzeza dhe aspak shpresëdhënëse për shqipen e ditëve të sotme dhe për perspektivën e saj.

“Shoqëritë moderne (për çka mëtojnë edhe këto tonat – B. K.), përveç demokratike dhe multietnike, janë edhe shumëgjuhëshe. Pothuaj s’ka shtet në botë ku flitet vetëm një gjuhë – përveç në Kore”[2], porse të pakta janë ato shtete (demokratike e multietnike), ose edhe nuk ka shtet të tillë që nuk e përfill gjuhën e vet zyrtare si te ne. Në kontekst të kësaj mund të përmendim edhe disa zëra që dëgjohen sot (që për fat nuk janë shumë) se në gjuhë duhet të ketë një liberalizëm, liri të përdorimit të ligjërimit të lidhur, deri në atë masë saqë kushdo mund të flasë e të shkruajë dosido, që Dell Hymes  e quan këtë “kompetencë komunikatave” që nënkupton “aftësinë për të komunikuar me kode të ndryshme, edhe pse … në këtë mënyrë krijohet një mishmash gjuhësor, por nëse një mishmash i tillë pranohet nga bashkësia folëse, atëherë pse të mos bëhet një gjë e tillë”[3] – thotë një gjuhëtar yni. Është konstatim i cili neve nuk na duket edhe aq i drejtë. Ne mendojmë se standardi, norma, parimi, janë mjetet më të mira për të mënjanuar mishmashet dhe anarkitë në jetë dhe në punën tonë, pra edhe në fushën e gjuhësisë, si për respektimin e kodit gjuhësor, ashtu edhe kur është fjala për përdorimin e termave, nocioneve dhe fjalëve të huaja. Mos të harrojmë se gjuhët letrare, apo standarde, siç quhen rëndom sot, zhvillohen, kultivohen bash në saje të normativitetit legjislativ dhe gjuhësor. Çdo shtet i përparuar ka një politikë gjuhësore të veten dhe ngre institucione që e zbatojnë këtë politikë. Vëzhgohen e mbahen nën kontroll një varg procesesh gjuhësore, mes të cilave edhe ndikimet që ushtrojnë mbi gjuhën vendëse gjuhët e tjera, të cilave përdorime të pamotivuara, e të panevojshme, mund t’u vihet një ledh, po deshëm, ngase ato vetëm sa e  dëmtojnë gjuhën tonë. Deri në vitet e 90-ta edhe për shqipen (në Shqipëri) ka pasur një “strategji” të mbrojtjes së saj nga ndikimet e huaja, siç e kanë edhe sot Franca, Gjermania po dhe Kroacia e vende të tjera më të përparuara etj. Por sot shqipja nuk e ka këtë fat. Kjo ngrehinë ka mbetur thuaja pa zot dhe në mëshirën e zotit, sidomos në ditët tona kur po i nënshtrohet gjithnjë e më fuqishëm trysnisë së procesit të globalizimit –  gjuhës angleze. Ndaj gjithë kësaj, nuk ka se si njeriu të jetë indiferent e të mos e kaplojë ndjenja e frikës dhe e shqetësimit për fatin e saj – pra, të gjuhës sonë.

II. Globalizimi gjuhësor – proces i pashmangshëm

Shikuar nga aspekti filozofiko-teorik dhe praktik, globalizimi[4], apo lëvizja e lirë e kapitaleve, e mallrave, e ideve, e njerëzve, nënkupton dhe shkrirjen e kufijve midis vendeve, kombësive e kulturave. Në këtë proces, epërsia ekonomiko-financiare detyrimisht “përkthehet” dhe si epërsi kulturore, duke lehtësuar kështu procesin e gjenerimit të konturave të një kulture globale, pavarësisht veçorive të mëparshme historike, gjeografike etj. Kjo kulturë globale imponon dhe përdorimin e një gjuhe globale, gjë që pashmangshëm shoqërohet me dinamizmin e përshpejtuar të kësaj gjuhe dhe humbjen e tempit të zhvillimit të gjuhëve të tjera, sidomos të atyre që janë mjaft të kufizuara në shtrirjen e tyre numerike, apo që “mbrohen” nga potenciale të ulëta financiare. Në këtë grupim, së bashku me gjuhët e tjera të Ballkanit, futet dhe gjuha shqipe, e cila, në kushtet e një copëzimi të mëtejshëm në përdorimin e saj apo dhe të zvogëlimit të mjeteve financiare, do të “vuante” akoma më shumë. Dhe kjo në të gjitha aspektet[5].

Se ç’pushtet ka fituar globalizimi në këtë kohë dhe ç’hapësirë ka pushtuar, po përmendim vetëm pak shembuj. Në gjuhësi, një formë e tillë globalizimi shprehet nga mbizotërimi i anglishtes, ku sipas rezultateve të projektit Web Characterization (Web karakterizejshen) të OCLC-së 4 të realizuar në vitin 2002, deri 72% e përmbajtjeve tekstore në sajte janë në gjuhën angleze, 7% në gjuhën gjermane, 6% në gjuhën japoneze, 3% në spanjishte e 3% në frëngjishte dhe 9% në të gjitha gjuhët e tjera të globit. Edhe pse përdorues të internetit anglofolës janë 36.5%, sipas statistikave që nxjerr po ky projekt, anglishtja mbizotëron me 72% dhe më të drejtë mund të quhet gjuha e internetit[6]. Jo vetëm në punë të internetit është gjendja e tillë dhe kjo trysni e globalizimit nuk ndodh vetëm me popujt e vegjël e gjuhët e tyre.

Qeveria e Federatës Ruse në programin special “Gjuha ruse në vitet 2006-2010”, jo moti, ka paraqitur të dhëna shqetësuese për (mos)përdorimin e rusishtes, si gjuhë “e madhe” dikur. Kështu që, derisa  në kohën e BRSS-së, rusishten si gjuhë zyrtare e kanë përdorur 286 milionë folës, tashti në ish–shtetet e BRSS-së, numri i njerëzve që e flasin këtë gjuhë është zvogëluar për 50 milionë, e që ky numër deri në vitin 2015 mendohet se do të zvogëlohet edhe për aq. Në Lituani, për shembull, gjithnjë sipas këtij studimi, gjuhën ruse e flasin afro 80% e gjeneratave më të hershme dhe të mesme, kurse të rinjtë deri në moshën 15 vjeçare, rusisht flasin vetëm 13% prej tyre, gjë që dëshmon se gjuhën ruse e flasin ose e kuptojnë vetëm gjeneratat më të vjetra.

Ashtu siç përmendëm më sipër, globalizimi synon unifikimin e botës në një gjuhë dhe një kulturë dhe atë, përmes gjuhës angleze, u mor vesh. Ky lloj globalizimi në të vërtetë anashkalon gjuhën amtare të kombeve, rezultati i së cilës është eliminimi i kulturës e cila është gjaku i një kombi. Shumë intelektualë dhe dijetarë në botë kanë kritikuar fuqishëm këtë proces duke e quajtur atë një proces shkatërrimtar. Koiçiro Matsura ish sekretari i përgjithshëm i UNESCO-s në lidhje me këtë thotë: ” Në një distancë disavjeçare ekziston mundësia që të eliminohen afro 50% e gati 7 mijë gjuhëve që ekzistojnë në botë”[7]. Rast shqetësues apo jo? Kjo nënkupton, sigurisht, se ndikimeve të tilla të globalizimit në gjuhë nuk mund t’i shpëtojnë edhe gjuhët e tjera “të mëdha” si gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja etj., e pra as shqipja, kudo që ajo flitet, kur merren parasysh edhe rrethanat socio-politike dhe ekonomike në të cilat gjenden shqiptarët në trojet e tyre dhe jashtë trojeve të tyre. Në Kosovë, bie fjala, anglishtja mësohet si gjuhë e parë e huaj, si gjuhë e vetme e huaj dhe gjuhë e dytë zyrtare në publikime të shumta të institucioneve etj. Me Kurrikulën e Arsimit Parauniversitar është paraparë që anglishtja të jetë lëndë e detyrueshme, madje që nga klasa e parë e shkollës fillore, duke u zënë vendin gjuhëve si frëngjishtja, rusishtja, e në disa territore shqipfolëse edhe gjermanishtja e italishtja, që dikur ishin lëndë të detyrueshme në planprogramet e shkollave shqipe.

Në gjuhën tonë kanë hyrë dhe po përdoren pa vend një mori fjalësh të huaja të cilat mund të shmangen lehtë. Fjalët si: draft, bord, eveniment, implementim, impjant, posibilitet, probabilitet, fizibilitet, bi-e multilateral, konsensus, gjenerim, divorcim dhe kushedi sa e sa anglo-italianizma të tjerë, edhe pse shqipja për to ka përgjegjëset e saj. Të tilla fjalë vetëm sa e lodhin shqipen, e bëjnë atë një gjuhë të dalë rodit të shqipes së Naimit, të shqipes së Konicës, të shqipes së Kadaresë dhe të shqipes së popullit, siç thekson një gjuhëtar yni në një shkrim të tij.

Por karshi këtyre fjalëve kemi edhe huazime të rrënjosura (siç janë huazimet nga greqishtja e re: dhomë, pronë, qefull, qëndis etj.), nga gjuhët sllave (çekiç, çudit, grusht, kosë etj.), si dhe një numër fjalësh nga italishtja që kanë gjetur një përdorim të gjerë, si: barkë, fitoj, paguaj, timon etj., ose edhe sa e sa ndërkombëtarizma, si analizë, atmosferë, element, financë, miliard, kilogram, olimpiadë etj., si dhe ato huazime, kryesisht turke, që mbartin në vetvete ngjyrime dhe ngarkesa emocionale-stilistike, si: vatan  (pranë shqipes “atdhe”), milet (pranë shqipes “popull”), xhan (pranë shqipes “shpirt”) etj. Pavarësisht rrugët e futjes dhe mënyrën e krijimit të tyre në gjuhën tonë (hiq ato turke), fjalëtermat e shprehjet e fjalëve si këto, janë krijime të cilat i imponoi koha dhe për të cilat në shqipe nuk ka përgjegjëse të mirëfillta. Ato, siç do të thoshte akademik Jani Thomai, erdhën si “mikesha të nderuara”[8] dhe si të tilla përdoren denbabaden, ngase janë mjete që e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë gjuhën tonë në komunikimin e përditshëm mes njerëzve. Edhe fjalëtermat: rentgen, embrion, hipotenuzë, neutron… – dikur, e internet, celular, globalizim, tender etj. – sot, si dhe sa e sa fjalë të tjera, janë terma e nocione që e kanë fituar statusin e ndërkombëtarizmave, pa të cilat, jo vetëm shqipja, por edhe shumë gjuhë të tjera do të ishin më të varfra dhe pa qenë në gjendje ta kryejnë funksionin e komunikimit të mirëfilltë. Fundja, huazimi konsiderohet proces i natyrshëm dhe i pandalshëm, sepse, siç dihet, gjuhët, disa më pak e disa më shumë, zhvillohen e pasurohen edhe me fjalë të gjuhëve të tjera për arsye të ndryshme – e arsyeja kryesore është mungesa e fjalës ose e shprehjes për nocione, kuptime a objekte të caktuara, sidomos sot kur kemi një zhvillim marramendës të teknologjisë dhe  të fushave të tjera shkencore. Por, megjithëkëtë nuk duhet harruar se huazimet kanë edhe anën e keqe, ngase jo gjithçka e huaj i duhet shqipes, gjë që shikuar nga ky aspekt në Kosovë situata na paraqitet  mjaft e ngarkuar.

Është bërë praktikë e kahershme, që me rastin e trajtimit të temave të këtilla e të huazimeve të huaja më të hershme, jo vetëm në gjuhën shqipe, gjuhëtarët të marrin një fragment të thënë disa vite më parë nga linguisti i njohur, Ranko Bugarski, i cili i referohet gjuhës serbe, me fjalët e të cilit po e përligjim mendimin tonë të shprehur pak më sipër, ku ai citon: …“Si do të flinim pa çarçaf, jastëk dhe jorgan? Si do të pastroheshim pa sapun e peshqir? Çka do të mbathnim nëse jo çorape dhe papuçe a sandale, e ndoshta edhe çizme? Çfarë do të pinim nëse jo çaj me limon, kafe me sheqer a raki e duhan? Si do të hanim pite a sarma? Si do të thoshim për diçka se është e butë si pambuku ose e fortë si çeliku?”, fjalë të cilat janë bërë, siç thoshte prof. Çabej, mishi dhe ashti i shqipes, pa të cilat shqipja nuk do të mund ta kryejë funksionin e saj të komunikimit të mirëfilltë.

Gjuhëtari e filozofi i njohur zviceran, Ferdinand de Sosyri, duke përkufizuar gjuhën si të paprekshme, por jo edhe të pandryshueshme, paraqet konceptin e tij mbi ndryshimin gjuhësor si dukuri e vetvetishme. Në kontekst të kësaj mund të përmendim edhe risitë tekniko-shkencore dhe ato në jetën shoqërore në përgjithësi, të  padyshim se kanë nxitur dhe nxisin nevojën e krijimit të fjalëve e të shprehjeve të reja në gjuhë, qoftë me futjen, pastaj përhapjen e termave shkencorë dhe teknikë ndërkombëtarë (e cila përhapje në ditët tona është shumë e shpejtë për arsye të komunikimit masiv), qoftë me kalkimin e fjalëve të huaja, apo qoftë edhe me krijimin e vetëdijshëm të termave që shfrytëzojnë pasurinë e mjeteve leksikore karakteristike për një gjuhë, ngase “gjuha shqipe është në një fazë hapjeje, huazimi, dhe jo mbylljeje e pastërtie dogmatike”[9].

Prurjet e reja si: bachelor (baçelor), kurrikulum, master, taksonomi, silabus apo sillabus e syllabus, modul, kampus, portofolio, evaluim, ECTS, CV-i (Sivi), draft, departament, po edhe prorektor, prodekan, shprehjet: in- servis e pri-servis,…, janë aq të shpeshtë saqë nuk ka shkrim me përmbajtje pedagogjike-metodike (sidomos në fushën e arsimit) ose në fushën e legjislacionit e të mos përdoren. Fjalë të futura këto vitet e fundit, të cilat, si këto që përmendëm tashti, të veshura me petkun e globalizimit janë edhe: okej, prononcim, handikap, investigues, aproksimativ, akronim, korporatë, menagjer, multinacionale, multipolaritet, live, on line etj., disa nga të cilat, po patëm një çikë përgjegjësie, edhe mund t’ia hiqem qafe shqipes, sepse kanë përgjegjëset e tyre në këtë gjuhë. Sot po ndodh ajo që Qemal Murati e përshkruan me këto fjalë:“Në këto shtjella të mëdha gjuhësh e civilizimesh, me mbisundim të elementit anglo-amerikan, gjuha shqipe e përdorur mish-mash, me frymë (model) e me fjalor të huaj, rrezikohet të bëhet edhe kjo si kanadishtja, gjuhë me gramatikë angleze e me fjalor amerikan, apo si anglishtja e përkthyer në gjuhën shqipe”[10]. 

III. Globalizimi – frikë apo kurajo?

Fqinjësia shekullore e popujve në këto hapësira, lëvizjet e njerëzve, të mallrave e të ideve në botë

përgjithësisht, e sidomos përdorimi i internetit, telefonisë celulare, televizionit satelitor etj., që sot janë kthyer në pushtues të rinj të botës, kanë bërë që asnjë popull të mos shpëtojë pa trashëguar diçka nga një popull tjetër dhe asnjë gjuhë të mos mbetet e virgjër pa elemente të një gjuhe tjetër. Anglishtja, e cila edhe ashtu merret si një gjuhë me më shumë huazime, sidomos nga frëngjishtja, është njëra prej gjuhëve me shtrirje më të gjerë të përdorimit dhe me ndikimin më të madh. Rreth një miliardë e gjysmë njerëz në botë e flasin anglishten si gjuhë amtare, si gjuhë të dytë ose si gjuhë të huaj. Mbi 80% të informacioneve të ruajtura në mënyrë elektronike në botë janë në anglisht. Dy të tretat e shkencëtarëve të botës shkruajnë në anglisht e 36% të përdoruesve të Internetit, nga 200 milionë, sa vlerësohet se janë, komunikojnë në anglisht. Anglishtja është gjuhë zyrtare ose ka status special në mbi 75 territore të botës (www.i-uk.com/servlet).

Fjalët e marra nga anglishtja, apo anglicizmat, si: baipas, basketboll, biftek, bilanc, bilbord, biznes, boks, buxhet, fermer, fiskal, futboll, gol, grant, draft, hobi, kolegj, kompjuter, koncern, kompani, linç, lob, marketing, menaxher, monitor, nokaut, ofset, parking, piknik, printer, pulovër, ramstek, rekord, ring, rokenroll, sandviç, satelit, skaner, skaut, smog, printer, staf, stres, shok, tank, teleprinter, tenis, trajnim, trust, tuist, uiski, vagon, vaterpolo, vinç, volejboll, xhaz, xhentëlmen, xhinse, xhungël dhe shumë e shumë të tjera, numri i të cilave nuk dihet saktësisht, kanë hyrë ose presin të hyjnë jo vetëm në gjuhën shqipe, po edhe në shumicën e gjuhëve të botës[11].

A kanë të gjitha këto lidhje me globalizimin? Nëse e pranojmë përgjigjen pozitive, natyrshëm, shtrohet pyetja – çka të bëjmë? Lista e pyetjeve do të shkonte edhe më gjatë, sepse edhe procesi i globalizimit është vetëm në fillimet e tij.

Sigurisht që nuk duhet t’i shpallet luftë globalizimit, por duhet të përpiqemi për një globalizim në kuptim të mirë të fjalës, për globalizimin që nxit ndjenjat për respekt vetjak e kombëtar, për vetërespekt, për globalizim që do të na bashkojë me të tjerët me vlerat e ndërsjella, për globalizim në të cilin edhe shqipja dhe kultura shqiptare do të zhvillohen e do të kultivohen krahas vlerave në shtrirje të gjerë planetare. Do të duhej të shihnim edhe përtej vetes – çka bëjnë kombet e shtetet në kushtet e globalizimit? Si i pranojnë proceset pozitive e si u bëjnë ballë proceseve negative që i nxit globalizimi, si i ruajnë e si i përforcojnë vlerat e tyre, në të vërtetë si e ruajnë identitetin e tyre, sepse mënyra më e mirë për ta paraparë ardhmërinë tonë është ta krijojmë atë. Ta bëjmë shqipen mjet integrimi midis nesh dhe mjet integrimi me të tjerët. Shkurt e thënë: të gjejmë rrugët që pajtojnë atdhetarizmin dhe globalizmin! – porosit në një vend gjuhëtarja jonë e njohur dr. Shefkije Islamaj[12]. Megjithëkëtë, anija jonë e identitetit dhe e kulturës nuk duhet ta humbasë busullën, edhe pse pështjellime dhe turbulenca akoma edhe më të shpeshta do ta karakterizojnë kohën tonë. Nuk duhet të dalim kundër rrymës, pasi nuk mundemi, por edhe s’duhet ta lëmë veten “të na marrë rrjedha”. Nuk duhet spikatur atë si një fakt tërësisht pozitiv apo dhe tërësisht negativ.

Në përmbyllje të këtyre opinioneve për problemin e shtruar, po sjellim në kujtesë, nga prof. Ali Jashari, disa fjalë të vyera të korifenjve më të mëdhenj të shkencës shqiptare: historianit Aleks Buda dhe albanologut e ballkanologut të pashoq, Eqrem Çabej, të cilët theksojnë: “Ne si popull jemi pjesë e familjes evropiane, por të jesh pjesë e kësaj familjeje të madhe evropiane nuk do të thotë harrim i vetvetes dhe nënshtrim ndaj ndonjë gjuhe tjetër. Në këtë bashkësi qytetërimesh ne duhet të futemi në radhë të parë me identitetin tonë kulturor e kombëtar. Gjuha është pjesa themelore dhe shprehësja më e dukshme e këtij identiteti, tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb”[13].

                                                                             

 Përmbyllje

Gjuha, përveç si mjeti kryesor i komunikimit dhe i marrëveshjes mes njerëzve, i formimit të identitetit të tyre, është dhe faktor i socializmit dhe i integrimit, dhe si e tillë nuk është asnjëherë vetëm gjuhë. Prandaj ajo duhet ta ketë statusin dhe respektin që i takon. Megjithëkëtë, kjo nuk po ndodh me ne dhe gjuhën tonë: përdorimi i mbishkrimeve të firmave të disa institucioneve publike e bizneseve tona në gjuhë të huaja më tepër se në shqip ose vetëm në gjuhë të huaja; emërtimi i fëmijëve me emra të huaj (Kevin, Dajana, Denis…), në vend të emrave shqip – të vjetër (Ilir, Entela, Alban…), a të rinj (Gëzim, Blerim, Besnik etj.); emërtimi i disa shtëpive “të fuqishme” meditatike po në gjuhë të huaj, si: Top Channel, News 24, Ora News, BBF, Club FM; përdorimi i një gjuhe të bastarduar e me lloj-lloj shprehjesh dhe më absurde për kohën  në shfaqje të humorit e të emisioneve televizive, për “të krijuar art” me “jo art”; moszbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhës zyrtare në tiketat e produkteve të ndryshme, sidomos të atyre që hyjnë nga jashtë; kujdesi i pamjaftueshëm ndaj prurjeve të çfarëdollojshme të fjalëve të huaja; mungesa e vullnetit institucional e shtetëror për hartimin e fjalorëve terminologjikë etj., janë vetëm disa dëshmi ogurzeza dhe aspak shpresëdhënëse për shqipen e ditëve të sotme dhe për perspektivën e saj.

Edhe copëzimi dhe variantizimi i gjuhës letrare; kërkesa për një liberalizëm, deri në atë masë saqë kushdo mund të flasë e të shkruajë dosido gjuhën letrare, që Dell Hymes (Dell Hajms) e quan “kompetencë komunikatave”, nuk mendojmë se kanë arsye. Çdo shtet i përparuar, si Franca, Gjermania, po edhe Kroacia e shtete të tjera, kanë një politikë gjuhësore që e zbatojnë këtë politikë. Shqipja nuk e ka atë fat, sidomos sot, kur trysnia e globalizimit – e gjuhës angleze është e paparë e kjo bën që çdo shqiptar ta kaplojë ndjenja e frikës dhe e shqetësimit për fatin e saj – pra të gjuhës sonë.

Se ç’pushtet ka fituar globalizimi gjuhësor (anglishtja) në këtë kohë dhe ç’hapësirë ka pushtuar, po përmendim vetëm këtë të dhënë, ku thuhet: ”Në një distancë disavjeçare ekziston mundësia që të eliminohen edhe afro 50% e gati 7 mijë gjuhëve që ekzistojnë në botë”. Në rast të tillë nuk duhet fort mend që të dimë se ç’mund të ndodh me gjuhët e vogla, ku bën pjesë edhe shqipja.

Në gjuhën tonë kanë hyrë dhe po përdoren pa arsye fjalët si: draft, bord, eveniment, implementim, posibilitet, fizibilitet, bi-e multilateral, konsensus, gjenerim, divorcim, menagjer etj. – karshi disa greqizmave, turqizmave, sllavizmave që janë përdorur denbabaden, apo edhe fjalëtermat: rentgen, embrion, hipotenuzë, neutron… – dikur, e internet, celular, globalizim, tender etj. – sot etj., të cilat, e bëjnë gjuhën më funksionale dhe më të përdorshme.

Në përmbyllje të opinioneve të shtruara, megjithëkëtë, do të shtoja se anija jonë e identitetit dhe e kulturës nuk duhet ta humbasë busullën. Nuk duhet të dalim kundër rrymës së globalizimit, pasi nuk mundemi, por edhe s’duhet ta lëmë veten “të na marrë rrjedha”. Nuk duhet spikatur atë si një fakt tërësisht pozitiv apo tërësisht negativ.

[1] Shih: Rexhep Ismajli, Gjuhë dhe etni, Prishtinë, 1991, faqe 29.

[2] Anton Gojçaj, Shqipja e rrezikuar në Malin e Zi, “Gjuha shqipe”, nr. 3, Prishtinë, IAP, 2008, faqe 91.

[3] Dr. Shkumbin Munishi, Gjuha standarde nuk është varianti i vetëm i shqipes (intervistë), “Koha Ditore”, 16 gusht  2007, faqe 14.

[4]Si një term “globalizimi” ka filluar të përdoret qysh në vitin 1944, mirëpo ekonomistët kanë filluar ta aplikojnë aty kah viti 1981. Termi “fshat global” u afirmua pas botimit të veprës Understanding Media (Routledge, Londër, 1964) nga autori M. McLuhan. Ndërkaq Theodore Levitt është meritori për farkimin e termit ‘globalizim’ përmes një artikulli të tij që ai e shkroi në vitin 1983 për Harvard Business.

5 Rexhep Meidani, Një “iniciativë” për shqipen standarde, (internet, 16.7.2004).

6 Shefkije Islamaj, Aspekti gjuhësor i globalizimit dhe shqipja standarde (internet).

   [7] Nuk mund të thuhet me saktësi se sa gjuhë ka sot në botë. Është menduar se ka ndërmjet 2000-3000, më vonë edhe

mbi 5,000 sosh të grupuara në nja 23 grupe të mëdha gjuhësh. Por sipas revistës prestigjioze Etnology (Ethnologue), të botuar nga Instituti i Gjuhësisë SIL International, thuhet se më 2001 në botë kishte 6703 gjuhë të gjalla.

[8] Akademik Jani Thomai, Parathënia e veprës “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe” të Ali Jasharit,

Tiranë, 2007, faqe V.

[9] Prof. Artan Fuga, Lexime në komunikim, Ora, 2005, l56.

[10] Qemal Murati,  “Gjuha e sotme shqipe – Prirjet e reja “Evropianizuese” , “ Dimër 2004 – Pranverë 2005, IV, f. 36.

[11] Nebi Caka, Huazimet leksikore dhe qëndrimi ndaj tyre, “Koha Ditore”, 30.9.2006, faqe 14.

12 Shefkije Islamaj, punimi i cituar.

13Shih recensionin e Ali Jasharit te “Gazeta shqiptare” (2009) për librin e Prof.dr.Gjovalin Shkurtajt, “Duhet të dimë të  shkruajmë”, Tiranë, 2009.

 


Publikimi i mëparshëm

“Shqipja na bën shqiptarë” – premiera e dokumentarit shfaqet te “Marubi”

Publikimi i radhës

Rrëfehet Eneda: Ja si e nisa rrugëtimin tim në muzikë

Publikimi i radhës

Rrëfehet Eneda: Ja si e nisa rrugëtimin tim në muzikë

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.