Begzad Baliu | Në studimet e gjertanishme albanologjike Thimi Mitko shquhet si njëri prej personaliteteve më të veçanta, ndërsa vepra e tij ende e panjohur në përmasat e kompleksitetit të saj. Një konstatim të tillë e mbështesim në studimet e gjertanishme të jetës dhe veprës së tij. Në rrafshin e parë, hynë njohja e plotë e veprimtarisë së tij, e kategorizuar thjesht si një tregtar i vogël, në rrafshin e dytë hyjnë vlerësimet për mbledhësin e folklorit, si një pasionant dhe jo e gjithë veprimtaria e tij dhe sidomos të gjitha arkivat albanologjike që lidhen me aktivitetet e tij; dhe në rrafshin e tretë, i cili mund të konsiderohet më i rëndësishmi, hyjnë qasjet metodologjike ndaj punës së tij, përkatësisht pamja kryesisht nacionale e jetës dhe veprimtarisë së tij brenda Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, në vend se ta shohin atë si pjesë përbërëse të Lëvizjes Europiane, e cila u manifestua edhe në Ballkan dhe në Lindje të tij.
I lindur në Korçë dhe i shkolluar në një shkollë fillore në gjuhën greke, Thimi Mitko hyri në jetën kombëtare jo si rilindësit e tjerë me formim në Lagjen e shkollës së provininencës franceze të Zosimesë, të provininencave Lindore të Stambollit, të shkollave fetare të proveniencës italiane apo austriake të Shkodrës, apo të ndonjë qendre të ngulitjeve shqiptare në Rumani, ndër arbëreshët e Italisë etj., prandaj rruga e formimit të tij është e veçantë, po aq sa janë të veçanta orientimet e disa prej përfaqësuesve të caktuar të Rilindjes Kombëtare, prej të cilëve shquhet posaçërisht Konstantin Kristoforidhi. Orientimi i tij në jetën kombëtare të Rilindjes Shqiptare prandaj, nuk do të shquhet as prej koncepteve idealiste të brezit të tij, as prej koncepteve perëndimore të përfituara në ndonjërën prej shkollave me profil euro-amerikan të Janinës a Stambollit, as prej polemikave thjesht etno-historike dhe fetare të fërkimeve ballkanike.
Jetën e tij, tjetër nga bashkëkohësit e tij të Lëvizjes Kombëtare dhe sidomos nga pasardhësit e tij të kësaj Lëvizjeje, do ta formojnë para se gjithash trashëgimia familjare prej zejtarësh, të cilën Thimi Mitko shpejt do ta avancojë në një përmasë tjetër, nga një tregtar i vogël i angazhuar në rrjetet transballkanike (Korçë, Manastir, Janinë, Selanik, Athinë, Bukuresht etj) në fillim, në një tregtar të përmasave transkontinetale (Vjenë, Venedik, Trieshtë, Stamboll, Aleksandri etj.). Në të vërtetë sikur e ka theksuar tash së voni studiuesja Natali Clayer “Thimi Mitko dhe Dora d’Istria ishin dy personalitetet më të rëndësishme në zemër të këtij rrjeti. Me origjinë nga një familje e borgjezisë së re tregtare korçare, Mitko (1820-1890) kishte qenë rrobaqepës, pastaj ishte hedhur në tregtinë ndërmjet Ballkanit dhe Evropës” ( Clayer: 2012, 210)
Thimi Mitko dhe revolucioni borgjez i gjysmës së parë të shekullit XIX
Aktivitetet e tij tregtare dhe sigurisht përkushtimi i tij ndaj dijes, të cilën e kishte shfaqur që në fëmijëri kur qe regjistruar në një shkollë në gjuhën greke në Korçë, do të bëjnë që ai të mësojë në qendrat e mëdha të Europës jo vetëm për zhvillimet ekonomike e tregtare, por edhe për zhvillimet politike dhe arsimore, shkencore e intelektuale, të cilat tashmë po kulmonin pas Revolucionit Francez rreth gjysmë shekulli më vonë. Në shekullin XIX dhe në shekullin XX, siç do të shprehet Eric Hobsbawm po zhvilloheshin dy nacionalizma: “I pari, nga viti 1830 deri më 1870 është një nacionalizëm demokratik, masiv dhe politik “i kombeve të mëdha”, që buron nga idealet e Revolucionit Francez. I dyti, karakteristik për periudhën nga viti 1870 deri më 1914, ndryshe nga i pari, është një nacionalizëm i ngushtë etnik apo gjuhësor, reagim i kombësive të vogla, kryesisht midis popujve periferikë në zona shpesh të prapambetura, ndaj formacioneve politike anakronike të perandorive osmane, habsburge dhe cariste”. (Smith: 2009, 22). Kjo është edhe arsyeja pse Thimi Mitko fillimisht do t’i takojë nacionalizmit të periudhës së parë dhe aktivitetin e tij do ta zhvillojë brenda “nacionalizmit demokratik të kombeve të mëdha”, e kjo do të thotë, se duke u mbështetur në prirjen e filozofëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve të shumtë të Europës për të shquar trashëgiminë e lashtë dhe paneuropiane të qytetërimit helen, jo vetëm përkrahu alfabetin grek për shkrimin e gjuhës shqipe, por edhe vetë deri në “periudhën e dytë 1870”, kur u shfaq “nacionalizimi i ngushtë etnik apo gjuhësor”, çfarë ishin nacionalizmat grekë dhe pansllavë, botoi tekste në gjuhën shqipe me alfabetin grek, duke përfshirë këtu edhe kryeveprën e tij “Bleta Shqiptare”.
Ky fakt përjashton një prirje të studimeve të derivona albanologjike, sipas së cilave një pjesë e rilindësve shqiptarë fillimisht ishin nën ndikimin e kulturës greke dhe u vetëdijesuan vetëm pas zhvillimeve luftarake popullore kundër Perandorisë Osmane. Përkundrazi, janë disa nga rilindësit shqiptarë, ata të cilët, të parët u informuan me zhvillimet politike, ekonomike dhe kombëtare të Europës, dhe kësaj lëvizje ju bashkuan pavarësisht faktit se intelektualët e Europës gjuhën dhe kulturën greke e romake i kishin vendosur në themelet e trashëgimisë evropiane. Ky “nacionalizim i ngushtë etnik dhe gjuhësor”, nga platforma e Magali Idesë dhe disa qarqeve sllave e greke, do të përpiqet që të përdoret për të shuar përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të zgjuar vetëdijen historike, etnike dhe gjuhësore të tyre në dobi edhe të lirisë dhe pavarësisë.
Në të vërtetë prej dijes së zënë në rrethet tregtare, arsimore dhe shkencore të shkollave europiane Thimi Mitko do të njihet me disa nga konceptet bashkëkohore të kohës për vlerat dhe orientimet e kombeve të përparuara, për të cilat mund të ishin të informuar disa nga bashkëkohësit e tij ndër arbëreshët e Italisë, por jo edhe bashkëkohësit e tij në atdhe dhe përgjithësisht në Ballkan e në Lindje, mbase me përjashtim të Konstantin Kristoforidhit. Në qendrat politike, ekonomike, arsimore dhe intelektuale të Europës Thimi Mitko do të mësojë jo vetëm për zhvillimet më të reja politike, por edhe për ndikimin që kishin ato në zgjimet e reja kombëtare të popujve të mëdhenj, përkatësisht për përlindjet e mëdha kombëtare, që shfaqeshin në qendrat më të mëdha të Europës bashkë me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike, në të vërtetë bashkë me revolucionin borgjez të fillimit të shekullit XIX. Thimi Mitko do të ketë fatin të jetojë një kohë të gjatë në Europë dhe të angazhohet në Lëvizjen Kombëtare pikërisht në këtë periudhë të fillimit të shekullit XIX, kur sikur shprehet historiani Patrik Geary, historia u konceptua dhe u zhvillua si instrument i nacionalizmit evropian. (Geary: 2009, 45)
Prej zhvillimeve të kohës Thimi Mitko do të mësojë konceptet e reja orientuese të popujve të mëdhenj, e këto sikur do të theksojë tash së fundit Anthony D. Smith ishin “nacionalizmi perëndimor: ideologjia, gjuha dhe ndjenjat sentimentale” (Smith: 2010, 116), të formuluara në konceptet kombëtare dhe shtetërore për autonomi, identitet, shpirt kombëtar, autenticitet, bashkimi e vëllazërim, brenda të cilave qëndronte gjuha e bashkuar dhe diskursi që ka simbolet e veta ceremoniale dhe shprehëse (Smith: 2010, 124).
Thimi Mitko dhe Lëvizja herderiane europiane
Në këto qendra europiane, sikur ishin Vjena, Parisi, Berlini e ndonjë tjetër, Thimi Mitko do të mësojë jo vetëm për arritjet shkencore të tyre, por edhe për ndikimin që kishin ato në zhvillimet politike, arsimore dhe kulturore në periferi të Europës dhe në mënyrë të veçantë në Ballkan dhe përgjithësisht në Europën Juglindore. Për kohën e tij, këto koncepte më parë se sa Europës i përgjigjeshin Ballkanit, përkatësisht shqiptarëve të ndarë në zona administrative perandorake, në besime fetare dhe në zona të ndikimit grek e sllav. Ishin pikërisht shqiptarët më parë se sa sllavët apo grekët që kishin nevojë të dinin konceptet e filozofit gjerman Lajbnic për një “shoqëri të përkatësisë gjermane” (Thiesse: 2004, 42). E vërteta, këtë lëvizje e projektonin më së miri konceptet e Herderit, sipas të cilit disa lëvizje “si psh., pansllavizmi, ishin politizuar lehtësisht, dhe të gjitha kombet që do të bëheshin, i realizuan këto lëvizje sipas aparateve të tyre të vetë-krijimit kombëtar. Këto aparate përfshinin korpusin e “monumenteve të historisë kombëtare” dhe filologjinë (shumica e filologëve ishin të arsimuar në Gjermani) për të ndriçuar origjinat e lashta të kombeve të tyre. Studimet e tyre dhe nacionalizimi u bënë një”. (Geary: 2009, 68). Nuk është e rastit pse më parë se sa shumë bashkëkohës të tij, me këtë lëvizje herderiane do të “politizohet lehtësisht” edhe Thimi Mitko.
Studimet e gjertanishme albanologjike mbase me të drejtë e kanë theksuar faktin se Thimi Mitko jo vetëm nuk kishte dhunti prej vjershëtari, por nuk ishte as filolog i formuar, prandaj i gjithë kontributi i tij mbetet në nivel të një botuesi të folklorit, por studimet albanologjike kanë lënë mënjanë disa faktorë të tjerë të rëndësishëm të angazhimit të tij në këtë drejtim, e këta janë: njohja e mirë e zhvillimeve filologjike të kohës, të cilat ai i merrte në dy drejtime, përmes informacionit mjaft të plotë të Vjenës dhe disa qendrave të tjera të kohës dhe përmes komunikimit që kishte me disa nga bardët më të shquar të kulturës kombëtare, sikur ishin rilindësi me dhunti letrare Jeronim de Rada dhe studiuesi me formim filologjik Dhimitër Kamarda. Ndryshe nuk mund të shpjegohet, thjesht, vetëm si pasion angazhimi i tij në mbledhjen e krijimtarisë popullore, përderisa kemi një botim të plotë filologjik të kryeveprës së tij “Bleta shqiptare”, të cilën më parë se sa një vëllim tekstesh popullore, në “Parathënien” e tij e quan një vëllim “studimesh albanologjike”. (Mitko: 1980, 61).
Kishte më shumë se një shekull që kur bardi i një lëvizjeje të madhe kombëtare Herder tërhiqte vërejtjen se “në Evropë ka ende një sërë kombesh të lëna në braktisje. (…) E megjithatë, kujtonte ai, ka midis tyre disa persona, funksioni i të cilëve është të studiojnë gjuhën, zakonet, mënyrat e të menduarit, besëtytnitë e vjetra dhe doket e kombit të tyre! Dhe sikur ta bënin këtë, do t’ju jepnin kombeve të tjera gramatikën më të gjallë, fjalorin më të mirë dhe historinë natyrore të popullit të tyre”. (Thiesse: 2004, 46). Prandaj, a mund të quhet e rastit “Parathënia” e vëllimit të tij, “Bleta shqiptare”, e cila hapet me tekstin programatik dhe me të cilin lexuesve ua kujtonte se “Qëllimi i “Bletës shqiptare”, (…) është përgjithësisht, shpëtimi dhe dhënia brezave që vinë, i fjalëve dhe i teksteve shqipe, të cilat (…) besoj se do të kenë një vleftë sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare” (Mitko: 1980, 61). Në këtë rrjedhë, konstatimi se Thimi Mitko këtë vepër e quajti vëllim me “studime albanologjike”, për të përmbushur idenë e tij për një revistë antologjike, sikur janë shprehur studiuesit e gjertanishëm, nuk më duket shumë i qëndrueshëm. Për Thimi Mitkon nuk ishte problem nxjerrja e një reviste të tillë, për faktin se ai kishte mjete financiare dhe rrethe shkencore e kulturore për një synim të tillë. Më parë se idenë e një reviste në këtë botim do parë konceptet fillestare herderiane për folklorin dhe gjuhën, si dhe arritjet filologjike e botimet e kësaj natyre në shkencën europiane. Këtë funksion e kanë jo vetëm tekstet folklorike të të gjitha llojeve dhe gjinive, por edhe fjalësi përshkrues, duke përfshirë këtu edhe antroponimet e patronimet e hapësirës shqiptare, me të cilat në esencë vuri themelet shkencore të albanologjisë mbi onomastikën. Dhe jo vetëm kaq, ndikimi i mendimeve të Herderit në konceptet historike, shkencore dhe letrare të Thimi Mitkos për rëndësinë që kishin vazhdojnë edhe te bashkëkohësit dhe sidomos ‘pasardhësit’ e tij me përkushtimin e tyre ndaj traditës dhe folklorit. Nëse sipas Herderit “poezia popullore asht pasqyra e shpirtit e t’nimeve t’nji fisit”, sipas Spiro Dinës “kangët tona janë shumë të nevojshme e të vjetruara për kombin tonë, se ndër këto shikojmë të ngjarat e çdo kohe, që ka shkuar si valët e detit. Prej këtyre mund të dal një histori e plotë” (Sipas, Pirraku: 1989, 337-338)
Sikur ka vënë re Anna Marie Thiesse “çështja e gjuhës, zë një vend qendror në refleksionin herderian. Për të, në gjeninë e gjuhës ndodhet shpirti i kombit” (Thiesse: 2004, 43), prandaj nuk është e rastit pse edhe Thimi Mitko citon mendimin e Herderit në “Parathënien” e tij, sipas të cilit “një komb nuk mund, me asnjë mënyrë tjetër të dalë nga barbaria, përveç se duke punuar gjuhën e vet”, (Mitko: 1980, 61) ndërsa Mitko këto premisa paradigmatike i shtrinte edhe më tej në dy drejtime themelore të pazgjidhura për kohën: politike dhe gjuhësore. Në premisën e parë shihte alfabetin si akt politik, prandaj edhe kujtonte se “në qoftë se lihet Shqipëria në padijen e saj, pa shkronja vendi dhe pa shkolla të popullit, atëherë sllavët me mjete më të forta e më praktike do të shpejtojnë për të gëlltitur racën shqiptare” (Mitko: 1980, 62); ndërsa në premisën e dytë shihte pikërisht gjuhën, e cila për Mitkon ishte “ushqim i parë e i përbashkët që i jep gjallëri popullit” (Mitko: 1980, 62), ashtu sikur ishte edhe për Herderin “shprehje e gjallë, organike e shpirtit të një populli, shuma e veprimit efikas të të gjithë shpirtrave njerëzorë që e kanë përbërë përgjatë shekujve”. (cit., sipas Theisse: 2004, 44).
Thimi Mitko dhe europianizimi i albanologjisë
Prej dijes së gjertanishme albanologjike nuk është vështirë të shihet se Thimi Mitko nuk kishte formim albanologjik, në përmasën që e kishin disa nga bashkëkohësit dhe pasardhësit e tij të Rilindjes Kombëtare, por prej aktiviteteve dhe bëmave e tij nuk mund të mos thuhet se atij nuk i mungonte informacioni për filologjinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Ndryshe prej bashkëkohësve dhe sidomos pasardhësve të brezit të tij të Lëvizjes Kombëtare të shekullit XIX, Thimi Mitkos nuk i mungonte jo vetëm dija për kulturën dhe qytetërimin shqiptar e ballkanik po as për zhvillimet filologjike shumë me ndikim në gjithë Europën, një lëvizje që po përhapej si dije historike, kulturore, shpirtërore dhe identitare edhe në Ballkan edhe në Lindje, në Perandorinë Osmane.
Nuk është e rastit, që pjesë e kësaj njohjeje dhe e kësaj Lëvizjeje bëhen me kohë studiuesit dhe shkrimtarët e radhës së arbëreshëve, por jo edhe intelektualët, studiuesit dhe shkrimtarët e radhës së shqiptarëve të Ballkanit dhe atyre në Lindje, me ndonjë përjashtim të rastit, sikur ishte Konstantin Kristoforidhi. Thimi Mitko do t’i bashkohet kësaj Lëvizjeje si një intelektual i përkushtuar, prandaj në këtë mënyrë do ta manifestojë edhe aktivitetin e tij: me letërkëmbim të dendur, me dërgimin e teksteve letrare dhe shkencore kur në gazeta dhe revista të kohës e kur në formë të përshkruara, me mbledhjen e trashëgimisë etno-historike dhe gjuhësore kombëtare dhe botimin e saj në institucionet më të njohura akademike të Europës, ashtu sikur vepruan bashkëkohësit e tij nga Ballkani etj. Në këtë mënyrë, mund të themi se Thimi Mitko, më parë se sa të bënte albanologjinë, për të cilën i duhej formimi filologjik i Dhimitër Kamardës dhe më parë se sa të bënte letërsinë, për të cilën i duhej dhuntia e Naim Frashërit apo e Jeronim de Radës, e bëri popullarizimin e albanologjisë. “Në planin e afirmimit kombëtar të popullit shqiptar, theksonte historiani Muhamet Pirraku, “Bleta shqiptare” e kreu detyrën e një armate kombëtare të pathyeshme të Rilindjes. Ajo u bë burim interesimesh shkencore e politike për dijetarët më në zë evropianë të kohës. Drejtori i organit akademik Acta Comparations Litterarum variarum, këngët historike të botuara në Bletën shqiptare i quante “poezi të mirëfillta politike” dhe e stigmatizonte Kongresin e Berlinit të vitit 1878, duke theksuar me ironi se “çfarë parimesh mund të përligjin vendimet e këtij Kongresi, që i mohon një populli me tradita të tilla të drejtën e ekzistencës” (Pirraku: 1989, 518).
Dhe jo vetëm kaq.
Duke mbledhur një thesar të tërë të folklorit shqiptar (nga ninullat deri te këngët historike dhe nga përrallat deri te tekstet tregimtare), duke mbledhur njësi leksikore (nga fjalësi historik i gjuhës shqipe deri te leksiku i përditshëm vendor dhe i huaj); duke pranëvënë antroponiminë dhe patroniminë shqipe të besimeve të ndryshme, si dhe strukturat gramatikore e semantike të tyre, Thimi Mitko kreu atë mision të cilin një shekull më parë e kishte caktuar Herderi për popujt e mëdhenj evropianë; ndërsa duke e botuar atë në revista me përmasa europiane që botoheshin në gazetat në gjuhën greke në Ballkan, në revistat arbëreshe, në revistat akademike europiane në gjuhën gjermane dhe sidomos në vëllimet albanologjike më me ndikim në studimet filologjike europiane, Thimi Mitko jo vetëm popullarizoi, por edhe e europianizoi dijen albanologjike, në ato përmasa për të cilat shkenca e sotme e albanologjisë nuk e ka dhënë vlerësimin e saj. Dhe nuk e ka bërë këtë, kryesisht për dy shkaqe: prej qasjes metodologjike ndaj biografisë vetjake të Thimi Mitkos, si personalitet me biografi prej borgjezi të vogël, dhe prej mosnjohjes së veprave, dorëshkrimeve dhe arkivave të plota, të shtrira në Lindje, ndër arbëreshët dhe në Europë.
Kur studimet albanologjike, e kjo do të thotë kur albanologjia të vlerësohet jo vetëm si dije historiko-gjuhësore dhe si kontribut historiko-letrar, por edhe si lëvizje intelektuale, roli i Thimi Mitkos do të dalë në plan të parë: si rol i intelektualit që në një periudhë shumë të rëndësishme të përlindjes historike, kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të Europës, Ballkanit dhe hapësirës shqiptare, me angazhimin e shumanshëm të tij bashkonte strukturat e shpërndara të Lëvizjes Kombëtare ndërmjet Ballkanit, Kolonive brenda Perandorisë Osmane, arbëreshëve të Italisë dhe qendrave shkencore, kulturore e arsimore, që përtej misionit shkencor e kulturor në Europë kishin rolin e orientimeve politike dhe strategjike të shteteve të tyre ndaj popujve të vegjël në periferi të saj.