Astrit Memia | Te ilirët – shqiptarët, feja, ekspansioni ekonomik apo ai territorial nuk ndikonte në luftë. Të parët tanë nuk kanë luftuar, sunduar a vrarë në “emër të Zotit”. Nuk e kanë vrarë armikun në ikje apo bërë shkatërrim pas betejës a luftës, por prodhojnë, ushqejnë, kontribuojnë në ekspansionin e paqes, të harmonisë, të lumturisë, të begatisë, të mirëqenies, të mirësisë mes vetes dhe të tjerëve, qofshin shqiptarë, apo të huaj.
Shqiptarët, më 1614, 1616, 1620 së bashku me fqinjët malazez, serbë, boshnjakë organizuan kuvendet ndërballkanike por nuk arritën në ndonjë luftë të suksesshme. Më 1689 në malësinë e Kelmendit kryengritja e udhëhequr nga kryepeshkopi Pjetër Bogdani, në bashkëpunim me Austrinë korrën sukses kundër turqve.
Koncepti i mikpritjes si detyrë e shenjtë dhe zgjuarsia
Nderi, mikpritja shqiptare dhe falja fisnike janë pjesë e bazës së mendimit etnik shqiptar. Shqiptarët janë njerëz zemërgjerë. Ata kanë një hapje që buron nga “nevoja për të ndarë”, e pashpjegueshme dhe e pakonceptueshme nga të huajt, sado fisnikë që të jenë, ose të mbahen. Virtyti më i shenjtë i të jetuarit në këtë botë, vdesin pra shkojnë në jetën e përtejme me ndërgjegje, me mbikoshiencë e subkoshiencë, duke mbrojtur një të panjohur mik në shtëpinë e tyre. E vështirë për t’u konceptuar se si një familje mund t’i bëjë si “nevoja parësore”, “nevojat e një të panjohuri” që kërkon “ndarjen e së mirës me ta”.
Këta njerëz “të hapur” janë tepër të mirë për të qenë të vërtetë. Shqiptarët nuk i mbajnë si robër e skllevër ata që i mposhtin, por duan vetëm të jetojnë në territorin e tyre. Pra ata njerëz që e ndajnë me të tjerët të mirën, nuk e vrasin armikun. Ky është virtyt shqiptar.
Shqiptarët e kanë qeverisur veten edhe në rastet kur dominoheshin nga të tjerët. Në Shqipëri ka shumë kanune dhe shumë fise. Dallimet vareshin edhe nga relievi gjeografik. Besa në kuvend i shërbente bashkimit.
Krerët e bajraqeve dhe pleqtë nëpërmjet besës për të mirën e njerëzisë krijonin aleancën e bajraqeve të bashkuara. Kur një bajrak kërkon ndihmë në raste fatkeqësish dhe rreziqesh, “bajraqet e bashkuara janë të detyruara ta ndihmojnë”. Kanuni ishte i ndarë nga kisha dhe asnjë fe nuk mund të ndikonte në qeverisje. Kanuni si kod moral dhe civil përfaqëson vullnetin e një grupi njerëzish që në kuvend të burrave ndryshojnë ligjet në shërbim të administrimit të jetës së tyre, mbështetur në barazi, përgjegjësi, llogaridhënie, jashtë ndikimeve fetare.
Konceptet e nderit dhe të respekti janë ruajtur prej mijëra vitesh nga shqiptarët etnikë. Dhe nuk duhet vlerësuar si e tejkaluar struktura qeverisëse e vendosur nga kanuni.
Miss Edith Durham (1864-1943) paraqet rastet e zemërgjerësisë dhe të mikpritjes së malësorëve të Shqipërisë së veriut. Ajo shprehet: “Më gëzoi shumë kjo gjë që edhe në qoshet më të humbura të botës ka kaq shumë dashamirësi njerëzore”. Buka e ngrënë jo vetëm prej mikut por edhe prej armikut në shtëpinë e shqiptarit ka rëndësi të madhe dhe nderim.
Në historinë tonë, oda e burrave ka qenë log i kuvendit të burrave ku pajtoheshin gjaqet nga njerëz me autoritet e të mençur, mblidheshin burrat e dheut të përkushtuar ndaj idealit kombëtar, ndaj lirisë dhe pavarësisë.
Një karakteristikë e qenësishme e modelimit psiko-kulturor të shqiptarëve është se ata janë të rëndomtë në situata të zakonshme dhe të mbi zakontë në situata të jashtëzakonshme (kanë shpirt konkurrues dhe humanizëm).
Shqiptarët kanë intuitë të zhvilluar, kanë zgjuarsi natyrore që i ndihmon për të kapërcyer situata të ndërlikuara në jetën e përditshme. “Zgjuarsia – ka shkruar Franc Baron Nopca – e bën shqiptarin t’ia arrijë qëllimit në një kohë të shkurtër dhe shumë herë pa mundim. Lista e gjatë e 36-43 kryeministrave, vezirëve të mëdhenj, e 100 agallarëve të jeniçerëve, e vezirëve trashëgimtarë, e burrave të shtetit dhe e sundimtarëve si Ali Pashë Tepelena dhe familja e Kedivëve të fundit, fakti i një pape (Klementi XI) – dëshmojnë qartë për inteligjencën e këtij populli numerikisht të vogël, por që nuk është ndalur kurrë në rrugën e zhvillimit të tij mendor. Republika e Venedikut vërtetoi “antique statukua” për të hedhur ndër themelet e statuteve të reja, ku ka gjithfarë dënimesh, përveç atij me vdekje, jo (si sot Evropa). Fakt tjetër ky që tregon intelektin e lartë, vullnetin e mirë, virtytin e lartë të popullsisë sonë. Këto ligje të ardhura deri më sot përmes goje kanë gjurmë autoktonie.
Virtyti është e vetmja fisnikëri, “la virty e la seul nobles”. Shqiptarët janë njerëzit më miqësorë, paqedashës, paqebërës dhe më mirënjohës në botë. Prandaj ata janë sjellë si qytetarët më të mirë të Evropës. Mirënjohja është virtyt i madh, është cilësi, ndryshe nga mos-mirënjohja, që Shekspiri i madh e quante atë (mos-mirënjohjen), kryevesin e veseve.
Në të gjitha epokat njerëzore, shqiptari në një mënyrë apo në një tjetër, ka qenë në portalet e zhvillimeve historiko-shpirtërore dhe ato të vlerave që aspironte dhe i bënte produkt të njerëzimit koha dhe rendet sociale.
Raporti i shqiptarëve me Perëndimin, ai që sot zotërohet nga vendet më të qytetëruara dhe më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, ka qenë i hershëm, thuajse biblik dhe bashkëpunues. Kanë themeluar parime fondamentale, kanë prodhuar rregulla qytetëruese dhe koncepte themeltare të së drejtës, me të cilën njerëzimi gjithë jetën e vet, ka vrapuar.
Në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë faktor paqeje, stabiliteti, faktor konstruktiv e demokratizues, faktor vlerash qytetërimi e respektues ndaj fqinjëve dhe minoriteteve, pa dallim race, gjuhe, moshe, feje, kulture dhe ideje.
Shqiptarët respektojnë të tjerët dhe të drejtat e minoriteteve, duke i shërbyer mirëkuptimit, tolerancës, proceseve demokratike në rajonin tonë. Faktori shqiptar në rajonin tonë është në rritje dhe në konsolidim. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., kanë luftuar për demokratizimin e rajonit.
Populli që vjen nga kohët mitike, jo vetëm të gadishullit ballkanik, por të të gjithë kontinentit, vijon të jetë i nevojshëm dhe i rëndësishëm për kontinentin plak, i cili në kohët e tij më të vështira ia ka shtrirë dorën atij, i ka kërkuar prijës dhe luftëtarë, i ka kërkuar mendje dhe njerëz të zgjuar për t’i shërbyer atij, ekzistencës së tij dhe mbijetesës së qytetërimit të tij.
Dhe kjo ka arsyen e vet fondamentale sepse:
– Para 100 shekujsh banorët e parë pritnin e përcillnin si miq e vëllezër kalimtarët, që do t’iu riktheheshin këtyre trojeve, ndërsa pellazgo-iliro-dardanët pritnin vitin 2010, që të lëviznin të lirë në ish-territoret e tyre. Evropa u rikthye tek vetvetja. Te ilirët. Ilirët janë sot të lirë, si dikur moti, ashtu siç i deshi Zoti.
– Ndër kombet hyjnore që kanë marrë përsipër për të shpërndarë paqe e mirësi, që nga koha Evës dhe Adamit, kanë qenë “ekspansionistët” e qytetërimit, të mirësisë, të paqes, të lirisë, të stabilitetit e të prosperitetit, të dashurisë, jashtë çdo “ekspansioni” materialo-ekonomik, është kombi shqiptar.
Shqiptarët janë elementi bazë për stabilitetin e rajonit. Elementi që përshpejton proceset integruese euroatlantike të Evropës Juglindore. Faktori shqiptar është baza kryesore që do të sigurojë stabilitet në luftën kundër fenomeneve të terrorizmit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe çdo lloj trafiku në rajon. Faktori shqiptar tregon vullnet për bashkëjetesë multietnike, multifetare, pluraliste.
Ai i respekton liritë dhe të drejtat e njeriut për pakicat dhe të gjitha minoriteteve. Të gjithë shqiptarët, në fund të fundit, kanë disa karakteristika. Ata e duan vendin e tyre, ata e duan njëri-tjetrin, ata i duan dhe i respektojnë popujt që jetojnë në Evropën Juglindore. Ata i duan dhe i respektojnë kombet e tjera. Shqiptarët janë një popull me një traditë shumë të lashtë vertikale. Një popull me vullnet për të bashkëjetuar me popujt e tjerë. Ne nuk njohim urrejtje racore, fetare apo etnike. Shqiptarët janë një faktor themelor për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Integrimi dhe jo dezintegrimi, angazhimi dhe jo izolimi, hapja dhe jo mbyllja, bashkëjetesa dhe jo kundërshtimi, bashkëpunimi dhe jo përjashtimi, sendërtimi dhe jo egoizmi, modernizimi dhe jo primitivizmi, kooperimi, partneriteti reciprok, civilizimi perëndimor, politika reale dhe jo intriga, miqësia dhe jo armiqësia, afrimi dhe jo largimi, qytetaria mbi reminishencat e paragjykimeve të së kaluarës, do t’i kapërcejë barrierat historike të psikologjisë dhe të mentaliteteve ballkanase.
Vizat, liria e iliro-shqiptarëve, ashtu siç ndodhi Big Bengu mbi 14 miliardë vjet më parë, i krijimit të jetës, ky është Big Bengu i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Gadishullit të vjetër i kthehet normaliteti. Qysh prej miliona vjetësh që shkëlqen dielli mbi tokë e qindra shekujsh që lindi jeta mbi tokë, në Ballkanin ilirik, në pjesën kryesore pellazge, zanat e shtojzovallet, ADN-ja dhe psikika ilire, u trashëgua në këngë, rrëfime, doke e zakone të kombit të hyjnor, që si i dërguari i zotit shpërndau “ekspansionin” e paqes, të lirisë, të virtytit dhe të fisnikërisë, të cilën sot e bëjnë prezent popujt e qytetëruar të Perëndimit dhe më gjerë.
Nga kjo ngjarje dhe kjo arritje, shteti shqiptar dhe shqiptarët kudo që ndodhen, ndjehen të vlerësuar, të respektuar dhe pjesë e qytetërimit të sotëm “agresiv” perëndimor, por i tillë ndjehet vetë Perëndimi. Shqiptarët që nga qytetërimi i tyre i hershëm, u kanë dhënë atyre ç’kanë pasur dhe ç’kanë kërkuar. Ky akt është një akt ndershmërie dhe krenarie, të cilin e meritojmë të gjithë.
Shqiptarët në vitin 1908 i prinë Udhës së Dijes përmes Udhës së Shkronjave, në Kongresin e Manastirit. Aty mendjet më të ndritura të kombit, iluministët dhe rilindësit tanë, vendosën alfabetin e lashtë të komunikimit të shqiptarëve (Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit). Pas shembjes së Murit të Berlinit, demokracia e solli Udhën e Kombit, afroi Tiranën me Prishtinën. Sot, liria, Udha e Dijes e elitës dhe super elitës së qytetërimit kombëtar qarkon ndër shqiptar, duke pritur dhe pjesën e margjinalizuar të Evropës, dardanët, të integrohen në Evropën e qytetëruar.
Shqiptarët janë kontribues të historisë së vjetër dhe të re të kontinentit tonë (që nga pellazgët, iliro-dardanët-arbëreshët-shqiptarët e sotëm). Integrimi etno kulturor, artistik, arsimor, ekonomik, sportiv, ideor, demokratik, shpirtëror, psikologjik, gjuhësor, politik, bashkëjetesa e tre besimeve, unikale dhe model te shqiptarët, toleranca dhe durimi, do të rrëzojnë perden e hekurt të regjimeve diktatoriale, trarët e ndarjes, barrierat historike të çfarëdo lloji qofshin ato në Ballkanin Perëndimor.
Si përfundim, çështja shqiptare dhe integrimi i shqiptarëve është një proces i afërt dhe i pakthyeshëm, që do të realizohet me paqe dhe në paqe, kurrë me luftë. O zot, shpëtona nga ata që qeshin dhe argëtohen me Luftën dhe qajnë nga Paqja!
Bibliografia
- Faik Konica , “Vepra” , Tiranë, Naim Frashëri, 1993.
- Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.
- Rexhep Ismajli, “Shqipëtarët dhe Evropa Juglindore”, Prishtinë.
- Aleksandër Stipeviç, “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualiteti i saj politik sot”. Zagreb.
- Domenico Mustilli, “Të dhënat arkeologjike për prehistorinë e Shqipërisë”.
- Seit Lipa, “Rezoluta e Bujanit dhe atakimi i saj ideologjik e shtetëror serb”, Prishtinë.
- Edvin Jacques, “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, 1996 .
- Eqrem ÇABEJ, “Disa probleme themelore të historisë së vjetër në gjuhën shqipe”.
- Idriz Ajeti, “Autoktonia e shqiptarëve të Kosovës në dritën e të dhënave gjuhësore – shqiptarët dhe gjuha e tyre”.
- Injac Zamputi, “Rëndësia ndërkombëtare e kuvendeve shqiptare në kalimin prej shekullit XVI në shekullin XVII”.
- Jup Kastrati, “Mbi disa tipare të së folmes së Thethit”.
- Justin Rrota, “Mbi refleksin e vlerës fonike të disa tingujve të latinishtes në shqip”.
- “Konferenca e parë e studimeve albanologjike”, Tiranë, 15-21 nëntor 1962, botuar në Tiranë, 1965.
- Kristo Frashëri, “Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera”, (Ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose).
- “Çështja e Kosovës, një problem historik dhe aktual”, Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15 – 16 prill 1993, botuar në Tiranë 1996.
- Mark Krasniqi, “Roli i Kishës Ortodokse Serbe në politikën antishqiptare në Kosovë”.
- Nikolla Jorga, “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, (1919).
- Oliver Jens Schmitt, “ Der neue Alexander auf dem Balkan”, Verlag Friedrich Pustet, September 2009.
- Arben Puto, “Konferenca e Londrës në dy edicione”, Tiranë.
- Dr. Gazmend Shpuza, “Shqipëria Veriore, Verilindore dhe Lindore – vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”.
- Ramiz Abdyl, “Shpronësimi i popullsisë agrare shqiptare dhe përpjekjet për kolonizimin e trevave shqiptare (1918 – 1941)”, Shkup.
- Serge Metais: “Histori e shqiptarëve – nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës”.
- Oliver Jens Schmitt: “Arbëria Venedike”.
- Skënder Anamali , Frano Prendi, “Vazhdimësia e kulturës ilire në kulturën e hershme mesjetare shqiptare”.
- Stuart E. Mann, “Shqipja si gjuhë indoevropiane”.
- Vittore Pisani, “Origjina e gjuhës shqipe, çështje parimesh dhe metode”.
- Zhan Klod Faverial, “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, (shkruar më 1884-1889).
- Zhan Klod Faverial, “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, Plejad, 2004. Përkthyes. Gent Ulqini.
- Zija Xholi, Alfred Uçi, “Zhvillimi i mendimit filozofik-shoqëror e politik në periudhën e Rilindjes Kombëtare”.
- William Martin-Leake, “Kërkime për shqiptarët dhe gjuhën shqipe”.