“Lëvizjet, dinamika, ritualet e valltarëve, dasmorëve e gjëmëtarëve të ardhur nga mijëvjeçarët e bënë”, thotë artisti, “të takohej me artin modern”. Ky i fundit takohet me artin primitiv pikërisht përmes gjestit. “Këtë e kam vizatuar nga këtu”, tregon me gisht nga vizatimi i titulluar “Druvari” në librin që sapo ka nxjerrë në botim. “Ishte i ulur aty, pranë një peme”, thotë Maks Velo ndërsa sheh jashtë nga dritarja e Qendrës Stefan drejt sheshit “Avni Rustemi”, pranë Pazarit të Ri. Ishte viti 1960, ashtu siç daton edhe vizatimi i shtypur në letrën cilësore të “Vizatime Shqiptare” , librit të artistit që vjen në sasi të limituara prej 200 ekzemplarësh dhe secili i sigluar me një numër të veçantë serie. Ishte kohë kur piktori, skulptori dhe arkitekti do të magjepsej me shenjat dhe simbolet primitive, gdhendjet e gjetura nga arkeologë në shpella, nga ku sipas artistit zëfilli njerëzimi.
Kohët kanë ndryshuar, ajo pemë ku kotej fshatari me sëpatë, feste leshi dhe opinga nuk është më, por Velo vijon të mbetet i magjepsur me vizatimet primitive, pasi prej tyre rrjedh edhe modernia.
Ishin pikërisht këto vizatime abstrakte, njolla si të krijuara nga elementët e natyrës, shenja dhe simbole si të një gjuhe të një qytetërimi të zhdukur , që do ta kategorizonin Maks Velon si modernist. Kategorizim që në vend të një vlerësimi nga kritikët e artit, do ta çonte pak hekurave në Spaç, dënuar fillimisht prej kolegëve që kishin spiunuar, përgjuar dhe hedhur baltë para se regjimi do ta dënonte më ’78 me dhjetë vite burg.
Nga vitet ’60 tek dekada e dytë e viteve 2000, Maks Velo i merr dhe i rimerr me besnikëri vizatimet primitive, ndërsa thotë se për të nuk ka rëndësi koha, por përmbajtja. “Sepse ato janë aty tek unë, flenë brenda meje. Është e njëjta enë nga ku artisti merr vazhdimisht lëndë”, thotë Velo. Janë 101 vizatime bardhezi, me laps akuarel, tush me kallam flamaster, bojëkine. Në fund të 2018-s, Velo do të çelte ekspozitën “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë”, ku figurat e thjeshta, si të dala nga shpellat apo zbritur nga jashtëtokësorët erdhën me ngjyra të ndezura e të gjalla. Vizatime e përmbledhura në këtë libër megjithëse vijnë në bardhezi, duket se lëvizin në sytë e kundruesit. Për Velon, piktori nuk mund të jetë thjesht një imitues besnik i objektit apo subjektit, por krijues i asaj ç’ka sheh.
“Ndoqa lëvizjet e valltarëve, dasmorëve, të gjëmëtarëve. Pashë marrëdhëniet e të moshuarve, të dashuruarve. I preka fundin një epokë biblike mijëravjeçare, primitive në Shqipëri”, shkruan Velo në parathënien e librit “Vizatime Shqiptare”. “Ky primitivitet –shkruan ai – “ish zbulimi im më i madh, më hapi perden e skenës, ku luhej shfaqja “Arti Modern”. Në bazë të artit figurativ, mendon Velo, është lëvizja, gjesti.
“Unë ndoqa druvarët, valltarët, mortorët”, shkruan ai. Me dhjetëra vizatime druvarësh, herë të detajuar në portrete, herë të shkrirë në shenja primitive e herë të tjera në forma kubiste ku druvari bëhet njësh me “viktimën”, drurin. Nuk mungojnë vallet, nga ato tiranase tek ato labe e deri tek lëvizjet dinamike të malësorëve si një ritual mistik, si një thirrje apo një lutje ndaj zotave, një nga elementët paganë të mbërritur deri në kohët tona.
“Aty gjesti ishte i vërtetë, mijëvjeçar sepse vinte nga ritualet”, shkruan Velo. Një nga objektet e magjepsjes, studimit dhe përkthimit në art pamor për Velon kanë qenë ritualet. Ato që gjurmohen përtej regjimeve politike, përtej religjioneve monoteiste për të shkuar tek rrënjët e paganizmit. Format e përdorura nga Velo u ngjajnë vizatimeve primitive të shpellave, që megjithë thjeshtësinë e gdhendjes fshehin mistere të qytetërimeve të përparuara, të varrosur nga mijëvjeçarët por që dalin zbuluar në vizatime të tilla që e lënë botën ende të habitur dhe në pikëpyetje për origjinën e tyre.
Një ritual ende i pastudiuar dhe i mistershëm është Gjëma e Burrave malësorë, të cilën Velo e ka sjellë përmes këtyre vizatimeve. Burra që rrahin gjoksin dhe çjerrin faqet, ndërsa vajtojnë të vdekurin, në një rreth. Ky vajtim i ardhur dhe i ruajtur nga lashtësitë, që sicc do të thoshte Velo regjimi e ndaloi në vitet ’50.
“Arti i realizmit socialist kish në bazë të tij gjestin heroik dhe gjestin e lumturisë. I pari i pakërkuar; Kush do të vdesë? I dyti, i panjohur realisht; Lumturia do të vinte, por kur? Nuk dihej”.
Arti i realizimit socialist, thotë Velo dështoi sepse bazohej tek gjestet false. Disa vite më parë ai do të botonte librin “Skulptura e Realizmit Socialist në Shqipëri”, duke kontrastuar falsitetin e artit sipas vizionit të doktrinës komuniste me kryeveprat e skulpturës europiane. “Lëvizjet e artit primitiv që ndoqa, më çuan në artin modern. Të dyja janë të lidhur me gjestin”, shkruan ai. Regjimi që e dënoi për një dekadë të jetës në kampin fatkeq të Spaçit, i konfiskoi dhe dogji afro 250 piktura dhe punime në dru. Shumë prej tyre i ka rigjetur të fotografuar në dosjen e tij me 106 dokumente, të cilën e botoi më 2018-n, në formën e një libri. Mban vulën e formalizmit, ka ndikim të artit borgjez, e dënonin kolegët dikur. “Fryma moderne o ekziston, o nuk ekziston”, mendon Velo, ndërsa kritikë të artit jashtë i kanë krahasuar vizatimet e tij me frymë nga Matisse. Por gjatë regjimit librat e artistëve perëndimorë ishin materialet që mezi gjendeshin nën dorë, si të ishin të jashtëligjshme. Nën frymëzimin e tyre, të cilët i siguronte me vështirësi me etjen dhe urinë artistike, Velo do ta refuzonte konformimin me artin e realizmit socialist. Në “Vizatime Shqiptare” nuk mungon as erosi. Bukuria e grave tiranase, labe, zadrimore, gra që grinden për një lab, rivalët që xhelozohen dhe dyluftojnë për një grua…të gjitha këto në librin më të ri të Velos, ku primitivja kapërcen kohërat dhe bëhet moderne. S.Balliu– Gazeta Liberale