Prof. Dr. Qemal Murati – Sot dialektet gjeografike janë mistifikime, problemi që ka standardi është dialekti urban, sepse shumica e shqipes flitet dhe përpunohet në ambiente urbane. Nuk është më kontrasti gjeografik, është kontrasti midis shtresave të profecive ndaj qendrave të mëdha urbane. Dhe ne këtë po fillojmë ta gërvishtim ngapak. Shqipja është në një fazë skizofrenike, në kuptimin që është e çarë, është e ndarë dhe nuk komunikojnë pjesët me njëra-tjetrën. Ka shumë njerëz që e zotërojnë shqipen në mënyrë të kënaqshme, s’po them të përsosur, pra që shkruajnë mirë, që flasin mirë në të gjitha nivelet, ka në universitetet, ka në akademi, ka shkrimtarë, ka njerëz që punojnë në media, d. m. th ka njerëz vërtet të denjë që e njohin shqipen në mënyrë të kënaqshme. Çfarë mungon, është komunikimi midis këtyre dhe krijimi i një rrjeti ku të shkëmbehet shqipja, sepse pa komunikim shqipja nuk mund të përpunohet sot e as të artikulohet dot (Ardian Vehbiu).
Porse edhe pesëdhjetë vjet nga kodifikimi i normës së shqipes letrare a standarde, tanimë të stabilizuar mirë, ka dhe prirje e zëra pseudofilologësh e publicistësh që në shkrimet dhe në gjuhën e folur të rikthehen në ngastrat dialektore të krahinës së tyre, të shkruajnë dhe të flasin në gjuhën “siç ka foluar nënua plakë”. Pra, të ndjekin rrugën e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Për t’i bërë karshillëk (kundërshtim, sfidë) standardit, shumë fjalë e fjali i shkruajnë me forma jostandarde, hapët e prapët, si: Punëtorëve të sigurimit u ndërprehet kontrata (titull, TV, për: u ndërptritet kontrata). Ma ka jep ni msim t’mirë (thuhet në televizionet tona). Madje edhe emrat serb e Serbi i shkruajnë me forma jostandarde, si sërb e Sërbi: “Gati 1/3 e territorit të Kosovës e kontrollon Sërbia”. “Sërbët po mund të vijnë në Prishtinë dhe nuk po u ndodh asgjë…”. Te emrat etnikë serb, Serbi, që më pas në literaturë janë krijuar edhe rrjedhoja të tjera: serbisht, serbokroatisht, kodifikatorët kanë pasur parasysh formën e kryehershme lat. serv, servus, gr. servloi, Servlija. Po edhe në gjuhë të tjera srbi, Srbija dalin me format: ang. Serbs, Serbia; fr. Serbes, Serbie; it. Serbi, Serbia; gr. Σέρβοι, Σερβία. Atëherë, përse u dashka të përdorim format sërb e Sërbi sipas parapëlqimit të ndonjë publicisti?
Forma dashur, pjesorja e foljes dua, merret e shkruhet me formën lokale dashtë: “A është dashtë të kihet parasysh baza e këtyre negociatave?”. “Atëherë nuk është dashtë të pranohen negociatat!”.
Zelltarët e territoreve antistandard të shqipes ngulmojnë posaçërisht në përdorimin e të ashtuquajturës paskajore të “gjuhës gegnishte”, mendja e tyre se i qenka bërë padrejtësi gegërishtes, paçka se kjo çështje marrë rrugë të drejtë një herë e mirë. Kësaj çështjeje i ka vënë gisht me mprehtësi edhe filologu i shquar Artstotel Spiro, i cili shprehet me të drejtë kështu: “Për sa i përket paskajores, është krijuar një keqkuptim ndër gjuhëtarët, por edhe ndër njerëzit e shkolluar, të cilët mendojnë se toskërishtja nuk e ka paskajoren. Në fakt paskajorja shprehet me një fjalë, për shembull “punue”, ndërsa fjalëza “me” është një tregues i jashtëm. Pra, “me punue” është një ndërtim paskajor, por jo paskajorja e mirëfilltë. Në toskërishte paskajores i përgjigjet forma “punuar”, ndërsa “për” dhe “të” janë elemente të jashtme, por të domosdoshme që paskajorja të bëjë punën e vet. Po t’i krahasojmë të dyja këto, toskërishtja del me një formë paskajore “punuar”, ndërsa gegërishtja del me dy e më shumë (“punue”, “punu”, në disa të folme “puno”). Siç shihet edhe këtu, paskajorja toske paraqitet e njësuar, ndërsa paskajorja gege paraqitet e copëzuar. Pastaj, është edhe diçka tjetër: Nuk mund të përdorësh në një formë standarde dy apo më shumë trajta themelore paskajoreje. Nuk mund të përdorësh “punuar” dhe krahas tyre edhe “punue” apo “punu”. Në gjuhë nuk përcaktohet gjithçka nga ekonomia gjuhësore. Ajo vepron në gërshetim me parimin tjetër të qartësisë së kumtimit. Kështu që nuk është domosdoshmërisht më bukur të thuash “Me qenë a mos me qenë sesa “Të jesh a të mos jesh”.
Çfarë dëshirohet të fitohet me këtë karshillëk ndaj standardit, për rikthimin e disa formave lokale dhe për krijimin e një standardi laragan?! Kjo do të ishte njësoj sikur dikujt të mos i pëlqente alfabeti i sotëm i shqipes dhe të mëtonte të krijonte një alfabet të vetin, dhe të vinim në një gjendje si para njësimit të alfabetit, kur secili shkrimtar të përdorte alfabetin e tij.
Burimi: https://www.facebook.com/share/p/1JMC5Q6atS/



