• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 7 Dhjetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Bota

Për idealin evropian…

Në një kohë kur bota demokratike përpiqet t’i mbrojë vlerat liberale nga agresioni autoritar, shoqëritë e vogla dhe të brishta, si ajo shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përballen me një eksod të heshtur, por shkatërrimtar. Të rinjtë shqiptarë po largohen masivisht jo pse vendi është në luftë, por sepse paqja nuk u ofron më kuptim. Ata nuk ikin nga plumbat, por nga mungesa e perspektivës politike, ekonomike dhe shoqërore.

09/05/2025
| Bota, Opinione

𝑷𝒓𝒐𝒇. 𝑫𝒓. 𝑽𝒖𝒍𝒍𝒏𝒆𝒕 𝑨𝒎𝒆𝒕𝒊 – Evropa nuk është vetëm projekt politik, por edhe një thirrje historike dhe shpirtërore për t’u bashkuar në vlera të përbashkëta që i japin kuptim lirisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.
Në frymën e fjalës së Ditmir Bushatit “𝑷𝒆̈𝒓 𝒊𝒅𝒆𝒂𝒍𝒊𝒏 𝒆𝒗𝒓𝒐𝒑𝒊𝒂𝒏”, e shkuara jonë, që nga koha e Skënderbeut dhe rilindësve tanë, e deri te alfabeti latin dhe fryma e diasporës arbëreshe, dëshmon për një lidhje organike me Evropën, e cila ka qenë më shumë shpirtërore sesa politike apo formale. Por, siç theksohet edhe në përmbledhjen “𝑳𝒆𝒔𝒔𝒐𝒏𝒔 𝒇𝒓𝒐𝒎 𝑬𝒖𝒓𝒐𝒑𝒆”, Evropa është një projekt i papërfunduar. Është një bashkim që mëson nga gabimet, ringrihet nga krizat dhe riformulon identitetin e saj përmes debatit të hapur, guximit moral dhe ndjeshmërisë historike.
Në këtë 9 Maj, ndërsa Ukraina lufton për ekzistencë dhe ne në Ballkan përpiqemi të përmbyllim kapituj të hapur të së kaluarës, shpesh thirremi në Evropë si një grup të përjashtuarish.
Në një kohë kur bota demokratike përpiqet t’i mbrojë vlerat liberale nga agresioni autoritar, shoqëritë e vogla dhe të brishta, si ajo shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përballen me një eksod të heshtur, por shkatërrimtar. Të rinjtë shqiptarë po largohen masivisht jo pse vendi është në luftë, por sepse paqja nuk u ofron më kuptim. Ata nuk ikin nga plumbat, por nga mungesa e perspektivës politike, ekonomike dhe shoqërore.
Nëse lufta në Ukrainë ka një çmim të përllogaritur në armë, jetë dhe territore, mungesa e luftës për një të ardhme më të mirë në shoqëritë tona e ka çmimin e shpopullimit, çoroditjes kolektive dhe heshtjes intelektuale.
Në këtë kuptim, pyetja “Kush do ta paguajë çmimin e së ardhmes?” nuk është më thjesht një dilemë gjeopolitike, por bëhet një pyetje morale për elitën politike dhe institucionale të këtyre vendeve.
Për aq kohë sa bota përgatitet për një luftë të gjatë në lindje të Evropës, perëndimi i Ballkanit rrezikon të mbetet jashtë çdo harte zhvillimi për shkak të mungesës së vizionit. Lufta në Ukrainë na kujton se e ardhmja ka një çmim të lartë që gjithsesi duhet paguar. Sepse nëse nuk e paguajmë ne, ajo do të na faturohet me një shoqëri bosh, pa rini, pa ide dhe pa shtet.
Në Ditën e Evropës, le të kuptojmë se Evropa nuk është vetëm gjeografi apo ekonomi, por është një projekt qytetërimi. Ky projekt nuk mund të quhet i përfunduar pa përfshirjen e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën. Për Maqedoninë e Veriut, ky vizion përkon me udhëkryqin aktual në të cilin ndodhemi. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm synim politik, por është përkushtim ndaj një kulture paqeje, respekti dhe bashkëjetese, që përjashton “logjikën” e konflikteve dhe ndarjeve. Është një mundësi për të qenë pjesë e një Evrope që mëson nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.
Në mënyrë të ngjashme, Tony Judt, në esenë e tij “𝑨 𝑮𝒓𝒂𝒏𝒅 𝑰𝒍𝒍𝒖𝒔𝒊𝒐𝒏? 𝑨𝒏 𝑬𝒔𝒔𝒂𝒚 𝒐𝒏 𝑬𝒖𝒓𝒐𝒑𝒆”, shpreh skepticizëm ndaj idesë së një Evrope të bashkuar. Ai argumenton se një unitet i tillë është i pamundur për shkak të dallimeve të thella kulturore, historike dhe politike midis kombeve evropiane. Judt paralajmëron se ngulmimi në një bashkim të tillë mund të jetë vetëshkatërrues dhe të çojë në ndarje të mëtejshme.
Në këtë sfond, shqetësimet tona për eksodin masiv, veçanërisht të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shkaku i mungesës së perspektivës, pasqyrojnë një krizë më të gjerë të besimit në të ardhmen e Evropës. Mungesa e një vizioni të qartë dhe të përbashkët për të ardhmen mund të çojë në destabilizim dhe humbje të kapitalit njerëzor për të cilin vuajmë edhe sot.
Në esenë hyrëse të Nathalie Tocci-t, “𝑰𝒎𝒂𝒈𝒊𝒏𝒊𝒏𝒈 𝑬𝒖𝒓𝒐𝒑𝒆”, përshkruhet me realizëm kriza e brendshme që e ka përfshirë Bashkimin Evropian. Tocci thekson se Evropa është përballur me forca centrifugale – polarizim, fragmentim dhe asimetri – që kanë dëmtuar kohezionin politik, ekonomik dhe kulturor të BE-së. Në veçanti, vë në dukje asimetrinë dhe disproporcionalitetin që i ka ndryshuar ekuilibrat tradicionalë brenda BE-së dhe askush nuk ka të drejtë të sillet si një “primus inter pares” brenda apo jashtë BE-së.
E gjithë kjo përkon edhe me vërejtjet e Tony Judt-it në 𝑨 𝑮𝒓𝒂𝒏𝒅 𝑰𝒍𝒍𝒖𝒔𝒊𝒐𝒏? dhe kontributet në 𝑳𝒆𝒔𝒔𝒐𝒏𝒔 𝒇𝒓𝒐𝒎 𝑬𝒖𝒓𝒐𝒑𝒆, ku nënvizohet se vizioni evropian ka mbetur shpesh në nivel retorik, pa pasur koherencë të brendshme apo projeksion gjithëpërfshirës për të ardhmen.
Në vend të një bashkimi të bazuar në solidaritet dhe barazi, është krijuar një Evropë e ndarë mes qendrës dhe periferisë, veriut dhe jugut, elitave dhe qytetarëve.
Në Ditën e Evropës, ndërsa reflektojmë mbi rrugën që kemi ndjekur dhe sfidat që kemi përpara, le të kujtojmë se pavarësisht nga krizat, dallimet apo zhgënjimet, Evropa mbetet arteria jonë natyrore – rruga më e drejtë dhe më e natyrshme për shoqëritë tona. Evropa është një domosdoshmëri. Jo për hir të valutave, por për hir të vlerave që na bashkojnë, siç janë: paqja, solidariteti, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor. Në një kohë kur bota tronditet nga luftërat dhe ndarjet, kurse shoqëritë tona përballen me eksodin dhe mungesën e shpresës, është më urgjente se kurdoherë që të rikthejmë idealin evropian, jo vetëm si një ëndërr burokratike, por si një projekt të përbashkët human dhe moral.
Le të jemi pjesë e një Evrope që nuk përjashton, por përfshin; që nuk i thyen shpresat, por i rilind ato. Sepse Evropa është jona, po aq sa ne jemi të saj.
Nëse sot ajo lëkundet mes valutave dhe vlerave, atëherë është detyra jonë – si qytetarë të Ballkanit, si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut – të jemi zëri që rikujton pse u ndërtua ky projekt: për të mos e lënë më historinë të përsëritet si tragjedi. Sepse nëse Evropa e harron Ballkanin, ajo e harron vetveten. Nëse ne heqim dorë nga Evropa, atëherë dorëzohemi para humnerës së zbrazëtisë politike, shpërnguljes pa kthim dhe shpopullimit pa zë.
Ndaj, në këtë 9 Maj, të mos kërkojmë vetëm integrim, por të imponojmë me dinjitet të drejtën tonë për të qenë pjesë e Evropës, që ende nuk e ka mbaruar misionin e saj natyror.
Në një Ballkan ku shpesh dominon retorika e ndarjes, kaosit dhe zbrazëtisë morale, ekzistenca dhe veprimi i institucioneve, sikurse Universiteti i Tetovës, mbetet dëshmi se ideali evropian nuk është iluzion, por projekt i mundshëm. I lindur si një akt paqeje dhe vizioni, ky universitet nuk është thjesht një qendër dijeje – është një copë Evrope në mes një realiteti të trazuar politikisht.
Në auditorët e tij, ku bashkëjetojnë gjuhët, kulturat dhe ëndrrat, ndërtohet çdo ditë një model i bashkëjetesës që Evropa shpesh e ka harruar. Infrastruktura moderne e këtij institucioni, e ndërtuar me përkushtim dhe larg vëmendjes qendrore, është një dëshmi konkrete se edhe në periferi, Evropa mund të ndërtohet me duar të pastra dhe mendje të hapura.
Ndaj, gëzuar Ditën e Evropës – nga një universitet që i jep kuptim Evropës përmes dijes, paqes dhe qëndresës dhe nga një cep që nuk është periferi, por embrion i së ardhmes evropiane!
Dhe kjo e ardhme ka emra, ka fytyra – janë fëmijët tanë. Ata janë arsyeja pse nuk duhet të dorëzohemi përballë eksodit, dëshpërimit apo mungesës së vizionit. Ata janë kujtesa e gjallë se gjithçka që ndërtojmë sot, duhet të jetë më shumë sesa një reagim politik; duhet të jetë një investim etik, njerëzor dhe afatgjatë për brezat që vijnë.
Universiteti i Tetovës është dëshmi se edhe në periferinë e Evropës mund të ndërtohet qendra e një projekti civilizues.

Publikimi i mëparshëm

“Ajvanho” – Uolltër Skot

Publikimi i radhës

Konkurs për ndarjen e Çmimit kombëtar “Ali Vishko”

Publikimi i radhës
Prof. Dr. Ali Vishko

Konkurs për ndarjen e Çmimit kombëtar "Ali Vishko”

JuSm
CT
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.