Folësja kryesore e këtij kongresi ishte znj. Majlinda Bregu, ish-sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Në fjalën e saj, znj. Bregu solli një reflektim të thellë mbi rolin e arsimit, transformimet globale dhe sfidat që përballon sot shoqëria moderne në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Në hyrje të fjalimit të saj e cilësoi Universitetin e Tetovës si dëshmi të gjallë të përpjekjes për dije, liri dhe dinjitet kombëtar, duke vlerësuar themeluesit e tij si pionierë të arsimit shqip në kushte të vështira historike. Duke iu referuar figurave të njohura të historisë shqiptare, ajo theksoi se “arsimi mbron lirinë më mirë se një ushtri, dhe se shoqëritë që investojnë në dije, ndërtojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë.
*Fjala përshëndetëse në Kongresin e Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve organizuar nga Universiteti i Tetovës.
Të nderuar profesorë, studentë dhe të ftuar,
Mirë se ju gjeta në shtëpinë tuaj të dijes.
Është nder dhe emocion i veçantë për mua të jem sot në Universitetin e Tetovës.
Ky qytet, ky universitet, mbartin më shumë se histori akademike – janë dëshmi e një beteje për ekzistencë, dinjitet dhe dije.
Janë fryt i një përpjekjeje që nisi nga nevoja për arsim në gjuhën amtare, por u kthye në simbol të emancipimit kombëtar.
Është nder për të gjithë shqiptarët që kjo sallë mban emrin e Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit, grave që besuan se drita e arsimit është arma më e fuqishme e një kombi.
“Arsimi e mbron lirinë më mirë se sa një ushtri” – thoshte Parashqevia, ndoshta pa e ditur se po linte pas një nga thëniet më filozofike për natyrën e lirisë, pushtetit dhe dijes.
Armët mund të mbrojnë tokën, por vetëm arsimi mbron ndërgjegjen kombëtare.
Universiteti i Tetovës është vetë dëshmia e kësaj filozofie – u ngrit nga vullneti për dije, në një kohë kur dija vetë ishte akt guximi.
Ndaj, është kënaqësi të jem sot këtu, jo thjesht në një aktivitet universitar, por në një hapësirë të të menduarit.
Sepse sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë jo për tituj e shtrëngime duarsh, por për ide – ide të guximshme, të menduara, edhe kur duken të papërshtatshme.
Kur shoh këtë auditor plot me të rinj e të reja, më kujtohen ditët e para të punës sime si pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Isha pjesë e grupit të parë të pedagogëve të rinj që i dhanë formë Fakultetit të Shkencave Sociale në vitet e pas komunizmit.
Në epokën komuniste, shkencat që merren me njeriun ishin robëruar nga ideologjia – sociologjia, psikologjia dhe filozofia ishin shërbëtore të doktrinës, jo kërkime të së vërtetës.
Ne ishim si ndërtues në një terren të panjohur: duhej të krijonim gjuhën e re të mendimit shkencor, të përkthenim tekstet që mungonin, të ngjallnim kureshtje.
T’u mësonim studentëve se të mendosh ndryshe nuk është tradhti – është pjekuri.
Ky besim më ka ndjekur gjatë gjithë jetës sime profesionale. Nuk ka qenë pa kosto, por i kam pranuar edhe ato – si kosto të lirisë personale.
Të dashur pjesëmarrës,
Kam kaluar dy dekada duke u marrë me integrimin europian dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona.
Kam parë nga afër se si zgjerimi i Bashkimit Europian është shndërruar nga një vizion bashkimi në një proces kompleks – shpesh i kontestuar pa arsye.
Sot ky kompleksitet është thelluar edhe më shumë nga sfidat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Lufta në Ukrainë, paqëndrueshmëria globale dhe nevoja për një Europë më autonome e kanë kthyer zgjerimin në imperativ strategjik.
Transformim. Ndryshim.
Këto janë fjalët që përshkruajnë epokën në të cilën jetojmë.
Në gjysmëshekullin e fundit kemi parë një transformim të thellë ekonomik global.
Ekonomitë në zhvillim janë ngritur me ritme të shpejta, ndërsa fuqitë tradicionale kanë humbur ndikim.
Tani po jetojmë një periudhë të re shpikjesh: inteligjenca artificiale, robotika dhe sistemet autonome po transformojnë jo vetëm industritë, por strukturën vetë të shoqërive.
Këto ndryshime sjellin mundësi të jashtëzakonshme, por edhe pasiguri të reja.
Inteligjenca artificiale po trondit tregjet e punës, po ndryshon mënyrën si marrim vendime.
Tranzicioni energjetik po zhvendos fuqinë gjeopolitike, njësoj siç bënë nafta dhe qymyri në shekujt e kaluar.
Rrjetet e informacionit po përshpejtojnë propagandën, fragmentimin shoqëror.
Pra, nuk jemi thjesht dëshmitarë të ndryshimit – jemi pjesë e një riorganizimi të plotë të botës.
Kjo është sfida e madhe e shkencave humane e sociale:
të mos shpjegojnë vetëm shoqërinë, por të mbrojnë dhe të ripërkufizojnë rolin njerëzor në një botë që udhëhiqet nga algoritmet.
Do të parashtroj disa pyetje të parehatshme – jo për t’ju marrë në provim, por për t’i menduar bashkë.
Së pari:
Inteligjenca artificiale nuk është një xhungël kabllosh; është produkt thellësisht shoqëror e kulturor.
Ajo reflekton vlerat, paragjykimet, strukturat e pushtetit të krijuesve të saj.
Si mund ta masim dhe kuptojmë diskriminimin algoritmik?
Si i ndryshon AI raportet mes pushtetit, institucioneve dhe qytetarëve?
Së dyti:
A jemi të përgatitur për përmbysjen e tregut të punës ku aftësitë, jo diplomat, bëhen monedha kryesore e ekonomisë moderne?
Vetëm 2.6% e të punësuarve në rajon janë specialistë të IT-së.
Shpenzimet për kërkim e inovacion janë vetëm 0.4% e PBB-së.
Këto janë shifra që duhet të na shqetësojnë.
Së treti:
Në çfarë të ardhme duam të hyjmë – si mysafirë apo si të barabartë?
E dimë, “epoka e integrimit europian” është kthyer në një gjendje të gjatë pritjeje.
Ukraina lufton për të ardhmen e Europës, SHBA dhe BE hyjnë në tensione tregtare, Jugu Global po krijon aleanca të reja…
Ndërsa Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet një periferi pasive në një epokë të rreshtimeve aktive.
Maqedonia e Veriut ka qenë një histori suksesi.
Por sot procesi ka ngecur – jo për faj të qytetarëve, por nga lodhja europiane dhe ngurtësia nacionaliste.
Megjithatë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë treguar se janë forcë stabiliteti, bashkëpunimi dhe orientimi euroatlantik.
Gjatë viteve që drejtova Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kam parë se si bashkëpunimi rajonal po fillon të ndërtohet mbi zhvillim, jo mbi kujtime lufte.
Marrëveshjet për roaming-un, për njohjen e diplomave dhe profesioneve – nuk janë thjesht dokumente, por ura të reja.
Janë themeli i një tregu të përbashkët rajonal që na përgatit për integrimin europian të plotë.
Sepse Europa nuk do të na pranojë të ndarë, por si rajon që funksionon bashkë.
Të nderuar miq,
E ardhmja e rajonit nuk mund të mbetet peng i brezave që e shohin bashkëpunimin si kompromis të turpshëm.
Ky brez i ri – ju – duhet të jetë brezi që sheh mundësi tek kriza, që mendon për zgjidhje, jo për hakmarrje.
E di, shumë prej jush mendoni të largoheni.
Si prind, ju kuptoj.
Nuk ikni se nuk doni vendin tuaj, por sepse kërkoni kuptim brenda tij.
Ikja nuk është mosbesim ndaj lirisë, por ndaj sistemit që nuk shpërblen meritën.
Por, nëse duam të jemi pjesë e Europës, duhet të krijojmë oksigjen intelektual brenda vendeve tona.
Çdo reformë, çdo politikë është akt i brezit të ri.
Dhe për këtë nuk mjafton diploma.
Duhet hapësirë për të dështuar pa u gjykuar, për të pyetur pa frikë, për të sfiduar mendimin e mykur pa u ndëshkuar.
Në universitete, në administratë, në familje – kudo.
Në fund, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian janë dy anë të së njëjtës medalje:
një rajon i bashkuar në funksion, por i pasur në identitet, që pranon lirinë e tjetrit.
Europa e sotme ka nevojë për fuqi krijuese, për investime strategjike, për teknologji, klimë, demografi, siguri.
Dhe Ballkani është pjesë e kësaj harte.
Europa duhet të rilindë si fuqi që ndërton, jo si fuqi që vetëm rregullon.
Të rikthejë besimin e qytetarëve se demokracia mund të jetë efikase, humane dhe e fortë.
Dhe Ballkani duhet të mos presë, por të marrë pjesë aktive në këtë rilindje, duke ndërtuar institucione të forta, ekonomi të qëndrueshme dhe shoqëri të drejta.
Urime e punë të mbarë stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Tetovës,
në misionin tuaj fisnik – të mbrojtjes së lirisë më mirë se sa një ushtri!




