Prof. Dr. Lulzim Mehmedi – Me fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator 2025, nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjitha shkollat e vendit filluan një kapitull të ri. Ky moment nuk është thjesht një datë kalendarike, por një rast reflektimi mbi rrugëtimin tonë arsimor, sfidat që shoqërojnë arsimin në vendin tonë dhe vizionin që duhet të ndërtojmë së bashku për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Sfida sistemike dhe infrastrukturore
Arsimi fillor në Republikën e Maqedonisë së Veriut përballet prej kohësh me sfida të shumta, të cilat shpesh thellohen në vend se të zbuten. Reforma të ndryshme janë diskutuar për vite me radhë, por rezultatet konkrete në klasë mbeten të pakta. OECD dhe UNICEF evidentojnë se shumica e të rinjve përfundojnë shkollën pa zotëruar kompetencat bazë për jetë dhe punë. Performanca e nxënësve ndikohet dukshëm nga statusi socio-ekonomik i familjes, duke treguar se arsimi nuk është i barabartë për të gjithë. Për më tepër, shumë reforma pengohen nga mungesa e infrastrukturës, materialeve të vonuara dhe pajisjeve të pamjaftueshme. Shumë aktivitete, projekte apo trajnime realizohen vetëm pro forma, pa reflektuar në përmirësimin real të mësimdhënies apo rezultateve të nxënësve.
Sfida e rezultateve dhe mësimdhënies
Rezultatet e PISA 2022 tregojnë se nxënësit tanë janë ende larg mesatareve botërore:
- Matematikë: vendi i 61-të nga 81 shtete, me 389 pikë
- Lexim me kuptim: vendi i 71-të, me 359 pikë
- Shkencë: vendi i 68-të, me 380 pikë
Vetëm një në tre nxënës arrin minimumin e kompetencës në matematikë, dhe vetëm një në katër arrin nivelin minimal në lexim me kuptim. Këto shifra janë alarme për cilësinë e arsimit, ndërkohë që shumë nga vështirësitë lidhen me qasjet tradicionale të mësimdhënies, ku mësuesi është bartës i njohurive dhe nxënësi mbetet dëgjues pasiv.
OECD thekson se pa ndryshime në qasjen ndaj mësimdhënies, progresi do të mbetet i kufizuar. Diferenca mes nxënësve tanë dhe atyre të vendeve të OECD-së tregon boshllëqe njohurish dhe një sistem që nuk arrin t’i pajisë nxënësit me kompetencat e nevojshme për shekullin XXI.
Qasja holistike dhe teknologjia
Kjo situatë e bën më të domosdoshme një qasjes holistike në arsim, ku nxënësit mësojnë në mënyrë të gjithanshme, duke zhvilluar jo vetëm njohuri akademike, por edhe aftësi sociale, emocionale, krijuese dhe etike. Vetëm në këtë mënyrë arsimi mund t’i përgatisë ata të përballen me sfidat e jetës dhe të kontribuojnë në shoqëri në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme. Përveç zhvillimit të aftësive sociale dhe emocionale, arsimi i sotëm kërkon që nxënësit të zotërojnë kompetenca digjitale. Integrimi i TIK-ut, digjitalizimi i procesit mësimor dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të ndihmojnë mësuesit të personalizojnë mësimin, të monitorojnë progresin dhe të zhvillojnë mendimin kritik te nxënësit. Kjo u jep nxënësve mjetet e nevojshme për të përballuar sfidat e botës moderne dhe për t’u bërë qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Një sfidë e veçantë është situata e ndërprerjes së përkohshme të zbatimit të Konceptit të ri për arsimin fillor, e cila ka lënë shkollat dhe mësuesit në një fazë tranzicioni, ku drejtimi i qartë dhe implementimi i plotë i reformave kërkojnë vëmendje të shtuar.
Roli i trajnimeve dhe mësuesve
Nëse duam të ecim përpara, duhet të pranojmë se sfida kryesore nuk është numri i projekteve apo trajnimeve të organizuara, por cilësia e tyre. Trajnimet për mësues shpesh realizohen nga persona joprofesionistë, pa përvojë apo ekspertizë të mjaftueshme. Nga ana tjetër, edhe vetë mësuesit shpesh i shohin si detyrim formal dhe jo si mundësi reale për zhvillim profesional. Rezultati është kthimi te format tradicionale të punës, pa ndryshime thelbësore në qasjen ndaj nxënësit. Duhet ta kemi parasysh se mësuesit janë zemra e çdo reforme. Pa zhvillimin e tyre profesional serioz, nuk mund të ketë ndryshim cilësor në arsim. Për këtë arsye, duhet të rivlerësohet i gjithë procesi i trajnimeve: kush i zhvillon ato, si përgatiten, çfarë standardesh ndjekin dhe, mbi të gjitha, si matet ndikimi që kanë te nxënësit. Përdorimi i taksonomive moderne si ajo e Blumit dhe e Marzanos nuk është luks akademik, por domosdoshmëri për t’i orientuar mësuesit drejt mësimdhënies aktive dhe nxënësit drejt mendimit kritik.
Bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin
Arsimi fillor nuk është vetëm përgjegjësi e shkollës. Prindërit, institucionet lokale dhe komuniteti duhet të përfshihen më shumë. Shkolla nuk mund të jetë një “ishull i izoluar”. Përfshirja aktive e prindërve dhe ndërtimi i bashkëpunimit ndërinstitucional janë parakusht për përmirësimin e rezultateve. Vetëm kështu mund të krijohet një kulturë përgjegjësie dhe mbështetjeje për zhvillimin e nxënësve. Një problem i dukshëm është tendenca për të realizuar aktivitete vetëm sa për sy e faqe, projekte që shërbejnë si reklama në rrjetet sociale, pa ndikim të matshëm tek nxënësit. Pa rezultate konkrete, çdo arritje tjetër mbetet iluzion. Krijimi i një klime dhe kulture shkollore ku mësuesit, nxënësit dhe prindërit ndihen pjesë e një qëllimi të përbashkët është detyrë madhore.
Mesazhi për vitin e ri shkollor
Në prag të këtij viti shkollor, le të kujtojmë fjalët e Albert Ajnshtajnit: “Mos luftoni për sukses, por luftoni për vlera. Në momentin që do të fitoni vlerat e duhura, rruga e suksesit hapet vetë.” Ky duhet të jetë mesazhi udhëheqës: të mos luftojmë për numra, por për vlera; të mos mjaftohemi me fjalë, por të përkthejmë vizionin në veprim. Vetëm përmes reformave të guximshme, trajnimeve cilësore, qasjes holistike ndaj zhvillimit të nxënësit dhe përdorimit të teknologjisë mund të shpresojmë për një vit ndryshe – një vit ku nxënësit do të jenë realisht në qendër të procesit mësimor dhe ku rezultatet e tyre do të jenë dëshmia më e mirë e suksesit tonë të përbashkët.
Urime dhe suksese të gjithë atyre që e fillojnë, apo e vazhdojnë këtë rrugëtim drejt dijes, zhvillimit dhe kultivimit të vlerave!
*Autori është dekan i Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës.



