Sot, më 25 qershor 2025, akademiku i shquar shqiptar Rexhep Qosja feston 89-vjetorin e lindjes. I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, pranë Plavës e Gucisë në Mal të Zi, Qosja është një nga figurat më të rëndësishme të mendimit letrar, shkencor dhe kombëtar shqiptar të shekullit XX dhe XXI.
Pas mbarimit të studimeve në Prishtinë dhe doktorimit në Universitetin e Beogradit në vitin 1971, ai ka kontribuar për dekada në fushën e albanologjisë si studiues dhe si drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës (1972–1981).
Me një krijimtari të gjerë që përfshin studime shkencore, kritikë letrare, romane, drama dhe publicistikë, Rexhep Qosja është autor i mbi 30 veprave, shumë prej të cilave janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Ai ka trajtuar me thellësi çështje qenësore të letërsisë dhe identitetit kulturor shqiptar.
Për kontributin e tij shumëplanësh është vlerësuar me një sërë çmimesh, ndër të cilat:
-
Çmimi i Qytetit të Prishtinës (1968),
-
Çmimi “Pjetër Bogdani” (2010),
-
Çmimi Letrar “Beqir Musliu” (2012),
-
dhe titulli i lartë “Nderi i Kombit”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2000.
Akademiku Qosja ka qenë aktiv edhe në jetën politike në periudhën 1998–2000, duke luajtur një rol të rëndësishëm në rrjedhat kombëtare të asaj kohe.
Me rastin e ditëlindjes së tij, i shprehim mirënjohje të thellë për kontributin intelektual dhe kombëtar që ka dhënë dhe vazhdon të japë.




