Mr. Shefat Memet Ademi – Më 21 dhe 22 qershor 2025, në Preshevë u organizua me shumë dashuri dhe përkushtim Panairi i Librit, një ngjarje që u përcoll me respekt të madh nga të gjithë shqiptarët.
Panairi u vizitua nga lexues të shumtë, të cilët, përveç kontaktit me librin, sollën edhe ndjenja të papërshkrueshme që do të mbesin gjatë në kujtesë. Përkushtimi i organizatorëve për ta realizuar këtë aktivitet ishte i jashtëzakonshëm, por hijeshinë e kësaj ngjarjeje e shtuan edhe pjesëmarrësit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, si dhe figura të njohura nga fusha e letrave dhe botimeve.
Ndër ta veçojmë, z. Bujar Hudhri, drejtor i Shtëpisë Botuese “Onufri”, znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën, shkrimtarin Liridon Mulaj, ideator i kësaj ngjarjeje, shkrimtarin Besnik Mustafaj, dhe miqtë respektuar, Fatmir Gjestila dhe Fadil Hida, të cilëve u shprehim mirënjohjen më të thellë.
Gjatë Panairit, u zhvilluan promovime librash, recitime poezish, debate për letërsinë dhe kënde diskutimi me intelektualë të fushave të ndryshme. Në cilësinë e anëtarit të jurisë, pata nderin të marr pjesë në ndarjen e çmimeve për vepra letrare dhe për shtëpitë botuese pjesëmarrëse.
Ky Panair u mundësua falë mbështetjes së: Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, me ambasadorin z. Bardhyl Canaj, Shtëpisë Botuese “Albas”, me drejtor Qëndrim Hetemin, Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi”, dhe Komunës së Preshevës.




