Me veprën e Mujdin Aliut sot identifikohen të gjithë shqiptarët e këtyre trevave, nga se guximi, trimëria dhe vendosmëria e tij për ta çliruar Atdheun nga okupatorët serb mbetet simbol i lirisë sonë kombëtare.
Me emrin e Tij, u emërua edhe Brigada 112 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që veproi në rajonin e Tetovës në vitin 2001.
Mujdin Aliu, u lind më 15 janar të vitit 1974, në fshatin Poroj të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tetovë.
Në kohën e shpërthimit të luftës në Kosovë, Mujdin Aliu ishte ndër të parët që nuk u mjaftua vetëm me përkrahje morale, por bashkë edhe me disa shokë, iu bashkua radhëve të çlirimtarëve të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit. Më 20 tetor të vitit 1998, Mujdini u sistemua në Njësitin Special “Skënderbeu”. Ai ishte luftëtar i shquar, i edukuar kombëtarisht, i afërt me shokët dhe kurdoherë në krye të detyrës ushtarake.
Në pranverë të vitit 1999, ai kaloi në formacionet e Brigadës 138, “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit. Duke qenë luftëtar tashmë me përvojë të fituar në frontet e luftës, ai ishte në radhët e para të çlirimtarëve. Që në fillim të prillit të atij viti ai ndodhej në vijën e parë të luftimeve në vendin e quajtur “Rrasa e Koshares” ku ndodhej fortifikata e pamposhtur e UÇK-së.
UÇK-ja e mori “Majën e Gllavës” me përkrahje masive të artilerisë dhe vazhdoi të bombardonte Ushtrinë Jugosllave, gjë që rezultoi që ushtarët serbë të braktisnin pozicionet e tyre. Më 14 prill 1999, Mujdin Aliu ra dëshmor në mbrojtje të kufirit. Trupi i dëshmorit Mujdin Aliu u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Poroj.
Lavdi jetës dhe veprës së Tij!