Mr. Shefat Ademi – U mbushën plot 79 vjet (6 shkurt 1945), kur u hap shkolla e parë shqipe në këtë fshat, që shënoi kthesën e madhe historike, që një popull vetëm me dritë dhe dituri mund të ecë përpara.
Nevoja për tu shkolluar, dhe për tu zgjuar nga kllapia e esëllt shtyri që kjo mësonjëtore t’i hap dyert e mësimit dhe shpresës. Shkrimtari i madh francez Viktor Hygo tha se: “kush hap një shkollë, ka mbyllur një burg” dhe vërtetë kështu ndodhi kur me lejen e Abdullah Krashnicës u hap edhe shkolla fillore në fshatin Raincë.
Prijatar i kësaj nisme, ishte Fehmi Salihu, nga Përlepnica e Gjilanit, i cili në stilin e Migjenit, u bë babai i kësaj nisme që do të sjell, dituri tek raincasit dhe mbarë fshatrave përreth.
Pishtarët e arsimit që punuan aty, kishin nisur rrugën e arsimit si shpresën e vetëm për vënien në rrugë të drejtë të popullit shqiptar të kësaj treve. Dhe synimi për të ecur përpara, kishte adresën e vetme të ndërgjegjësimit dhe vënien përpara lapsin dhe fletoren si shpëtim për kombin shqiptar.
Ajo përcolli shumë breza të kualifikuar, që sot janë në mesin tonë dhe evokojnë kujtime të bukura gjatë karrierës së tyre në këtë shkollë, dhe ata që nuk janë në mesin tonë por që vazhdojmë t’i ruajmë me fanatizëm veprat e tyre për këtë punë kaq madhështore.
Ne gjeneratat e reja, e kemi shembullin se si këta pishtarë të arsimit shqip, dhe themelues të kësaj shkolle të mundohemi t’i trasojmë idetë e tyre në vepër, sepse na lanë amanet shkollën, që do të vinë gjeneratë pas gjenerate, për ta kujtuar veprën madhore që sot e kemi para nesh.
Urime për jetë e mot!