Prof. Dr. Xheladin MURATI – Njeriu si dhe gjithë njerëzit e tjerë, sot ndjehen pa të ardhme, fatkeqësisht me ëndrra të parealizueshme. Nëse njeriu ka mendje të mbyllur dhe mendon se nuk do ta gjejë vetveten në realitetin dhe jetën shumëdimensionale, do ta ketë vështirë të eksploroj, sepse atij i mungon energjia dhe përkushtimi i mjaftuar për veprim e kreativitet. Njeriu ka mundësi dhe arsyeje të hetoje mbi rrugët dhe mundësitë e krijimit të filozofisë së jetës. Kur i mungon filozofia njeriu në vend të tregon mençuri ai demonstron kryeneçësi dhe vetëpëlqim.
PREMISAT
- Duke ecur rrugës së jetës njeriu akumulon një frymë të re, krijon filozofi jetësore.
- Duhet shumë kohë, durim dhe përkushtim derisa njeriu të arrijë atë, që unë e quaj perfeksion.
- Njeriu lufton të bëhet një model i personalitetit ideal.
- Rruga është e gjatë n’rrugë, nuk duron indiferentizëm.
QASJET DHE ASPEKTET
Filozofia e rrugëtimit të njeriut sot nuk mund të ndërtohet pa premisa filozofike. Kjo filozofi mbështetet në teoritë dhe praktikën e demokracisë. Pra, pa e përditësuar në mënyrë burimore demokracinë që ndërtohet sot te ne (jo në shtetet perëndimore sepse jemi larg tyre) duke pranuar parimet, idetë, qasjet, aspektet e demokracisë, sepse pa to nuk mund të ndërtojmë filozofinë e rrugëtimit. Njeriu herë pas here mund të ketë mosmarrëveshje me veten e tij, por gjithmonë e gjen vullnetin për të luftuar për atë që është e drejtë dhe energjinë për të vazhduar. Kjo është filozofia pozitiviste që e kurajon atë. Megjithatë në demokracinë e brishtë tek ne njeriu madje njerëzit reflektojnë të qenët mizor dhe të poshtër, poashtu në emër të demokracisë, poashtu del shpesh herë në rrethin ku jeton si hajdut, kriminel e i padëshiruar,sepse ai nuk pajtohet me komunikimin e së vërtetës. Informacioni i pabesueshëm do të përhapet, duke gërryer më tej besimin.
Prandaj, mbështetja e njeriut mbi baza sa më reale filozofinë e rrugëtimit të tij, të jetë më i hapur, sa më realist ndaj vetes e tjetrit njeriu duhet të njoh edhe disa konsiderata më të përgjithshme. Nuk e shtrojë çështjen se njeriu duhet të jetë ose të bëhet filozof. Por ai duhet të ketë njohuri, të paktën në vijat më të përgjithshme të orientohet në jetë, të dijë të dalloj dhe seleksionojë vlerat, të përzgjedh vlerat, vlerat t’i bëhen shtyllë e veprimit në praktikë. Këto premisa janë si këndvështrim i veçantë i jetës, konceptet dhe nocionet që përdorë dhe vizionet e reja që zbulon dhe praktikon në rrugëtimin jetësor.
Ëndrra e njeriut është për një jetë më të mirë, por në rrugëtimin e tij ai përballet me vuajtje, me mungesë të mundësive për zhvillim dhe me përpjekje për të përmirësuar të ardhmen e tij. Në rrugëtimin e tij ai përfiton edhe eksperienca të mira ose të këqija, por me tendencë të përshtatet me kushtet dhe rrethanat që i parashtron jeta. Ai përballet edhe me dhunë dhe bënë përpjekje për të mësuar pse njerëzit përfshihen në konflikt dhe si të dalin nga ai rreth i dhunës. Njeriu në jetë shumë më tepër e kupton aspektin shumëdimensional të dhunës e të konfliktit. Se si një dhunë apo rebelim i njeriut nuk lind pa arsye, se si dhuna e njeriut ndaj njeriut apo dhuna policore ose dhuna qeveritare krijon pakënaqësi tek popullata. Kështu, me një trend të tillë njeriu krijon terren të përshtatshëm social që të reflektoj në formimin e vlerave po edhe jeta të shndërrohet në vlerë, ai ndërron qëndrimet dhe praktikat rreth jetës dhe rrugëtimit të tij.
Në parim, arritjet dhe njohuritë që fiton për çështjet e ndryshme ndikojnë që të braktisen stereotipat dhe paragjykimet duke ndërtuar në atë mënyrë mendim dhe pikëpamje të mbështetura në fakte sidomos çështjen e barazisë, lirisë, të drejtës, të diskriminimit dhe të diskriminimit gjinor.
Përderisa ka sfida që varen nga njeriu, apo nga rrethanat në të cilat jeton dhe vepron, ndër të tjera mendoj se njeriu në rrugëtimin e tij përballet me dy sfida permanente:
– e para, të jetë i suksesshëm në jetë dhe
– e dyta, të qenët i lumtur në çdo mënyrë me lehtësi në qasje.
Megjithatë, rrugëtimi i njeriut nuk shkon sipas parimit drejtvizor, ai shpesh gjendet në rrugën e gabuar me dashje ose jo. Njeriu është i interesuar dhe ai frymëzohet rreth gjërave të reja në kohën e sotme, ambiciet e tij janë gjithmonë të bëhet person me vlera dhe të lërë gjurmë në historinë e jetës së tij. Prandaj ai është gjithmonë përballë sfidave të kohës.
Formimi dhe përvetësimi i vlerave është një proces shumë specifik dhe element thelbësor e i rëndësishëm për komunikimin ndërnjerëzor. Megjithatë, jo secili mund të bëhet njeri me vlera të mirëfillta dhe disa nga faktorët kryesorë për të nisur këtë rrugë është pikërisht arsimimi, talenti dhe dimensioni kulturor që ka.
Në këtë kohë e vërteta dhe besimi janë gërryer, demokracia ka dështuar në reformimin e vetëdijes dhe ndërgjegjes së njeriut. Kjo mbase njeriu demokracinë e kuptoi në fjalën turke sallamadi dhe si i këtillë në rrugëtimin e tij kërkon qasje dhe rrugë të lehta për t’u pasuruar, ai lehtë korruptohet dhe kompremetohet, lehtë vendos të marrë ryshfet, të blej apo të shes diploma fakulteti, të merr diploma pa mbulesë me dije e të ngjashme. Këto koncepte nuk janë krejtësisht të çuditshme, por nuk janë as normale.
Përpjekja e njeriut për të kuptuar e vlerësuar veten është një proces i gjatë, por domethënës që nuk përfundon asnjëherë, njeriu duhet që në çdo rast të rrugëtimit jetësor, të arrijë një nivel të tillë në njohjen e vetes sa të mos rrezikoje në asnjë mënyrë të dëmtoje të tjerët që ka për rreth. Ai duhet të jetë i hapur, sa më realist ndaj vetes dhe të tjerëve. Njëherësh, ai duhet të bënë kujdes nga ziliqarët që veprojnë kundër tij dhe nga fërkimet me njerëzit që e rrethojnë. Ai nuk duhet të mendon të bën keq për njerëzit e tjerë. Por mbani mend edhe thënien: “Sa më shumë armiq të keni, aq më të respektuar do të ndiheni!”
Vështirësitë në të cilat has njeriu gjatë rrugëtimit të tij janë me ngritje dhe rënie, me zbehje dhe suksese. Kjo ndodh si një rrjedhim i natyrshëm e logjik mbase ai në rrugëtimin jetësor, në funksionin dhe misionin e jetës, në dimensionet organizative dhe sociale të saj është joobjektiv, jorealist dhe përfshihet në sjellje apo veprime destruktive dhe jo njerëzore si mungesë e vetndërgjegjësimit.
Për ta zgjeruar dhe përmirësuar nivelin e demokracisë, për afirmimin e vlerave të saj, njeriu duhet të fokusohet në mënyrë eksplicite në burimet dhe konceptet e filozofisë duke ndërtuar në atë mënyrë optimizmin për jetë, modernizimin e jetës mbi baza të demokracisë dhe ngritjen e vlerave demokratike. Demokracia dhe vlerat demokratike (Xhon Djui, Edukimi dhe deemokracia, 1970) promovohen përmes edukatës gjithnjë e më shumë përmes sistemeve pedagogjike prej shekujsh (Pedagogjia ekzistenciale, pragmatike, funksionale, sociale, kulturore, aksiologjike e shpirtërore etj.)
Është me interes të theksoj se njeriu shpesh po ndërron vlerat, qëndrimet dhe praktikat afirmuara rreth të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Kjo filozofi nuk e bën atë më demokratik por më regresist dhe nxit pesimizmin social. Sepse këto çështje nuk ndikojnë që të braktiset mendimi stereotipizues dhe të përkrahet mendimi afirmativ ndaj vlerave universale dhe të drejtave të grave.
PËRFUNDIM
Rrugëtimi i njeriut asnjëherë nuk duhet të qëndroj në vend, njeriu me vlera është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë, të lumturisë shpirtërore dhe vlerave universale. Në rrugëtimin e tij, njeriu të jep ndjesi se ai është në qendër të vetes dhe nuk ka shumë rëndësi kush e rrethon, por sa prej tyre e shikojnë, dëshirojnë dhe adhurojnë. Ka njerëz që shpesh nuk dinë të përkufizojnë varfërinë intelektuale dhe kulturore dhe parapëlqejnë të akuzojnë, të mos përfillin dhe të paragjykojnë të tjerët. Koha.mk