Këshilli i Përgjithshëm (i përkohshëm) Nacionalçlirimtar i drejtoi udhëheqjes së organizatës së Ballit Kombëtar kërkesën për mbajtjen e një takimi të përbashkët për të shqyrtuar marrëdhëniet ndërmjet tyre si dhe për të përcaktuar qëndrimin që duhet të mbanin në situatën që kalonte vendi. Propozimi i mësipërm u pranua nga drejtuesit e Ballit Kombëtar. Takimi ndërmjet dy palëve nisi më 26 korrik në fshatin Tapizë dhe më pas bisedimet vijuan në Mukje në datat 2 dhe 3 gusht 1943. Fronti Nacionalçlirimtar përfaqësohej nga Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Myslim Peza dhe Mustafa Gjinishi e të tjerë.
Balli Kombëtar përfaqësohej nga kryetari i kësaj organizate Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Thoma Orollogaj, Ali Këlcyra e të tjerë. Ndërmjet dy palëve pati debate të ashpra për disa çështje. Në fund të takimit të dy palët ranë dakord të angazhoheshin në luftë kundër pushtuesit; forma e regjimit në Shqipëri të përcaktohej pas mbarimit të luftës përmes zgjedhjeve të lira; krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë deri sa të formohej qeveria e re shqiptare nga zgjedhjet e lira; luftë për një Shqipëri indipendente dhe etnike mbështetur në parimin e shpallur nga Karta e Atlantikut.
Me nismën e Enver Hoxhës, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar anulloi marrëveshjen e arritur në Mukje, vendim që u miratua nga Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare e mbajtur në shtator 1943.
Shkaku kryesor i prishjes së marrëveshjes ishte vendimi për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe përbërja e këtij organi, i cili eklipsonte rolin dhe rëndësinë e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
© https://www.facebook.com/MuzeuHistorikKombetar