Fati historik i gjuhës shqipe ka qenë që të mbijetojë e të zhvillohet përmes sfidave gjatë gjithë jetës së saj. Doli si gjuhë më vete prej ilirishtes, që kishte fituar mbi eklipsin e dy qytetërimeve të mëdha: helen dhe romak; përballoi gjuhët zyrtare të perandorive dhe liturgjive; u ndalua zyrtarisht por nuk u ndal; u shkrua ilegalisht e legalisht me mbi 150 alfabete (të greqishtes, të latinishtes, të sllavishtes, të hebraishtes, të arabishtes, përveç alfabeteve të shpikura për protagonizëm të individëve) dhe me mbi 100 abetare; mundi “kompleksin e Adhamudhit” dhe së fundi ia doli të tejkalojë edhe “sindromin e moldavishtes”.
Sfidat përballë shqipes nuk janë të pakta dhe sot. Nuk është e rastit që ndërlikimet më të mëdha shfaqen në disa rrafshe ligjërimorë që, për arsye jogjuhësore, nuk paten normë kodifikimi në Kongresin e Drejtshkrimit. Disa nga këto ligjërime, që në atë kohë ishin të ngrira, jofunksionale, nuk e patën fatin e mbarë të gjuhës së liturgjisë dhe meshimit, problem që u zgjidh me një guxim heroik dhe me një largpamësi të shkëlqyer nga dom Simon Filipajt, me përkthimin e tekstit të plotë të Biblës – versioni kanonik i miratuar nga Selia e Shenjtë në vitin 1965 – tekst që më pas mori edhe bekimin e saj, njëherësh bekim edhe për gjuhën shqipe.
1. Në vitin 1972 nuk u përcaktuan rregulla për një prej stileve ligjërimorë që sot ka sot një përhapje shumë të gjerë, madje është kthyer edhe në shërbim. Është fjala për ligjërimin juridik, që e fiton statusin e vet në shoqëritë që ndërtojnë shtetin e së drejtës. Pamja më e shëmtuar e përdorimit të shqipes sot gjendet në regjistrat noterialë, por thuajse të të njëjtit rend janë edhe aktet shkresore të zyrave të avokatisë, madje edhe forma gjuhësore e vendimeve gjyqësore. Shkaku nuk është mundësia a pamundësia e gjuhës për një stil juridik ligjërimi me dinjitet, por fakti që në vitin 1972, së paku në Shqipërinë shtetërore, notariati nuk ekzistonte, avokatia ishte e ndaluar me ligj, aktet kontraktuale ishin atribut shtetëror sepse prona private nuk ekzistonte, e drejta testamentare ishte e ndaluar si mbeturinë e së shkuarës, ministria e drejtësisë ishte suprimuar që në vitin 1967. Më e keqja ishte se ky ligjërim mendohej si i tepërt dhe i panevojshëm edhe në të ardhmen. Në tri dekadat e fundme ligjërimi juridik është nga më funksionalët, mund të thuhet hyri si ligjërim i paushtruar dhe tani është masiv e popullor. Sot për sot mungesat e theksuara të këtij ligjërimi mund të vlerësohen si kufizime në kulturën gjuhësore, por më vonë problemet mund të marrin edhe karakter juridik, sepse duhet mirë se për një presje, jo më për një konstatim të tërë të ndërtuar gabim, e drejta mund të mërgojë nga njëra palë tek tjetra.
2. Një gjysmë shekulli më parë, jo vetëm në hapësirën shqiptare, por në shkallë globale, ligjërimet e numerizuara nuk ekzistonin. Në vitin 1971 u përdor për herë të parë shenja “@”, që mundëson krijimin e një poste elektronike. Me përparimin e teknologjisë dhe shpikjen e komunikimit në largësi të gjitha gjuhët u gjendën në vështirësi, para së gjithash për të pajtuar mundësitë grafematike të teknikës me traditën e shkrimit. Disa gjuhë ndërmorën dhe realizuan reforma teknike. Gjermanishtja hoqi dorë nga zanoret në ablaut dhe i diftongoi të gjitha, po ashtu dhe danishtja dhe disa gjuhë nordike. U krijuan metaligjërime, gjysmë të shkruara e gjysmë të folura, ose më saktë shkrime që e zhvleftësuan proverbin latin “Verba Volant, scripta manent”, sepse tashmë fluturojnë edhe fjalët, edhe shkrimet. Shqipja nuk mund t’i shmangej kësaj sfide. Të shkruarit u bë një mjeshtëri popullore. Shkurtesat, kodet, shenjat e shprehjes së emocionit, zëvendësuan shqiptimin dhe kumtimin. Mjetet që përdoren për komunikim të numerizuar kanë më shumë simbole mbigjuhësore se shkronja. Ky konflikt midis strukturave të gjuhës dhe progresit të teknologjisë ka shkaktuar shëmtimin tërësor të rendit gjuhësor që përdoret në rrjetet sociale, në shqipen e numerizuar. Dikur ishim të shqetësuar për kulturën gjuhësore në thjeshtligjërim, tani kultura gjuhësore shkallën më të ulët e ka në ligjërimet numerike. Nuk është vendi për alarm. Ka gjuhë që e kanë pësuar më keq. Greqishtja, me një alfabet mbi 2500-vjeçar, një prej alfabeteve më konservativë në Botë, tani ndihet e tradhtuar prej bartësve të vet në përdorimin e saj virtual. Kush ka pasur mundësi të hyjë në dhomat e bisedimeve, forumet, blogjet, faqet elektronike ku shkruhet greqisht do të ketë vënë re me siguri se greqishtja po latinizohet, gjë e paimagjinueshme më parë.
Gjuha shqipe nuk ka pasur probleme të rënda nga ndërhyrja e teknologjisë së re të komunikimit, përveç rrezikimit të përkohshëm të dy grafemave, “ë” dhe “ç”. Por, për këtë shkak, njësia e shqipes letrare ndihet më e cenuar, sepse gjuha jonë po shkruhet jo me shmangie nga kodi drejtshkrimor, jo me kthim tek dialektet, por me një ringjallje mbarëshqiptare të nëndialekteve dhe të folmeve lokale, të cilat janë thjesht ishullzime të gjuhës, vetëkufizime të saj.
3. Në Kongresin e Drejtshkrimit s’pati ndonjë normësim as për sitilin ligjërimor të përkthimit, sepse në atë kohë përkthimi ishte i njësuar me letërsinë. Prej tri dekadash përkthimi nuk është më thjesht hermeneutikë shkrimesh elitare (kryevepra botërore të letërsisë, artit, kulturës, shkencës), por mbi të gjitha shkrimi është një shërbim. Shkallën më të lartë të një stili ligjërimi si shërbim zyrtar e popullore e arrin në Maqedoninë e Veriut, ku garantimi i dygjuhësisë në institucione qendrore e vendore sipas parashikimit ligjor nuk bëhet drejtpërdrejt përmes shqipes, por përmes shqipes së përkthyer. Në Shqipëri gjithashtu përkthimi është një zanat. Mijëra e mijëra dokumente krijohen në vit nga “përkthyesit e licensuar”, që plotësojnë në gjuhë të huaja, kryesisht në anglisht, formularë, pyetësorë, deklarata, akte pronësie, aplikime për vistim e shumë akte të tjera, me një fjalor nën minimalen, që diskrediton shqipen dhe gjuhën e tjetrit. Mund të thuhet se shërbimi i shqipes në përkthim komprometon jo vetëm kulturën gjuhësore, por edhe indentitetin shqiptar.
4. Shërbimin e përkthimit e ka marrë ndërkaq, si për të gjitha gjuhët e tjera, “dr. Google”, një faktor që gjithnjë e më shumë zëvendëson përkthyesin njeri. Është e ditur se shqipja e “dr. Google” është pakrahasimisht më e kufizuar se frëngjishtja apo anglishtja e tij. Madje në disa prej gjuhëve të mëdha përthimi si shërbim u është mirëbesuar përkthyesve të automatizuar dhe njeriut i ka mbetur vetëm detyra e redaktimit të “dr. Google”. Por në shqip është ndryshe. Jo për faj të gjuhës, por për shkak të cilësisë së shqipes që është depozituar në bazën e të dhënave. Dihet mirë se “dr. Google” ka një protokoll të rreptë dhe të barabartë për të gjitha gjuhët për pranimin e leksikut, strukturave dhe formave të tyre. Në rendin e parë janë librat më të përkthyer në Botë, si Bibla; e dyta është kushtetuta, bashkë me kodet themelorë të shtetit të së drejtës; kryeveprat botërore të shqipëruara (Shekspiri me tragjeditë e tij, por mos u habisni që në këtë rend gjendet edhe “Kapitali” i Marksit), shkrimtarët vendës më të përthyer (Kadare, Starova e të tjerë). Për t’i dhënë dinjitet edhe shërbimit të automatizuar të përkthimit nuk duhet të presim që “dr. Google” të përmirësojë vetveten, por duhet të ketë programe përkthimi përzgjedhës, qoftë nga gjuhët e huaja në shqip, qoftë nga shqipja në gjuhë të huaja, që të jemi sa më afër këtij protokolli e kësaj hierarkie. Për ndryshe, do të na ndodhë sërish që emri i një personi që përmendet në një burim, “Kushtrim Spahia”, të na shfaqet në anglisht “Alert Solder”, apo që emri i pikturës së njohur “Motra Tone” (Motra Antone) të na gjenden në anglisht “Our Sister” – Motra jonë.
(Kumtesa e paraqitur në tryezën shkencore “Gjuha shqipe dhe sfidat aktuale të saj”, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Dygjuhësisë, Shkup 21 shkurt 2023).