Më 10 nëntor 2022, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, të Organizatës humanitare “El Hilal” dhe të Shoqatës së mjekëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në Qendrën e kulturës në Tetovë u përurua libri “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor gjatë periudhës së viteve 1998-1999”, të kirurgut të nderuar Dr. Salih Krasniqi
Me këtë rast u hap edhe ekspozita “Mos Harro” e historianit të njohur Ragip Zekollit, në të cilën u prezantuan fotografi autentike nga tragjedia kosovare e viteve 1998-1999.
Në këtë eveniment morën pjesë punonjës të arsimit dhe të shkencës, si dhe veprimtarë të artit dhe të kulturës, nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Republika e Shqipërisë si dhe mërgimtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përurimi i librit u mirëprit nga publiku i Tetovës dhe më gjerë, për arsye se autori i denoncon krimet serbe në Kosovë, të kryera ndaj mjekëve dhe pacientëve në QKUK gjatë viteve 1998-1999.
Përurimi i librit të sipërthënë u përshëndet nga organizatorët e kësaj ngjarjeje, si dhe nga mjeku i njohur nga RMV-ja, Dr. Rexhep Selmani, autori i librit – Dr. Salih Krasniqi, nga veprimtari i njohur që vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Ramiz Tafilaj si dhe nga dy pacientë të trajtuar gjatë luftës së Kosovës nga Dr. Salih Krasniqi në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Pas përurimit të librit u zhvillua ceremonia e hapjes solemne të ekspozitës “Mos Harro” të profesor Ragip Zekollit.
Me këtë rast, të pranishmit i përshëndeti historiani i artit z. Behixhudin Shehabi i cili e përgëzoi autorin për punën e çmueshme në mbledhjen dhe ekspozimin e rreth 250 fotografive që dëshmojnë për tmerrin që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës së Kosovës nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë.
Profesor Zekolli ndërkaq, u shpreh se ndjehet i nderuar që ndodhet në Tetovë për ta prezantuar ekspozitën e tij para qytetarëve të qytetit rrëzë Sharrit. Ndërmjet tjerash, ai rrëfeu edhe për vështirësitë me të cilat u ballafaqua për realizimin e këtij projekti që i shërben të vërtetës dhe denigrimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve, duke shtuar se me to duhet të njihen të gjithë shqiptarët, e sidomos faktori ndërkombëtar.
Historiani Ragip Zekolli dhe Dr. Salih Krasniqi, në mënyrë të argumentuar e denoncojnë gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar nga regjimi më i egër dhe më çnjerëzor që ka njohur historia e njerëzimit.
Fjalimi i kryetarit të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Mr. Selam Sulejmanit, me rastin e përurimit të librit të lartpërmendur
Sot jemi të gjithë së bashku në një veprimtari që mbart vlera të rëndësishme historike për kombin tonë. Është për t’u admiruar dhe meriton respekt të veçantë puna e atyre të cilët me vetëmohim sjellin në vëmendje të opinionit publik, pjesë nga e kaluara jonë e përbashkët.
Në evenimentin e sotëm që po mbahet në Qendrën për kulturë në Tetovë, e që është organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, nga Organizata humanitare “El Hilal” dhe nga Shoqata e mjekëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, para qytetarëve të Tetovës dhe më gjerë u hap ekspozita “Mos Harro” e historianit të njohur Ragip Zekollit, me ç’rast u ekspozuan fotografi autentike nga tragjedia kosovare e viteve 1998-1999. Gjatë kësaj ngjarjeje e përurojmë edhe librin “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor gjatë periudhës së viteve 1998-1999”, të kirurgut të nderuar, Dr. Salih Krasniqi.
Veprat artistike, librat apo monografitë e ndryshme nga fusha e historisë, shkruhen dhe publikohen për t’i sjellë të vërtetat e periudhave të ndryshme, për të cilat historianët u referohen fakteve dhe dëshmive. Vlerësojmë se ekspozita dhe libri që ia sjellim sot publikut tetovar, janë të këtij niveli shkencor, sepse janë përgatitur mbi bazën e ngjarjeve tronditëse dhe tmerrit që kanë përjetuar shqiptarët nga pushtuesi serbomadh.
Historiani Ragip Zekolli dhe Dr. Salih Krasniqi, në mënyrë të argumentuar e denoncojnë gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar nga regjimi më i egër dhe më çnjerëzor që ka njohur historia e njerëzimit.
Këto fakte që shpalosen përmes ekspozitës dhe librit, i obligojnë sidomos institucionet tona si dhe punonjësit shkencorë që të kaluarën historike ta pasqyrojnë me kompetencë dhe me një qasje profesionale serioze.
Nëpërmjet këtyre veprave, vëllezërit tanë nga Republika e Kosovës, autorët e nderuar që sot i kemi mes nesh, janë bërë zëri i së vërtetës që i stigmatizojnë gënjeshtrat dhe falsifikimet serbosllave, në përpjekjet e tyre kriminale për t’i fshehur apo për t’i justifikuar masakrat monstruoze të tyre si dhe për t’i barazuar kriminelët me viktimat.
Sot që po flasim për krimet e llahtarshme të Serbisë ndaj popullit shqiptar, hienat e Millosheviqit sot e kësaj dite nuk heqin dorë nga synimet për destabilizimin e Kosovës.
Ish-ministri i Millosheviqit, kryetari i sotëm i Serbisë, dorë e djathtë e kryekriminelit Vladimir Putin, duhet të mbajë përgjegjësi për masakrat viteve 1998-1999, kur forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare, në mënyrë sistematike kryen vrasje kolektive, shfarosje, skllavërim, burgosje, tortura, dhunime, zhdukje personash etj.
Të gjitha këto krime ishin paraprakisht të planifikuara, të organizuara dhe të menaxhuara nga instancat më të larta shtetërore të Serbisë.
Masakrat e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 janë krimet më të rënda të kryera në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore.
Pushtuesi apo okupatori serb në Kosovë ndërmori shkatërrimin e ekonomisë kosovare si dhe shndërrimin e Kosovës në tokë të djegur, duke ua bërë shqiptarëve autoktonë të pamundur ekzistencën në vatrat e veta shekullore. Me punën e tyre, autorët kanë arritur ta argumentojnë gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Të flasësh për libra do të thotë të apelosh te të tjerët t’i lexojnë ata. Vepra e Dr. Salih Krasniqit, jo vetëm që duhet të lexohet, por edhe të nxirren porosi prej saj. Të kaluarën tonë duhet ta mësojmë dhe ta kujtojmë. Urojmë që kjo për të cilën ka shkruar Dr. Salih Krasniqi, popullit shqiptar të mos i përsëritet kurrë.