“Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm” është titulli i librit të profesorit Fitim Ukës, që më 13 tetor 2022 u promovua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës. Në promovimin e këtij libri, ku të pranishëm ishin studentët dhe profesorët e kësaj njësie akademike, me fjalë përshëndetëse iu drejtua shefi i programit studimor të Psikologjisë i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Lulzim Murtezani. Ai, fillimisht e përgëzoi autorin për veprën, duke theksuar se edhe më tej Katedra e Psikologjisë do të vazhdojë të pasurojë programet shkencore dhe akademike të Fakultetit Filozofik me aktivitete të kësaj natyre.
Rreth veprës së profesorit Fitim Uka dhe tematikës që ky libër trajton, vlerësimet e tij i paraqiti prodekani për Shkencë i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Musa Musai. Sipas tij, libri “Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm” është një gërshetim i hollë mes dilemave dhe supozimeve ekzistenciale, që autori i trajton në fillim të veprës së tij, dhe pjesës aplikative të metodave dhe teknikave, kur është në pyetje trajtimi i shëndetit mendor, në përmbajtjen teorike dhe terapeutike. “Profesori Fitim Uka, në veprën e tij vend të posaçëm i përkushton edhe dilemës farmakologji apo psikoterapi, duke i ofruar mundësinë lexuesit që të ballafaqohet me të dhënat e fundit në fushën e psikiatrisë dhe trajtimeve medikamentoze. Nga ana tjetër, përmes niveleve të çrregullimeve, veçmas pjesës që shoqëria njerëzore u ballafaqua me pasojat e covid-19, por të njëjtave duke iu qasur edhe nga pikëpamja e psikoterapive të shumta, që sot aplikohen te klientët, autori në këto prevalenca i sheh të dy qasjet pjesërisht si efikase, duke u mbështetet në të dhënat e fundit ku potencohet se 30% e tyre aspak nuk kanë ndonjë efikasitet në trajtimin dhe kurimin eventual të klientëve. Ndaj edhe autori si zgjidhje kohezionin e brendshëm e sheh si formën e integruar dhe mënyrën më adekuate të ndërhyrjeve me njohuri, qasje dhe preventivë të re”, tha Prof. Dr. Musa Musai.
Autori i veprës, Prof. Dr. Fitim Uka, në fjalën e tij i falënderoi drejtuesit e Fakultetit Filozofik dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në këtë promovim për interesimin e treguar ndaj librit të tij. Duke folur për veprën e tij, ai tha se problemet psikologjike në libër po t’i lexoni do të shihen si mjaftë dinamike, të ndryshueshme dhe me trajta dhe përmasa të ndryshme, ndaj edhe qasja e terapeutëve duhet të jetë shumëkahëshe, që në vete ngërthejnë analiza multifaktoriale, te të cilat kohezioni i brendshëm mund të konsiderohet alternativë adekuate për qasjet në psikoterapi.
Prof. Dr. Fitim Uka, po ashtu ka zhvilluar një takim të përbashkët me dekanin e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriun, prodekanin për Arsim, Doc. Dr. Fitore Bajrami – Abdi dhe prodekanin për Shkencë të këtij fakulteti, Prof. Dr. Musa Musain.