Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, më13 shtator 2022 e priti në takim pune Prof. Dr. Joana Koszewska nga Universiteti Pedagogjik, përkatësisht Instituti për Edukim Special, të mësimdhënësve dhe edukim shkollor, Departamenti për integrim social në Krakov të Polonisë.
Stafi i Fakultetit Pedagogjik kishte nderin të dëgjojë një prezantim lidhur me zhvillimin e sistemit edukativ të fëmijëve me spektër të çrregullimeve të autizmit në Poloni, duke filluar pak para viteve 80-ta e deri më sot. Profesoresha potencoi ndikimin e prindërve në ndryshimet që janë sjellë në Poloni, duke filluar nga legjislacioni, trajtimi mjekësor, diagnotifikimi, edukimi dhe mirëqenia sociale e tyre, si rezultat i të cilit është themeluar Asociacioni ndërkombëtar për Autizëm në Poloni, i cili është ombrellë e më shumë shoqatave. Përkujdesja e këtyre fëmijëve, sipas profesoreshës nuk mbaron me moshën 18 vjeçe, por ata kanë themeluar edhe Fondacionin “The Community Hope Foundation”, i cili ngërthen disa qendra përkujdesjeje dhe jetese të të rriturve me autizëm.
Ajo, gjithashtu nënvizoi edhe procesin gjithëpërfshirës, proces i cili e tangon edhe RMV, por edhe shkollat e integruara dhe shkollat speciale për fëmijët me SÇA, si dhe përvojat e tyre disavjeçare të përfshirjes së fëmijëve me SÇA në sistemin e rregullt arsimor, përvoja këto të cilat ishin të dobishme për stafin e Fakultetit Pedagogjik. Gjatë prezantimit, stafi arsimor kishte mundësinë e shkëmbimit të pyetjeve dhe diskutimit, ndërsa Dekani potencoi rëndësinë e këtij takimi për shkëmbim të përvojave ndërkombëtare dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Universitetin Pedagogjik të Krakovit.