Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi dhe asistenti i këtij fakulteti, Mr. Sc. Durim Alija e përfaqësuan Universitetin e Tetovës në Festivalin e Kafesë në Anadoll, i cili u mbajt nga data 24-26 qershor 2022 në Pendik të Republikës së Turqisë.
Në cilësinë e mysafirit, ata e bënë edhe hapjen solemne të këtij festivali, ku në praninë e kryetarit të Komunës nikoqire, Ahmet Cin, e prezantuan temën mbi konsumin e kafesë turke në Maqedoninë e Veriut, si dhe nga vendet ku importohet.
Ky është viti i dytë me radhë që mbahet Festivali i Kafesë Anadolliane, ku tubohen përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë të njohur për prodhimin e kafesë. Pjesëmarrësit e këtij festivali me përmasa ndërkombëtare patën mundësinë që të njihen nga afër me përgatitjen, pjekjen, llojet, historikun dhe degustimin e kafesë. Një nga aspektet më të veçanta të festivalit janë edhe koncertet që mbahen gjatë festivalit. Festivali i Kafesë Anadolliane e bashkon kafen, muzikën dhe argëtimin së bashku me ekspertët në fushën e prodhimtarisë së kafesë.
Sipas dekanit të FTTU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, përvojat e këtilla janë shumë të nevojshme pasi mësohen shumë gjëra të reja në aspektin profesional nga ekspertë të fushës përkatëse, të cilët kanë përvojë shumëvjeçare dhe të njëjtat mundohemi t’i implementojmë edhe në Universitetin tonë, gjegjësisht në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.