Prof. Dr. Hazir Pollozhani, Prorektor për shkencë i Universitetit të Tetovës, së bashku me Doc. Dr. Bardhyl Limanin, nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë u pritën në një takim nga Rektori i Universitetit IMC të Kremsit, Prof. (FH) Mag. Dr. Martin Waiguny, Dr. Kristian Moser – profesor dhe Zëvendëspresident i Dhomës së Tregtisë së Austrisë së Poshtme, Gerhard Dummer – Drejtor i Financave në Komunën e Shtokeraut në Austri dhe Setki Ibraimi – Këshilltar komunal në Komunën e Shtokeraut.
Në këtë takim pune, me nikoqirët u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit IMC Kremsit dhe Komunës së Shtokerau (Vjenë – Austri), në drejtim të hapjes së programeve të përbashkëta të studimit, organizimin e aktiviteteve shkencore, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik dhe projekteve të përbashkëta etj.
Gjatë takimit, Prorektori për shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe Doc. Dr. Bardhyl Limani u njohën me ecurinë dhe formën e studimeve, fakultetet, si dhe programet studimore që ofron universiteti IMC, gjithashtu, ata i vizituan hapësirat e universitetit, për të parë nga afër ambientet e zhvillimit të mësimit, amfiteatrot, zyrat e konferencave, laboratorët e Fakultetit të Muzikoterapisë, Administrim Biznesit, Inxhinierisë Digjitale, Mjekësisë, Fizioterapisë, Farmacisë Bioteknologjisë, si dhe laboratorët kërkimorë-shkencorë.
Po ashtu, Prorektori për shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe Doc. Dr. Bardhyl Limani, në Sombor të Vojvodinës e vizituan Institutin e Agronomisë, ku u pritën nga drejtori institutit, nga i cili u njohën nga afër me punën, si dhe formën e funksionimit të Institutit të Agronomisë.
Po ashtu, ata i vizituan hapësirat e institutit, duke parë laboratorët për cilësinë dhe certifikimin e farërave dhe produkteve bujqësore, laboratorin për analizat e tokës, laboratorin e fitopatologjisë, laboratorin e entomologjisë, si dhe të bankës gjenetike të farërave të kultivarëve vendorë të kulturave perimore, kulturave të lavërtarisë, si dhe kulturave industriale.
Në fund të kësaj vizite palët u pajtuan për bashkëpunim në të ardhmen, shkëmbime të ekspertizës profesionale dhe akademike.