Stafi akademik i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës ( Prof. Dr. Arjeta Amzai, Prof. Dr. Sheherzada Murati, Doc. Dr. Hasim Dehari dhe Doc. Dr. Elsana Aqifi ), më 25 dhe 26 mars 2022 mori pjesë në punimet e Konferencës së Tretë Ndërkombëtare, me temë: “Rizbulimi i marketingut në kohën e pandemisë” (ISCOIM 2022), që u mbajt në Durrës të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë veprimtari shkencore të organizuar nga departamenti i Marketingut nga Fakulteti i Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, akademikë dhe hulumtues shkencorë, përfaqësues të biznesit dhe profesionistë të fushës së marketingut, patën mundësi që t’i prezantojnë punimet e tyre, të diskutojnë rreth fushës së marketingut dhe sfidave që kanë lindur si pasojë e pandemisë, si dhe të krijojnë rrjete të reja bashkëpunimi.
Pjesëmarrësit e konferencës së lartpërmendur konstatuan se efektet negative të pandemisë globale kanë përfshirë dimensione të shumta, të cilat reflektojnë në ekonomitë nacionale. Duke marrë parasysh se ekonomitë e vendeve në rajon janë kryesisht ekonomi të vogla, është e kuptueshme se pasojat e zhvillimeve kanë ndikuar në rënien e aktiviteteve të brendshme ekonomike, po ashtu edhe nga reflektimet e ekonomisë globale në përgjithësi. Sipas tyre, për t’i evidentuar pasojat duhen realizuar studime të mirëfillta dhe analiza e autoriteteve kompetente, si faktorë kyç që do të ndihmonin në ringritjen e ekonomive sidomos në shtetet ku pandemia ka qenë më e përhapur.
Konferenca u organizua në partneritet me Universitetin e Tetovës dhe disa universitete ndërkombëtare, kombëtare dhe rajonale, me të cilët njësitë përkatëse akademike zhvillojnë bashkëpunim në kuadër të projekteve të përbashkëta, kërkimeve shkencore etj.