Dr. Myrvete Dreshaj -Baliu – Sot, më 17 janar 2022, dyzet vjet më vonë, jemi mbledhur këtu që të shënojmë përkujtimin e një dite të dhembjes sonë të madhe dhe të krenarisë sonë të gjithmotshme, të vrasjes së tre apostujve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës: të Jusuf Gërvallës, të Kadri Zekës dhe të Bardhosh Gërvallës. Si gjithmonë, është ky përvjetor i dhembjes dhe madhështisë tragjike, i lavdisë së tre dëshmorëve, të cilët deri të lavdia kanë arritur si apostuj të idesë së madhe për drejtësi shoqërore, për dinjitet, për liri dhe për pavarësi të popullit të tyre të paçliruar.
Ata janë lartësuar me veprimtarinë e përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj çështjes kombëtare edhe me dimensionin krijues, publicistik e editorial të tyre: me idetë, me veprimet, me sjelljet, e përgjithësisht me jetën e tyre deri në rënie, si shëmbëlltyra më e mirë e atdhetarizmit tonë.
Sot, në këtë tribunë të hapur, do të rievokoj dy dimensioneve të jetës dhe veprës së Jusuf Gërvallës, të para edhe si premisa të rrëfimit personal, por që do të reflektojnë edhe angazhimin e bashkëveprimtarëve dhe bashkëmendimtarëve të tij, para së gjithash, të bashkëveprimtarit Kadri Zeka dhe të vëllait Bardhosh Gërvalla.
I.
Tema e lidhur me emrin e Jusuf Gërvallës, fillim¬isht vetëm me jetën e tij, më ka nxitur të merrem që kur isha nxënëse, dhe që lidhet me bisedat familjare për arsyet e arratisjes së tij nga Kosova, dhe prej saj nuk kam mundur të lirohem as si gjimnaziste, kur bashkë me disa bashkëmoshatarë e kishim themeluar një grup politik në frymën e idealeve dhe të idealistëve si ai dhe brezi i tij, që atë kohë po e bënin historinë; as si studente kur dijes sime, përtej biografisë së tij jetësore, i ishte shtuar edhe biografia e tij intelektuale dhe krijuese. Kjo mund të duket mbase krejt personale, por duke dëgjuar fillimisht tregimet e bashkë¬ko¬¬hësve për misionin e tij dhe duke dëgjuar më vonë rrëfimet e nënës Ajshe për fatin tragjik të familjes së saj, nuk kam mundur të mos e ndërtoj edhe unë një botë më vete për historinë e tij jetësore, familjare dhe më në fund kombëtare. Që nga manifestimet përkujtimore, (të filluara që më 1988) kur fillova t’i recitoj poezitë e tij dhe të shkruaj më vonë për veprën e tij (në temën e diplomës së Universitetit të Prishtinës), ngacmimi më shfaqej veçmas në çaste ballafaqimi me nënën e tij. Nga ajo kisha dëgjuar, në një qetësi dhe krenari të cilën dinte ta shfaqte vetëm ajo, për fëmijërinë, për fatin tragjik të familjes dhe sidomos për misionin e tij. Ishin disa rrëfime, të cilat, në fund të fundit, nuk dilnin jashtë kornizave të baladave e këngëve të lashta, që vinin nga thellësia e botës shqip¬tare, duke u përsëritur nga brezi në brez deri në fund të shekullit XX.
Nga ajo që kisha dëgjuar nga miqtë, kolegët dhe bashkëveprimtarët e Lëvizjes ilegale për rolin e shumanshëm të tij në procesin e rezistencës së popullit të robëruar të Kosovës dhe të luftës për liri e pavarësi, biografia e tij më së miri më reflektonte gjeniun e krijuesit dhe ashpërsinë e konfliktit të tij e të popullit të tij me push¬tuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda vetes. Për¬masa e angazhimit të tij më dilte e shum¬anshme: publicist, përkthyes, krijues, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe në mërgatë, si dhe organizator e ide¬olog i saj.
II.
Le të përpiqemi të themi disa fjalë për biografinë e tij ndërmjet dokumentit, rrëfimit të Nënës Ajshe dhe horizontit të perceptimit tonë.
Jusuf Bardhosh Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në fshatin Dubovik të komunës së Deçanit. Sikur ndodh shpesh në traditën shqiptare, Jusufi trashëgoi emrin e dajës, Jusuf Buzhalës. Më vonë, i vëllai, Bardhoshi, i lindur më 1951, do të trashëgojë emrin e babait, i cili vdes nga pasojat e përballjes me stuhitë serbe të kohës për tridhjetë vjet me radhë. Ndërsa emrin e Bardhoshit më tej, në historinë më të re të kësaj familjeje, do ta trashëgojë e bija, Bardha, e cila lind pak kohë pas vrasjes së Bardhoshit, më 1982.
Sipas rrëfimit të Nënës Ajshe, pamja e parë, që do të fiksohet në mendjen prej fëmije të Jusufit, ishte kthimi i babait (deri vonë kaçak mali) në shtëpi dhe vdekja në shtratin e një kasolleje, pranë shtëpisë së tij, të cilën, për së dyti, tash pas Luftës së Dytë Botërore, ia kishte zënë koloni malazez Shaliq. Malli i shtëpisë, vuajtjet e nënës së ve me fëmijë nëpër këmbë, mungesa e shtëpisë, lakmia për të pasur një kulm mbi kokë, apo për ta rikthyer atë që me djersë dhe gjak e kishin ngritur gjysh e stërgjysh, janë shprehur aq fuqishëm në jetën dhe në krijimtarinë e tij, sa sot na duket krejt e kuptueshme pse këto elemente: nëna, shtëpia dhe vendlindja janë bërë figura gati mitike të krijimtarisë së tij letrare artistike.
Gjithashtu edhe pamja e dytë nga fëmijëria e tij reflekton kujtime të rrënjosura të lëvizjeve policore dhe ushtarake në fshat e në shtëpi dhe të presionit të tyre gjatë periudhës së shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
Pamja e tretë dhe madje më e trishtueshmja, ishte ajo e viteve të para të shkollimit, prej nga asnjëherë nuk do t’i fshihen nga mendja skenat e rrahjes së bashkëfshatarëve dhe bashkëfamilja¬rëve të tij gjatë aksionit të mbledhjes së armëve në shkollën e Prapaqanit. Në shkollë, ku ata shkonin për të fituar hapat e parë të diturisë, Jusufi, më parë sesa të mësojë për dijen universale që sjell libri, do të mësojë për dhunën që sjellë shteti serb; më parë sesa të mësojë për kulturën që ndërton shkolla, ai do të mësojë për dhunën dhe terrorin që do të sjellë pushtuesi; më parë sesa të mësojë për historinë e ashpër dhe mësimin që duhet ta përfitojë në interes të së resë, ai do të mësojë për përvojën e hidhur që do ta përcjellë si njeri, si familje dhe si etnitet.
Biografi më i mirë i tij, Kadri Rexha, kujton një moment, kur në ditët e para të vitit shkollor, Jusuf Gërvalla, me ndjenjën e fëmijës më të lumtur në botë, e këndon këngën “Mic Sokoli vesh jelekun”. Në rrethana të sotme mund të thuhet se sigurisht kjo këngë lind si rezultat i trashëgimisë historike të familjes së tij, por njëkohësisht mund të thuhet se kjo ishte edhe një prej shenjave të para të reagimit të tij dhe të përveçimit të karakterit të tij kryengritës.
III. Konceptet politike të Jusuf Gërvallës mes ideologjisë dhe lirisë
Në Lëvizjen ilegale ka pasur mjaft veprimtarë të cilët kanë bërë analiza politike, kulturore, ekonomike e historike të kohës, por nuk ka pasur shumë anëtarë, të cilët kanë shkruar traktate, ku janë ndërthurur tema të natyrës historike, politike dhe sociale, si ato të Jusuf Gërvallës.
Pikëpamjet politike të tij në këto shkrime do të mund të trajtoheshin jo vetëm prej qëndrimit atdhetar që ka mbajtur, por edhe prej disa parimeve të tjera, përmes së të cilave do të mund të bëhej një sintezë më e përmbledhur e temave, e mendimeve dhe e vlerësimeve të tij.
Një dimension të këtij formimi, që e theksuam më lart, më të miri e shpreh publicistika, një fushë e realizuar kryesisht në shtypin ilegal të kohës. Ajo është pjesa më e sipërshfaqur ku pikëtakohen jeta dhe vepra e Jusufit në ‘misionin’ e përbashkët kombëtar dhe estetik të tyre. Mirëpo, sado ende mbetet e panjohur një pjesë e shkrimeve të kësaj natyre (kryesisht esetë politike të botuara në shtypin ilegal të Kosovës apo të Perëndimit), sikur edhe e disa prozave dhe reportazheve të shpërndara në shtypin ditor të Prishtinës e të Shkupit.
Estetë e tij politike për sistemin kolonizues të Beogradit mbi Kosovën, portretizimi plotë ironi i Titos, vlerësimet politike për ngjarjet e vitit 1981 dhe sidomos paraqitja sarkastike e disa prej figurave politike të kësaj kohe nga radhët e shqiptarëve edhe sot mbeten të pakrahasueshme në letrat shqipe.
IV. Intelektuali i popullarizuar
Në lagjen e pjesëtarëve të Lëvizjes Kombëtare ka pasur veprimtarë me dije më pak apo më shumë të shquar; anëtarë të profileve të ndryshme përkushtuese; intelektualë të vendosur dhe heronj të gjallë të qelive e të burgjeve serbe; por në radhët e Lëvizjes ilegale të Kosovës, zor të ketë pasur veprimtarë më të popullarizuar se Jusuf Gërvalla. Popullariteti i tij mes shokësh nuk ishte vetëm i natyrës politike. Popullaritetin e tij e kishte kultivuar një kohë të gjatë, madje duke filluar nga rinia e hershme, në rrethet familjare, miqësore, qytetare dhe më gjerë. Ai ishte intelektuali i vëmendshëm që në jetën shoqërore u bë i popullarizuar për kulturën e tij, për sjelljen qytetare të tij, për mendimin bashkëkohor të tij, për mendimin politik të tij, për vlerat letrare të krijimtarisë së tij, për publikimet kulturore të prezantuara në mediat e shkruara dhe vizuale, për poliglotësinë e tij, për përkthimet e tij dhe pse jo edhe për kulturën gjuhësore të tij. Pavarësisht nga kjo, Jusuf Gërvalla sillej mes shokësh në përmasat e një kolegialiteti të barabartë.
Kështu, historia e jetës dhe e vrasjes së tij, konceptet e veprimet politike dhe vepra krijuese e botuar apo e lënë në dorëshkrim, do ta përplotësojnë njëra- tjetrën, sa me përmasat kulturore e historike të angazhimit të tij politik, aq edhe me vlerat letrare e estetike të krijimit, interpretimit, përkthimit, esesë politike etj. Me veprimtarinë praktike në Lëvizjen Kombëtare për çlirim dhe me shkrimet e tij, Jusuf Gërvalla reflektonte përvojën popullore dhe vetjake, si njohës i mirë i etnografisë dhe psikologjisë së popullit të tij në rrafshin kombëtar; në shkrimet për mentalitetin e klasës politike shqiptare dhe të klasës politike jugosllave, Jusuf Gërvalla shprehte shkollën e papërkulshmërisë ndaj regjimit jugosllav dhe lidhjes së vazhdueshme me shtetin amë; në tekstet kritike-analitike për këtë Lëvizje, ai reflektonte përvojën personale; ndërsa në Programin pragmatik të Lëvizjes ai reflektonte përvojën historike shqiptare dhe përvojën politike e militante të lëvizjeve kombëtare në botë, që luftonin për çlirimin e tyre nacional.
Pra, ai ishte intelektuali, që e gjente vendin e vet mes miqsh, për urtinë e tij mendore dhe për zjarrminë e tij në temat politike; për njohjen e kulturës klasike dhe për kulturën moderne të gjykimit; për sjelljen shembullore mes shokëve dhe për qëndrimin e ngurtë ndaj njerëzve të pushtetit.
Ai ishte intelektuali që nuk e kishte lakminë e zënies së vetëm një majeje, ai ishte intelektuali që brenda kulturës së tij rrezatonte fusha të shumta të dijes, rrezatonte kulturë të gjithanshme dhe ishte gati të komunikonte me një numër të madh personalitetesh të profileve të ndryshme, pa frikën se do të belbëzojë për temat e shtruara.
Ai ishte një kitarist mes fshatarësh, një poliglot mes gjuhëtarësh, një shkrimtar dhe përkthyes mes letrarësh, një krijues dhe kritik i saj mes kritikësh, një artist, këngëtar dhe komponues mes artistësh, një pjesëtar i Lëvizjes ilegale mes patriotësh, Jusuf Gërvalla nuk kishte pse të mos ishte krenar dhe i popullarizuar mes bashkëkombësve të tij.
V. Vepra letrare
Sikur është vlerësuar edhe më parë, vlera letrare dhe artistike e veprës së Jusuf Gërvallës qëndron në tri përmbledhjet e tij poetike dhe në romanin “Rrotull”, ndërsa më pak në dramën “Procesi”.
1. Poezia e Jusuf Gërvallës në rrafshin tematik e motivor është e gjerë, ajo bartë shenjat esenciale të traditës sonë letrare. Po në rrafshin meditativ e refleksiv është e thellë, ka palcën e shenjës etnike, jo si retorikë a patetikë, por si burim origjine e frymëzimi. Në rrafshin emocional është e çiltër dhe e sinqertë, e përjetuar thellë dhe natyrshëm nga një shpirt i ndjeshëm lirik. Në rrafshin estetik është e krijuar nga një penë e talentuar, që reflekton shprehshmëri të vazhdueshme semantike pa përpjekje për estetizim e abstraksion të theksuar, si në strukturën ritmike edhe në atë figurative.
Jusuf Gërvalla është krijuesi që hulumton dhe artikulon modele krijuese që karakterizohen nga imazhet dhe përjetimet e drejtpërdrejta ndjesore të mjedisit ekzistencial, nga aroma e ngrohtësia e tij, dëshira dhe dashuria për ta pasur gjithnjë, nga malli dhe dhembja për të. Këtë prirje dhe vlerë artistike identifikuese e gjejmë tek një numër i madh i cikleve dhe i poezive të të dy vëllimeve të para, “Fluturojnë e bien” dhe “Kanjushë e verdhë” që bëjnë shenjat e veçanta poetike të një ambienti shqiptar, po pak a shumë edhe universal, si nëna, shtëpia dhe vendlindja, me të cilat njeriu gjithherë është i lidhur si individ dhe si qenie shoqërore. Autori, në këtë pikë identifikimi na del mjaft i përkryer në realizimin e plotnisë së tij jetësore dhe krijuese. Ndërsa në vëllimin e tretë poetik “Shenjat e shenjta” zëri i tij poetik pasurohet edhe me elemente të theksuara të lirikës personale, intime dhe të ironisë. Edhe sot tërësia poetike e vëllimeve me poezi të Jusuf Gërvallës vazhdon të krijojë dhe të zhvillojë një lidhshmëri të pashkëputshme të komunikimit me lexuesin. Ajo na shfaqet si një ligjërim poetik që ndjek natyrshëm linjën e një rrëfimi të urtë, të butë, të rrafshët, spontan e të paimponueshëm, të lidhur dhe të kondensuar mrekullisht. Ajo qëndron mbi fenomenin e dhembjes, mallit e të shqetësimit, si veçori kryesore të frymëzimit të poetit, që nuk shpërthen me tone revoltuese dhe alarmuese, jo pse nuk përjetohet thellë, por pse, përmes shqetësimeve ‘qetësuese’ ajo di ta rrisë intensitetin e brendshëm dhe të krijojë një harmoni estetike me mjete të qëlluara shprehëse. Dhe, sigurisht këta përbërës të lirikës së tij e bëjnë atë një zë të veçantë të poezisë së sotme shqipe.
2. Romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës, i shkruar dhe i përfunduar për të gjallë të tij, por i botuar vetëm pas vrasjes (1983), paraqet një zhanër shkrimi që sjell elemente të reja e origjinale në lëmin e poetikës së ligjërimit romanor. Ai reflekton prirjen dhe vizionin e autorit për të krijuar një strukturë të brendshme romanore krejtësisht individuale, si formësim modern artistik: me mënyrën dhe organizimin e rrëfimit, me rolin e rrëfyesit, me procedimin e ligjërimit, me pasurinë gjuhësore dhe me prezencën e elementeve etnografike, të cilat ndërtohen prapë mbi gjuhën e mjedisit. Ai sjell një sistem shenjash, ku rrafshi i gjuhës së rrëfimit aludues përligjëson strukturën e ndërtimit të brendshëm kuptimor (të ndërtimit të temës, të ideve, të ngjarjeve, të shprehshmërisë, të veprimeve të personazheve dhe të vetë fatit të heroit), si dhe formën e ligjërimit (të ndërtimit të një sistemi të veçantë të komunikimit artistik), ku shenja (të folurit figurativ popullor ose me rrotulla, siç thuhet në Rrafshin e Dukagjinit), ngrihet në strukturë letrare të shkrimit, në botën krijuese të Jusuf Gërvallës. Përmes një fabule të thjeshtë, si në përrallën popullore kodifikohen nyjat e rrëfimit të ngjarjes, rreth të cilave zënë e thuren ndodhitë njëra pas tjetrës, shtresohen përmasat e zhvillimit të një mjedisi të caktuar jetësor dhe shpalosen fate, bëma, situata e gjendje të brendshme psikologjike të personazheve. Janë të rralla prozat romanore të letërsisë bashkëkohore shqipe, madje edhe ato që studiuesit sot i klasifikojnë si moderne a postmoderne, në të cilat janë ndërtuar raporte të tilla të ndërlikuara si në romanin “Rrotull”, ku personazhi kryesor Keta dhe përfytyrimi real apo mitologjik për të, kulti i fjalës, fjala e dhënë dhe fjala e thënë, fjala dhe togfjalëshi, frazeologjizmat dhe të menduarit kolektiv, paradigma e titullit të veprës dhe koncepti i ndërtimit motivues e përmbajtësor i saj, janë në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin e ngjarjeve dhe të kompozicionit të romanit. Në këtë mënyrë Jusuf Gërvalla e ka pasuruar letërsinë bashkëkohore shqipe jo vetëm me prozën etnografike, e cila në të vërtetë nuk i ka munguar, por edhe me stilin etnografik të ligjërimit të saj. Kështu, ai e ndërlidhi më së miri ligjërimin gojor të të folurit me stilin shkrimor të prozës shqipe.
3. Drama “Procesi” e Jusuf Gërvallës është vepra e fundit, e shkruar në rrethana të veçanta historike e jetësore dhe intelektuale e politike të tij. Ajo përbën një tërësi personazhesh tipike të ndërtuara për qëllime pragmatike dhe artikulon një ngjarje konkrete të ndodhur atyre ditëve në Kosovë, si proceset politike pothuajse të përditshme kundër shqiptarëve që kryheshin në ish-Jugosllavi. Kjo dramë mbështetet kryesisht në një fakt: në veprimtarinë e Lëvizjes ilegale të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe mbi një reagim historik të kujtesës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për çlirim jo vetëm kombëtar. Pra, një tekst i realizuar mbi modelin e trakteve dhe pamfleteve politike të kohës. Më në fund, kjo është dramë e shkruar pikërisht për këtë qëllim. Veçantia e saj, lidhet me faktin se, dramën e ka shkruar një shkrimtar me vizion dhe me rezultate të arrira në fushë të letërsisë, i cili deri atëherë e kishte mbajtur të ndarë pikëpamjen politike të tij me konceptin për krijimin letrar. Ndonëse është marrë edhe me politikë edhe me letërsi në të njëjtën kohë, Jusuf Gërvalla ato i ka parë brenda kufijve të tyre autonom.
VI. Përfundim
Jusuf Gërvalla përfaqëson individualitetin pasionant të krijuesit klasik, që arrin të realizojë dhe të ndërtojë simbiozë të suksesshme në mes të letërsisë e politikës, shoqërisë e artit përgjithësisht, veprimtarisë atdhetare e krijimtarisë artistike dhe në mes të idealeve, shpesh edhe iluministe e të esencave estetike. Ai, si pak të tjerë, la modelin origjinal të realizimit dhe të pranisë së tij në fusha të veçanta të dijes krijuese dhe vepruese. U shënjua si poet, prozator, publicist, gazetar, muzikant, përkthyes dhe veprimtar militant për lirinë e Kosovës e bashkimin kombëtar. Secili dimension krijues e veprues i ka esencat e veçanta e afirmative të tij.
Në këtë rrjedhë, Jusuf Gërvalla ishte intelektuali që ka lënë gjurmë individualiteti në fusha të shumta të artit. Ai ishte krijuesi i talentuar letrar, publicisti i shkëlqyer, përkthyesi i përkryer, kompozitori e artisti i pasionuar, të cilit, fati historik, për të krijuar plotninë e lirisë, ia ndërpreu veprimtarinë e tij letrare dhe artistike. Ai, me talentin dhe aftësitë e tij, ishte intelektuali i shquar dhe figura poliedrike e viteve ’70. Ai, sot, është krijuesi që u rri pranë shkrimtarëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, ai është shkrimtari pa të cilin nuk mund të botohet antologjia e poezisë së kësaj periudhe.
Jusuf Gërvalla është figurë e rëndësishme e Lëvizjes politike kombëtare, pa të cilin nuk mund të ndërtohet sinteza programore e Lëvizjes Kombëtare të shekullit XX. Ai është njëri prej heronjve të rënë bashkë me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, të gjysmës së dytë të shekullit XX, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e re e popullit shqiptar.
Lavdia e tyre e ka lëvizur ndërgjegjen tonë dhe, duke e lëvizur ndërgjegjen, do të thoshte Profesor Qosja, e ka lëvizur historinë tonë, por tragjedia e tyre ndërkaq, e ndodhur në zemër të Europës, e ka lëvizur edhe ndërgjegjen ndërkombëtare.
Gjilan, më 17 janar 2022