Liridon Mulaj – Nisur nga përcaktimi i një shkrimtari mbi kritere profesionale apo moshore, mund të themi se shpesh ky përcaktim ka ndezur debate dhe diskutime për atë çka mund të quhet shkrimtar i ri apo shkrimtar i vjetër. Dhe teoritë e përcaktimit kanë qënë të ndryshme, herë mbi baza vetëvlersimi personal, herë mbi etiketime tendencioze apo herë herë prej mosdijes për të definuar saktë këtë “titull”.
Dikush shprehet se shkrimtar i ri quhesh për shkak të moshës, dikush tjetër e hedh poshtë krejtësisht këtë tezë duke saktësuar se është numri i veprave që vendos kufirin mes të riut dhe të vjetërit (gjithmonë në pozitën analoge të shkrimtarit jashtë njeriut), e dikush tjetër thotë që është cilësia e veprës që të jep përcaktimin e titullit. Jam nga ato shkrimtarë të cilët notojnë në këto ujëra të paqarta dhe shpesh e kam shpallur veten si shkrimtar në moshën e pubertetit, ende i parritur por as i ri fare. Përcaktimi që më bëri të analizoj më së shumti këtë dilemë ishte përkufizimi i Andreas Dushit (një shkrimtar fringo i ri për nga mosha por me tre vepra të pjekura mirë në qarkullim, çka e thellojnë hallin tonë), i cili thoshte se ‘moshën e shkrimtarit e përcakton inovacioni letrar i veprës që ai sjell, pra sa i ri është stili , subjekti dhe ajo çka ai sjell për lexuesin’. Teori e cila në parim dhe mund të kundërshtohet, por thellë – thellë e ka njëfarë vërtetësie.
Këtu lindi dhe dilema që pasoi me kontrapyetjen: Po një shkrimtar me një karrierë goxha të gjatë, e që na sjell një vepër krejt ndryshe nga të mëparshmet – qoftë nga opusi i tij, apo nga ai letrar i përgjithshëm i pas nëntëdhjetës – a mund të quhet i ri? E shtrova këtë pyetje jo pa qëllim, sepse në panairin e librit të mbajtur në muajin nëntor, shkrimtari Besnik Mustafaj erdhi për lexuesin me dy botime, me romanin “366 rrëfënja për të ndjellë gjumin” dhe vëllimin poetik “Gjuha amë” dhe duke qenë se këtë periudhë jam fokusuar tërësisht te proza, romanin e mora menjeherë dhe nisa ta lexoj. Që në faqet e para rrëfimi harpëron mes dy botëve, ku babai i kronikanit, i vdekur tashmë, vjen dhe i përshfaqet të birit në studion e tij të shkrimtarisë, duke e dyzuar në perceptimin e asaj që po ndodhte, pasi vetëm pak ditë më parë kishte qënë vetë i biri që e kishte mbuluar me dhė të atin në varreza. Një skenë kjo e cila krijon një lloj turbullimi mes realizmit magjik dhe surreales, por që shpejt rrëfimi nis e merr tjetër drejtim duke ndjekur më së shumti hullinë e surreales. Personazhi ynë, shkrimtari, është thirrur në detyrë nga kryeministri i vendit të shkruajë një kronikë mbi virusin COVID-19, i cili rrezikon shëndetin e popullatës. Këtu ngjarjet janë pothuajsë përshkrim i saktë i situatës së ndodhur në fillim dhe gjatë karantinës që u vendos në vendin tonë, por kjo ndodh vetëm në fraksione të pakta të cilat autori i vendos si udhërrëfyes i asaj çka do pasojë më vonë. Në lojën e personazheve, futen tre qenie krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, pa asnjë lidhje biologjike dhe fizike: patoku Dindan, maçoku Piko dhe djaloshi Kolec, të cilët formojnë grupin e dijetarëve me qëllimin e krijimit të një vepre që do të titullohet “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”.
Mbivendosja e situatave dhe shtresëzimi i subjektit janë elementët kryesorë të këtij romani, i perceptuar edhe si një histori që komunikon mes botëve dhe e shpalos këtë përballë lexuesit, duke ia zhbërë qenies njerëzore barrën e madhe të krekosjes dhe duke ia mveshur këtë “zotësi” personazheve të tjerë, siç janë kafshët. Duket si nevojë e kalimit me vetëdije në një realitet jo njerëzor, i cili të jep lirinë të krijosh dhe të luash me këto personazhe duke e shtrirë lirinë tënde mbi secilin, pa frikën e drojën e censurës që imponon pushteti. Shkrimtarit, të thirrur si kronikan, i kërkohet shërbimi ndaj pushtetit; kjo sjell dhe “dehumanizmin” e tij shpirtëror dhe ideologjik, duke qenë i vetëdijshëm se në lojë është liria e tij. Kërcënimet dhe fatkeqësia si justifikim për mohimin e lirisë, janë dilemat që mbështjellin fund e krye romanin, si një thirrje e nënkuptuar ndaj njerëzimit për reflektim dhe më pas veprim.
Liria është lajtmotivi e gjithashtu dhe “mesazhi” i veprës, që nuk arrin ta ndajë realitetin me ëndrrën pikërisht ndikuar nga liria thelbësore, atë që njeriu rrallë e gjen në realitet dhe që shpesh e kërkon në ëndrra. Duke guxuar ta etiketoj këtë roman si një alegori e ndërtuar qëllimisht në formën e një romani distopik, kuptoj se autori përtej subjektit ka dashur të implementojë dhe stilin thellësisht postmodern duke ndërthurur lloje të ndryshme teksti nga letrat dhe përrallat e përshtatura, e deri te procesverbalet të cilat shkrihen qartësisht me rrëfimin që rrjedh me një estetikë të lartë. Erudicioni është një tjetër element i cili i jep veprës formën e një romani magjik, që e tejkalon forcën parësore të një rrëfimi të thjeshtë. Besoj, kjo e bën lexuesin të impenjohet si në një ekuacion, ku të panjohurat zbulohen ngadalë. Dhe në këtë kontekst, romani “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” është një vepër e re në letërsinë shqipe, si nga struktura e ndërtimit të saj, po ashtu dhe nga stili me të cilin shkrimtari Besnik Mustafaj ka vendosur ta shkruajë.
Dhe duke iu rikthyer sërish “hallit” tonë të kreut të shkrimit, për etiketimin e shkrimtarit të ri apo të vjetër mbi kritere të ndryshme dhe krejt të kundërta me njëra-tjetrën, dua të qëndroj veçanarisht te përcaktimi i Andreasit, i cili me bindje e tha se shkrimtar i ri është ai që sjell në letërsinë shqipe diçka të re. Pra sipas teorisë së Andreasit me të cilën pajtohem, sërish guxoj të bëj një përmbledhje frazash dhe opinionesh duke i përmbledhur në një pohim të vetëm: shkrimtari me përvojë, Besnik Mustafaj, ka riformatuar vetveten duke na sjellë një vepër të rrallë dhe krejtësisht të re, e cila jo vetëm rinon dhe shpall shkrimtarin Mustafaj si inovator në letërsinë e tij, por i jep të njëjtin efekt edhe letërsisë shqipe duke e ngritur atë në një tjetër stad, qoftë në nivel shkrimtarësh apo lexuesish.