Në historiografinë shqiptare po i kushtohet gjithnjë e më shumë kujdes studimit të së kaluarës së qyteteve dhe rrethinave të tyre. Tetova dhe Gostivari me rrethinë, kanë qenë një ndër qendrat më të rëndësishme të lëvizjes gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nuk është studiuar deri më sot si temë e veçantë, ia kushtuam këtë monografi historike Halim bej Derallës për ngjarjet politike e ushtarake. Monografia mbështetet në burime dokumentare të arkivave të ndryshme dhe arritjet e deritanishme shkencore, e cila synon të plotësojë dhe të zgjerojë njohuritë mbi historinë politike të Pollogut në përgjithësi dhe rolin e saj të veçantë në këtë periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Studimi mund të paraqesë një kontribut dhe ndihmesë për të hartuar në të ardhmen një monografi të plotë për historinë e gjithmbarshme të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore, e cila padyshim do të ishte një vepër me rëndësi të madhe në jetën shkencore të këtij populli.
Monografia është fryt i një pune të gjatë hulumtuese. Ajo është hartuar në mbështetje të një metodologjie bashkëkohore në punën kërkimore-shkencore. Për hartimin e saj është punuar në dy drejtime themelore: së pari, është mbledhur çdo fakt i vlefshëm, që ka të bëjë me begatimin e historisë së trevës së Pollogut për periudhën që është objekt trajtimi, së dyti, të dhënat dokumentare janë seleksionuar, shoshitur, krahasuar dhe sistemuar në bazë të një metodologjie shkencore sipas parimit kronologjik dhe, sipas rëndësisë së tyre, duke dëshiruar të përfshihet në këtë monografi një tablo sa më e plotë për këtë trevë.
Vitet 1908-1913 përbëjnë fazën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga më të rëndësishmet e saj, kur zhvillohen ngjarje vendimtare të historisë së popullit shqiptar. Janë vite të një periudhe të re cilësore, kur shqiptarët, me kontributin e tyre, hapën rrugën për një zhvillim politiko-kulturor legal dhe kushtetues dhe kur rikthimi i forcave politike xhonturke në regjimin e vjetër, në një despotizëm të ri të tipit sulltanist, i detyroi shqiptarët të hidhen përsëri në rrugën e luftës së armatosur për të drejtat e tyre kombëtare. Kryengritjet e viteve 1910-1912 janë ngjarje madhore të kësaj periudhe dhe pika kulmore e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që i hapën rrugën Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimit të shtetit kombëtar shqiptar, megjithëse me kufij të cunguar rëndë. Lëvizja Kombëtare Shqiptare gjatë periudhës në trajtim, nuk iu shmang ndikimit të fuqishëm të faktorit të jashtëm, që u shfaq me tërë brutalitetin e tij në shpërthimin e Luftës Ballkanike dhe në pushtimin e territoreve shqiptare, që u miratua edhe nga Fuqitë e Mëdha me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të viteve 1912-1913, duke u përforcua kështu me një akt ndërkombëtar copëtimi i territoreve etnike shqiptare.
Këto aspekte të lëvizjes kombëtare të kësaj periudhe i gjejmë të pasqyruara në historinë e të gjitha viseve shqiptare, rrjedhimisht edhe në atë të trevës së Pollogut, që përbën objektin e këtij studimi. vepra e Halim bej Derallës ka për qëllim të hedh dritë në mënyrën më analitike e më të plotë në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kësaj treve, aq të ngjeshur me ngjarje të rëndësishme derin në vitet 19131. Në punim janë përfshirë ngjarjet e Lëvizjes kombëtare në viset me popullsi shqiptare të kësaj treve dhe të shtetit Shqiptar.
Ndonëse ngjarjet trajtohen në kuadrin e një treve të vetme shqiptare, ato shihen, jo si ndodhi të veçanta e të izoluara politike, por si pjesë e atij procesi të përgjithshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që përfshiu të gjitha viset shqiptare. Pollogut paraqitet si shembull i përmasave mbarëkombëtare të lëvizjes shqiptare, jo vetëm për shkak të shtrirjes së saj në këto vise, por, sikurse rezulton nga të dhënat e parashtruara në këtë punim, edhe pse në këtë krahinë të gjerë shqiptare u shfaqën para dhe në këtë periudhë kohore, dukuritë më të rëndësishme të lëvizjes së përgjithshme shqiptare për liri, pavarësi dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Atdheut. Ndaj, Historia politike e kësaj treve, para dhe në këtë etapë të fundit të Rilindjes, të Luftërave ballkanike, Luftës së pare Botërore deri ne vitin 19131, është parë si pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi.
Në kapitujt e këtij punimi trajtohen aspekte të ndryshme të lëvizjes shqiptare, duke filluar nga ato politike, diplomatike, ushtarake dhe kulturore, që ishin karakteristike për atë etapë të lëvizjes kombëtare, e deri tek kryengritjet e armatosura siç ishte ajo e vitit 1910, vatra e së cilës ishte në vilajetin e Kosovës, e që u shtri në trevat lindore dhe në Pollog, kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, ngjarjet vendimtare të së cilës u zhvilluan edhe në këtë anë. Pollogut dhe popullsia e saj shqiptare mbajtën gjithashtu barrën më të rëndë në periudhën e parë të Luftës Ballkanike, të shpërthyer nga shtetet fqinje dhe të drejtuar kundër tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Meqë ky punim ka si objekt Halim bej Derallën në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në një trevë ku kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të kombësive të tjera sllave, si serbë, bullgarë e maqedonë, e kemi parë të arsyeshme të japim një kapitull hyrës, një përshkrim fiziko-gjeografik dhe historiko-demografik të kësaj treve. Ky përshkrim dhe sidomos aspektet e tij etnike janë më të nevojshme për shqiptarët e kësaj treve.
Punimi është hartuar duke u mbështetur në arritjet e historiografisë shqiptare për periudhën e Rilindjes Kombëtare në tërësi dhe për atë të viteve 1878-1913 në veçanti. Ndonëse deri më sot nuk ka pasur një trajtesë historike, që t’i kushtohej vetëm kësaj treve, ngjarjet më të rëndësishme të saj, në vitet 1908-1920, janë theksuar qoftë edhe në mënyrë të përgjithësuar në punimet kushtuar historisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe të atyre viteve në veçanti. Kështu, në botime të tilla siç janë “Historia e Shqipërisë” (Vëllimi II, Tiranë, 1984), punimet e prof. dr. Zekirja Canës, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908-1912”, Prishtinë, 1979, “Politika e qeverisë serbe ndaj Lëvizjes Kombëtare shqiptare 1908-1912” (në studime historike, 1979, nr. 3), Shpalime Historike, Prishtinë , 1982) etj., në punimet e prof. dr. Shukri Rahimit, “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912” (Prishtinë, 1969), “Lufta e shqiptarëve për autonomi 1878-1912”(Prishtinë, 1978),”Kryengritjet shqiptare në Kosovë 1909-1912” (në ‘Kosova”, Prishtinë 1972) etj., si dhe Punimi i Prof. dr. Kristaq Priftit, “Lidhja Shqiptare e Pejës Lëvizja Kombëtare 1896 1900” janë trajtuar, në kuadrin e vilajetit, edhe ngjarjet e lidhura me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në trevën e Pollogut. Kësaj periudhe të historisë së popullit shqiptar në tërësi i kushtohet edhe punimi i prof. dr. Hysni Myzyrit me titull “Arsimi Kombëtar Shqiptar”, Prishtinë 1996. Të gjitha këto punime kanë shërbyer si orientim dhe pikë referimi për trajtimin e figurës së Memet Pashë Derallës në historinë politike të trevës së Pollogut. Në trajtimin e përbërjes etnike të popullatës së kësaj treve, jemi mbështetur në studimet e prof.dr. Kristaq Priftit, prof. dr. Skender Rizës, të botuara në librin: “Shpërnguljet e shqiptarëve gjatë shekujve”, Prishtinë, 1992.
Në punim janë shfrytëzuar gjithashtu një varg punimesh monografike dhe artikujsh shkencor, botuar në “studime historike”, Tiranë, ‘Gjurmime albanologjike”, Prishtinë etj., të historianëve e studiuesve shqiptarë, kushtuar problemeve të historisë së viteve 1908-1912, si ato të prof. dr. Skender Rizës, Shaban Demirajt, Kristaq Priftit, Hysni Myzyrit, Gazmend Shpuzës, Niko Kolecit, Ramiz Abdylit, Emin Pllanës, Muhamet Pirakut, Xheladin Shalës, Sedulla Brestovcit etj. Këtu është fjala për ato punime, të cilat i kemi cituar në punimin tonë dhe që u kushtohen drejtpërsëdrejti ngjarjeve të lidhura me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ose që sjellin të dhëna për historinë e trevës së Pollogut. Gjithashtu, kemi shfrytëzuar shumë shkrime historike, të cilat edhe pse kanë qenë botuar në shtypin periodik, hedhin dritë mbi ngjarjet dhe personalitetet historike të trevës së Pollogut.
Janë konsultuar edhe një varg punimesh të autorëve serbë e maqedonas, sidomos ato që u kushtohen aspekteve fiziko gjeografike të kësaj treve, siç janë studimet e dr. Jovan Haxhivasiljeviçit, të dr. Jovan Trifunovskit, J. Cvijiçit, A. Urosheviçit, Kiril Pejçinoviqit, të Gjorçe Petrovit-Toskov etj. Duke vlerësuar përshkrimet fiziko-gjeografike për këtë trevë, në punim është mbajtur një qëndrim kritik ndaj pikëpamjeve të gabuara dhe antishqiptare të këtyre autorëve, që orvaten të mohojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre amtare, në të cilat jetojnë prej shekujsh si pasardhës të popullsisë së lashtë ilire. Po ashtu, nga autorët sllavë është konsultuar edhe punimi i B. Hrabakut “Kryengritja shqiptare e vitit 1912” (në Vranjski glasnik, XI, 1975), në të cilin jepet një informacion i gjerë për këtë kryengritje, sado që jepet në mënyrë të pa sistemuar. Por, nuk mundë të mos konstatojmë se B. Hrabak i kushton një vend tepër të madh mos marrëveshjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe jo pa qëllim i fryn ato dhe nuk bën fare fjalë për politikën antishqiptare dhe shoviniste të Serbisë dhe Malit të Zi gjatë zhvillimit të kryengritjes dhe në ditët e përgatitjes së Luftës Ballkanike.
Punimi është mbështetur gjithashtu në burimet dokumentare. Përveç disa botimeve dokumentare, janë konsultuar edhe fondet e Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu janë shfrytëzuar fondet e Arkivit të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, fondet e Arkivit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, që ruhen në formën e fotokopjeve në Arkivin e Kosovës dhe në atë të Institutit të Historisë në Tiranë, ato të Arkivit Qendror Historik të Bullgarisë, të Arkivit të Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, të arkivave franceze, të Ministrisë së Jashtme dhe të atij Nacional etj., që ruhen si fotokopje po në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë.
Me gjithë informacionin e gjerë që sjellin këto dokumente të arkivave të Austro-Hungarisë, të Francës, të Bullgarisë dhe të Serbisë, nuk përjashtohen edhe vlerësimet subjektive në disa nga këto burime arkivore. Prandaj, për të bërë një vlerësim sa më real të proceseve historike, të dhënat e këtyre arkivave i kemi përdorur duke krahasuar me burimet e prejardhjeve të tjera .
Gjithashtu, është shfrytëzuar gjerësisht shtypi shqiptar dhe i huaj i kohës, për vitet 1908-1912. Shtypi është përdor si një burim historik me interes për trajtimin e ngjarjeve të trevës së Pollogut dhe në veçanti për figurën më emblematike M.P. Derallën. Por, organet e shtypit patriotik shqiptar kanë shërbyer edhe si burim për njohjen dhe studimin e mendimit politik të personaliteteve shqiptare të asaj kohe. Shtypi është trajtuar gjithashtu si dëshmi e shkallës së zhvillimit të kulturës shqiptare dhe të përpjekjeve për lëvrimin e saj
Jemi përpjekur që punimin tonë “Halim Deralla” të cilën e paraqesim si një periudhë kohore 1908-1931 ta paraqesim si problem analitik dhe shkencor, por me vetëdije të plotë se në zgjidhjen e plotë të problemit në fjalë mbetet hapësirë ku mund të marrin pjesë me punimet e tyre edhe shkencëtarë të tjerë.
Me këtë rast ndjej obligim moral e njerëzor të shpreh respektin për familjen time dhe mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë ata të cilët më ofruan ndihmë për ta nisur e përfunduar me sukses këtë libër me peshë shkencore.
Monografia “Halim Deralla” është e para e këtij lloji për periudhën e Rilindjes deri ne vitet 1931, e cila mund të ketë lëshime eventuale, prandaj studiuesve e lexuesve do t’u jam mirënjohës për vërejtje a sugjerim qëllimmirë që do të kontribuonte në ndriçimin e çështjeve të shtruara në këtë libër me rastin e ribotimit eventual. Autori