Ndriçim Kulla – Me rrëzimin e Murit të Berlinit, “koracata” e dikurshme komuniste, sidomos ajo e Europës Lindore, u transformua befas në një anije fantazmë, ndjellëse makthesh e tragjedish, e dezertuar nga ekuipazhi dhe pasagjerët, ndërkohë që ishte pikërisht ajo barka e madhe reformiste ajo që u paraqit si i vetmi mjet shpëtimi, pas të cilit nisin të kapen me thonj e të ngjiten në bord të gjithë post-komunistët e viteve të para. Ky ishte dhe skenari mbizotërues i së majtës shqiptare në vitet e para të demokracisë.
Për fat të keq, në historinë e saj, më të shpejtët a më të shkathëtit, që arritën të hipnin në bord (shumica post-komuniste), qenë ata që pushtuan të gjitha postet kryesore, ndërsa ata pak autentikët, të ndershmit dhe besnikët e markës sociale, që duhet të kish gjithmonë reformizmi, u lanë të strehoheshin nëpër disa varka të vogla e vetmitare, për të përballuar detin plot furtunë të transformimeve të mëdha, mes aq shumë rreziqesh e dyshimesh të qenësishme. Pse , a nuk ndodhi qartësisht kështu, rreth tre dekada më parë, me partinë më të madhe shqiptare të asaj kohe, Partinë komuniste, që në një kongres formal, sa hap e mbyll sytë, ndryshoi emrin duke u quajtur Partia Socialiste, e duke vendosur të kish ndryshuar dhe përmbajtjen, kur në të vërtetë nuk kishim të bënim aspak me një ndryshim domethënës. Faktet dhe tradita e pas tre dekadave po tregojnë se e gjitha kjo ishte një nominalizëm (thjesht ndryshim emri) dhe jo një ndryshim i fortë identiteti që të bazohet në atë që në gjuhën popullore quhet “ndryshim lëkure”.
Refuzimi për t’u quajtur komunistë, në emër të reformizmit e tani dhe progresizmit, shënoi fillimin e atij shtrembërimi të madh e të pakorrigjueshëm, deri më sot, që arrin t’i barazojë këto forca e kuptime, kur ato ende s’kanë kryer as edhe një lëvizje vlerash, idesh, metodash e praktikash, që të mbështesin me platforma politike dhe shoqërore këtë ndryshim në thelb dhe domethënie.
Burimi: https://www.facebook.com/nkulla