JOSIF PAPAGJONI – Besnik Mustafaj solli këto kohë një tjetër libër, jo roman por tri novela të përmbledhura nën titullin “Historia si një mushkë”. Të tria i bashkon veçse koha, e shkuara, sepse janë të ndryshme. Ndoshta i bashkon dhe një farë kureshtjeje, që vjen prej zërash dhe aromash të hershme, prej trungjeve të heshtura narratologjike, thuajse të kalbura, të letërsisë orale; prej “pyllit” të gojëdhënave, legjendave në zgripet e kujtesës, gjer dhe te vizllimet cazë të mugëta të mitit. Ç’është e veçantë në mënyrën e të rrëfyerit të Mustafajt? Ai e shfrytëzon ngjarjen fundore, atë që mund ta quajmë “pikën e zgjidhjes” a, ndoshta, “klimaksin” vetëm si një pretekst, për të përshkruar thelbësisht ndoca zakone, situata, karaktere të mëvetësishme, përjetime personazhesh që janë, në të vërtetë, kryesoret. Brumi. Përgjithësisht ai flet për një ngjarje të ndodhur diku-dikur: një rrëfim i thukët, një legjendë a diç e turbullt, e ankthshme, që ka mbetur mbamendjes kolektive si frikë, si makth, si diçka e “pazakontë”, dhe e zhvendos atë në fund të novelës, për të përshkruar tanimë ca zakone e doke, që rivijnë përmes jetësimeve të historive tipike të kohës. Doemos është një teknikë e njohur narrative, por e shfrytëzuar me “marifet”. Dhe kjo është e para gjë që më ka mbresuar gjatë leximit.
Pra, ani pse shkrimtari ngucet nga diçka e thukët që ka lënë vragë të thellë në kujtesën e njerëzve, në të vërtetë shqetësimi i tij është për të dhënë copëra antropologjie e zakonesh të ngulitura thellë ne meset e malësorëve të Veriut, duke i përshkruar ato me një stil në dukje si të ftohtë, të paanshëm, por në fakt me një dramacitet të brendshëm. Ti ndjehesh si i zënë në kurth. Të jepet një e dhënë e beftë se diçka e tmerrshme ka ndodhur, dhe ti pret ta zbulosh sa më parë atë. Veçse, ajo vjen vonë. Pret e pret dhe e vërteta e tmerrshme në një a dy faqe shfaqet e menjëhershme në fund, si një ndriçim i beftë. Uauuuu!!!… E mendoje se diç e tillë do të ishte, por dhe mund të mos ishte! Befasia, në këtë rast, është element parësor kompozimi e zgjidhjeje. Lidhur me këtë mënyrë të rrëfyeri, mund të thuhet se Besnik Mustafaj krijon vërtet një trysni të fortë fillim-mbarim, duke qenë një zotërues i aftë i suspansit. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, ai e rigjeneron ndodhinë, e dimensionon, e hedh në kohë, e përmason duke e abstraguar. Dhe prandaj mendja e lexuesit vetëm sa ngacmohet nga ajo çka ngjet në novelat, për të rrugëtuar vetë në hamendësime e paralele ideore, tashmë me natyrë universale, që bëjnë zbulesa dramatike e tragjike të qenësisë historike të kombit, ndër to edhe të disa mangësive që vijojnë të manifestohen edhe sot.
Novela “Historia si një mushkë” është e gjitha një alegori. Sipas meje ajo shfaqet më e identifikuar, në mënyrën se si regjimi komunist apo, ndoshta, gjithë regjimet totalitare veprojnë brenda vetes, se si hidhet fara e dyshimit dhe e vetëshkatërrimit, se si krijohen histeritë kolektive dhe mbahet djallëzisht pushteti. Në siluetën lëvizëse të rrëfenjës dallova pikërisht tharmin shprishës që gatuan mendësinë kolektive të dyshimit, mashtrimit, iluzionit, akuzës dhe dhunës; se si fabrikohet “armiku” brenda nesh. Novela niset nga një, le ta quajmë përrallë a rrëfenjë e vjetër në fillimet e pushtimit turk, por duke u modifikuar dhe përshtatur gjegjësisht një ideje sunduese, e cila na shpie pikërisht te ajo çka thashë më sipër: dyshimi për tjetrin, hedhja e farës së përçarjes, mosbesimit, armiqësisë. Po kush e hodhi farën e përçarjes: pushtuesi i huaj, feja e ardhur apo vetë ne, dasia jonë me njëri-tjetrin, përqafimi i një gënjeshtre?! Diku në një fshat malor bujt dikur një i çmendur a budalla, i cili e shpall veten Profet. Bota krejt është populluar në rrjedhën e historisë me kësi profetësh. Religjionet janë të mbushura me të tillët. Mendësitë kolektive prodhojnë profetët e tyre si shpresa të fshehta, të humbura a si vetëfajësime. Ca më shumë me “profetë” të tillë është e mbushur historia e lëvizjeve sociale, “ishujt utopikë të barazisë e lumturisë”, ideologjitë që ngrihen mbi parimet “profetike”, ku gjithçka premtohet por asgjë nuk garantohet; individë të shquar që dominojnë turmat dhe i kreshpërojnë ato në shtigje luftërash, urrejtjesh dhe vetëshkatërrimesh, brendas vetes (revolucionet) apo me të tjerët (luftërat për pushtime territoresh, gllabërime etnish, kombesh). Këta “profetë të rremë”, që turmat u besojnë, lënë pas një shtjellë pluhuri, ku gjithçka mbetet e paqartë, e diskutueshme, e dyshimtë, duke nxitur dasitë, moskuptimet, konfliktet. E pra edhe ky Profeti, ardhur në një fshat malor, u kumton malësorëve se ai zotëron të vërtetën dhe të ardhmen e tyre. Ata e dëbojnë dhe e godasin me gurë, siç u ka ndodhur jo pak profetëve, që janë quajtur madje të çmendur, të “pakuptueshëm dhe të padëshirueshëm në fshatin e tyre”. Por më pas, nga pamundësia, shpresa dhe pendesa kolektive, ata pranohen, kërkohen, glorifikohen. Dhe kur nuk gjenden më, sepse kanë ikur a kanë vdekur, porositë dhe fjalët e tyre rikujtohen, hyjnizohen. Gjithçka kthehet përmbys. Kështu ngjet edhe me historinë e Profetit të atij fshati malor. Njerëzit nisin të ndëshkojnë atë që hodhi gurin e “parë” mbi trupin e tij, pastaj të “tretin”, e si i vrasin prapë nuk gjejnë paqe. Sherri është futur tashmë mes tyre. Më në fund përpiqen të gjejnë si shkaktar të “dytin” që lëshoi gurin e “fshehtë”, i cili konotohet si “guri i lig” i përçarjes. Por cili na qenka ky i “dyti”? Qenka fjala, tinëzia, ndjellakeqja. Kjo është përralla që plaku ia tregon të riut, teksa të dy po kapërcejnë një mal. S’do mend se përtej përrallës struket një e vërtetë substanciale, gjithëkohore dhe me kuptime të hapura për njeriun dhe shoqërinë tonë. Pse jemi kaq të përçarë, xhanëm?! Pse nuk e gjejmë dot të vërtetën tonë? Pse sherrnaja vazhdon?
Një i tillë profet si te nevola ka qenë për ne, shqiptarët, Marksi dhe ideologjia komuniste. Por ca më afër shëmbëlltyrës së tij ishte posaçërisht Enver Hoxha dhe përçarja që ai mbolli. Një përçarje e futur thellë shpirtrave të shqetësuar dhe dyshues të njerëzve nga pamundësia për t’u mbrojtur. Brenda kësaj rrëfenjë unë pashë mënyrën se si funksiononte tek ne, në periudhën komuniste, spiunimi i tjetrit, për ta identifikuar si “armik”, për ta treguar me gisht, për të mbjellë farën e dyshimit mes “të gjithëve kundër të gjithëve”, duke e kërkuar të keqen dhe dështimin diku jashtë. Por kjo ide nuk është përjashtimisht e lidhur me regjimin komunist në Shqipëri. Ajo shkon më përtej, në çdo sistem të mbyllur totalitar, ku tinëzia kthehet në parim mbijetese, ide kjo e shprehur më së shumti në fund të tregimit në dialogun e supozuar mes Sulltanit, Vezirit të Madh dhe Profetit. Dreqi në bark, thotë populli. Dreqi paska hyrë në shpirtin e njerëzve, të krejt shoqërisë, e cila është demonizuar pa qenë e aftë të gjejë shkaktarin. Por shkaktari është pikërisht mendimi i mbrapsht që u prin njerëzve, janë ideologjitë, religjionet a vetëdijet antihumane, autoritariste e diktatoriale, është pjesa e të ligës, e të shëmtuarës, e destruktives. Pra, në termat popullorë folklorikë, është Djalli. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe pas vitit 1990 në vendin tonë me të ashtuquajturin “tranzicion”, ku parimet demokratike u keqkuptuan dhe lufta brenda llojit, dyshimet, përçarjet, pushteti i Njëshit, ndëshkimet, veçse janë përsëritur në një formë tjetër. Turmat e demonizuara bëhen vetëshkatërruese, humbasin arsyen dhe e kërkojnë shkaktarin, pra “armikun” te tjetri. Jo sentenca e njohur e Krishtit “duaje tjetrin si veten”, por e kundërta e saj shndërrohet në premisën e urrejtjes për tjetrin, e dyshimit, e përjashtimit, e ndëshkimit. A s’ka ndodhur kështu aq e aq herë me pushtetin, partitë, militantët e verbër, gjer edhe me njësitë sociale, ndër ne? Dhe jo vetëm ndër ne. Pikërisht ngritja e tregimit në nivelin e metaforës dhe simbolit, e lartëson atë.
Novela e dytë e librit, “Fundi si vrimë e zezë”, është një përzierje tragjike-satirike, sa dhe një demitizim a deheroizim i një kinse balade (që ka formën e një balade epike e heroike, por që përfundon në diçka të pavlerë, idioteske, madje të përzishme, sikundër edhe titulli e bart këtë domethënie). Ka ndodhë një vrasje e pazakonte. Fadil Beka, një malësor trim e krenar, prijës i krahinës, njeriu që lufton për të mbrojtur trojet dhe lirinë, qenka vrarë. Si është vrarë? Kush e ka vrarë këtë njeri të famshëm, që populli e ka kthyer në legjendë të gjallë? Nuk qenka vrarë nga një plumb, pra në betejë, por nga diçka e pazakontë. Kjo pyetje rri pezull në familjen e heroit, por edhe në mendjet e turbullta të dy vetëve, që do t’ia këndonin bëmat në ceremoninë e mortit e të fitonin lavdinë, vajtoca Shahe Neziri dhe këngëtari ri Mus Biba, të cilët ishin nisur sakaq në shtëpinë e të vdekurit. E para është tradita rituale shqiptare, e hershme sa vetë historia e këtij kombi, zanafilla arkaike e këngëtimit të mortit: VAJI. I dyti është tradita më e vonshme, disi më e moderuar, tashmë në format e përpunuara folklorike: KËNGA EPIKE. Paçka se të dy nuk takohen, mes tyre ka një rivalitet të supozuar: Kush do t’ia thur më bukur bëmat heroit, kush do ta këndoj më mallëngjyeshëm vrasjen e tij? Dhe duke ecur mes dyshimesh e në gropa hamendjesh të vajtocës dhe këngëtarit, në dy rrugëtimet e tyre të mbushura me përsiatje, lexuesi mbahet ngrehur se çfarë është Fadil Beka: një hero apo një mjeran? E gjithë kjo parashtresë i shërben autorit për t’u hapur në subjekt duke krijuar fatumin e disa personazheve, familjeve, linjave narrative, të pleksura këto me një epim ngjitjeje të subjektit drejt një suspansi që krijon trysni psikologjike te lexuesi. Ndonëse, sipas meje, shtrirja është më e madhe nga ç’duhet drejt fundit, sidoqoftë rrëfimi e ruan nderjen. Më në fund e vërteta del në shesh. Fadil Beka është vrarë nga një djalë disi i vonuar, por punëtor dhe i dashur, Seladin Beqiri, që pritej të martohej së shpejti; është vrarë kot më kot, për një gjest të pamenduar, madje cinik, gjatë një këmbimi udhe: heroi me kalë dhe i kapardisur, djaloshi me 7 gomarë dhe i hutuar nga lodhja dhe përgjumja. Dhe kur ky i fundit kupton fyerjen që heroi i pat bërë duke e quajtur “gomar”, e vret pa një pa dy me një gur mu në ballë, duke ia çarë kafkën. Dhe qysh në këtë moment novella ka një përmbysje. Heroi nuk na qenka më një i atillë, i njohur në gjithë ato anë. Atij i mungon fisnikëria. Madje është tejet shpotitës dhe kapadai. Sakaq ai nuk vdes me plumb në luftë me armiqtë dhe në mbrojtje të krahinës e popullit të vet si një hero. Përkundrazi, vdes nga një gurë në çaçkë të kokës, pra një vdekje tashmë “qesharake”, “banale”, ku gjithë merita, trimëria dhe krenarie prej trimi bien pingulthi kokëposhtë. Për pasojë, bie edhe premisa për t’i thurur një këngë trimërie apo për ta qarë me “gjamë”, logori e vaje vajtocash. Pikërisht në këtë rrafsh semantik, vetë rrëfimi fiton brendi e konotacione të theksuara humaniste, falë procesit deheroizues të Fadil Bekës. Sepse një trim a hero duhet të jetë më së pari NJERI.
Novela e tretë quhet “Ura si vendi i punëve të dreqit”. Si dhe tek novela pararendëse “Fundi si vrimë e zezë”, mbyllja e rrëfimit, që sjell edhe krejt kuptimin, vjen si një dritë e fortë, thuajse hutuese. Në se tek e para fundi është tejet shpjegues dhe domethënës në kuptim dhe në mesazh, tek e dyta ai vishet me një copë mjegulle të errët, që në thelb rezulton si situatë absurde: ia plas një betejë e vriten njerëz midis dy karvanëve me krushq, në dy dasma, se cila palë do ta kalonte e para urën e vetme e të ngushtë: ne apo ju?! Dhe këtu të kujtohet ajo fabula e njohur e dy dhive mbi një urë të ngushtë, që nuk i hapnin rrugën shoqja-shoqes dhe duke u ndeshur, ranë që të dyja në lumë. Po çështë kjo krenari idiote, “unë apo ti”, që sjell tragjedi, vrasje, krim, kur me një ujdi fjale e shpirt-mirësie konflikti mes dy njerëzve, dy familjave a dy fshatrave mund të tejkalohet falë arsyes dhe respektit. Por jo, psikologjia e të parit, e më të fortit, e shoqëruar nga verbëria, intoleranca dhe mungesa e arsyes i çon njerëzit drejt akteve ekstreme, përgjakjes. Me sa duket, kjo veti e krenarive të verbra që sjellin vdekje, prishje, shkatërrime, pjesa e kalbur e zakoneve tona, e historisë sonë, ndoshta dhe e genit tonë, na ka shoqëruar jo rrallë nëpër shekuj e gjer më sot. Sherrnajat pa shkak serioz, përkundrazi me shkaqe anekdodike, i mundojnë edhe sot sjelljet e shqiptarëve, kokëkrisjet, idiotësitë. Pikërisht kjo ide mua më preku, paçka se askund ajo nuk është e artikuluar haptazi; madje edhe konotacionet kuptimore dhe bashkëshoqërimet ideore vijnë disi larg e në mënyrë të tërthortë.
Duhet thënë se edhe në novelën e tretë të librit, “Ura si vendi i punëve të dreqit”, sa i përket strukturës rrëfimore, Besnik Mustafaj ndjek një teknikë të njohur, por të përpunuar mirë e me kujdes. Aty sillet nusërimi i Hana Selimit, që do të martohej me Isa Resulin, dhe përmes saj jepen zakonet, atmosfera, vrazhdësia epike, mendësia e kohës, e gjitha nën një tis simpatie. Nga marrëdhëniet më të bukura të novelës është ajo midis vajzës dhe atit të saj, Brahim Selimit. Ngjarja është krejt e veçantë. Ajo nuk pëlqehet të shpjegohet prej autorit deri në fund e me detaje, pasi vëmendja e tij është nusërimi i Hana Selimit, udhëtimi i saj hipur mbi kalë drejt shtëpisë së burrit, përjetimet dhe turbullira shpirtërore që pëson, më pas përgjakja e dasmorëve dhe humbja e të folurit të saj nga tronditja e madhe. E madhërishme sa dhe (sipas meje) barbare është dasma e Hanës në shtëpinë e Isa Resulit, teksa nga familja e këtij të fundit ishin vrarë 4 vetë po atë ditë, madje edhe i ati, dhe morti do të bëhej pas dasmës, të nesërmen. Ky është një realitet i tmerrshëm. Por tmerri dhe përçudja në novelë rikuptimësohen si madhështi, si diçka epike, në kufijtë e të pamundur dhe të jashtëzakonshmes. Mirëpo sot arsyeja një veprim të tillë e quan antihuman, të tepërt, të panevojshëm, pasi dhimbja ka përparësi ndaj gëzimit dhe respekti ndaj të vdekurit është, në vetvete, më sublimi, i patejkalueshëm. Virtut apo arkaizëm është ky gjest, që lëvdohet?! Për mua është arkaizëm. Një farë precipitati folklorik i tejkaluar a keqkuptuar. Autori nuk na thotë gjë, as ashtu, as kështu. Na e lë neve ta gjykojmë të djeshmen nga këndvështrimi i të sotmes; ndoshta dhe nga një nevojë e fshehtë për hyjnizimin e gjërave të tilla të rralla, relikte antropologjike muzeale, tashmë të vdekura, që dëshmojnë një shpirt tejet krenar, ku mes vdekjes dhe dasmës, instinkti i jetës dhe i vazhdimësisë vendosi një rend të përmbysur: të bëhet dasma, si institucioni i mbijetesës së aradhes familjare, i kombit, i gëzimit dhe pas saj të nderohet vdekja, me dhembjen e pacak, humbjen dhe respektin ndaj njeriut të vdekur. Gazeta Liberale