Prof. Dr. Selami Xhepa – Edhe pse reformat e ndërtimit të sistemit të ri politik e shoqëror në vend pas shembjes së komunizmit janë konsideruar si të influencuara nga doktrina liberale, neoklasike, në fakt shoqërisë i ka munguar një platformë kohezive doktrinore e këtij transformimi.
Reforma të nisura dhe të lëna në mes, ligje të shkruara dhe të mbetura në letër, institucione të disenjuara sipas standarteve europiane por që kanë qenë të pafuqishme për të ushtruar funksionet e tyre, shkurt: ideja e një shoqërie të re demokratike ka ecur me zvarritje dhe ngecje, duke mbetur akoma një demokraci e dobët e hibride. Edhe natyra e sistemit tonë ekonomik nuk ka tipare qartësisht të përcaktuara. Nuk përmbush standartet e një sistemi liberal, pasi shteti ndërhyn në mënyra të panumërta për të kontrolluar jetën ekonomike dhe të nisësh një biznes varet më shumë nga patja e lidhjeve të duhura me zyrtarët publik se sa nga kreativiteti dhe guximi. Por as dhe standartet e një sistemi social të tregut pasi jo vetëm se shkalla e mbështetjes së mirëqenjes së familjeve në nevojë është shumë e ulët dhe e pamundur për ti nxjerrë ato nga varfëria, por edhe se mbrojtja e interesave të punëmarrësve është në nivelet më të ulëta dhe madje të papranueshme për një shoqëri moderne të epokës sonë.
Dhe në këtë kuptim, debati për të profilizuar më mirë natyrën e sistemit tonë shoqëror, sipas qasjes libertariane, si një alternativë për tu diskutuar dhe përqafuar nga shoqëria shqiptare, më duket një ide shumë e mirë që ka ndërmarrë autorja e këtij libri, Dr. Grida Duma. Ky libër vjen i riparë dhe ka reflektuar mbi zhvillimet më të fundit në shoqërinë tonë, duke sjellë bashkë me dijen dhe eksperiencën e autores, edhe debatet publike mbi tema të tilla madhore.
Themeli i një shoqërie të lirë është prona.
Qasja ndaj pronës ka shërbyer si kriteri themelor për të dalluar sistemet shoqërore, kapitalizmin nga socializmi. Dhe nëse ky shifet si kriteri dallues, edhe në të ardhmen e panjohur, ku pritet të shfaqen një larmi e pamatë transaksionesh të natyrës ekonomike dhe formave të pronësisë, kapitalizmi mbetet edhe rendi i fundit shoqëror. Por, fatkeqësisht, ky gur themeli i shoqërisë dhe parakushti thelbësor për mirëqenje individuale dhe përparim shoqëror, në vendin tonë mbetet çështja më e pazgjidhur dhe burim konfliktesh të përhershme. Për më tepër, një sërë iniciativash ligjore të viteve të fundit, veçanërisht ligji mbi investimet strategjike i vitit 2015, e kanë kaluar cakun e lejuar të raportit të interesave të individit dhe atyre të shoqërisë. Problemet e pronësisë mendoj se qëndrojnë në themel të problemit të moszhvillimit të tregjeve në vend dhe me të drejtë kanë zënë një fokusim qendror edhe në këtë libër.
Duke vendosur çështjen e raportit me pronën private si fondamentin e doktrinës libertariane, çështjet e tjera marrin një përgjigje të nënkuptuar. Për shembull, taksimi ka natyrë shpronësuese dhe zhvesh individin nga prona e tij, prandaj dhe një shoqëri e taksave të ulëta janë tipari dallues i platformave të partive konservatore. Nga ana e saj, kjo kondicion një gjendje modeste të financave publike dhe për pasojë e lë në dorë të individit përmbushjen e nevojave të shoqërisë për shumë nga shërbimet publike. Shërbim shëndetësor dhe arsimor, operimin e skemave të pensioneve, etj, ka më shumë gjasa të ofrohen në mënyrë më efiçiente kur konsumatorët bëjnë zgjedhjet vetë dhe jo sipas modeleve paternaliste etatiste. Këto dimensione të zhvillimit shoqëror Dr. Duma i ka trajtuar në një mënyrë të thelluar, duke parashtruar argumente të plota dhe bindëse mbi epërsinë e këtij modeli ndaj modelit paternalist. Analiza kritike që i bëhet zhvillimeve që kanë ndodhur në këto sektor në Shqipëri gjatë viteve të fundit, e bën këtë libër një vlerë të shtuar në debatin tonë të brendshëm.
Nga ana tjetër, dilemat e mëdha strategjike të vendit në raport me prioritetet kyçe të zhvillimit, të cilat shpeshherë vijnë në formën e debatit mbi modelin ekonomik që duhet të zgjedhë Shqipëria, vendin që duhet të zënë investimet e huaja dhe politikat fiskale më të përshtatshme për të nxitur krijimin e një ekonomie moderne dhe një shoqërie të begatë, janë tema madhore mbi të cilat Dr. Duma jep vlerësimet e saj sipas optikës së doktrinës konservatore. Studjuesit e shkencave të sociologjisë, ku bën pjesë dhe Dr. Duma, përgjithësisht kanë një dimension të fortë dhe anim ndaj sociales, prandaj dhe sociologë që përqafojnë doktrinën konservatore janë në minorancë.
Dr. Duma e bën një zgjedhje të qartë edhe me këtë libër, ashtu sikurse e ka bërë tashmë dhe në politikën e saj aktive.
Trajtimi i një morie problematikash që variojnë nga ato të natyrës politike, sociale dhe sociologjike, ekonomike e deri filozofike e doktrinore, i japin këtij libri një larmi dhe kolorit duke e bërë atë të qëndrojë këndshëm dhe tërheqës në duar të lexuesit. Gazeta Liberale