Termi “ballkanizma”, përtej asocimit për stereotipa, përshkon një fushë të ndërliqshme të leksikut e fonetikës që përbashkon gjuhët kryesore në Ballkan. Duke përfaqësuar vijimësinë e njërës prej idiomave të vjetërsisë, ilirishtes ose ndonjë tjetër të përafërt, shqipja përshfaq afri tiparesh me rumanishten dhe bullgarishten.
Diskutimi për lidhjet me rumanishten filloi qysh me suedezin Thunmann, ku shqipja shihej si bijë e ilirishtes, kurse rumanishtja e thrakishtes. Por me shfaqjen e konceptit të “sprachbundit”, ose lidhjes gjuhësore ballkanike, gjuhëtarët kishin nisur të bënin pyetje të tilla se përse toskërishtja shfaqej më ballkanike në tipare sesa simotra e saj, gegnishtja; madje pyetjet si këto lindnin hamendje nëse toskërishtja në një stad të caktuar historik ishte folur në fqinjëri me rumanishten.
Krejt ecejaket e teorive gjuhësore për afritë mes gjuhëve në Ballkan janë shkoqitur të premten në ligjëratën e akademikut dhe gjuhëtarit, Rexhep Ismajli, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Koha.net