Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, konti Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat. Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37, 7 mijë km2 në 52, 7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4, 7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë.
Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë. Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare. KultPlus.com