Rudolf Marku – Poezia shqipe përherë e më tepër të befason me emrat e poetëve të panjohur, të cilët futen si qytetarë legjitimë në Republikën e Letrave – edhe pse jo të pajisur me lejen e qëndrimit lëshuar prej kritikëve dhe studiuesve, këtyre ligjvënësve të vonuar.
Një poet i tillë është Salvator Gjeçi – një emër jo krejt i panjohur (është autor i një romani dhe i disa librave me fabula). Libri i tij i fundit është kjo përmbledhje poetike, “Hem udhë, hem udhëtar”, botim i Ombra GVG, 2020 – libër që më detyroi të ndalem gjatë e të mendoj për Poezinë e poetëve të panjohur ose pak të njohur, si vetë autori i këtij libri.
Një libër i strukturuar me ndarje të mençura ciklesh dhe më një parathënie poetike. “Jetëshkrim” është poema me të cilën fillon libri. Poema prezanton jo vetëm poetin, por dhe regjistrat poetikë të vetë librit; intonacionin epik, balancën mes krenarisë dhe tragjizmit të realitetit shqiptar, mes shpresës dhe zhgënjimit, mes përpjekjes së poetit për zgjerimin e dimensionit të kohës dhe vetëdijes së kurthit që ngre koha në të tashmen.
Si një murg në vetmi/Më priti murana e pusit të thellë – shkruan poeti në fillimet e librit të vet. Dhe më vonë: Gjithë jeta/teh më teh/ Tehave.
Poezitë e Salvator Gjeçit shfaqen shpesh si sentenca përvoje mençurie dhe vëzhgime të ndjeshme shpirtërore, duke u sendërtuar mes një mesoreje të sensit historik dhe paradokseve të së sotmes: Je veç një numër/Bashkëkohësi im – i thotë ai të tjerëve dhe vetes. Por në fakt, Poezia e tij provon se ai vetë dhe brezi i tij janë shumë më tepër se një numër. Janë poetë dhe shkrimtarë që vijnë me ambicien e mirë për të qenë qytetarë të ligjshëm të Poezisë bashkëkohore Shqipe. Për ta pasuruar Poezinë me intonacione dhe përvoja të tjera verbale dhe metrike.
ARENA IME
Nuk mbaj mend
nëse kam qenë fëmijë ndonjëherë.
Linda i rritur.
Si luftëtar i veshur me mburojë e parzmore,
me armët e absurdit ngjeshur
në arenë, midis tokës e qiellit
u ndesha me kohën.
Duelin e pamëshirë e fillova
në epokën e flokëve të mi të zez
e s’pushoi më
deri në stinën e flokëve të bardhë.
Nuk e di sa raunde u ndeshëm,
nuk di edhe sa kishin mbetur,
sa pikë gjendesha përpara;
me taktikat e lodhjes mbrohej koha,
ndërsa unë godisja me sulme të marra.
Por në një çast pushimi,
nga fundi i ringut të fundit,
kur pashë se si përtypej Sanço Pança,
si priste të shijonte fitoren time,
të marshonte fitimtar në ishullin e lakmuar,
atëhere m’u prenë krahët,
i penduar filloi të më dhimbsej vetja:
sa thellë isha futur në atë truk të mallkuar,
sa larg më kishte vërtitur jeta!
I ligështuar i bërtita me të madhe qiellit:
në ç’grackë më paske futur, o Zot!
Dikur me aq mundim u ngrita
veç sa të nderoja humbjen time
në dyluftim me kohën,
si një donkishot…
JE NUMËR
O i porsalinduri i kohës sime!
O i sapombushuri me frymë!
Njëherësh me vajardhjen tënde,
fillë pas prerjes së kërthizës,
në kulmin e festimeve për ty,
në çastpritjen më gazmore,
si dekoratë mirëseardhjeje
do të të varin në qafë numrin e radhës
shënuar në librin “Pritje-përcjellje njerëzore”!
Ashtu si numër do udhëtosh jetës,
edhe për të shuar etjen,
edhe për të patur dritë netëve të gjata;
numër adrese për në shtëpi,
numër i koduar në bankomat,
numër në aeroport e në kufi,
numër në xhepin e shokut a të mikut,
numër në çdo skedë,
numër në çdo kartë lëshuar për ty!
Je veç një numër bashkëkohësi im,
i pa zë, i pa ngjyrë,
je shenja e gishtave të tu,
pa dukë, pa fytyrë.
Kështu do të mbetesh ngado të shkosh,
në fushë, në mal, në fshat a në qytet,
do mbetesh ai numri
lehtësisht i identifikueshëm,
për të mos patur askund asnjëherë,
asnjë identitet!
O imi bashkëkohës,
i mbetur me numër në qafë si një i burgosur,
që prej ditës së lindjes
deri në prehjen e pasosur!
Ndoshta atëherë kalon dikush andejpari,
të sheh aty mbi mermer në fotografi,
ndalet një çast, kërkon të kujtohet,
dhe pyet veten i rënë në mendime:
“Ku e kam parë këtë NJERI?!”…
E TAKUAT ATË?
E takuat atë,
që ta rrëmben vështrimin prej së largu,
ta ndërron ritmin e të rrahurave në kraharor,
ta zbeh diellin përmbi krye,
ta ndërron kahjen e lëvizjes,
të lidh e të mbështjell me mijëra fije që nuk i sheh,
me mjegullat e retinës të deh,
me magjinë e syve të verbon,
të vërtit në vorbullat e harrimit të vetes,
të lë si një trup qiellor që largohet prej orbitës
e lëshohet hapësirës me tjetër nxitim,
me tjetër lëvizje të lirë,
me tjetër gravitet?…
A e takuat atë,
që ndërton mëngjese të reja në ty,
atë që krejt ndryshe rrezaton,
të çel sy të tjerë për ta parë,
troket e të futet në gji nëpër dritare ëndrrash
atë që lexohet veç me prekje
me mollëzat e gishtërinjve
në netët e mëndafshta,
symbylltaz, lehtë, ngadalë,
si prekje notash mbi tastierë
nën tinguj drithërimash,
pa fjalë?…
STINË
Sapo e besova se ke ardhur
ti më ike.
Sapo të pashë që ti ke çelur
më braktise.
Sapo m’i shkrive akujt
avullove.
Sapo m’i ndeze shpresat
më mashtrove.
Më parë më shkove
se më erdhe.
Sa shumë më lodhe
e më theve.
Stinë brenda vetes e ngatërruar
vjen, më vret e shkon…
Unë sërish me ty i dashuruar.
Profil i autorit
Lindi në Lezhë, ku edhe u shkollua, për t’i përmbyllur studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e Dramës. Ka punuar drejtues në disa institucione kulturore në Lezhë, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e regjisorit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.
Është autor i këtyre librave:
– Politikë Biberoni (Fabula) – Botimet “Toena”, 1997
– Margaritari i një Çmendine (Roman) – Botimet ”Fishta”, 2004 dhe 2019, ribotim.
– Dy pjesë teatrale – “Toka Jonë” dhe “Epopeja e Kuvendorëve”, komedi – fabul.
– Hem udhë, hem udhëtar ( Lirika) – Botimet “Ombra GVG”, 2020. Gazeta Liberale