Prof. Dr. Remzi Nesimi (1933 – 2018), përfaqëson intelektualin me vlera të jashtëzakonshme, veprimtarin dhe kontribuuesin e palodhur, krijuesin që la pas një trashëgimi të pasur për albanologjinë, filologjinë, drejtshkrimin, gramatikën dhe në shumë nëndisiplina të tjera gjuhësore.
Veprimtaria e profesor Remziut është e pasur dhe e shumëllojshme, si: lektor – redaktor i një numri të madh veprash letrare, shkencore, kulturore si dhe i shumë teksteve shkollore të botuara në Maqedoni e Kosovë. Për katër dekada me radhë ligjëroi gjuhën shqipe në arsimin e lartë. Për nevojat e shkollimit fillor dhe të mesëm në Maqedoni, hartoi disa gramatika. Veprimtaria profesionale e Tij pasqyrohet edhe në mbi 100 artikuj, studime, shqipërime e monografi me vlerë shkencore.
Gjuhëtari ynë ka përfaqësuar arritjet shkencore në lëmin e shqipes në Maqedoni, duke marrë pjesë aktive në shumë tubime, seminare, simpoziume e konferenca shkencore të organizuara në vend dhe jashtë tij. Kështu, në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ishte delegat dhe anëtar i komisionit organizues; bashkëkryetar i Konferencës Shkencore për shënimin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, që u mbajt në Tetovë, në qershor të vitit 1992; anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (themeluar më 27 tetor 2004 në Tiranë në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) etj.
Për bashkëpunim profesional të frytshëm dhe të vazhdueshëm me institucionet arsimore e kulturore, Prof. Dr. Remzi Nesimi, është nderuar me disa mirënjohje, diploma e medalje, etj.
Roli i tij është tejet i rëndësishëm për normatizimin dhe kodifikimin e gjuhës së standardizuar shqipe, por edhe në zhvillimin e tërë sferave të disiplinave gjuhësore: historinë e gjuhës shqipe, dialektologjinë shqiptare, didaktikën etj.