Suela Laska – Studente e Shkencave të Komunikimit UET | Nuk është më një sekret, fakti që jeta e çdo individi ka ndryshuar gjatë pandemisë së Covid-19. Është bërë pothuajse një vit, që prej vendosjes së kësaj mënyre të re jetese. Disa janë përshtatur, e të tjerë akoma po mundohen. Kriza e ardhur si pasojë e virusit preku jetën e të gjithëve, në çdo skaj të globit. Tashmë askush nuk mund të shkojë në punë, të studiojë në universitet, të luaj në park, të shëtisë në qendrat tregtare lirisht, të ushtrojë aktivitet sportive normalisht, të udhëtojë e të socializohet si më parë. Të gjitha veprimtaritë që përmenda janë zhvendosur në realitetin virtual dhe kryhen përpara ekranit të një telefoni celular apo kompjuteri.
Ne komunikojmë virtualisht për të përmbushur nevojat personale, për të plotësuar detyrat dhe përgjegjësitë si punonjës ose studentë, për t’u socializuar etj.
Me ose pa dëshirën e çdonjërit prej nesh, ky është realiteti i ri që duhet të përshtatemi. Që prej karantinës së parë, çdo institucion arsimor u mbyll fizikisht dhe vazhdoi aktivitetin nëpërmjet botës virtuale. Studentët dhe profesorët vazhduan ‘normalisht’ leksionet dhe seminaret në aplikacionet e ndryshme, (Teams në rastin e UET).
A po shihen slidet në ekran? Pse nuk ka hyrë zysha akoma? Dhe sa do që të fillojë leksioni, apo duhet të presim sa të na bashkohen të gjithë? Profesoreshë, mund t’ju bëni mute të gjithë anëtarëve, pasi nuk mund t’ju dëgjojmë? Nuk ju vjen mirë zëri pedagoge, kontrolloni internetin! Janë këto disa nga pyetjet dhe frazat që të gjithë ne kemi hasur gjatë kësaj kohe.
Ishte një periudhë tranzitore në fillim për të dyja palët, për t’u përshtatur me metodat e reja të mësimdhënies dhe të studiuarit. Përdorimi i empatisë, durimi, bashkëpunimi dhe qetësia ishin dhe janë mënyrat e duhura për komunikimin e ri, komunikimin virtual. Duhen vlerësuar të dyja palët për bashkëpunimin, pavarësisht keqkuptimeve, apo probleme të vogla të hasura gjatë kësaj metode të re.
Komunikimi virtual mori pjesë dhe në botën e punës. Si rrjedhojë e mbylljes së ambienteve fizike të shumicës së kompanive apo institucioneve të ndryshme, takimet e mbledhjet kryhen nëpërmjet Skype, Zoom, Facetime, WhatsApp, Google Meet, GoToMeeting etj. Video ose audio, konferencat ishin dhe janë mënyra e vetme për të lejuar aktivitetin e punës të vazhdojë. Kjo mënyrë ka avantazhet e saj, pasi mund të punosh nga çdo vend i botës pa qenë nevoja e të qenit fizikisht dhe pa e humbur vendin e punës. Kështu ‘mund të udhëtosh në kohë’ dhe pa shpenzuar ekonomikisht. Gjithashtu pavarësisht se ishim/ jemi në distancim social, na jepet mundësia të komunikojmë dhe të jemi virtualisht me shumë persona në të njëjtën kohë. Nuk është e njëjta eksperiencë si fizikisht, por në këto kushte në të cilat ndodhemi, është ‘zgjidhja’ e vetme.
Realiteti virtual është shndërruar në ekosistemin tonë të ri. Aty kemi çdo gjë që na nevojitet për situatën aktuale. Çdo biznes ka kaluar në shitjet online, kështu që tashmë blerjet bëhen virtualisht. Edhe aty ndodh procesi i komunikimit. Dhënësi i mesazhit (porositja e produktit) është blerësi, marrësi është dyqani ose brandi, e kanali është interneti. Pavarësisht se sfiduese, kjo metodë rezulton pozitive për bizneset, pasi kursejnë kohë dhe para. Pjesa e marketingut mbulohet kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale. Aty gjithashtu, gjatë kësaj kohe u zhvendosën dhe projektet, ose nismat e ndryshme. Kjo për arsye, jo vetëm të distancimit social, por edhe se çdo gjë shpërndahet më shpejt dhe në një publik masiv.
Fushata e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të 2020, pjesën më të madhe të vëmendjes ua kushtoi rrjeteve sociale. Nëpërmjet tyre kandidatët shpërndanë mesazhet e ndryshme, platformat e premtimet e tyre, por edhe shumë figura të njohura nga fusha të ndryshme i përkrahën nëpërmjet tyre. Ishte një fushatë që mori shumë vëmendje e me shumë përkrahës për secilin kandidat. Kjo solli interes të madh tek publiku mbarë botëror, jo vetëm në SHBA. Ngjarjet e tjera që u bënë shumë virale, si vdekja e Kobe Bryant, zjarret në Australi, vendimi për akuzat ndaj Harvey Weinstein, rënia e bursës në periudhën shkurt-prill etj., u komentuan e u analizuan në rrjetet sociale, u shoqëruan edhe me meme (produkt i këtyre të fundit). Memet janë një mënyrë e re komunikimi në botën virtuale, që mund t’i përkufizojmë si një ide, sjellje ose stil që bëhet trend dhe përhapet me anë të imitimit nga personi në person, brenda një kulture dhe shpesh mbart kuptim simbolik, që përfaqëson një fenomen, ose temë të veçantë.
Procesi i komunikimit është shumë i hershëm. Ai evoluoi rreth 75000 vite më parë nëpërmjet përdorimit të shenjave e pikturave në muret e shpellave nga njerëzit (tymi dhe daullja përdorej për të paralajmëruar rrezikun), më pas me përdorimin e simboleve dhe shkrimit me dorë, që ndryshoi historinë, shkrimit të printuar në 1448 dhe fillimi i dërgimit të letrave me postë, vazhdoi me shpikjen e telegrafit e telefonit dhe internetit për të ardhur deri në ditët e sotme. Një kohë shumë e gjatë dhe shumë metoda komunikimi. Interneti mundësoi komunikimin virtual në realitetin virtual që zbeh çdo ditë mënyrat e tjera të komunikimit. Periudha e pandemisë na lidhi akoma më shumë me të si zgjidhja e vetme duke e kthyer komunikimin virtual në normalen e re.
Çfarë do kishte ndodhur vallë nëse do jetonim dhe virusi do përhapje në vitet 1500 ? Cila do të ishte zgjidhja jonë? Gazeta Liberale