Prof. Dr. Valentina Duka – Libri “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934” me autor historianin dhe diplomatin shqiptar Arben Cici sjell një kontribut me shumë vlera historiko-shkencore dhe diplomatiko-politike në studimin e historisë së Shqipërisë të periudhës ndërmjet dy luftrave botërore.
Përvoja e gjatë diplomatike e Ambasadorit Cici dhe aktiviteti i tij akademik në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, harmonizohen natyrshëm me bagazhin e Doktorit të Shkencave Cici, për të sjellë një vepër cilësisht të veçantë për publikun shqiptar.
Autori, në këtë libër, mban një qëndrim objektiv ndaj zhvillimeve historike, politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore që ndikuan marrëdhëniet shqiptaro–italiane të viteve 1920-1930. Ndryshimet rrënjësore që pësoi Shqipëria e mbas Lidhjes së Kombeve, procesin e formësimit dhe të ngjizjes së shtetit shqiptar, autori Cici jo vetëm i sjell, por edhe i analizon në shtratin e marrëdhënieve shqiptaro-italiane, marrëdhënie të cilat përcaktuan fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në vitet e vështira të pushtimit, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Libri me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, nuk ka rëndësi vetëm për qasjen objektive ndaj fenomenit historik që ai analizon, por edhe për burimet e pasura primare arkivore, shqiptare dhe të huaja, si dhe për burimet e shumta sekondare nga historiografia shqiptare dhe e huaj. Ai ka arritur të shfrytëzojë gjithashtu gjerësisht edhe shtypin shqiptar e të huaj të periudhës që merr në studim.
Autori me punën e tij ia ka dalë të krijojë një vepër të vlefshme jo vetëm për studentët e studiuesit e historisë së Shqipërisë, por edhe për diplomatët shqiptarë. Gjithashtu, kjo monografi shërben si një burim i rëndësishëm reference për këdo që do të marrë përsipër të shkruajë për historinë e Shqipërisë ndërmjet dy Luftërave Botërore.
Përfundimet e librit në gjuhën angleze lehtësojnë njohjen e rezultateve shkencore të autorit edhe nga studiuesit e huaj që kanë interes të bëjnë kërkime shkencore për historinë e Shqipërisë.
Pjesë nga libri
Italia e mbështeti politikisht edhe financiarisht kalimin e Shqipërisë nga sistemi republikan në atë monarkist. Nëpërmjet këtij ndryshimi Roma synonte të përforconte sundimin e pakundërshtueshëm të saj mbi Shqipërinë. Zogu nga ana e tij u shpreh dakort për këtë ndryshim të rëndësishëm kushtetues në Shqipëri sepse e konsideronte atë si faktor të rëndësishëm për forcimin e shtetit shqiptar dhe garanci afatgjate për pavarësinë e Shqipërisë duke mbajtur fort parsysh edhe ambicjet e karrierës se tij politike. Ndërkohë ai shprehu rezerva për të lidhur me Italinë trashëgiminë e fronit të tij.
Mbështetja e Romës do të shoqërohej nga garanci politike reciproke (hyrja në fuqi e të gjitha marrëveshjeve bilaterale të mëparshme dhe Zogu duhej të siguronte se Shqipëria nuk do të vepronte kurrë kundër interesave italiane, madje të pranonte që të vihej nën mbrojtjen e Italisë dhe të Duçes duke marrë garanci, që në rast se shteti jugosllav do të shpërbëhej, Shqipërisë do t’i kthehej Kosova). Kjo e fundit përputhej me objektivin e Zogut për një zgjerim territorial në rastin e një konflikti ballkanik. Paralelisht italianët arritën të depërtonin ndjeshëm në fushën ushtarake duke ngritur një Shtab të Përgjithshëm me oficerë italianë në rolin e këshilltarëve të Zogut, me qëllim që të merrnin përsipër të organizonin ushtrinë shqiptare brenda një afati pesëvjeçar.
Duke pranuar këto kushte, Zogu miratoi nënshkrimin e një marrëveshje, organizoi zgjedhjet për Asamblenë e re shqiptare dhe, mbështetur në Kushtetutën e re, më 1 shtator 1928, shpalli Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të Trashëgueshme, me “Mbret të Shqiptarëve” Naltmadhëninë e Tij, Zogu i Parë. Emërtimi “Mbret i Shqiptarëve”, shkaktoi reagime, në fillim negative, sidomos nga ana e Jugosllavisë dhe aleatëve të saj në Ballkan dhe nga Anglia e cila ndiqte në këtë kohë një politikë të ekuilibrave në Ballkan dhe në zonën për rreth.
Zogu mori mbështetjen italiane për titullin “Mbret i Shqiptarëve” duke u lënë të kuptonin se fakti i heqjes dorë nga ky titull do të thoshte që t’i dorëzoheshe imponimit të Londrës dhe Beogradit. Roma, e ndërgjegjëshme se titulli i ri mund t’i sillte asaj vetëm përfitime, jo vetëm e mbështeti, por edhe e nxiti këtë ndryshim, sidomos nëpërmjet gjithë shtypit italian zyrtar ose gjysëm zyrtar të kohës.
Për Zogun, titulli i ri “Mbret i Shqiptarëve” përbënte një mburojë përballë gjithë atyre forcave të brëndshme ose të jashtme shqiptare që kundërshtonin monarkinë dhe kontribuonte në zvogëlimin e influencës që kundërshtarët e tij vazhdonin të gëzonin në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë. Tek grupime të fuqishme politike ose dhe ushtarake brenda Shqipërisë të cilat Zogu nuk dëshironte t’i kishte kundërshtare, u ngjall shpresa se Zogu, duke gëzuar titullin “Mbret i Shqiptarëve”, do t’i kthente Shqipërisë kufijtë që i takonin asaj etnikisht.
Athina ishte e para e cila u deklarua zyrtarisht për njohjen e Monarkisë së re Shqiptare ndërsa Londra u përpoq në fillim të frenonte mbështetjen e Italisë ndaj fronit të ri shqiptar. Ajo që e shqetësoi që në fillim Foreign Office ishte karakteri irredentist që do të merrte regjimi i ri (mbreteria), kur Zogu, në krye të saj, do të fitonte zyrtarish titullin Mbret i shqiptarëve (dhe jo i Shqipërisë).
Ndërsa Beogradi e interpretoi këtë emërtim si sinjalin e parë për një fushatë të ardhshme irredentiste të Shqipërisë të mbështetur nga Italia kundër vendit të tyre.
Falë angazhimit të menjëhershëm pozitiv të Italisë në mbështetje të njohjes së Monarkisë shqiptare dhe, të ndodhura përballë faktit të kryer, megjithë kundërshtimet e fillimit, si Anglia, Franca edhe Jugosllavia përfunduan duke e njohur atë. Kështu ato shprehën edhe një herë dobësinë dhe pamundësinë e tyre përballë politikës italiane depërtuese në Ballkan. Gazeta Liberale