Romani “Jeta në pranga” i shkrimtarit Ismail Aliut, për nga mënyra e të shkruarit, si brenda shpirtit të tij, ashtu edhe për nga gjuha është një narracion fabular, që dëshmon për një ngjarje therrëse. Ngjarja që zhvillohet në burgjet e Idrizovës, mbi supin dhe shpirtin e Dardanit ka një koncept cilësor të misionit letrar të tij për të drejtën e shqiptarëve në shtetin “Artificial Maqedonas”. E misioni i tij është mjaft sublim, si në rrafshin e vlerave më substanciale, ashtu edhe në rrafshin e vlerave më qenësore morale e kombëtare. Që në fillim të romanit Jeta në pranga, autori Ismail Aliu në parathënien e tij flet: “Jeta rreth meje është e vrazhdë, me ngjyra të dukshme nga jashtë, por e zbehtë për brenda shpirtit”. Por është e pamjaftueshme në shumë dimensione tronditëse për ngjarjet që zhvillohen brenda një pushtetit hegjemonist sllavomaqedon, duke ëndërruar për një ditë më të mirë se do të realizohet shpresa dhe ëndrra e personazhit kryesor në roman, siç është Dardani, që do të lehtësohen brengat, krajatat, përdëllimet, do të zbrazet barra e rëndë.
Ngjarjet në historinë e kohës, pse jo ato kombëtare thotë autori Aliu, më shtyjnë në një natyrë të dytë, që t’i len gjithsesi ca gjurmë të shkrimit si dëshmi të kohës, ngjarjet madhore kombëtare, siç janë burgosjet politike, që edhe vetë i ka ndjerë në shpirtin e tij. Ai, në vazhdim të romanit “Jeta në pranga”, e cila ka aktraktivitet fabulash, thotë : “Kur nuk mund të jetosh duhesh të krijosh, t’u kthehesh lojërave fëminore. Krijimtaria të lehtëson varfërinë shpirtërore, që në vete qëndis bukurin e shëmtimit të jetës, këndell përgjumësinë dhe të hap sytë që të shohësh sado pak dritën e natyrës që ndritë mbi kokën e Atdheut. Në romanin “Jeta në pranga” shkrimtari Ismail Aliu, brenda tij, ngërthen ngjarjen e një të riut Shqiptar, me emrin Dardan Shkabaj, i cili përjeton jetën nën presionin çnjerëzor nga Hetuesi që i kërkon me çdo kusht nga Dardani, që ai t’i akuzojë edhe shokët e vet për veprimtari armiqësore dhe terroriste ndaj shtetit sllavomaqedon. Dardani u burgos, kur u trazuan trazirat, shpirtrat shqiptarë në një demonstrate masive, për të kërkuar të drejtat e tyre, që maqedonasit ia kishin gulfat edhe frymëmarrjen shqip. Në këto demonstrata, Dardanin, e arrestuar natën vonë nga sigurimi i shtetit maqedonas, për veprimtari armiqësore, dhe e burgosën në burgun famëkeq të Idrizovës. Shkrimtari, Ismail Aliu, romanin, “Jeta në pranga” personazhin Dardan Shkabaj e emërton me dy figura simbolike, që në vete kap dy simbolika kombëtare. Dhe, që të dy simbolika kanë qëllim të përbashkuar: dardan e shkabë. Dardani – Dardaninë e dardanët si popull, paraardhësit tanë; shkaba shpendin simbol të identitetit tonë, e më tej qëndresën përball çdo armiku nga lashtësia e deri në kohën e sotme. Kështu lexuesit e romanit të autorit Ismail Aliu do të kenë rastin të njohin gjitha atë ngjarje nëpërmjet të këtij personazhi, por edhe të shokëve të tij, të cilët dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për të drejtat dhe lirinë kombëtare, si dhe për vuajtën në burgun famëkeq të Idrizovës. Autori me vërtetësi ka shprehur dhimbjet e tij, që edhe mua si lexues më lanë përshtypje të thella shpirtërore. Më la përshtypje sidomos ajo sentenca që himnizon vuajtjet e Dardanit dhe të personazhit tjetër që vdes nga torturat sllavomaqedonase. Pas shumë torturave Dardanin e dënuan me tri vjet burg dhe dy vjet me kusht. Shkrimtari Aliu, për torturat që i kishte përjetuar Dardani në burgun e Idrizovës, sidomos në dhjetë ditët që ishin të papërballueshme, i përshkruan deri në imtësi dhe në detaje. Dardani disa herë nga torturat çnjerëzore ishte alivanosur. Hetuesit sllavomaqedonas, Branko dhe Sretan Dimovski, ia kishin lidhur duart me tela korrenti dhe e kishin ulur në karrige këmbëzbathur. Ngjarjen e Dardanit në burgun e Idrizovës, shkrimtari e përshkruan me një mjeshtri artistike, kurse hetuesin, Sretan Dimovskin, e nxjerr si një figurë hiene, që e torturon shqiptarin për t’ia marrë një deklaratë sipas kuteve të tij dhe për të damkosur demonstratën. Por Dardani më parë mendonte vdekjen, madje edhe të bënte vetëvrasje se sa të pranonte t’i tregojë shokët. Shkrimtari Aliu, në romanin “Jeta në pranga” narraton edhe me personazhe tjera si Hekuran Vokrri, që në ditën e parë të arrestimit, ua kthen goditjet hetuesve, por që më vonë ishte gjunjëzuar dhe i cili ishte në gjendje jo vetëm të tregojë, por edhe të trillojë kundër shokëve. Pastaj edhe personazhin tjetër Sokol Trimi, dëshmitarin kryesor që kishte vepruar njësoj. Ai, personazhin kryesor, Dardanin, me qëndrimin e tij përpara asaj sage e paraqet si një atdhetar që ka bindje të pathyeshme dhe uri për lirinë dhe bashkim kombëtar. Në roman autori flet edhe për personazhet e tjerë si: Taulant Çaushi, i cili nuk dorëzohet nga torturat. Pastaj autori na rrëfen edhe për Doruntinën, gruan e Dardanit, Batonin, mikun e ngushtë të Dardanit etj. Doruntina dhe Rita janë figura, janë personalitetet më unike që përfaqësojnë femrën përgjithësisht, të cilat në rrëfimin romanor, personifikojnë besnikërinë, dashurinë ideale me virtyte njerëzore. Por jeta sikur ia ndjell Dardanit një fat. Pas 30 muaj qëndrimi në burgun e Idrizovës, e kthejnë në burgun e Tetovës. Ishte një fitore e madhe se po largohej nga kampi i vdekjes. Edhe familjarët e tij ishin të gëzuar, sepse Dardani po largohet sado pak nga vuajtja. Aty i kujtohen sjelljet e egra të gardianëve të Idrizovës, pastaj luftërat ballkanike, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore që e kishte përjetuar gjyshi i tij, i cili kishte qenë teolog dhe që kishte ditur të shkruante e të lexonte në gjuhën turke dhe arabe. Andaj nuk thoshte kot: “Guri peshon më rënd në vend të vet. Por mos harro: Kudo që shkon, mos harro vendin tënd.” Romani ka një gjuhë sa të thjeshtë aq edhe të sofistikuar, përmes së cilës shkrimtari mëton të paraqesë jetën e personazheve: Dardanit e Doruntinës, fati i së cilës mori fund tragjik, sepse vdes në lindje nga moskujdesi i mjekëve. Kështu Dardani dëshpërohet shumë dhe merr rrugën e mërgimit për në Gjermani, ku edhe pëson një aksident. Shtrohet në klinikën e Rosenhajmit për tri ditë e tri net gjendje kome. Ishte nën përkujdesje të dr. Manfred Hoster, i cili e operon. Pasi zgjohet, mendja i shkoi te Doruntina. U mundua ta zbërthej profilin e saj, por ishte e pamundur. Ajo i dukej sikur s’kishte ekzistuar kurrë. Pranë tij rrinte një infermiere gjermane e quajtur Rita, që kujdesej shumë dhe e qetësonte shpirtin e tij. Rita kishte një të prerë transversale në anën e djathtë të mjekrës, njëjtë sikur e kishte edhe Daruntina. Kur ia vërejti shenjën, iu duk sikur po e shihte gjallë dhe po bisedonte me Doruntinën. Por ajo s’ishte…. Në Ritën filloi të dashurohej fort dhe pas një kohe jo dhe të gjatë këtë dashuri e miraton edhe Rita. Por Rita jetonte larg Dardanit. Në Rosenhajm, katër orë larg Berlinit. Këtë dashuri Dardani ia tregon mikut të tij Batonit, i cili në këto çaste të vështira iu gjet afër. Shkrimtari Ismail Aliu, me një elasticitet artistik e përshkruan shpirtin dhe fatin e jetës së Dardanit. Prezenca e Ritës ia kishte magjepsur ndjenjat e tij. Vetë ligji dialektik i natyrës është i tillë; Dashuria gjeneron dashuri, urrejtja vetëm dhunë, konflikte dhe mjerim. Njëkohësisht mendonte edhe për torturat në burgun e Idrizovës, pastaj vdekjen e Doruntinës më fëmijën gjatë lindjes dhe së fundit me aksidentin rrugor, e gjitha një jetë tragjike. Por, Dardani edhe pse u dashurua me infermieren nga Rosenhajmi i Gjermanisë, me të cilën edhe dëshironte të martohej dhe t’i kthehet jetës normale, si e këshillonte miku i tij Batoni, dukej se në shpirt ndjente një parandjenjë tjetër të fatit të errët, edhe pse nuk tregohej duke mbajtur veten. Ishte i qetë. Këtu, shkrimtari Aliu sikur brumosi romanin edhe me një sagë tjetër, që ra mbi Dardanin. Ai përshkruan dashurinë dhe kërkesën e Dardanit, të cilën ky ia shprehu Ritës për martesë. “Rita, ne duhet t’i sqarojmë disa gjëra. Rita uli kokën dhe buzëqeshi. E dinte se çfarë do ti afroj Dardani. Rita, ti duhet ta lësh Rosenhajmin dhe të vish në Berlin, dhe të dy bashkë të krijojmë një jetë të re. Do ta marrësh me veti edhe vajzën tënde invalide Melaninë dhe babanë.” Por këtu duket se çdo gjë merr fund. Rita nuk pajtohet të lërë Rosenhajmin dhe të vijë në Berlin, edhe nga droja se aty nuk mund të gjejë punë. Dardanit iu prenë damarët e gjakut, humb toruan dhe me shpejtësi ndez makinën. Rita e sheh Dardanin shumë të prekur shpirtërisht, vrapon pas tij, por kot. Dardani nga shpejtësia e tepërt aksidentohet dhe vdes. Para se të vdesë, ai lë amanet që të varroset në atdhe, pranë Doruntinës. Për mes romanit “Jeta në pranga” shkrimtari Ismail Aliu përçon te lexuesit një numër ngjarjesh të lidhura për jetën e Dardanit: dashurinë e atdheut, lirinë kombëtare, vdekjen e Doruntinës me fëmijë gjatë lindjes, pastaj në aksidentin në Gjermani, dashurinë e dytë me Ritën e që për shkak të mospajtimit të saj nuk realizohet, rrjedhimisht duke marrë fund me jetën tragjike të Dardanit.
Duke lexuar romanin “Jeta në pranga” mund të them se ky narracion më la mbresa bukur të thella artistike.
Si me temën, me personazhet, po ashtu edhe me gjuhën e përdorur romani “Jeta në pranga” është dhe do të mbetet një vlerë letrare në letërsinë shqipe. E vlerësoj si një roman modern që përmbush kërkesat letrare të lexuesve. Mbes me shpresë se edhe lexuesve të tjerë, kur do t’u bjerë në dorë ky roman, do t’u sjellë kënaqësi artistike.
Autorit i urojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare.
Respekt pafund!
Murat V. Gashi