Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, mori pjesë në konferencën shkencore “Gjuha dhe shkolla shqipe në Maqedoninë e Veriut” të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup (24. IX. 2020). Në fjalën e tij përshëndetëse tha se tubimet dhe bashkëtakimet e tilla në frontin e gjurmimit të gjuhës e shkollës shqipe në këto treva (sot, Republika e Maqedonisë së Veriut) si dhe bashkëpunimit brendakulturor shqiptar në përgjithësi, kanë një rëndësi të dorës së parë. Është meritë dhe detyrim i përbashkët i të gjitha institucioneve tona (universitetet, institutet, katedrat, kohëve të fundit me aktivitete shkencore është marrë edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës etj.) në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm të jemi pjesëmarrës në organizimet tona, qofshin ato si sot në Institutin e Shkupit, a në Universitetin e Tetovës (Seminari i Albanologjisë, Konferenca e F. Filologjik etj.), por të ndërtojmë ura bashkëpunimi në frontin e shkencave albanologjike, dhe më pastaj, këto iniciativa, të na shërbejnë që t’i diskutojmë edhe mundësitë e projekteve të përbashkëta që do ta ndihmonin gjuhën dhe shkollën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Në vazhdim të fjalës përshëndetëse, dekani i Fakultetit Filologjik, tha se ndjen respekt të thellë, që edhe këtë vit, në këtë konferencë shkencore, stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë të UT-së, është pjesë e referimeve shkencore, andaj, organizatorëve u shprehu mirënjohjen e thellë për këtë mundësi e besim të dhënë.
Në konferencën shkencore në fjalë, dekani i F. Filologjik, para studiuesve të gjuhës shqipe, lexoi kumtesën me titull “Gjuha standarde shqipe në arsimin parauniversitar të qytetit të Shkupit”. Veç tjerash, për të dalë nga kjo situatë jo e mirë në të cilën gjendet gjuha standarde shqipe në shkollat tona, ai propozon që: a. të hartohen fjalorë të shkurtër drejtshkrimor për nevojat e nxënësve tanë. Por, më së miri do të ishte që rregullat e shqipes standarde të përfshihen edhe në plan-programet e në tekstet shkollore; b. gjuhëtarët e në këtë rast edhe mësimdhënësit e lëndës Gjuhë shqipe dhe letërsi jo vetëm që duhet rregullisht me nxënësit të trajtojnë tema që lidhen me drejtshkrimin e drejtshqiptimin e gjuhës shqipe, por edhe në shtyp e radiotelevizione të trajtojnë dhe të shpjegojnë probleme të kulturës gjuhësore nga ana e tyre; c. mësimdhënësit e lëndës Gjuhë shqipe dhe letërsi duhet të jenë shembull i mirë jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit e lëndëve të tjera; ç. lektyrat shkollore të rifreskohen me botime e tituj të ri. Madje, disa nga to, që janë shkruar me shqipen e para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), të rishkruhen dhe të përshtaten me shqipen standarde sepse janë shumë të vështira për t’u kuptuar nga nxënësit etj, tha Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Përndryshe, pjesë e kësaj konference shkencore, ishte edhe shefi i Programit të Studimit, Gjuhë dhe Letërsi Frënge dhe Italiane, Ass. Mr. Dëfrim Saliu. Ai para studiuesve lexoi kumtesën e tij shkencore me titull “Gjuha frënge në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.