Emin Azemi – Tani ndodhemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, si për ciklin parauniversitar, ashtu edhe për atë universitar. Të dhënë pas problemeve të shumta të jetës, që janë rezultat i projeksioneve të paplanifikuara në kohë pandemie, institucionet, prindërit dhe nxënësit ndodhen në një udhëkryq dilemash. Mësimi online, largimi nga metodat klasike të mësimdhënies, por edhe rregullat e reja të distancimit social, do të ndikojnë në krijimin në kulture të re arsimore ndër ne, por askush nuk mund ta thotë me precizitet se kjo kulturë do të jetë më avancuar apo më e stagnuar.
Në bazë të disa studimeve të sipërfaqshme që janë bërë deri më tani, por edhe të ndonjë ankete që është realizuar, rezulton që metodat e reja të mësimdhënies që largojnë nxënësin nga kontakti i drejtpërdrejt me mësimdhënësin, mund të krijojë një boshllëk didaktik, me pasoja jo të vogla në zhvillimin e tyre psiko-social e pedagogjik.
BOTA VIRTUALE, KRIJON REALITETE TË ÇORODITURA
Qëndrimi nëpër shtëpia, lidhja me botën virtuale të internetit, tjetërsimi nga ambienti social – të gjitha këto nuk mund të jenë kompensim i mësimdhënies në shkollë, ku komunikimi i drejtpërdrejt arsimtar-nxënës, nuk e ka vetëm komponentën pedagogjike, për arsye se profili i një qytetari të dinjitetshëm nuk është vetëm produkt i kompetencave sociale të formimit, por edhe të edukimit dhe kulturës së mjedisit. Te ne, shkolla është konsideruar me të drejtë vatër formimi intelektual e profesional, ndërkohë që familja – vatër e formimi moral e qytetar. Një shoqëri e shëndoshë shumë lehtë e ka t’i bashkëdyzojë këto formime, mirëpo në shoqëritë me telashe sociale ekonomike dhe me krizë shëndetësore që aktualisht po e jetojmë, vështirë arrihet kjo koegzistencë.
Ajo çka po i mungon me vite zhvillimit tonë është qasja ndaj formimit. Ka shumë njerëz sot që formimin e marrin në rrugë e sipër gjatë karrierës dhe ngritjes profesionale rrugës, dhe kjo është shumë normale, por jo pak ka edhe prej atyre që krijojnë aureola vetëkënaqësie rreth vetes, duke refuzuar qarkullimin e ideve, si proces normal i transformimit të personalitetit. Defektet që po shfaqen në arsim, po reflektohen edhe në shoqëri, sepse dija përpos që ka kaluar në grafikon numrash, tani po futet edhe në dhomëzat virtuale të cyber hapësirës.
Ka shumë student sot, bie fjala, që notën mesatare luftojnë ta rrisin jo për të përvetësuar dije që do të jenë komplementare dhe konkurruese në një ambient më të avancuar shkencor, kulturor e social, por si detyrim adminstrativ për të aplikuar për ndonjë bursë. Vrapi pas numrave e jo pas dijes do të bëjë që një ditë shumë pak veta të mbërrijnë në cakun e maratonës, sepse konkurrenca që prodhon vetëm numra e ka vështirë të përballojë kërkesat e kohës.
Drita e diturisë, për të cilën u flijuan jo pak breza, do të ishte e mangët për të na kujtuar rrugën kah eci zhvillimi ynë, sikur sot të mos ishin plazmuar në shpirtndërtimin tonë disa nga vlerat e dijes dhe emancipimit. Beteja për të pasur arsim kombëtar gjithmonë ishte shoqëruar me idenë madhore të Rilindësve, të cilët aksionin e tyre kulturor e politik e projektonin me formën e shkronjave të bukura të alfabetit të shqipes. Dallgët e shekujve ishin munduar ti deformonin këto forma, duke nxjerrë jo rrallë në brigjet e kohës edhe trajta çoroditëse të ndërhyrjes arbitrare mbi autonominë arsimore të shqiptarëve. Duke lëvizur nga arabeskat e ngatërruara e deri te ftohtësia refuzuese e cirilikes, lavjerrësi etno-kulturor i shqiptarëve mundohej ta gjente Itakën e vet të prehjes, brenda plotnisë gjuhësore e shkrimore.
Pas shumë udhëtimesh të mundimshme, heronjtë e arsimit shqip arritën të sjellin në brigjet shqiptare edhe bankat e para ku do të cicërohej gjuha e ëmbël shqipe. Që nga Korça, Elbasani e deri në Dibër, Tetovë e Kumanovë pishtarët e diturisë krijuan skuadrën e madhe të arsimdashësve.
NË ÇFARË NIVELI E KEMI VETËDIJEN ARSIMORE?
Sot, në kohën kur po ballafaqohemi edhe me një krizë të rëndë shëndetësore dhe kur distanca në mes të mësonjëtores dhe nxënësve asnjëherë s’ka qenë më e largët, historinë tonë të zhvillimit do të mund ta matim me parametrat që na ofron niveli arsimor i brezave. Një arsim i konsoliduar kombëtar nuk do të ishte në shkallën adekuate të kërkesave nëse ai nuk i nënshtrohet kritereve të mirëfillta valorizuese dhe krahasuese. Vetëdija për të pasur një arsim të shëndoshë buron në nevojën që progresi shoqëror të bazohet medoemos mbi selektimin pozitiv të kuadrove të pajisur me edukim të mirëfilltë shkencor e profesional.
Sfida e arsimit, është edhe sfidë e gjithë shoqërisë. Këto sfida bëhen edhe më kuptimplote tani kur rregullat e pandemisë kanë zhvendosur disa parametra, si në aspektin valorizues, ashtu edhe në vetë përmbajtjen e procesit mësimor. Prandaj, do të ishte e pafalshme që gjithë atë luftë brezash për të mbajtur gjallë arsimin shqip, ta devalvonim duke mos ofruar një kondicion më dinamik në zhvillimin tonë arsimor, madje edhe në këtë kohë kur ky kondicion është i kushtëzuar shumë nga rrethanat e reja.
Kuptimi për arsimin sot ka ndryshuar, bashkë me procesin e përgjithshëm të transformimeve shoqërore. Nëse në të kaluarën arsimi shqip identifikohej me qirinjtë e ndezur, që jo rrallë fikeshin nga erërat e egra barbare, sot ai duhet të jetë treguesi më i saktë që regjistron lëvizjet sejzmike. Që të mos kemi dridhje të mëdha tektonike, është e domosdoshme ta konsolidojmë të sotmen dhe të ardhmen tonë me shtyllat e forta të edukimit dhe profesionalizmit Perëndimor.
Gjithsesi, një shoqëri mbetet e pa ngritur nëse përpjekjet në arsim kufizohen vetëm brenda nismave për të hapur shkolla dhe për të prodhuar kuadro. Cilësia, aq shumë e munguar në shkollat tona, duhet të jetë prioriteti i politikave tona arsimore, kurse kjo mund ta arrihet me një seriozitet më të madh të vetë arsimtarëve, kuptohet me mbështetje nga institucionet përkatëse dhe nga komuniteti i prindërve. Të kota janë përpjekjet për të pasur arsim të mirëfilltë universitar, nëse çalon arsimi parauniversitar. Të gjithë treguesit flasin se nëpër universitete po regjistrohen studentë që kanë probleme elementare të mosdijes dhe kjo gjendje i përshkruhet dobësive të shumta që aktualisht ka shkollimi fillor e i mesëm. Nëse tolerohet kjo gjendje edhe në të ardhmen, atëherë janë shumë të mëdha gjasat që shoqëria të paguaj kosto të lartë n[ shumëzimin e “monstrave” me diplomë, të cilët objektiv final kanë zënien pa meritë të një vendi pune, por jo përvetësimin e dijeve për të ushtruar denjësisht profesionin.
HALLKAT E SHKOLLIMIT QË FUQIZOJNË NJËRA TJETRËN
Tani kur po fillon edhe ky vit shkollor, kur arsimi bashkë me gjithë shoqërinë kaloi një periudhë të vështirë, si pasojë e pandemisë globale, shumë anketa që janë zhvilluar me nxënësit e shkollave të mesme japin të kuptojmë se niveli i suksesit në shkollat tona është si mos më keq. Shkollat tona fillore e të mesme, sidomos me mësim në gjuhën shqipe, kanë nevojë të bëhen më të përgjegjshme në përgatitjen e mëtejme të nxënësve, të cilët duhet të vazhdojnë mësimin universitar.
Nëse bëhet një hulumtim i sipërfaqshëm, do të vërejmë se nxënësit tanë kanë probleme serioze në zotërimin e shkathtësive në shkrimin e drejtë të gjuhës shqipe, një tregues ky i mjaftueshëm për nivelin e kulturës së leximit dhe shkrimit të gjenezave tona të reja.
Alarmi që duhet të aktivizojë gjithë ne, detyrimisht fillon nga institucionet, por edhe nga familjet që dërgojnë fëmijë nëpër shkolla. Arsyeja se pse ky alarm tani bëhet më domethënës, lidhet me hallkat e shkollimit që fuqizojnë njëra tjetrën, dhe lehtësisht i detektueshëm. Për rrjedhojë sa më cilësor të jetë arsimimi parauniversitar, aq më cilësor do të jetë ai universitar dhe anasjelltas. Mundësia për të ndjekur këtë vijueshmëri arsimore nga nivelet më të ulëta në ato më larta, tani është më e madhe, në krahasim me dekadat e mëhershme kur arsimi fillor në gjuhën shqipe nuk e kishte të garantuar vijueshmërinë e arsimit universitar po në gjuhën shqipe.
Ata që janë përgjegjës për menaxhimin e arsimit parauniversitar, duhet ta kenë të zhvilluar ndjenjën maksimale të përgjegjësisë, për dobitë dhe dëmet që mund ti shkaktojnë shoqërisë nga mënyra se si e bëjnë këtë menaxhim. koha.mk