“Zemra jem ka ni dishir t’madhë me ardh n’Shqipëni me motrat e mija e me prue këtë dashni dhe kët paqë”. Me shkrim dore, misionarja shqiptare Nëna Terezë po nxinte letrën drejtuar të fundit president komunist shqiptar, Ramiz Alia.
Në letrën që mban datën 29 tetor 1989, kërkesa e gruas më të njohur shqiptare në botë ishte fare e thjeshtë: donte të çmallej me atdheun e saj dhe të vizitonte varret e nënës dhe motrës.
Dhe për këtë regjimi i kohës qe treguar fare i akullt duke ia refuzuar disa herë vizën për hyrje në tokën shqiptare.
Pas disa radhëve në letrën e shkruar në anglisht, misionarja e bamirëse nga Kalkuta i adresohet Alisë në shqip.
“Ja kam dhan besën e Shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqë mbi gjithë botën”, shkruante 79-vjeçarja, nami i së cilës kishte marrë dhénë.
Ky është vetëm një nga tri dorëshkrimet origjinale të Nënë Terezës që ruhen në arkivat e shtetit shqiptar.
Bashkë me materiale të tjera arkivore, këto letra do të bëjnë pjesë në shkëmbimet e ndërsjella mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e afishuar të mërkurën në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është njoftuar për bashkëpunimin me ITSHKSH-në në fushat e përbashkëta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
“Me rastin e përkujtimeve të 110-vjetorit të lindjes dhe 4-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Departamenti për Hulumtimin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë ITSHKSH-së në Maqedoninë e Veriut dhe Arkivit Qendror Shtetëror do të bëjnë shkëmbimin e ndërsjellë të kopjeve të dokumentacionit arkivor që ruhet aktualisht në këto dy arkiva respektive të materialeve që bëjnë pjesë në fondin e Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës). Kjo procedurë do të realizohet në formate të ndryshme të kopjeve”, thuhet në njoftimin e DPA-së. “Ky shkëmbim dokumentacioni do të bëhet për të pasuruar fondet e arkivave dhe për t’u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve të kenë akses të plotë në fondin e njësuar të Nënë Terezës”.