Andi Bushati – Më kujtohet ende mirë ajo e diel gushti e vitit 1997, kur teksa ecnim anës detit në plazhin e Durrësit, Blendi më tha se atë ditë i duhej të kthehej disi më herët se zakonisht në Tiranë, sepse disa orë më pas, do të fillonte një emision televiziv, në ekranin që ishte ende më i shikuari nga shqiptarët: ekranin e TVSH. E tha me të njëjtën lehtësi, me të cilën njeriu ndërron programin e fundjavës, për të parë një ndeshje futbolli, një film të ri apo një koncert. E tha me të njëjtën lehtësi, me të cilën njerëzit shkojnë drejt atyre momenteve, që kthehen më pas, në destinin e tyre të pandashëm.
Atë të diel, në një ekran, i cili ishte çliruar ndjeshëm nga censurimi, pas frymës liberale mediatike që solli ardhja e socialistëve në pushtet, nisi rrugën e tij emisioni “E diela Debat”. Menjëherë me çeljen e kësaj arene (ende shumëkush e mban mend skenografinë e bërë shpejt e shpejt me gazeta të vendosura kuturu, të ndërprera nga vija të trasha dhe të verdha) gazetaria televizive në Shqipëri nuk do të ishte më ajo e para. Po fillonte një fazë e re e debateve, kryesisht, politike, por edhe sociale e kulturore, ku të gjithë thoshin fjalën e tyre. Ku palët ballafaqoheshin. Ku nuk kishte më të zezë dhe të bardhë, por protagonistë, që këmbenin pikëpamjet dhe idetë e tyre.
“E diela Debat” nuk do të ishte një risi vetëm në formë, por edhe në koncept.
Në atë studio plot gazeta të mbuluara me të verdhë do të shkelte për herë të parë ish-presidenti i vendit, Ramiz Alia, i zhdukur nga ekranet prej gjashtë vjetësh. Do të përballej për herë të parë me të vërtetat e presidencës së tij të diskutueshme, në të parën intervistë të plotë për një gazetar shqiptar, Sali Berisha.
Por, risitë nuk do të mbaronin këtu. E njëjta markë me titull të ri, “Opinion”, këtë herë e zhvendosur në televizionin “Klan”, do të sillte ballafaqime premierë si ai mes Edi Ramës dhe Besnik Mustafait, dy kandidatëve për të qeverisur Tiranën në vitin 2000. Si ai mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, dy kandidatëve 15-vjeçarë për të qeverisur Shqipërinë në vitin 2002.
E padyshim, një nga risitë konstante të këtij emisioni janë edhe intervistat që gjenden në këtë libër. Intervista të gjata, të plota, shteruese, ku personazhe nga më të spikaturit e këtij vendi rrëfejnë historinë e jetës së tyre. Ata që do ta kenë në dorë librin “JETA IME”, do të shohin se si janë të ndërthurur aty elementet personale, fëmijëria, leximet, pasionet, familja, pra, të gjitha ato pjesëza që përbëjnë mozaikun e një jete të zakontë, me elemente krejt të pazakonta, me momente kur këta të intervistuar kanë qenë aktorë të dorës së parë në historinë e këtij vendi, në momentet kyçe të tij.
Fjala është për copëza historie, që përshkruajnë pothuajse gjithë shekullin XX, por në mënyrë më të plotë e më të detajuar atë pjesë të historisë së Shqipërisë që nga vitet‘30 e deri më sot. Aty ka dëshmi të rralla për kohën e mbretërisë, për atë të pushtimit, për atë të Luftës së Dytë Botërore, të intrigave dhe të pathënave të komunizmit, të mistereve të rrëzimit të tij, të përplasjeve të panjohura të sistemit të ri demokratik, të viteve ‘92, ‘97 etj.
Por, dimensioni kohor nuk është dimensioni i vetëm i intervistave të përzgjedhura. Aty ka një shtrirje të gjerë, si gjeografike, dhe sociale. Kujtimet shkojnë nga vitet e fundit të Perandorisë Otomane e deri në metropolet e Europës së sotme. Nga pushtimi i Shqipërisë e deri te mërgimi i Zogut. Nga njerëz që kanë takuar Kontin Çiano, ministrin e famshëm të Duçes, e deri tek ata që kanë pasur miqësi me të bijën e Musolinit dhe me gruan e tij. Nga ata që kanë përjetuar ferrin e burgjeve të ndërgjegjes e deri tek ata që kanë jetuar në vilat e nomenklaturës komuniste. Nga ata që kanë jetuar një jetë të tërë pranë marshallit Tito e deri tek ata që e kanë ngritur karrierën e tyre politike duke thyer portretet e tij.
Aty mund të gjesh dëshmi autentike se si varrosi Sali Berisha pasionin e madh për të shkruar letërsi, me gjithë dashurinë që kishte për të lexuar. Se në ç’mënyrë Ramiz Alia ia kumtoi Enver Hoxhës vdekjen e Mehmet Shehut. Se si çuditet Kadareja se edhe mbrojtjen, edhe sulmin i kishte nga një njeri i vetëm, shefi komunist i vendit. Se si i komenton Edi Rama mardhëniet e tij të vështira me të atin. Se si e mban mend Atë Zef Pllumbi, hyrjen e partizanëve në Shkodër. Se si i projektoi ish-presidenti i ardhshëm Alfred Moisiu, bunkerët “made in Albania”. Se si e kujton Fadil Hoxha, kreu i Lidhjes Komuniste të Kosovës, rininë e tij në grupet komuniste shqiptare, krijimin e PKSH dhe Konferencën e Bujanit. Se si i rrëfen Hashim Thaçi, lindjen e UÇK-së dhe Konferencën e Rambujesë. Se si e përjetoi në 17 vjet burg Fatos Lubonja Shqipërinë ideale që ëndërruan prindërit e tij dhe si iu zhbë kjo Shqipëri ideale Rexhep Qoses, kur arriti ta prekë vërtetë atë.
I gjithë ky enumeracion i gjatë është vetëm një pjesë e përzgjedhur nga pafundësia e ngjarjeve, fakteve dhe e dëshmive që rrëfejnë këtu personazhet e intervistuar dhe të përzgjedhur nga Fevziu.
Ndaj, në këtë kuptim, ky libër voluminoz, nuk është vetëm një nga ato botime reference që mund ta mbash mbi tryezë duke të dhënë mundësinë të bredhësh në një botë të pamatë, të dëgjosh histori të rralla dhe rrëfime intriguese, të atyre njerëzve që kanë vendosur për historinë.
Ai mund të jetë, gjithashtu, një burim i dorës së parë për të gjithë ata historianë që kërkojnë dëshmi të dorës së parë për rrëfimin e historisë. Që kërkojnë burime dhe duan t’i ballafaqojnë ato.
Ai mund të jetë, gjithashtu, një pikë reference për të gjithë ata gazetarë, që, për shkak të arkivave tejet të parregullta, po e humbasin gjithnjë e më shumë zakonin bazë të të cituarit.
Ai mund të jetë një ndihmë e madhe edhe për një arsye tjetër: sepse disa nga protagonistët e këtij libri e kanë thënë, tashmë, fjalën e fundit në këtë botë dhe dëshmitë e dhëna këtu, mund të jenë të vetmet dhe të paripërsëritshme. Por edhe sikur të gjitha këto merita, që janë zakon të rreshtohen në çdo parathënie, të ngjallnin diskutim, kjo përmbledhje me 23 intervista e ka një gjë të pamohueshme që e bën të qëndrojë dinjitoze në çdo bibliotekë: pjesa dërrmuese e tyre janë dëshmi të rralla që lexohen me një frymë.
Gazeta Liberale