“Me vdek për atdhe, është njësoj sikur me le”, kjo fjalë e urtë popullore përmban një porosi me karakter jetik për sa i përket historisë sonë kombëtare, e me theks të veçantë për ne shqiptarët që jetojmë në Republikën e sotme të Maqedonisë. Nxitja ime, që t’i rrekem Organizatës Kombëtare “BESA” 1935-1944, dega e Tetovës, është amanet i lënë peng brez pas brezi nga veprimtarët e kombit. Tetovarët gjithmonë kanë vepruar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të Organizatës “BESA” gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave. Gjithashtu, dua të falënderoj publikisht profesorin e nderuar të historisë Dr. Vebi Xhemailin, i cili pos që më ka nxitur që t’i rrekem kësaj vepre, edhe më ka ndihmuar e m’i ka qartësuar shumë segmente për këtë Organizatë Kombëtare, e cila është themeluar në mars të vitit 1935, në Beograd nga studentët shqiptarë, që më pas themelohet edhe dega e saj në Tetovë. Materien që unë mendoj se është mjaft komplekse, ngase Organizata “BESA”, është një organizatë e cila ka vepruar në shumë segmente të jetës për vetëdijesimin kombëtar, për mos shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, në aspektin propagandues arsimor e kështu me radhë deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, që siç dihet këto troje për herë të parë bashkohen me shtetin amë me Shqipërinë. Në këtë periudhë kohore kanë reaguar studentët shqiptarë që kanë studiar në Universitetin e Beogradit të mbledhur në shoqatën studentore shqiptare “Besa” të cilën e përbënin: Ibrahim Lutfiu, Esad Doko, Qazim Bllaca, Jahja Osmani, Shaip Kamberi, Esad Berisha, Xhevdet Pallaska, Abdulla Saqipi (Presheva), Nexhip Deva, Sokol Dobroshi, Kurtesh Agushi, Imer Rashiti (Murtishi), etj. Programi i kësaj organizate ishte : • Përhapja e propagandës midis muslimanëve se ata kurrsesi nuk janë turq, por janë vetëm shqiptarë. • Çdo anëtarë e ka pasur për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Bujanovc. • Të jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare. • Kërkohej regjistrimi i plotë i popullsisë që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane. • Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe. Studentët anëtarë të Besës kanë marrë bursa prej 1000 dinarësh prej Ambasadës Shqiptare. Ibrahim Lutfiu dhe Shaip Kamberi së bashku me kryetarin e Komitetit të Kosovës Bedri Pejani në vitin 1938 kanë udhëtuar në Paris. Gjithashtu, në periudhën 1939 deri në prill 1941 në Tetovë ka qenë i formuar klon i Besës dhe ato kanë punuar në zhvillim e propagandës mes shqiptarëve për zhvillimin e ndjenjave kombëtare-shqiptare se ato kurrsesi nuk janë turq, por janë vetëm shqiptarë.
Aktivistët e kësaj organizate luajtën rol vendimtar në Tetovë me rrethinë, që edhe meritojnë që të zënë vendin e duhur në historinë më të re të kombit shqiptar. Jam i vetëdijshëm se puna ime disa vjeçare, sadopak do t’u ndihmojë gjeneratave të reja për ta thelluar studimin e t’i ndriçojmë ngjarjet e historisë, që për fat të keq gjatë sistemit komunist kanë qenë temë tabu.
Andaj, falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan me të dhënat dhe materialet, e në veçanti i jam mirënjohës edhe dr. Ilir Lumës, djalit të Gani Lumës, që m’i ofroi fotografitë dhe ditarin në dorëshkrim (ditari ka 237 faqe të shkruar nga Gani Selman Luma, anëtar i kësaj organizate dhe i dënuar politik nga sistemi komunist) të prindit të tij, që e ka ruajtur me dekada. Ditarin në dorëshkrim e kam përpunuar me kujdes të veçantë që ta ruaj origjinalitetin në përjashtim të përshtatjes së gjuhës standarde, të cilin edhe e botova në vitin 2012 “DITARI I GANI LUMËS”.