Syrja ETEMI – Dhe, ja vjen një ditë e, ndoshta pa dëshirën tënde të mbyllesh në guaskën e intimitetit që mund të të duket bile edhe diç ngjethëse e trishtuese. Ti, e ndërpret rutinën monotone e mekanike të përditshmërisë që të është shndërruar në refleks të pakontrolluar, e modifikon dhe i nënshtrohesh një rregulli të imponueshëm që, ndoshta, për shumëkë duket disi torturuese. Nuk dua të them këtu se nuk ka përjashtime nga ky lloj përjetimi që, së paku, unë e ndjej dhe e akceptoj, por përjashtimet nuk i prishin rregullat. Kjo ndryshe mund të lexohet edhe si një dalldi pas veprimeve të turmës. Jo, unë do të këmbëngulë të veproj ndryshe nga tufa. E, në këtë tufë, do të mëtoj të jem Unë kundruall Ne. Kështu do të thoshte Osho, “Në momentin kur Ti nuk do të kesh frikë nga turma, atëherë ti nuk do të jesh më një dele, por do të shndërrohesh në një luan”. E, ku ka më mirë sesa në këtë situatë që na krijoi Kovidi , të provojmë që secili të kthehet te vetvetja? T’i kthehet dashurisë pa maskë, t’i kthehet gjirit të ngrohtë familjar, t’i kthehet natyrës-nënë: për të shijuar rrezen e ngrohtë të diellit; të kujdeset më mirë për lulet, për parkun, gjelbërimin; t’i kundërpërgjigjet me punë të hajrit kësaj kohe të vakët të karantinimit apo izolimit. Pavarësisht thashethemeve që vlojnë në këta dreq rrjete sociale, ku çdo individ brenda vathës së vet tenton ta promovojë e imponojë vetveten, unë do të hakasë ta “pensionoj” celularin tim, për të kuptuar se sa shumë kohë paskemi harxhuar për hiçgjë, për punë të kota, si bie fjala: Rita Ora a ka të dashur shqiptar apo jo; shoqja e Medës a ka mbetur shtatzënë, apo, sa muajsh e ka foshnjën; telenovela turke: “Jepma dorën” ka edhe 55 apo 110 epizoda… E, ja, erdhi një moment kur shumë veprime e sjellje t’i shikoj me një sy pak më përqasës, më depërtues e penetrues. Të jem (jo të dukem) pak më racional. Por, paraprakisht – të “distancohem”, të izolohem e të meditoj në vetvete. Të futem madje edhe në brendinë time, në tempullin e shenjtë, që shumë pak e njohim. Po, po, nuk e njohim vetveten. E, më thuani se kush nuk e njeh vetveten, si do të njohësh të tjerët? O, njeri, kthehiu vetvetes, aty do të gjesh burimin e energjisë, të joneve prafulluese, qoftë pozitive, qoftë negative! E, ti kur do të arrish të njohësh në brendinë tënde këto ngarkesa (çfarëdo qofshin), do t’i gruposh ato në dy sirtarë, në një anë viruset, e në tjetrën anë antiviruset. Të parët do t’i neutralizosh, kurse këto të dytët në formë “melhemi” do t’i shpërndash tek të tjerët. Po, po, Ti në këtë rast ndan dritën nga terri. Ti në këtë rast do rrezatosh kudo përreth teje këtë rrëzëllimë që e akordon e sinkronizon me energjinë e kosmosit. Prandaj, me këtë rast do t’i referohem një ëndrre që pash para një nate. (Ore, më duket se edhe ëndrrat më janë bërë më të ngrohta, më kuptimplote e më të paqta?). Falëmnderit, Kovid! Ja përmbajtja e ëndrrës: “Udhëtoja në këmbë në një planet të panjohur. Ec e ec; ec e ec, kur “tak” takoj një plakë të gërmuqur që po vinte në anën e kundërt të rrugës që përpija. Kur e njoha se është Nënë Tereza, ajo e para më pyeti: – Ku je nisur kështu i vetmuar, biri im i dashur? – Jam nisur të gjej të Mirën në këtë Planet të mjegullt, Nënë – iu përgjigja. – E, ke arritur ta gjesh, bir? -Jo, jo, ende jo, Nënë Shenjtore! – i thash. -Ndoshta edhe nuk do të arrish të të buzëqesh fati, biri im kurioz! Prandaj, kthehu në shtëpi andej ka ke ardhur, edhe nëse nuk e gjen dot të Mirën, bëru ti vet i Mirë. E kur ti këtë Mirësi do ta shpërndash përreth teje dhe kur edhe të tjerët të kenë marrë e përthithur nga kjo Mirësi, ajo do të shpërndahet, do reflektojë, mbërthejë dhe do të sundojë mbarë Globin e Lëmekur!” Dhe kështu bëra. Kështu bëj edhe Ti – le të bëjë edhe Ai…! Kur do të reflektojmë kështu të gjithë Ne, Ju , Ata apo Ato, bota do të jetë krejt më ndryshe. Do të frymojë më lirshëm…