• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E hënë, 12 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

“Asklepi në luginën e mollëve” – libër që vret heshtjen e pllakosur

…S’do mend se, gjatë kredhjes në lexim të  “Asklep-it…” , lexuesit do t’i duket se, vet autori në shoqërim të Asklepit,  me një këmbëngulësi dhe energji eksploruese, nis memball “avanturën”, fillimisht: “Gilgameshi”, Papiruset, Udha e Mëndafshtë, për të arritur sërish në Ilirikumin e mistershëm e mitik. Në këtë rrugëtim të gjatë ai takohet me “artistë të mjekësisë së shërimit”, “heronj që kërkojnë barin e pavdekësisë”, “protagonistë që marrin në konsideratë traditat, bestytnitë, historinë, klimën, ushqimin, kushtet e banimit dhe mënyrën e jetesës, madje me shumë shkrimtarë që kanë botuar shumë vepra (shkrime) ku përmenden mjekë, sëmundje dhe epidemi” që në aparencë duken e nuk janë të pamposhtura. Bile, edhe në Librat e shenjtë thuhet: “Zoti nuk ka krijuar sëmundje, për të cilën, paraprakisht nuk ka “jaratisur” edhe ilaç, të cilin duhet ditur me e gjetë ose me e kavërdisur.  

18/08/2020
| Opinione

Syrja Etemi – Edhe një burri koxha të moshuar  të kësaj gjeografie të harbuar të Sharrit e Anasharrit, po t’ia parashtrosh një pyetje të beftë në lidhje me botën bimore autoktone, se, sa e njeh, përkatësisht se, cilat janë lulet, barishtet, bimët (mjekuese), madje pemët e perimet rrethinës më të afërt, ai përveç disa llojeve modeste që do t’i numëronte, zor se do të mund të vazhdonte përgjigjen gjatë e gjatë. Sigurisht se në fytyrën e tij do të përvijoheshin rrudha me isharete hamendjeje e pasigurie… Ndoshta me një ndjenjë fajësie do të vazhdonte me: -“Po, nënën…e di…ka shumë, po tani nuk më kujtohen të gjitha… Prit t’kujtohem edhe pak… Ja, edhe “kjo” apo “ky”… edhe “ai” apo “ajo”… E, ngulfatja e përligjur me përgjigje të thata e të ngatërruara do të zvarrej në buzët e përthara nga sikletosja, mu si një çamçakëz i zhvatur keq. Por, Salajdin Salihu me librin apo publikimin e fundit që mban titullin: “Asklepi në Luginën e Mollëve” të botuar (në korrik, 2020), do të pretendojë që këta “fajtorë të harlisur” t’i  kurtalisë nga kjo situatë e pakëndshme dhe e sikletshme, për t’i hapur më mirë  sytë e për t’u piketuar më fort në soditjen përdëllimtare e për të shtuar përkujdesjen që, më “hakikat”  të priren në shfrytëzimin më aktiv dhe më eksplikativ të këtij thesari  që na rrethon; të këtij bollëku të Zotit, që  derdhet kudo afër nesh, pranë  syve tanë të lëbyrur nga smira e babëzia, pranë hundëve tona të ngritura lartë nga çallëmi se  jemi “më të moçmit e Ballkanit e Europës”; pranë duarve tona që i përdorim vetëm për të lypur lëmoshë nga “e lartëmadhërishmja (H)europë!”; pranë këmbëve tona që i përdorim (me nder me thënë) vetëm për të shkuar deri në hale, për të dalë jashtë e për t’u krekosur se çfarë “alamet taure” kemi bërë… Prandaj, autori në fjalë ka vendosur që shqiptari i këtyre trojeve mitike, këmbët (duart, mendjen dhe përvojën e akumuluar ndër breza ) mos t’i përdorë për qëllimin e shpifur, por për “avanturën” gëluese për t’u futur thellë që në lashtësinë pellazgjike, për të qëmtuar fakte e dokumente, për të përshkuar trup e tërthor “bajrakun” e fisit, me qëllimin për t’iu qasur dhe për ta njohur sa më afër krejt këtë “Elldorado” të përhumbur përpara sysh,  të këtij trualli  të bekuar dhe, krejt këtë mbushullim – për ta ruajtur si “djalë për mallë”  brenda kopertinave të  librit, i cili  nuk ka aq rëndësi se si titullohet. Ndaj, autori për disa vite me radhë, është munduar të mbledh gjithë  atë material të shkruar për këtë përvojë brezash, dhe këtë “pajë” të shtresëzuar ndër shekuj në këtë areal tonin më të afërt (me ndërdijen  se mund të gjenden akoma e akoma “inxhi”), më në fund  për të na sjell në tryezë hajen e munguar të ditës, ushqim të cilin duhet ta provojmë të gjithë ne që akoma na giligicë krimbi i kurreshtjes për të njohur “të panjohurën”.

     …S’do mend se, gjatë kredhjes në lexim të  “Asklep-it…” , lexuesit do t’i duket se, vet autori në shoqërim të Asklepit,  me një këmbëngulësi dhe energji eksploruese, nis memball “avanturën”, fillimisht: “Gilgameshi”, Papiruset, Udha e Mëndafshtë, për të arritur sërish në Ilirikumin e mistershëm e mitik. Në këtë rrugëtim të gjatë ai takohet me “artistë të mjekësisë së shërimit”, “heronj që kërkojnë barin e pavdekësisë”, “protagonistë që marrin në konsideratë traditat, bestytnitë, historinë, klimën, ushqimin, kushtet e banimit dhe mënyrën e jetesës, madje me shumë shkrimtarë që kanë botuar shumë vepra (shkrime) ku përmenden mjekë, sëmundje dhe epidemi” që në aparencë duken e nuk janë të pamposhtura. Bile, edhe në Librat e shenjtë thuhet: “Zoti nuk ka krijuar sëmundje, për të cilën, paraprakisht nuk ka “jaratisur” edhe ilaç, të cilin duhet ditur me e gjetë ose me e kavërdisur.

     Kësisoj, nuk është me rëndësi se prej ku e  filllon hapin “shoqëruesi i Asklepit”, nga Lindja a nga Perëndimi, Veriu apo Jugu. Nga papiruset e fjetura nëpër arkat e arkivave apo nga mitet e legjendat e koduara në padjallëzinë e gjyshërve e stërgjyshërve me dell homerik. Sido që të jetë, ngado që  fillon odisejada, synimi mbetet i patundur…

     Unë si një lexues tapkën e konsistent i shkrimeve të Salajdinit, (e, që i takojmë së njëjtës zonë gjeografike), s’do mend se në këtë vështrim, përqasjen  time recensive do të vazhdoj ta fokusoj në Zonën e Sharrit e Pollogut apo Luginën e Mollëve, siç e quan autori  Luginën e Pollogut:

     …Sharri… ky masiv i admirueshëm malor (në të cilin kemi hise të dy rezidentët e kësaj ane), nuk paraqet dhe nuk duhet të paraqesë vetëm një reliev të pasur me male e bjeshkë, kodra e shpatije, lugje e shullane, lumenj e xhole, por edhe një laryshi të jashtëzakonshme të specjeve të shumta të kafshëve, shpezëve, drunjve, pemëve  e bimësive, me të cilat, banorët vendas, sidomos përmes mjekëve popullorë, kanë krijuar, bile edhe po krijojnë, përveç tjerash, edhe “eliksiret” më efikase që kanë shëruar edhe sëmundjet më të rënda të pllakosura, siç përmenden në libër: Dr. Isa, Xhafer Sulejmanin-mjek, Qazim Sinani – mjek popullor nga Xherma, etj.

     Këtu, ja këtu në Sharr e Pollog, kah të kthesh kokën, gjen  fruta plot shije të ëndshme, që mbulojnë pjesë apo sipërfaqe  të mëdha të fushave, të maleve e bjeshkëve nazemadhe.   Diçka e ngjajshme ka qenë dhe është gjendja edhe me bimët mjekuese apo shëruese “çudibërëse” (fq.101). Lulet e tyre magjepsëse, sidomos në stinën e pranverës dhe të verës, madje  edhe të vjeshtës, me ngjyrat dhe tonet e larmishme, mbushin botën e mahnitshme të këtyre hapësirave, ku pulson gëzimi dhe bukuria e jetës. Prandaj, ne duhet të jemi të kënaqur, të gëzuar, mirënjohës e të lumtur për këtë pasuri e mrekulli. Siç do të shprehet Markezi në një rast: “ Asnjë ilaç nuk shëron sëmundjen që nuk e shëron lumturia”. E, nuk konstatohet kotë se, krejt indikatorët efiçentë që i cekëm më lartë, përveç tjerash kanë ndikuar edhe në rritjen e jetëgjatësisë tek njerëzit e këtij nënqielli. Kështu në kapitullin 6 të librit përmendet edhe fakti që: “Shumë autorë kanë shkruar se në Pollog jetojnë njerëz të bukur, të fuqishëm, të shëndetshëm, punëtorë, të zgjuar, mendjekthjellët, të guximshëm dhe sqimatarë…” madje, “edhe për njëqindvjeçarët, të cilët jetëgjatësinë e lidhin me klimën e mirë dhe ushqimin e shëndetshëm”. Prandaj, shoqëruesi i Asklepit vazhdon të na bindë se, “Kushdo që të ketë qenë vizitor i kësaj ane, (që, autori jep listën e shumë syresh), nuk mund të mos jetë mahnitur me këtë pasuri e bollëk të pafund, duke filluar nga Plini e Tit Livi, madje në mesjetë, Ana Komnena, Evlija Çelebia, e deri te A. Grisebach, Jovan Cvijiçi, etj”.

     Flora e Pollogut dhe Sharrit të stërmoçëm, nuk ngec për nga pasuria natyrore, në krahasim me viset tjera . Ujërat e cemtë të këtyre zonave, sikur janë të destinuara kastile për llojet e veçantë apo endemike të bimëve, pemëve e luleve, të cilët apo të cilat, Salajdini i paraqet në librin në fjalë, si: Iris Illyrica, Gentiana lutea, Lëpushtëra(Lule mutejni), Trika (Lule ethesh), Geraniumi ( Lule Bolle), (H)Urthi, Lule Basani (Lule Lishaj), etj., madje, edhe deri te Gjershejkat, Kulumrejat e druri i veçantë e nazeqar, si që është Vojza.

     Ajo që është më karakteristike për florën e këtushme, e, që pikaset nga shumë shkrimtarë, studiues, kronistë e kalimtarë kurreshtarë (nga libri në fjalë), është “ekskluziviteti”, që të duket sikur  çdo gjëje i është lejuar dhe po i lejohet të zhvillohet ashtu si kërkojnë ligjet e natyrës, lufta për ekzistencë dhe seleksionimi e përzgjedhja e natyrës. E, shumica e tyre, kështu do të na rrëfejnë: Kushtet tekanjoze klimatike të Sharrit dhe Pollogut janë mjaft specifike. Edhe pse “Lugina e Mollëve” dhe ky masiv paraqet një hapësirë relativisht të gjërë gjeografike, këtu janë prezentë edhe disa dukuri të veçanta mikroklimatike. Nga vendpozita dhe nga karakteristikat relievore të tij, mund të përshkohet klimë me karakteristika mediterane dhe kontinentale lindore. Për këtë, është evidente edhe klima lokale e lartësive. Vetëm në saje të këtyre karakteristikave klimatike, determinohen edhe temperaturat e ajrit, variacioni i ndriçueshmërisë së diellit, shpejtësia e erërave, intensiteti dhe sasia e të rreshurave në stinë të caktuara dhe ndryshimet tjera klimatike. Kështu, kur në qershorin e hazdisur apo korrikun e harbuar, ndodh që temperaturat në Pollog të jenë skajshmërisht të larta, në majat dhe luginat e Sharrit, vende-vende ende mund të zbardhëllojnë shtresat e dëborës. Për këtë arsye, këto terrene kanë përfaqësuar dhe akoma po paraqesin një atraksion për shumë e shumë vizitorë të profileve dhe proviniencave të ndryshme, që shoqëruesi i Asklepit na i paraqet në librin që flasim, duke pretenduar të sublimojë që, më në fund rezidentët e Luginës, nëse nuk janë zgjuar ende nga këto kotullitje e përçartje, është koha të tranden nga  kllapia e injorancës dhe arrogancës së beftë, dhe, gjithnjë e më shumë të synojnë  të favorizojnë këtë mundësi, përkatësisht marifetin e shfrytëzimit të resurseve natyrore që i ofron ky regjion.

     Dhe, për fund, rishtazi të lind dyzimi apodiktiv: Pse u duheshka të kalojë një kohë kaq e gjatë për t’u vetëdijësuar e  kuptuar vlerën e kësaj pasurie të natyrës Iliriane, (kur të tjerët  këtë e kanë bërë  qëmoti dhe  po vazhdojnë ta bëjnë akoma në mënyrë edhe më me ustallëk)? Pse  të na mungojë sensi që këto pasuri natyrore të mos  t’i shfrytëzojmë deri maksimum dhe t’ua shohim hajrin si është më së miri?

     Së pakut në këtë kohë të pllakosjes së kësaj pandemie, libri i Salajdin Salihut: “Asklepi në Luginën e Mollëve” do të na ndihmojë të kuptojmë se nuk jemi “fukarenj”;  kemi begati burimore shumë-shumë të vlefshme, si: malet e kullotat e panumërta, ujë e ajër të pastër, hapësirat e paskajshme me fruta e bimë mjekësore;  cilësitë estetike të pejzazheve të papërsëritura, terrene me pyje e bimë mjekuese, që fundi – fundit, konsiderohen e llogariten si “mall” shumë kualitativ, i cili mund edhe të “shitet” në hesap dhe, kështu, nga këto resurse të jetohet mirë, e mos të lakmojmë “të huajën”, duke e pasur  tonën në “bafçen e shtëpisë sonë!”. Por, më së pari duhet të bëjmë operacionin e ashtuquajtur: “egzaminim të koshiencës ” sonë të tulatur.

 


Publikimi i mëparshëm

Mësuesi i madh Baki Bajrami (1948 – 2011)

Publikimi i radhës

130 raste të reja me Covid-19 dhe 152 të shëruar

Publikimi i radhës

130 raste të reja me Covid-19 dhe 152 të shëruar

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.