Kastriot Marku – Ashtu si paraardhësi i tij At Bernardin Palaj O.F.M, edhe Martin Camaj u njoh dhe u ushqye nga krijimtaria e pasur gojore e Dukagjinit “…vis ku u ruejtën të paprekuna doket e burrnija stërgjyshore dhe ku banorët mund të njehen mà tepër se ngjeti tepricë katallajsh ilirjanë kursye nga stuhia zvetnuese e kavaljetave”. Poezia popullore gojore, këngët e kreshnikëve, gojëdhënat, përrallat, legjendat, simbolet, mitet, enigmat, traditat e zakonet, me një fjalë e gjithë kultura e kësaj zone është tharmi që kultivoi Camaj në poezinë e vet. Kjo depozitë kulturore duhet të kërkohet përmes hulumtimit i cili e çkodifikon gjuhën duke e shtruar atë në parketin kuptimor i cili rrëfen njeriun specifik shqiptar. Shkollimi dhe edukimi në një shkollë klasike si ajo e etërve jezuitë në Shkodër, qendër e urbane kulturore e letrare sidomos midis Dy Luftërave Botërore e më pas kalimi nëpër qendra të njohura kulturore europiane si Beogradi, Roma dhe Mynihu, (ku studioi gjuhësi, filologji, romanistikë, sllavistikë), do të krijonin tek ky shkrimtar intelektualin tipik shqiptar si dhe evropianin fin të vetëdijshëm për rrjedhat e kulturës bashkëkohore. Ai përfaqësoi elitën kulturore shqiptare, shkrimtarin dhe studiuesin e palodhur që la pas një vepër me vlera të pashoqe gjuhësore e letrare e cila është një kapërcyell i rëndësishëm cilësor dhe estetik në letërsinë dhe kulturën shqipe të shekullit të XX.
Martin Camaj vjen prej Letërsisë së Qarkut Katolike të Veriut me qendër Shkodrën, në të cilën njohu shumë mirë poezinë shqiptare të traditës që nga letërsia e hershme shqipe me Buzukun, Budin e Bogdanin (jo rastësisht tezën e doktoraturës në Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Romë në vitin 1960 e mbrojti mbi Mesharin e Gjon Buzukut), si dhe poezinë me varg metrik të rimuar të “dy shkollave letrare” të Shkodrës me At Leonardo De Martinon O.F.M, Dom Ndre Mjedjen, At Gjergj Fishtën O.F.M, At Vinçenc Prennushin O.F.M, Ernest Koliqin, Bernardin Palajn O.F.M. e Dom Lazër Shantojën, prej së cilës ndihet brumi leksikor e muzikaliteti fonetik, ku ritmi e rima e vargëzimit virtuoz klasik, harmonizohen brenda tekstit poetik në një poezi me varg të lirë me thyerje të befta e cila është e përsosur nga ana formale, çka me të drejtë e bën Aurel Plasarin t’a përcaktojë Camajn “si shelbue të tijve”.
Martin Camaj me poezinë e tij është produkt tipik me rrënjë në botën shqiptare, i cili e sharton dhe shkrin poezinë burimore gojore dhe atë të kultivuar shqipe me poezinë moderne evropiane e botërore në të cilën veçoheshin në atë kohë Giuseppe Ungareti, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo, Thomas Stearns Eliot etj. Kjo është një poezi sa shqiptare aq edhe evropiane në të cilën ndërthuren ndjeshmëria, përjetimi dhe struktura me teknikat e shpërbërjes dhe ribërjes, përthithur e tretur në një substancë tërësisht vetjake. Në këtë kuptim përmasat trivalente kulturore e letrare; kultura gojore popullore, letërsia klasike e moderne shqiptare dhe evropiane do të përbëjnë edhe boshtin kulturor e estetik të poezisë së tij. Ai “mbetet i gatuem me “miell shtëpie”, ndonëse “bukë” e pjekun në furrë të botës” Tek moderniteti e hedhin Ungareti dhe ftohtësia germane. Hermetizmi i Camajt qëndron për aq kohë sa lexuesi njeh dhe e kupton metaforën, simbolikën dhe mitikën shqiptare. Në momentin kur këto i ke njohur, poezia tashmë të merr me lehtësi pas vetes me magjinë e kumtit të saj autetnik shqiptar. Nisur nga kalimi nëpër kultura të ndryshme, vendi i botimit të veprës së tij letrare, motivet tematike, si dhe ligjërimi poetik, poezinë e Martin Camajt bazuar në shumicën e studimeve të kryera për të, mund ta klasifikojmë në tri periudha:
1-Periudha e parë ose ajo klasike me prirje tradicionale 1953-1967, mund ta quajmë periudha “kosovare”; nisi me botimin e krijimtarisë së tij letrare në Kosovë e cila dëshmon një poezi krijuar mbi bazën e traditës me përmbledhjet Nji fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954), të cilat frymëzohen drejtpërsëdrejti nga imazhet e gjalla të natyrës së vendlindjes si dhe poezia me tematikë nga legjendat e gojëdhënat gojore shqiptare Legjenda (1964), e cila do të ndiqej nga poezia me prirje moderne mbështetur mbi një ligjërim metaforik herë-herë simbolik që nis tek Lirika mes dy moteve (1967), që së bashku me Legjenda ribotohen më vonë nën titullin: Poezi 1953–1967, (1981). Format e ndryshme të vargjeve, strofave, rimave dhe aspekte të ndryshme ritmike sidomos ritmi i brendshëm, pasuruan cilësisht poezinë shqipe.
2-Periudha e dytë, përndyshe periudha “italiane”, përfshin periudhën 1967-1978, e cila na paraqet pjekurinë e tij poetike në strukturimin formal dhe përmbajtësor e estetik të poezisë moderne, ku veçohen mendimi i thellë që komunikon në mënyrë të tërthortë dhe abstragues, përmes strukturave gjuhësore të ngjeshura, e cila gjendet në vëllimin Njeriu me vete e me tjerë – 1978.
3-Në periudhën e tretë modernizmi i rafinuar ose periudha “gjermane”, përfshin vitet 1978-1991 në të cilën elementët simbolikë tashmë jo vetëm metaforizohen, por mitizohen në trajtë esenciale, substanciale, përmes ndërtimit formal dhe kuptimit logjik të cilat shkapërcejnë një botë vetjake imagjinative e komplekse e cila shpërndan substancialisht universalitetin e poezisë së tij. Të kësaj periudhe janë ciklet poetike Nema dhe Buelli, – 1990 si dhe Palimpsest, – 1991, (bot. shqip, anglisht në Mynih dhe Nju Jork 1991). Ciklet Nema dhe Buelli krijuar në dhjetë vitet e fundit të jetës së poetit, janë ndër ciklet poetike më të realizuara jo vetëm të poetit por edhe në të gjithë poezinë shqipe. Bie në sy këtu tërësia tematike, një sistem i përpunuar edhe më thellë, i shprehjes artistike dhe simbolikës poetike. Tipare thuajse të ngjashme janë karakteristike edhe për vëllimin poetik Palimpsest, në të cilin trajtohen probleme të ekzistencës, të fatit dhe tragjikës së njeriut tonë në rrjedhë të kohës. Përmes simbolit të palimpsestit (pergamenë e kohëve të vjetra, që përdorej për të shkruar në të, ndërsa fshihej me një lëndë të posaçme shkrimi i vjetër, për të hedhur në të shkrimin e ri) paraqitet simbolikisht në një farë mënyre shkrimi, njëri mbi tjetrin, shtresa – shtresa, që Camaj e përdor për të dhënë mbivendosjen shumështresore të ekzistencës njerëzore, të individit, shoqërisë, popujve etj. Martin Camaj është një poet sqimatar në kuptimin se leximi i tekstit të tij poetik kërkon një lexues të vëmendshëm. Me poezinë e tij nuk ndodh si me poezinë që rëndom lexuesi shqiptar është edukuar estetikisht përgjatë periudhës ‘45-‘90. Camaj i ikën romantizmit tradicional dhe propagandës ideopolitike duke ndërtuar poezinë në vetvete, të zhveshur nga retorika e zakonshme e poezisë shqipe. Teksti dhe kumti që ai çliron ecin vertikalisht e jo horizontalisht, duke u shoqëruar pothuajse kudo me nëntekst, çfarë i ngjan parimit të udhëtimit të urithit. Urithi ecën afër, mjaft afër sipërfaqes së tokës, e megjithatë ne nuk e shohim atë, por janë “gjurmët” dhe “shenjat” që ai lë pas të cilat na lejojnë të ndjekim rrugën e kryer prej tij. Teksti i Martin Camajt të kujton ato kullat veriore me frëngji, brenda të cilave këqyr gjithçka jashtë, ndërsa në të kundërt jashtë tyre nuk sheh asgjë brenda. Poezinë e Camajt do të duhet t’a vrojtosh prej së largu, duke mprehur sytë për të depërtuar përmes “frëngjive” të strukturave tekstore nga ku mund të marrësh një pjesë të shumësisë kuptimore që mbart teksti i tij poetik. Kështu ngjet pothuajve vazhdimisht me mesazhin kuptimor që çliron teksti i tij pas çdo akti leximor. Bash kur nuk kuptojmë asgjë, ose kur më e pakta kemi njëfarë dyshimi, rikthimi në rileximin e tekstit bëhet i detyrueshëm, në mënyrë që të shkojmë tek kuptimi dhe bash atëherë kur mendojmë se e kemi marrë kuptimin sërish na duket sikur s’paskemi marrë vesh asgjë, për çfarë ka dashur të na thotë teksti. Ky katalizator i “ndeshjes” me tekstin përbën pajën e estetikës së poezisë së Camajt.
Martin Camaj është shkrimtari që pa as më të voglin dyshim, përbën një nga fenomenet më interesante në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai përbën një dukuri letrare të mëvehtësishme që kërkon njëkohësisht vëmendje të madhe prej studiuesve dhe historianëve të letërsisë sonë. Brezat e ardhshëm kanë çfarë të mësojnë nga poezia e tij, ngaqë ai nuk ngjan dhe nuk bashkëmatet me asnjë prej poetëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shek XX. Poezia e tij e paangazhuar, nuk ishte poezi me porosi dhe vargjet e tij nuk ishin për t’u lexuar “para mikrofonit/si të çetës së poetëve të tjerë”, sepse shteti shqiptar nuk kishte paguar asnjë grosh për formimin e tij. Largimi i tij prej Shqipërisë për të fituar “lirinë krijuese” do të na kujtonte shtegtimet e hershme të intelektualëve shqiptarë, por tashmë jo të ndjekur prej të huajve, por prej vetë shqiptarëve e megjithatë ai është indiferent dhe jeton me përkormërinë maksimale morale dhe estetike të krijimtarisë, pa shfryrë maninë e përfitimit të kapitalit politik, gjë të cilën edhe mund ta bënte nisur prej faktit se ishte një i ikur politikisht nga vendlindja. Ajo që e bën vërtetë interesante krijimtarinë e Camajt është mungesa e komunikimit (kuvendimit) të saj me receptuesin, lexuesin natyral, pra publikun sepse e gjithë vepra e tij shkruhet e botohet jashtë vendit.
Vepra letrare krijohet të komunikojë me lexuesin e jo gjithëaq për vetveten e në këtë kuptim Camaj krijimtarinë e tij poetike ia adreson receptuesit shqiptar në mënyrë që të jetë ai që do të marrë tashmë nismën e komunikimit më të. Camaj nuk shkroi poezi melankolike emigrimi edhe pse publiku i tij do të ishte mërgata. Jo! Ai shkroi poezinë e pastër të pavarur prej motivimit faktorial personal. Publiku i poezisë së tij u bënë miqtë e tij. Në dhelindje ai u mbulua me heshtje të lakmueshme prej krijuesve zyrtarë, injorancë, mospranim dhe shpërfillje sikur të mos ekzistonte. Kjo heshtje estetike në komunikimin artistik, me një horizont pritjeje gati të papërfillshëm, në kushte e rrethana tërësisht të izoluar komunikimi, do t’ia shtojë edhe më tepër befasinë një krijimtarie të tillë si ajo e Camajt, e shkruar, publikuar dhe receptuar në një mënyrë krejt specifike nga lexuesi e kritika. Ai kishte nevojë për lexuesin, destinatorin të cilit i adresohej poezia e tij, me të cilin do të komunikonte dhe bashkëndante tekstin e saj, por horizonti i pritjes i mungoi e kështu ai mbeti në njëfarë kuptimi “si peshku pa ujë”. Intelektuali Martin Camaj mbeti i izoluar në vetmi absolute, të përvuajtshme gati-gati sfidante. Gjithsesi ai ka kqyrë punën e vet pa bujë, mendjekthjellët, vetshqyrtues, duke komunikuar (pleqnuar) me veten, duke e konsideruar këtë si një akt të vetmjaftueshëm mbijetese përmes letërsisë, anipse pa dëshirën e tij. Poeti, prozatori dhe studiuesi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe shpërvjoli krahët duke rrëmuar thellë në etnokulturën e botës shqiptare duke depërtuar në thelbin e saj, në tragjiken e saj. Camaj e merr lëndën burimore vendase për ta shndërruar atë më pas në një trajtë e cila tashmë na lejon të depërtojmë në ashtin, palcën e miteve të stërlashta shqiptare të ruajtuara deri në skajshmëri me fanatizmin e pakurrkundshoq. Ne kemi fjetur, jemi rritur dhe jemi edukuar nën velenxën e mistifikimit e patriotizmit folklorik, i cili për fatin e keq tonin, u manipulua dhe u nxit në të njëjtin kah, por me instrumente të tjera edhe përgjatë periudhës së regjimit komunist 1945-1990. Camaj ky bjerraditës shekujsh mesjetarë, në palimpsestet e tij estetikë ecën me shoje të lëkurës së buallit skaj më skaj dhelindjes nga veriu deri në jug pa parë majtas as djathtas. Në veprën e tij poetike vetëmjaftohet se është me njeriun shqiptar që hijon në pleqnim më vete nën lis duke dëgjuar pa prà përmbi krye korbin. Kjo rrokje tërësore e jetës gjithëkohore t’a përqeth shtatin fund e krye. Shkëmbinjtë e shpellave dhe gurët e varreve janë palimpsestet mbi të cilët etërit tanë ndër mote kanë shkruar jetën e tyre të ashpër. Camaj krijon kështu një dialog filozofik të ballafaqimit me vetveten, shqetësimin për dramën dhe tragjizmin individual e pse jo edhe atij kolektiv shqiptar, në këtë botë në të cilën nëpërkëmbemi dhe zvarritemi më shumë prej vetvetes se sa prej të tjerëve. Poezinë mitike, gojëdhënore, vargun metrik të rimave tradicionale ai ia nënshtron estetikës së poezisë bashkëkohore. Camaj hyn në poezinë e pasluftës duke nënshtruar e bindur fjalën shqipe ngadalë, duke prekur lehtas mbi prirjet e reja duke thyer në njëfarë mënyre traditën e Mjedës dhe Poradecit. Ai i kundërvihet poezisë shqipe, ku sundonte kulti i heroit, të cilin ai e shtrin përdhe pa bëzajtë e pa u ngrefozur, ose e thënë ndryshe e shpërben kultin e individit duke e nxjerrë atë lakuriq faqe botës. Camaj e ndërton njeriun lakuriq duke kërkuar tjetërsimin estetik jo vetëm si motiv, por edhe si nëntekst duke e tërhequr kuptimin kah nëndheu. Ai e vendos njeriun shqiptar, qënie në qendër të misterit, duke marrë esencialen nga poezia e mëparshme dhe mbi këtë bazë nis kërkime e eksperimentime moderne prej të cilave doli i suksesshëm me poezinë autoriale. Kjo ka bërë që ndonëse “I ndjeshëm tej mase ndaj motivese të vendlindjes e fëmijërisë, ai në të gjithë poezinë e vet tenton të universalizojë elementët thellësisht shqiptare, si peisazh, mitologji, mentalitet e karakter. Motivet kryesore që e përshkojnë poezinë e Martin Camajt janë, vendlindja, (dhèlindja), vrojtimi, përpunimi, përjetimi dhe transformimi në varg i fëmijërisë, bota shqiptare malësore, mjedisi dhe bukuritë natyrore, femra, njeriu me vuajtet e tij shpirtërore që përgjithësisht është poeti i cili ballafaqohet gjithnjë me vetveten. Ndonëse vendlindjen, fëmijërinë, këngët, legjendat, eposin, mitin e ritin, mentalitetin patriarkal malësor, pra gjithë këtë depozitë, këtë rezervat të konservuar në shekuj, megjithëse nuk e mori më vete fizikisht, ai do ta dëshmonte me shumë kujdes dhe me një fanatizëm, (po e quajmë kështu), në veprën e tij letrare. Bujku, bariu, mali, lisi, qarri, gjarpri, dallëndysha, bleta, lulja, kroi fyelli, ujku, vajza, na japin etnografinë e shqiptarit, psikokulturën e tij, një botë heshtake e herë herë e pakuptueshme ku drama, shpresa, vetmia dhe perspektiva jepen me një dritëhije e solemnitet të rrallë. Vendlindja, Temali, Dukagjini, bregu i Drinit, Shqipëria Veriore, fshati ose si e quan ai katundi, bjeshka e vërrini janë referues të kudogjendshëm në poezinë e tij, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre në kujtesën e poetit për tu kthyer, transformuar në poezi. Njeriu, poeti dhe studiuesi Camaj oshëtimën e Drinit e të Kanunit e mori mbi shpatulla. Autori i kthehet vendlindjes, fëmijërisë, fatit të tij së bashku me atdheun duke nxjerrë në pah njeriun tragjik shqiptar, dramën e ekzistencës së tij. Kundërvënjet mes së resë e së vjetrës trajtohen me materie dhe simbole vendase tradicionale, por shpesh uni poetik gjendet vetmitar, mospërfillës, mërgues, shtegtues në të cilin gëlojnë pa prȃ vuajtja, fatkeqësia, dëshpërimi, ironia e ngashërimi me të cilat autori kërkon t’i bëjë sfidë kontrastit shqiptar dramatik herë-herë tragjik. Në poezinë e Camajt një vend me rëndësi zë edhe femra shqiptare e konkretisht malësorja. Poeti i thur vargje vërtetë të bukura jo vetëm si grua e si nënë, por veçanërisht si e dashur. Vajza malësore na paraqitet e bukur, e urtë, e çiltër dhe mbi të gjitha e respektueshme në ndjenjën e saj. Në poezitë e tij intime bie në sy harmonia e shpirtit dhe e bukurisë së saj me atë të natyrës, në të cilën marrin pjesë lumi, mali, qarri, kroi, lulet zogjtë, bleta etj. Dashuria “e tij” kalon përmes vështirësive, vuajtjes, vetmisë duke krijuar tek poeti nevojën e të jetuarit bashkë me partneren si një gjendje e paqtë e ngushëllimit shpirtëror. Vetmia, brenga, vuajtja, qëndresa, mençuria. malli, melankolia, dëshira, ngushëllimi, ngrohtësia, sinqeriteti dhe butësia janë elementë vetjakë kuptimorë të kësaj poezie. Shembuj të kësaj poezia jane poezitë “Deshta nji vashë” dhe sidomos poezia “Nji vjetë” një nga perlat e veçanta të vargut shqip.
…Martin Camaj e sendërtoi tekstin e tij mbi gegërishten me vetëdije autoriale, ngaqë ai u rrit dhe u kultivua në moknën e saj, duke i dhënë këtij dialekti kuintesencën e tij, vlerën shumëpërmasore vertikale kuptimore. “Fjalët e gjuhës seme-nji/ udhtimë e gjatë në kohë/ nji ushtimë e gjatë e gjanë/ndër veshë”.
…Camaj është i mëvehtësishëm në varg dhe në figuracion. Struktura e poezisë së tij është e lirë dhe e koncentruar, që flet shumë përmes mungesës informative, nëntekstit të saj të shprehur deri në nivelet fonologjike, mundësi të cilat ia siguron asaj frekuenca e lartë e sistemit vokalik të gegërishtes. Ai ka rinovuar dhe mobilizuar në poezi totalisht gjuhën shqipe që prej Buzukut, bile edhe duke i rinovuar disa trajta të hershme fonetike të tij. Ritmika e brendshme, thyerjet e shumta të vargut, larmia e formave dhe e strukturimit të tekstit, komunikimi estetik në disa nivele, kursimi dhe ngjeshja e fjalëve dhe e mendimit, e bëjnë poezinë e tij mjaft cilësore. Perfektshmëria e vendosjes së fjalëve, aliteraviteti me ngjyrime melodiko-shënuese përmes kombinimeve dhe shpërndarjes së tingujve, finaliteti me sentenca të befta lakonike sipas motive popullore, krijojnë një model të qënësishëm shprehjeje.
Është kjo teksturë e ngjeshur me një regjistër të pasur dhe me larmi rrafshesh përtejkomunikuese të cilat duke i dredhuar komunikimit të drejtpërdrejtë, krijojnë një poezi medituese mbresëlënëse.
Titulli i këtij shkrimi sugjeron titullin e një vëllimi të njohur të tij: Njeriu me vete e me tjerë, por që për letërsinë dhe kulturën shqipe Camaj në të vërtetë ishte njeriu më vete e pa të tjerë. Ku ka vënë dorën ai, mbetet shembulli i përkushtimit të fjalës, veçmas në poezi, ku pa asnjë dyshim është poeti më modern i shqipes. Nëse letërsia moderne shqipe tekstet më të mira në prozë i ka nga Anton Pashku dhe Ismail Kadare, në poezi Martin Camaj mbetet ende poeti më vetanak dhe i patedytë i shqipes.
« Eshtna ndër eshtna ndër shtresa petkash të leshta ». Është një intonim historik e estetik që gjithnjë ushton ndër veshë të interesuar për të dëgjuar. Gazeta Liberale