Konkursi i fundit i Agjencisë së filmit është skandaloz dhe jo gjithëpërfshirës – ka deklaruar Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
Ai ka deklaruar se si Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kërkoj të tërhiqet konkursi i Agjencisë së Filmit, i cili nxjerr në pah diskriminimin më të madh që u është bërë shqiptarëve që nga formimi i Agjencisë e deri më sot .
Nga shuma totale e buxhetit prej 177,700,000 denarë vetëm 26,000,000 denarë janë ndarë për produksionin shqiptar u shpreh ai. “Kjo nuk është vetëm skandaloze, por edhe shumë e turpshme dhe diskriminuese. Ka ardhur koha që t’i themi mjaft majorizimit të producentëve dhe artistëve shqiptarë nga ana e këtij Agjencioni i cili ka treguar që nuk ka vesh për kërkesat e shqiptarëve”deklaroi Aziri . Ai ka kërkuar nga drejtori i Agjencisë së filmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që sa më parë ta bëjë transparente procedurën se në ç’mënyrë janë përzgjedhur dhe janë financuar filmat e produksionit maqedonas dhe në çfarë forme dhe për çfarë arsye janë refuzuar filmat e produksionit shqiptar.
“Njëkohësisht, ftojmë të githë artistët shqiptarë të cilët u diskriminuan në këtë konkurs ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për të bërë ankimimin në shkallën e dytë dhe ti drejtohen Ministrisë së Kulturës me vërejtjet e tyre nga ky konkurs” – ka deklaruar Aziri.
Ai më tej është shprehur se i siguron artsitët shqiptarë se si sekretar shtetëror, në suaza të Ministrisë së Kulturës do të t’u del në ndihmë të gjithë artistëve që ndjehen të diskriminuar dhe të nënvlerësuar nga ky akt.