Prof. Dr. Xheladin Murati – Anulimi i vitit shkollor 2019 – 2020, ishte vrasje për arsimin. Ishte gabim, por u bë, ndodhi që viti shkollor përfundoi dhunshëm parakohe. Nuk duhej të ndodhte ashtu. Frika është e madhe dhe e pranishme, por duhej të kërkohej zgjidhje, së paku nxënësit të ktheheshin në bankat shkollore, të kthehen te lapsi, te librat, te mësuesi, tek detyrat e shtëpisë që jepen në fund të orës, të kthehen tek prova në klasë, tek disiplina e shkollës sepse të gjitha këto do të lë gjurmë të thella emocionale tek ato. Mësuesit u munduan të punojnë me nxënësit, ta mbanë gjallë frymën e shkollës nëpërmes mësimit onlajn apo në largësi por ajo ishte e paefektshme sepse institucionet shtetërore arsimore nuk e ndihmuan atë proces, nuk hartuan programe të shkurtuara për mësim në largësi, nuk bën trajnimin e mësuesve për organizimin e mësimit në largësi. E tërë kjo krijoi laramani në realizimin e konceptit të mësimit në largësi.
Institucionet shprehën arsye legjitime për ta ndaluar rifillimin e vitit shkollor, por jo mire të analizuara. Sepse, vendimi ishte urdhër zyrtar që e përmbylli vitin shkollor shumë para kohe, gjysmak. Së dyti, shtruan probleme të pakapërcyeshme shëndetësore pasi virusi do ta rrezikon paqëndrueshmërinë shëndetësore të nxënësve. Këtu shtrohet pyetja: virusi mbetet edhe më tej, pritet vale e re, a do të mbyllen shkollat sërish, apo nuk do të hapen fare? Megjithatë, mendoj se procedura për mbylljen e vitit shkollor para kohe nuk ishte e bazuar në parime objektive, transparente dhe jo-diskriminuese. Sidoqoftë, shkolla mbaroi, mjaft më lotët nxënës. Pritni ditë më të mira, shtatorin kur do të fillon viti i ri shkollor, madje nëse fillon. Sepse, sipas gjasave coronavirusi do të kthehet sërish në shtator. Por OBSH-ja vlerëson se virusi nuk do të humbet kurrë, do të mbetet pjesë e jetës së njeriut.
PREMISAT
Viti shkollor 2019-2020 nuk rifilloi dhe u mbyll para kohe, shkaku i pandemisë Covid-19 që e paralizoi shoqërinë dhe arsimin.
Ndërprerja e mësimit për nxënësit ishte një tronditje.
Nxënësit janë të paparashikueshëm, u ndjen të trishtuar me fundin e tillë të vitit.
Virusi korona do të bën që arsimi të ndryshoj tërësisht në organizim.
Shkollat do të rikthehen po nuk do të jenë si më parë.
QASJE DHE ASPEKTE
Viti shkollor mbaroi thuajse 4 muaj para kohe me justifikime për arsyet shëndetësore përkatësisht pandemisë së Covid-19. A u bë me arsye? Institucionet mendonin se kishin gjithçka të qartë, gjithçka nën kontroll. Parashikimet e institucioneve ishin se pandemia është në rënie dhe situata virusale po normalizohet. Por ato marrin vendime më të vështira. Megjithatë, mendoj se do të bënin një punë më të mirë sikur nxënësit t’i ktheheshin zhurmës shkollore, jetës në klasë. Ndërprerja e shkollës me dhunë nga pandemia koronavirusale ishte një vendim qeveritar dhe i ministrit të arsimit, ndoshta jo mirë i menduar. Por frika nga përhapja e tij e solli atë vendim. Kjo ndërprerje i la nxënësit pa lexim, pa ushtrimin e mendjes, pa meditim, pa mësuar gjërat e planifikuara me program dhe pa zhvillimin e inteligjencës kumulative. A u ndjen mirë maturantët pa provimin e maturës që është një simbol i pjekurisë?
Duhej institucionet që vendosën për këtë epilog të vitit shkollor të dilnin me plane A, B, C për rifillimin e vitit shkollor. Për shembull: Plani A, të gjithë nxënësit të ktheheshin në shkollë me orar dhe aktivitete të reduktuara në shkallë të caktuar. Plani B, nxënësit të ktheheshin në shkollë klasat e ulta një ditë, e të lartat ditë tjetër. Plani C, të aplikohet tele-pedagogjia apo mësimi në distancë por ashtu siç meriton jo me improvizime mbase ajo i ngjante sikur fëmijët luajnë teze dhe kukafshehur.
Ministria e Arsimit nuk mendoj në mënyrë racionale e komplete dhe për këtë arsye kërkonte vazhdimisht aprovim nga qeveria. Tipikisht, ministri ka nevojë të kuptoj se nuk është diçka në rregull, aq më tepër se ai deklaron “ndoshta nuk do të fillon edhe viti tjetër shkollor në shtator”. Ministria e Arsimit nuk bëri përpjekje të gjeje një mënyrë për t’u kthyer nxënësit në shkollë dhe të rifilloj viti shkollor, me pengesa gjithsesi, por rifillimi kishte reflektime emotive dhe arsimore. Ministria e Arsimit dhe qeveria duhej të kishin aftësinë të vendosin pozicionet për ndërprerjen e mësimit dhe rifillimin e shkollave me punë duke marrë parasysh rrethanat specifike si: përfundimi i notave vjetore pa mbajtje mësimi është jo objektiv. Ekziston një perceptim publik i padrejtësisë ndaj nxënësve dhe arsimtarëve në mbylljen e vitit shkollor pa u takuar arsimtar – nxënës.
CFARË DO TË NDODHË ME FATIN E ARSIMIT, TË SHKOLLËS?
Mendoj se këtu mund të shqyrtojmë dy skenar që parashikojnë nismën e mbarë dhe punën normale të shkollave. Opsioni i mundshëm është të fillojnë shkollat me punë normale nga shtatori, por duke theksuar që shëndeti i nxënësve, arsimtarëve dhe stafit tjetër të shkollës, mbetet shqetësim kryesor në këtë kohë pandemie. Skenari ideal, nëse lejon situata pandemike, është që shkollat të nisin punën dhe nëse vërehen te nxënësit shenja virusale, të izolohen si raste individuale. Nëse shkollat fillojnë me punë duhet paraprakisht të respektohen disa rregulla që sigurojnë shëndetin. Shkollat ndoshta do të hapen dhe do të fillojnë me punë, por nuk do të jenë si më pare. Do të ketë ndryshime nga shkolla që jemi mësuar ta shohim.
SHKOLLAT DO TË RRIKTHEHEN, POR NUK DO TË JENË SI MË PARË
Shtrohet pyetja: Si do të punojnë shkollat nga shtatori? Shkollat priten të hapen në shtator dhe të fillon viti i ri shkollor. Këtu parashtrohen më shumë pyetje: A do të ketë kufizime të mëdha në punën e shkollës? Si të rruhet distanca fizike dhe ajo sociale? Si të sigurohen kushte dhe masa maksimale higjienike të shkollës dhe hapësirës së saj? Si mund në shkollë të kufizohen kontaktet? Dhe pyetja e fundit, mos vallë mësimi në distance do të mbetet model i organizimit të mësimit edhe në vitin e ri shkollor? A funksionoj mirë mësimi në largësi? Cilat ishin mangësitë e tij? Në vitin e ardhshëm shkollor, të shpresojmë se nxënësit do të kthehen në shkollë, por me rregulla të reja dhe me disa masa parandaluese pasi ka 6 muaj që janë larguar nga aktivitetet shkollore shkaku i krizës së korona virusit. Shkollat do të fillojnë vitin e ri shkollor por arsimi do të ndryshojë. Ja 12 mënyra si do të ndryshoj arsimi:
Në shkollë do të ketë ndërprerje të marrëdhënieve shoqërore për shkak të distancimit fizik e kjo do të shkaktoj probleme socializimi dhe getoizimi.
Nxënësit nuk duhet të pështyjnë në klasë, në korridor, në oborr të shkollës, jo vetëm pse nuk është kulturore dhe higjienike, por mos përhapet virusi.
Nxënësit do të ndjehen të stresuar dhe të shqetësuar, prandaj duhet pasur kujdes në sjelljen ndaj tyre dhe në procesin e edukimit.
Gjithçka që preket nga nxënësit si topi, mjete mësimore, pajisjet mësimore, instrumente duhet të jenë të pastra dhe rregullisht të dezinfektohen.
Distanca fizike do të udhëzohet të praktikohet edhe më tutje në hapësirat shkollore. Kjo do të ketë një rol të madh në procesin e edukimit dhe të arsimimit.
Aktivitete fizike, kulturore do të lejohen të bëhen në grupe prej 4-5 nxënës ose të ndalohen tërësisht.
Afrimi i nxënësve edhe në kushte kur ajo është e domosdoshme për realizimin e mësimit do të pëson dështime për shkak të ruajtjes së distancës fizike, organizim të bashkëbisedimit në distancë.
Do të pësojnë ndryshime organizimi i ekskursioneve dhe formave të tjera të organizimit të mësimit në natyrë dhe për shkak të transportit me autobus të nxënësve.
Frika te drejtuesit e shkollave dhe stafi i mësimdhënësve dhe nxënësit do të jetë permanente dhe intenzivisht e shprehur për mos përhapjen e virusit.
Hapësirat shkollore gjithnjë duhet të dezinfektohen, të dezinfektohen rrezet e dyerve e të dritareve, bankat, karriget e të ngjashme.
Nxënësit dhe arsimtarët do të mbajnë mjete mbrojtëse personale në shkollë e gjatë mësimdhënies (maska, dorëza).
Arsimi do të ridizajnohet për punë në distance fizike dhe sociale. Kjo e bën që arsimi të funksionojë ndryshe.
Organizimi më ndryshe i arsimit dhe ndryshimet që priten në arsim kushtëzojnë edhe përshtatjen e mësuesve për punë ndryshe. Profesioni i mësuesisë, megjithë disa përpjekjeve drejt diversitetit, është ende bardhë e zi për problemet mësimore dhe kjo ndodh nga fakti jo për konceptet e thjeshta, por nga fakti se mësuesit kanë nevojë për përgatitje shtesë për t’u përballur me sfidat e reja arsimore. Madje kjo edhe për faktin se fillimi i vitit shkollor në kushte pandemie krijohen shumë rreziqe të fshehura nga virusi. Por a do të thotë kjo se nuk duhet të shkojnë në shkollë nxënësit? Kjo krijon hapësirë që institucionet dhe politika arsimore të mendojnë jashtë skemave normale.
PËRFUNDIM
Viti shkollor përfundoi para kohe nën trysnin e pandemisë së koronavirusit. Kjo është pak a shumë si të pranosh se vendimi është i arsyeshëm, i domosdoshëm. Nxënësit u privuan nga iluzionet që ushqenin për ditët e fundvitit – aktivitete kulturore, letrare, artistike, ekskursione, përfundimi i notave, marrja e dëftesave, mbledhjet prindërore, programe para prindërve e të ngjashme. Institucionet arsimore duhet të punojnë në drejtim të përshtatjes së rrethanave të reja të punës në kushte pandemie, arsimtarët duhet t’u përshtaten situatave që shtron paraqitja e virusit, të jenë në gjendje mobile dhe të gatshëm për reagime të shpejta. U tregua dhe u pa se sa të rëndësishëm janë mësuesit për nxënësit, ndonëse puna e tyre nuk është vlerësuar aq sa e meritojnë ata. Ka nevojë për një menaxhim më të mire të pandemisë dhe ai të fokusohet realisht në mundësitë e heqjes së frikës dhe shqetësimeve që krijon te nxënësit. (koha.mk)