Emily Dickinson | E përkthehu nga anglishtja: Laureta Petoshati – Jeta ime ka qenë – një armë e mbushur
Jeta ime ka qenë – një armë e mbushur
në qoshe- derisa një ditë vjen
I Zoti kalon- më njëjtëson
dhe me vete më rrëmben.
E tashmë Ne endemi në Pyjet Sovranë
E tashmë shkojmë Kaprollen të gjejmë
E çdo herë që për Të unë flas
Malet menjëherë përgjigjen e kthejnë.
E unë buzëqesh, një dritë kaq e fortë
Flakëron përmbi Luginë
Është sikur një pamje Vezuviane
Ka çliruar tërë kënaqësinë.
E kur natën- Dita për bukuri ka shkuar
Te Koka e Mjeshtrit tim sytë i mbaj
Është më mirë se nënkresa e thellë
Me pupla Rosash – Deti -që me të e ndaj.
Ndaj armikut të tij – jam armike për vdekje
Asgjë për herë të dytë s’lëviz
Mbi atë unë hedh një sy të verdhë
O bëj të zhdërvjellët të madhin Gisht.
E pse unë se Ai – mund të jetoj më shumë
Ai duhet më gjatë – të jetojë se Unë.
Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm
Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm –
Suksesin te rrethi i plotë e gjen
Fort e shndritshme për gëzimin tonë të luhatshëm
Madhështore befasia e të vërtetës vjen
Si një rrufe që fëmijëve u thjeshtohet me fjalë
Me shpjegime plot butësi
E vërteta duhet të na vrasë sytë dalëngadalë
Ndryshe do të mbetet qorr çdo njeri –
ʺShpresa” është krijesë me pupla
ʺShpresa” është krijesë me pupla –
Që brenda shpirtit rri-
Këndon melodi pa fjalë –
E s’ndalon fare – kurrsesi –
Dhe mjaft ëmbël –në Puhi-dëgjohet-
Dhe e egër stuhia duhet të jetë –
Që Zogu i vockël nga ajo të hutohet
Ai që mbajti ngrohtë kaq vetë –
Në vendin më të akullt e kam dëgjuar –
Dhe në detin ku mendja s’më ka shkuar –
Prapë, kurrë, në skaj qoftë dhe një thua,
Ai s’kërkoi një thërrime- nga mua.
Dëgjova një zukatje mize – kur vdiqa
Dëgjova një zukatje Mize – kur vdiqa-
Në Dhomë gjendja e Qetësisë
Ishte si Qetësia që mbretëron-
Ndërmjet Vrulleve të Stuhisë-
Sytë përreth- u shtrydhën deri në tharje-
Dhe Fryma u mbajt shumë fort
Për atë Sulm të fundit – kur Mbreti
Të shfaqej vetë- në Dhomë –
Thashë ҫʾlija për Kujtim – Firmosa
Se hiqja dorë nga e imja pjesë
Që mund të jepej- dhe pastaj
u fut aty një Mizë në mes-
Me një Zukatje Blu – të paqartë- të çalë –
Ndërmjet dritës – e meje në shtroja-
Dhe Dritaret sʾpo dukeshin më – e më pas
Nuk mundesha të shikoja që të shikoja-
Era- si Njeri i lodhur trokiti-
Era – si Njeri i lodhur trokiti-
Dhe si Zonjë Shtëpie- “Eja, urdhëro”
Përgjigjem me guxim – pastaj hyri
Në Banesën time domosdo
Një Mik i Shpejtë- pa këmbë fare-
Një Karrige po tʹi jepje mu atje
Aq e pamundur ishte sikur t’i zgjasje
Vetë Ajrit një Kanape-
Sʹkish Kocka që Trupin ta mbante të bashkuar-
E folura e tij ishte një Nxitje prore
E një morie Zogjsh në Kor duke kënduar
Nga një Shkurre e epërme, hyjnore-
Pamja e tij – një Dallgë në zenit-
Gishtat e tij kur qe duke kaluar
Lëshonin një muzikë – si nga meloditë
Që frynin brenda Xhamit duke fërgëlluar-
Bëri vizitë – duke ardhur rrotull në çdo cep –
Pastaj si një njeri i frikësuar
Prapë, Ai trokiti, -me shkulme i paqetë-
Dhe unë vetëm kam qëndruar-
Këndoj të mbush kohën e pritjes
Këndoj që të mbush kohën e pritjes
Veçse të lidh skufjen për gjumë,
Të mbyll derën e shtëpisë sime
Sʹkam çʹtë bëj gjë tjetër unë.
Kur hapi i tij i pashoq është afruar
Drejt ditës bashkë udhëtojmë ne,
I themi njëri-tjetrit si kemi kënduar
Për të mos e qasur errësirën atje.
Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote
Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote
Që kurrë sʹmë shkroi një gisht –
Lajme të thjeshta që Natyra tregonte –
Me Madhështi të brishtë.
Dhe i besohet Mesazhi i saj
Duarve që sʹmund t’i shoh –
Për dashurinë e Saj – të ëmbël – bashkatdhetarë –
Gjykoni butë – mbi Mua, përse jo.
Unë banoj në mundësi
Unë banoj në mundësi–
Një Shtëpi më e këndshme se Proza–
Më e pasur me Dritare –
Më e shkëlqyer – për nga Portat –
Me Dhoma njësoj si Qitrot –
Të papushtueshme nga asnjë sy–
Dhe për një Çati të përjetshme
Drejt Qiellit me dy Pjerrësi –
Me Miq – më të bukurit-
Për Detyrë ku banoj – Këtë –
Hapjen gjerësisht të Duarve të ngushta
Për të mbledhur Parajsën sa sʹka më –
Truri -është më i gjerë se qielli-
Truri – është më i gjerë se qielli-
Se- t’i vendosësh ata- krah për krah-
Do të ndërfuten te njëri-tjetri
Me lehtësi -dhe ti- përkrah-
Truri është më i thellë se deti-
Se – t’i shtrëngosh ata- blu më blu-
Do të përthithin njëri-tjetrin-
Si sfungjerët -kovat- bëjnë kështu-
Truri është thjesht pesha e Zotit-
Se –t’i peshosh ata- njësi më njësi-
Ata do të ndryshonin- nëse kjo ndodh-
Si rrokja me tingullin aty-
Nëse do tʹia ndal një Zemre lëndimin
Nëse do tʹia ndal një Zemre lëndimin,
Unë kot nuk do të jetoj;
Nëse do tʹia lehtësoj një Jete mundimin,
Ose një Dhembje do të qetësoj,
ose një Gushëkuq të rrëzuar do të ndihmoj
Brenda Folesë së tij përsëri ta çoj,
Unë kot nuk do të jetoj.
Ndjeva një funeral në trurin tim
Ndjeva një funeral në trurin tim
Dhe ngushëlluesit venin shkonin
Po më shkelnin-shkelnin – sa m’u duk sesi
ma dhanë ndjesinë që po depërtonin-
Dhe kur të gjithë kishin zënë vend
Një shërbesë si një trumbetë-
Po binte -binte – sa më shkoi në mend
Mendja ime po mpihej vërtetë-
Pastaj dëgjoj, ngritën një kuti
Dhe kërcitjen tejpërtej shpirtit tim
Me të njëjtat çizme plumbi përsëri,
Pastaj hapësira – nis një kumbim.
Sikur krejt qielli të qe një kambanë
Dhe qenia, veç një vesh, po ashtu,
Dhe unë, vetmia, ca paraardhës tanë,
Të ngecur, të vetmuar, këtu –
Dhe një dërrasë brenda arsyes thyhet
Dhe poshtë e më poshtë unë rrëshqas-
Dhe godas një botë e çdo skutë që shtrihet
Dhe e mbaroj së njohuri –më pas-
Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen
Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen –
Ai për mua ndaloi me njerëzi –
Karroca s’kishte gjë veç nesh –
Dhe ç’quhej pavdekësi.
Ne ngamë ngadalë – Ai s’pati nxitim
Unë lashë pas dore gjithsesi
Punët dhe kohën e lirë, pa pendim
Për sjelljen e tij plot mirësi –
Kaluam shkollën ku fëmijët rropateshin
Në pushim të madh- gjatë rreshtimit –
Kaluam fushën ku kallinjtë na zgjateshin –
Kaluam dhe diellin e perëndimit –
Ose më mirë – Ai te ne kaloi–
Me ethe të ftohta dilnin bulëza –
Nga e vetmja cipë e hollë e imja, bluza –
Vetëm prej tyli – shalli që më mbuloi –
Ndaluan para një shtëpie që ngjante
Një gungë e ngritur e tokës atje –
Çatia veç me zor nga syri kapej –
Trari i kulmit – futur në dhè –
Që atëherë, – ishin shekuj – dhe akoma
Ndihet më e shkurtër se vetë dita përsëri
Për kokat e kuajve që në fillim kuptova
Se shkonin drejt e në përjetësi –
Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket
Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket—
Pastaj—e mbyll të vetën derë —
Në shumicën e saj të shenjtë —
S’pranon të tjerë —
Mospërfillëse—vëren karrocën —të ndalojë në udhë—
Te postblloku i poshtëm në skaj —
Pa e çarë kokën —një Perandor bie në gjunjë
Mbi rrugicën e shtruar të saj—
E kam njohur atë – nga një popull i madh –
Zgjodhi vetëm një—
Pastaj – mbyll kllapat e vëmendjes me radhë—
Si gur përgjithnjë—
Net pafre – Net pafre!
Net pafre – Net pafre!
Po të isha unë me ty
Netët pafre do të ishin atje
E jona kënaqësi!
Të kota – erërat me furi-
Për një Zemër në mol-
Bërë me një cak si kufi-
Bërë me grafik të hollë!
Duke vozitur potershëm në Eden-
Ah – deti aty!
Duhej veç të ankorohesha – sonte-
Brenda te ty!
Unë vdiqa për të bukurën
Unë vdiqa për të bukurën, por ish vështirë
Të zija vend brenda në varr,
Kur një që vdiq për të vërtetën shtrirë
Prehej në dhomën pranë.
Ai pyeti butë pse jetën dhashë?
“Për të bukurën,” ia ktheva aty.
“Unë për të vërtetën- e njëjta gjë janë bashkë;
Jemi të një barku,” më tha ai.
Dhe, kur të afërmit u takuan një – natë,
Ne midis dhomave ca fjalë i thamë,
Derisa myshku te buzët shkoi larg,
Dhe mbuloi tërësisht emrat tanë.
Unë jam Askushi! Kush jeni ju?
Unë jam Askushi! Kush jeni ju?
Mos je – Askushi – ti, gjithashtu?
Atëherë këtu ne bëhemi dy!
Mos trego! Lajmi merr dhenë – ti e di!
Sa zymti – të jesh – Dikush në sërë!
Sa i hapur për t’u dukur – si një bretkosë –
Që ia thotë emrin e vet – një Qershor të tërë –
Një moçali admirues, doemos!
Të papërfytyrueshme hijerënda!
Të papërfytyrueshme hijerënda!
Gjërat plot shkëlqim
Depërtojnë – me Goditjen e parë
Me Pamje e shëmbëllim –
Paradat e tyre të skajshme – godasin mbi sy
Me një Bujë të heshtur
Madhështi plot shfajësim –
Flamujt, janë pamje guximtare –
Por asnjë Sy i mësuar
Ndonjërit pranë s’i ka kaluar
Ngultas me vështrim –
Muzika është Ngadhënjimtare –
Por një Vesh i stërholluar
ç’po u dridhka pa u mbajtur fare
Daullet shumë janë afruar –